Njerëzit lindin dhe vdesin, koha ecën përpara e matur me numrat që ne kemi krijuar për të perceptuar lëvizjen e sajë monotone mbi këtë planet ku koha duket po e njëjtë
(Hamdi) Erjon MUÇA
Fizikanti i madh dhe një nga kozmologët me të mëdhenj të botës, Stephen Wiliam Hauking e kaloi thuajse të gjithë jetën në kërkimin e një teorie të të gjithës: kërkoi të gjejë ekuacionin perfekt për të shpjeguar universin. E mrekullueshme apo jo?! Një ekuacion elegant, i shkurtër, që shpjegon lindjen, jetën dhe pse jovdekjen e universit. Hauking nuk e gjeti, ndërsa përsa i përket poezisë, Migjeni e kishte gjetur ekuacionin e vet: gjithçka zbërthehet me anë të titullit…
Me anë të kësaj metode do të merremi me poezinë “Kanga Skandaloze”.Fjalëkangëme gjasë Migjeni e ka shtuar më mbrapa këtë term, pasi për kohën, nëse botohej me titullin “Skandaloze”, do të kish qenë një tërmet social, kurse me shtojcë në fillim dukej më e kamufluar; domethënë është poezia një kangë skandaloze dhe jo subjekti…
Mbiemri skandaloze rrjedh nga skandal, dhe në gjuhën amë të vetën ka tre kuptime.
1: Turbullim i ndërgjegjes kolektive nga një ndodhi, sjellje, ose fjalim që ofendon principet morale korrekte.2: Me vlerë më të theksuar e konkrete, vepër ose veprim që ofendon shijen e mirë, sensibilietitn ose ndjenjën e turpit me anë të një moskokëçarie dhe lirie të tepruar.3: Reklamim i padëshiruar, tronditje rreth një ngjarje të turpshme.
Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supat e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia
– kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…
Për Migjenin kjo lloj situate është skandaloze. Njerëzit lindin dhe vdesin, koha ecën përpara e matur me numrat që ne kemi krijuar për të perceptuar lëvizjen e sajë monotone mbi këtë planet ku koha duket po e njëjtë. E përpos të gjithë kësaj tymnaje të ngritur nga këto numra, koha duket sikur ka ngecur në vend.
A nuk kishte në paganizëm priftëresha, murgesha të virgjëra, të tempullit të Dianës, Afërditës, Apollonit e kështu e me radhë?! A nuk mendonin ato se sakrifica e tyre ishte pjesë e një detyrimi moral ndaj njerëzve, të afërt dhe të largët, ndaj botës, që po sipas mendimit të tyre, kishte mjaft nevojë për këtë sakrificë?!E, a nuk mendonin ato se me anë të kësaj sakrifice po mbanin mbi shpatulla fatet e njerëzimit?!
Ja pra pikërisht këtu qëndron skandali. Skandali qëndron te keqpërdorimi i besimit dhe bindjeve! Te rëndësia që ne i japim veprimeve tona kundrejt atyre të të tjerëve. Te përultësia fiktive, e jo të gjithave, por vetëm të një pjese të humanëve që me anë të veshjes duan të shesin njeriun. Pikërisht fraza e fundit: si ejll i arratisun, këtë aspekt ka dashur të tregojë; mendjemadhësinë fshehur pas gjoja përuljes, përkushtimit, përvuajties. Skandaloze, për Migjenin, nuk është më pak kjo skenë se sa shumë skena të tjera të jetës së përditshme njerëzore. Nuk përbën ndonjë skandal të madh mosbesimi, por besimi pompoz, ai duhet të përbëjë skandal. Kjo është skandaloze; mos ndryshimi, por vetëm riciklim i të vjetrës me veshje të reja… Prandaj vargu i parë që nëse e lidhim me artin hermetik, nga një murgeshë e zbehtë, mund të komentohet: në qenie njerëzore skandaloze…
Një mugeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve të djeguna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtanapsherëtimet që mbysin
– ma la deri vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.
