KAMPET SI PARADIGMA

Kampet nuk janë gjë tjetër veçse vendet ku u mundësua conditio inhumana më absolute që ka ekzistuar ndonjëherë mbi dhé: ky është fundja fakti më me rëndësi, si për viktimat ashtu edhe për të ardhmen

Giorgio AGAMBEN

Ajo që ndodhi në kampet e përqendrimit e kapërcen aq rrënjësisht konceptin juridik të krimit sa që përgjithësisht, shqyrtimi i strukturës së veçantë juridiko-politike në të cilën u zhvilluan ato ngjarje lihet thjesht në harresë. Kampet nuk janë gjë tjetër veçse vendet ku u mundësua conditio inhumana më absolute që ka ekzistuar ndonjëherë mbi dhé: ky është fundja fakti më me rëndësi, si për viktimat ashtu edhe për të ardhmen. Me qëllim, ne do të përpiqemi të ndjekim këtu një drejtim tjetër. Në vend që ta nxjerrim përkufizimin e kampit nga ngjarjet që ndodhën në të, ne do të shtronim më mirë pyetjen: ç’është në të vërtetë kampi, cila është ajo strukturë e tij juridiko-politike që bëri të mundur që të tilla ngjarje të ndodhin në të? Kjo do të na shpjerë ta shohim kampin jo thjesht si një fakt historik dhe një anomali që i përket së kaluarës (edhe pse, me gjasa, ende e përsëritshme), por, në njëfarë mënyre, si amzën e fshehtë, si nomos-in themelor të hapësirës politike në të cilën jetojmë ende sot. Në studimet historike diskutohet nëse shfaqja e parë e kampeve duhet parë tek campos de concentraciones të ndërtuara nga spanjollët në Kubë në 1896-ën për të shtypur kryengritjen e popullsive të kolonisë, apo tek concentration camps të përdorura nga anglezët për të grumbulluar dhe mbyllur boerët në fillim të shekullit; por ajo që është e rëndësishme është se në të dyja rastet kemi të bëjmë me shtrirjen dhe zgjerimin ndaj një popullsie civile të një situate të jashtëzakonshme, si rrjedhojë e luftës koloniale. Shfaqja e kampeve nuk është një dukuri që i përket të drejtës së zakonshme (dhe aq më pak, siç mund të mendohet, ndonjë shndërrimi apo zhvillimi të së drejtës burgore), por gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtetrrethimit (ligjit të luftës). Kjo gjë është akoma më e dukshme tek Lager-at nazistë, mbi origjinën dhe regjimin juridik të të cilëve kemi dokumentacion të bollshëm. Dimë kështu se baza juridike e mbylljes në kampe nuk ishte e drejta ordinere, por Schutzhaft-i (fjalë për fjalë:mbajtja parandaluese), një institucion juridik me origjinë prusiane që juristët nazistë e shohin shpesh si një masë policore parandaluese që lejon mbajtjen të mbyllur të individëve pavarësisht nga çdo sjellje ligjërisht e dënueshme nga ana e tyre, me qëllimin e vetëm për të shmangur ndonjë rrezik për sigurinë e shtetit. Origjina eSchutzhaft gjendet në fakt në ligjin prusian të 4-6-1851mbi shtetrrethimin dhe që më 1871 u shtri në të gjithë Gjermaninë (me përjashtim të Bavarisë) dhe, akoma më parë, në ligjin prusian mbi “mbrojtjen e lirisë personale”(Schutz der persönlichen Freiheit) të 12-2-1850, që gjetën një zbatim masiv gjatë Luftës së Parë Botërore. Nuk do të ishte e tepruar të mbështeteshim tek ky raport thelbësor mes gjendjes së jashtëzakonshme dhe kampeve të përqendrimit për të kuptuar natyrën e vërtetë të kampeve. “Mbrojtja” e lirisë për të cilën behet fjalë në Schutzhaft, është, ironikisht, mbrojtja nga pezullimi i ligjeve që është tipar i gjendjes së shtetrrethimit. Dukuria ere është se, tani, ky institucion shkëputet nga gjendja e jashtëzakonshme në të cilën mbështetej dhe lihet në fuqi edhe në situatë normale. Kampi është hapësira që krijohet kur gjendja e jashtëzakonshme (lo stato d’eccezione) fillon të bëhet rregulli. Gjendja e jashtëzakonshme, që në thelb, paraqitej më parë si një pezullim i përkohshëm i sistemit, fiton tani një organizim