Skandaloze kjo qenie njerëzore që duket sikur nuk ka asgjë të njerëzishme brenda vetes; megjithëse si të gjitha femrat e kësaj bote ka organe femërore dhe cikle natyrale të rregullta. Ka nevoja prej mishi, më tepër se sa prej shpirti, të cilat i ka mbytur për hir të këtyre të dytave. A nuk shkruhet në bibël: dashurohuni, martohuni dhe shtohuni?! Kjo sjellje prej martireje, vullnetare, a nuk përbën një lloj fyerje për vetë thelbin e besimit te Zoti i Abrahamit?! Kur i pyet njerëzit e fesë se përse nuk martohen priftërinjtë katolikë apo për vetësyrgjynosjen e murgeshave, dhe të murgjve, ata të përgjigjen se gjithçka e bëjnë ngaqë Jezu Krishti nuk u martua. Ama, ai nuk kërkoi që njerëzit të mos martoheshin në nder të tij. Nuk ka shenjtorë pa të shkuar dhe mëkatarë pa të ardhme…
E mrekullueshme është se si përshkruan me imtësi çdo detaj njerëzor të shtypur nën një regjim të pakuptimtë kastiteti. Hiri i ndjesive njerëzore që kushtëzon ngjyrën e syve, pasqyrëne shpirtit, siç thonë poetët. Buzët e kuqe që në vend të thithin të gjithë nektarin e mundshëm të kësaj jete të shkurtër, mbyten nën psherëtimat e një lufte të brendshme, të përhershme, mes fiktives dhe efektives.Një qenie njerëzore e mbytur, e shtypur, me ndjenja të vrara, të ndrydhura, për nder të shenjtërisë; një çmim i madh drejt ngadhënjimit; një kamuflim perfekt i mendjemadhësisë me anë të virtytshmërisë…
Në fund e përmbyll me një metaforë hermetikisht të mrekullueshme: Kujtimin e ftohë të kalesës. Kujtimin e diçkaje të pa sens që kaloi para vështrimit të tij dhe që i la një ndjenjë ftohtësie kuptimore?! Apo kujtimin e kohërave të kaluara, të largëta që duket sikur jetojnë në këtë lloj mendësie. E pra, e gjithë forca e artit hermetik nën penën e Migjenit duket aq e natyrshme, saqë në vështrim të parë të largon nga mendimi se ke të bësh me art hermetik. Vetëm me përdorimin në këtë mënyrë të fjalës kalesë, tregon për largpamësinë dhe ndjeshmërinë që Migjeni kishte në gjetjen dhe përdorimin e fjalëve. Sepse në këtë lloj forme, të paktën për këndvështrimin tim, duket si diçka që iku mjaft larg pa pasur më asnjë rrugë kthimi; e shkuara e ka një rrugë kthimi me anë të kujtimeve, e kaluara duket më tepër si term historik dhe sërish i mbetet rrugë kthimi, por kalesa jo, pasi rrokja “esa” në fund të sajë të sjell në mendje fjalën harresë…
Prej lutjesh (jo tallëse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç’fat do kishte?
por dhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi dita.
E pra është skandaloze që qenia njerëzore, e pajisur me tru; organ që ka veti asimilimi dhe zhvillimi të ideve, eksperiencave, të kalojë jetën e vet në mënyrën më inaktive të mundshme; duke u lutur. Për çfarë lutet?