hapësinor të përhershëm që, si i tillë, mbetet megjithatë vazhdimisht jashtë sistemit. Kur në mars të 1933-shit, pikërisht në momentin e kremtimeve për zgjedhjen e Hitlerit si kancelar i Reich-ut, Himmler-i vendosi të krijojë në Dachau një“kamp përqendrimi për të burgosur politikë”, detyra iu ngarkua menjëherë SS-ve dhe falë Schutzhaft-it, u vendos jashtë rregullave të së drejtës penale dhe asaj burgore, metë cilën nuk pati hiç të bëjë, as atëherë e as më vonë. Dachau, ashtu si dhe kampet që e pasuan (Sachsenhausen, Buchenwald, Lichtenberg), virtualisht vazhduan të mbeten në funksion si të tillë: e vetmja gjë që ndryshoi ishte masa e popullsive në to (e cila, në disa periudha, veçanërisht mes 1935-ës dhe 1937-ës, para fillimit të depërtimit në masë të çifutëve, ishte e kufizuar në 7 500persona). Por kampi si i tillë ishte bërë ndërkohë një realiteti qëndrueshëm në Gjermani.
Duhet të përqendrohemi tek statusi paradoksal i kampit si hapësirë e jashtëzakonshme (spazio di eccezione): është një copë territori që gjendet e vendosur jashtë sistemit juridik normal, por që, megjithë këtë, nuk është thjesht një hapësirë e jashtme (esterno). Ajo që në të gjendet e përjashtuar (escluso) është, sipas etimologjisë latine të termit përjashtim (ex-capere), e ndryrë përjashta, e përfshirë falë vetë përjashtimit. Por ajo që ngërthehet kështu, para së gjithash, brenda sistemit dhe bëhet pjesë e çuditshme e tij është vetë gjendja e jashtëzakonshme. Kampi është struktura ku realizohet gjendja e jashtëzakonshme në mënyrë të qëndrueshme. Hannah Arendt pat vënë re dikur se në kampet e përqendrimit del në pah parimi bazë i funksionimit të sisteme vetotalitare dhe që arsyeja e shëndoshë ngurron me kokëfortësi ta pranojë, do me thënë parimi sipas të cilit“çdo gjë është e mundur”. Pikërisht ngaqë kampet përbëjnë një hapësirë të jashtëzakonshme, në kuptimin e mësipërm, d.m.th. një hapësirë ku ligji është tërësisht i pezulluar, në to çdo gjë është me të vërtetë e mundur. Pa kuptuar thelbin e kësaj strukture të veçantë juridiko politike të kampeve, që ka për qëllim realizimin e qëndrueshëm të gjendjes së jashtëzakonshme, ngjarjet e pabesueshme që ndodhën në to na mbeten tërësisht të pakuptueshme. Kush hynte në kamp endej në një zonë ku ishte i fshirë dallimi mes brendësisë dhe jashtësisë, përjashtimit dhe rregullit, të ligjshmes e të paligjshmes, ku asnjë lloj mbrojtjeje juridike nuk ushtrohej më; për më tepër, në rastin e çifutëve, ata kishin qenë tashmë, si pasojë e ligjeve të Nurembergut, të zhveshur nga të drejtat qytetare, dhe më pas, në momentin e “zgjidhjes përfundimtare”,plotësisht të çnatyralizuar. Për nga vetë fakti që banorëve të kampit u ishte marrë çdo e drejtë dhe hequr çdo status politik duke i reduktuar kështu në jetë integralisht të zhveshur, kampi përfaqëson gjithashtu hapësirën biopolitike më absolute të realizuar ndonjëherë, ku pushteti ka përballë tij vetëm jetën e kulluar biologjike pa asnjë ndërmjetësim. Kampi shfaqet kështu si modeli i hapësirës politike në momentin kur politika bëhet biopolitikë dhe ku homo sacer shkrihet virtualisht me qytetarin. Pyetja e duhur përpara tmerreve që ndodhën në kampet e përqendrimit nuk është ajo që me hipokrizi kërkon të kuptojë se si ishte e mundur të kryhen krime aq të mizorshme ndaj qenieve njerëzore. Do të ishte më e ndershme dhe sidomos më me dobi të pyetej se çfarë procedurash juridike dhe çfarë dispozitivash politike u vunë në punë për të mundësuar që qeniet njerëzore të zhvishen aq shumë nga çdo e drejtë dhe cilësi politike, sa asnjë akt i kryer ndaj tyre të mos përbënte më krim (në fakt, në këtë pikë, çdo gjë ishte bërë me të vërtetë e mundur).