Koha në të cilën Migjeni e shkroi këtë poezi ishte perverse; një Shqipëri e sunduar nga injoranca kolektive dhe e qeverisur nga mediokriteti, ndaj edhe ai shpejton të fusë në kllapa, që në vargun e parë togfjalëshin; jo tallëse, me një pikëçuditëse në fund. Duket si gabim drejtshkrimor ose alterim i rregullave, por ky alterim ka dy funksione, i pari atë të jopërgjithësimit kategorik dhe i dyti, pak më i fshehur, të habisë. Sot ajo pikëçuditëse ka kuptimin e fjalës skandaloze. Sepse është me të vërtetë skandaloze që njeriu zgjohet me lutje, pasi është lutur pak përpara se të flejë…
Skandaloz është fakti që këtyre lutjeve, njerëzit u japin një rëndësi më tepër se jetike. Migjeni në fund shkruan që edhe pse këta luten për botën mbarë, ajo, bota njerëzore dhe jo planeti Tokë, po e njëjtë ka mbetur, e vjetër, skandaloze, në modernizim e sipër, me spirancë të ankoruar thellë në brigjet e të dhunshmes, intolerantes, të së vjetrës së kamufluar në të re…
(…)
Unë dhe ti, murgeshë, dy skaje po të njëjtit litar;
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit
lufta asht e ashpër dhe kushedi se ku do të dali
prandaj ngrehet litari dhe përplasen njerëzit…
Në strofën e fundit Migjeni heq dorë nga thirrja dhe me forcën e njeriut inteligjent, liberal, njeriut që ndien se ka humbur përballë egoizmit idiot njerëzor, sikur dorëzohet, pasi e kupton që është një luftë, të cilën ai nuk mund ta fitojë, një luftë e humbur që në fillesë, nis dhe bën një analizë. Analizë e mrekullueshme në vargje, në të cilën vetëm me pak fjalë ndjen dhimbjen, habinë, vuajtjet që një ndërgjegje e lartësuar provon kur analizon realitetin e përbindshëm njerëzor. Njerëzit të njëjtë, por të ndryshëm; një ndryshueshmëri e dhunshme e pamëshirshme. Skaje të të njëjtit litar; është me të vërtetë një shprehje e marrë na “Kështu foli Zarathustra”, por sipas meje këtu ka një përdorim ndryshe. Litari është lidhja gjenetike njerëzore, ndërsa skajet janë kundërshtitë kuptimore, mënyrat e ndryshme me të cilat njerëzit i përqasen jetës. Madje, edhe murgeshaështë përdorur në këtë kryevepër; e kundërta absolute e Migjenit; besuese me verbëri absolute, femër, ndërsa Migjeni ateist mashkull. Të dy pjesë e litarit të gjatë të evolucionit njerëzor, por ndarë nga përkatësia seksuale dhe orientimi i besimit; besues dhe ateistë. Një luftë e përhershme që ka sjellë vuajtje dhe viktima të shumta, nga të dyja krahët, ndër shekujt që kanë përcjellë ekzistencën njerëzore. Një luftë në zhvillim e sipër edhe për mjaft kohë do sjellë dhunë dhe vdekje mbi tokë. Migjeni jetoi në periudhën e ngritjes së bolshevizmit; të hakmarrjes idiote ateiste, e cila i bashkoi martirë të tjerë human botës së përgjakur njerëzore. Si vëzhgues i mirë e qenies njerëzore, duket sikur jep një parashikim; nuk jep një ekuacion shkencor me një përfundim strikt, por një përfundim në infinit; një nga ata lloje përfundimesh që makinat llogaritëse i ndalin te tre apo katër numra pas presjes… Makinat llogaritëse nuk janë programuar për të vijuar në infinit. Nuk ka se si të përllogarisë botën në të cilën jeton njeriu; njerëz që armatosin njerëz për të vrarë njerëz. Migjeni jetoi në një periudhë ku mbizotëronte dydimensionaliteti; akoma nuk qe zbuluar tredimensionalja, ndaj ai mbështet tek litari me dy skaje. Shkenca evoluoi dhe na tregoi se monedhat mund të kenë edhe fytyra të fshehura përpos dy të dukshmeve. Njeriu ka dorën që ledhaton, dorën që godet dhe gojën me dhëmbë të mprehtë me të cilën kafshojnë; nuk i jemi larguar edhe aq shumë botës kafshërore ndaj nuk ka se si ta kemi harruar kafshimin…