Nëse kjo është e vërtetë, nëse kuptimi i kampit qëndron në materializimin e qëndrueshëm të gjendjes së jashtëzakonshme dhe në krijimin e një hapësire të veçantë për jetën e zhveshur (la nuda vita) si të tillë, atëherë na duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me një kamp sa herë që ballafaqohemi me një strukturë të tillë, pavarësisht nga masa e krimeve të kryera në të dhe cilatdo qofshin emërtimi dhe topografia e saj e veçantë. Kamp do të jetë kështu si stadiumi i Barit ku në 1991-shin policia italiane grumbulloi përkohësisht emigrantët klandestinë shqiptarë para se t’i përzinte drejt vendit të tyre, ashtu edhe Vélodrome d’Hiver (Velodromi i Dimrit) në Paris ku autoritetet kolaboracioniste të Vichy-së mblodhën çifutët para se t’ua dorëzonin gjermanëve, si kampi i refugjatëve në kufirin spanjoll pranë të cilit vdiq Antonio Machado në 1939-ën, ashtu edhe të ashtuquajturat zones d’attente (zona pritjeje) të aeroporteve ndërkombëtare franceze ku mbahen të mbyllur të huajt që presin njohjen e statusit të tyre si refugjatë. Në të gjitha këto raste, një vend në dukje pa rëndësi (si p.sh. hoteli Arcade në aeroportin e Parisit Roissy), përvijon në të vërtetë një hapësirë ku sistemi normal është faktikisht i pezulluar dhe ku mundësia e akteve pak apo shumë mizore, nuk varet nga e drejta por vetëm nga qytetaria dhe sensi etik i policisë që vepron përkohësisht si forcë sovrane (për shembull, në katër ditët gjatë të cilave refugjatët mund të mbahen në zonat e pritjes përpara ndërhyrjes së autoriteteve gjyqësore). Por edhe disa periferi të qyteteve të mëdha post-industriale – dhe, në një kahje tjetër, por homologe, ato që në Shtetet e Bashkuara quhen gated communities – po nisin sot t’u ngjajnë gjithnjë e më shumë kampeve ku jeta e zhveshur dhe jeta politikisht e cilësuar, së paku ne momente të caktuara,hyjnë në një zonë papërcaktueshmërie.
Lindja e kampit del, nga ky këndvështrim, si një ngjarje vendimtare për shtjellimin e hapësirës politike moderne. Ajo vjen në momentin kur sistemi politik i Shteteve-kombëtare moderne, që ngrihej mbi marrëdhënien funksionale mes një vendndodhjeje (territorit)dhe një rendi juridik të përcaktuar (shtetit), të lidhur së bashku nga një sërë rregullash automatike të mbishkrimit politik të jetës (lindja ose kombi si vendlindje) hyn në një fazë të qëndrueshme krize dhe ku shteti vendos që,përveç detyrave të veta, të marrë drejtpërdrejt në ngarkim edhe jetën biologjike të kombit. Nëse struktura e Shteteve-kombëtare përkufizohet kështu nga tre elementet territor-sistem-lindje, shthurja e nomos-it të mëparshëm nuk ndodh në asnjë nga dy aspektet e tij përbërëse sipas Schmitt-it (vendndodhja, Ortung, dhe sistemi, Ordnung), por në pikën që shënon mbishkrimin e jetës së zhveshur në to (lindja [nascita] që bëhet kështu komb [nazione]). Diçka nuk ecën më në mekanizmat që rregullonin tradicionalisht këtë mbishkrim; kampi është rregullatori i ri i fshehtë i mbishkrimit të jetës brenda sistemit -ose, më saktë, shenja që tregon pamundësinë e sistemit për të funksionuar pa u shndërruar në makinë vdekjeprurëse. Është kuptimplot fakti se kampet shfaqen në të njëjtën kohë me ligjet mbi heqjen e qytetarisë dhe çnatyralizimin e qytetarëve (jo vetëm ligjet e Nurembergut mbi qytetarinë brenda Reich-ut, por po ashtu edhe ato mbi çnatyralizimin e qytetarëve të vëna në fuqi në pothuaj gjithë shtetet europiane, përfshirë dhe Francën, mes 1915-ës dhe 1933-shit). Gjendja e jashtëzakonshme, që përbënte në thelb një pezullim të përkohshëm të sistemit, bëhet tanimë një rend i ri dhe i qëndrueshëm hapësinor, i banuar nga kjo jetë ë zhveshur që gjithnjë e më pak ia deltë mbishkruhet brenda sistemit. Ndarja dhe largimi gjithnjë e më i madh mes lindjes (jetës së zhveshur) nga njëra anë dhe Shetit-kombëtar nga ana tjetër është fakti i ri i politikës në kohën tonë dhe ajo që ne quajmë kamp emërton pikërisht këtë hendek. Një sistemi pa vendndodhje (gjendjes së jashtëzakonshme, në të cilën ligji gjendet i pezulluar) i përgjigjet tani një vendndodhje pa sistem (kampi si hapësirë përjashtimi e kurdohershme). Sistemi politik nuk arrin të bashkëlidhë më format e jetës me normat juridike në një hapësirë të përcaktuar por kanë gjirin e tij një qendër me efekt shpërqëndrues (localizzazionedislocante) që e tejkalon vetë atë dhe ndaj të cilës gjendet e ekspozuar, e prekshme, çdo formë jete dhe çdo normë. Kampi si qendër shpërqëndrues është amza e fshehtë e politikës nën të cilën jetojmë ende dhe që duhet të mësojmë ta dallojmë përmes gjithë metamorfozave të mundshme, në zones d’attente të aeroporteve apo në periferitë e qyteteve tona. Ai është elementi i katërt që vjen e i shtohet, duke e shpërbërë, trinitetit të vjetër shtet-komb(lindje)-territor. Pikërisht nga ky këndvështrim duhet parë edhe rishfaqja e kampeve në territoret e ish-Jugosllavisë, nën një formë, në një farë mënyre, akoma më të skajshme. Ajo që po ndodh atje aktualisht nuk ka të bëjë fare, siç vrapuan ta pohojnë disa vëzhgues të interesuar, me ndonjëri përkufizim të sistemit të vjetër politik sipas dispozitash të reja etnike e territoriale, që do të ishte një përsëritje e thjeshtë e proceseve që çuan në ndërtimin e Shteteve kombëtare europiane. Kemi të bëjmë më saktë me një shthurje të nomos-it të vjetër dhe dislokimin e popullsive dhe jetëve njerëzore sipas kahjesh shpërbërëse krejt të reja. Prej këtej vjen edhe rëndësia vendimtare e kampeve të përdhunimit etnik. Nazistët nuk menduan asnjëherë të arrinin realizimin e “zgjidhjes përfundimtare” duke bërë me barrë gratë çifute sepse, parimi i vend-lindjes, që siguronte mbishkrimin e jetës brenda Shtetit-kombëtar, edhe pse thellësisht i tjetërsuar, ishte në një farë mënyre ende në veprim. Sot, kur ky sistem i është nënshtruar një procesi të pakthyeshëm shpërbërjeje dhe kur funksionimi i tij duket qartë se është i pamundur, duhet të përgatitemi jo vetëm për kampe të reja, por edhe për përkufizime normative të mbishkrimit të jetës në gjirin e Qytetit gjithnjë e më të reja e më delirante. Kampi, i ngujuar tashmë thellë në zemër të Qytetit është nomos-i i ri biopolitiki planetit. (1995)

Përktheu Orgest Azizi

Leave a Reply

Your email address will not be published.