Tashmë legjenda nuk përmendet më. Veç historianët e tregojnë si një anekdotë historike, por dhe si një grindje politike shumëvjeçare midis Greqisë dhe Anglisë
Luan RAMA
Edhe gurët qajnë. Kjo padyshim i përket botës së miteve, asaj që na vjen nga larg, asaj që ne e konsiderojmë të mahnitshme, mbinatyrale, mistike. Botë legjende. E tillë ka qenë dhe legjenda e “Udhëtimit të të vdekurit”. Ai marsh funebër, i quajtur “Konstantini e Doruntina” etj. Kisha lexuar një poezi të hershme të Bajronit, vite më parë për dënesën e kariatideve të Athinës, por një dorëshkrim i piktorit francez Louis Dupré, që zbarkoi në Athinë në verën e vitit 1819, ma rikujtoi këtë histori, këto vargje të poetit të dashuruar me një nga vajzat e Athinës. Ja çfarë shkruante Bajroni në poezinë e tij: “Poeti qan mbi mermerët e vjedhur./Të verbuar janë sytë që s’derdhin lot,/ tek shohin objektet e tua grabitur nga duar profane angleze! Duar që kanë plagosur gjoksin tënd të dhimbur/ dhe rrëmbyer Hyjnitë e tua./
Hyjnitë që urrejnë natyrën e poshtër nordike të Anglisë.“Kariatidet” i kam parë në tempullin e Erechteion disi anash Parthenonit. Gjashtë kariatide, apo “vajza të njoma” të quajtura “kore” në greqisht, mbajnë mbi kokat e tyre gurët e tempullit antik. Në fakt nuk janë origjinalet, pasi pesë prej tyre ndodhen në muzeun e ri arkeologjik të Athinës dhe njëra mbetet e syrgjynosur në muzeun e British Museum, përballë brumave të vazhdueshme të Londrës. Dhe këtu nis legjenda, të cilën edhe piktori francez e dëgjoi kur ishte në Athinë dhe iu ngjit Parthenonit. Aty përgjithësisht banonin arvanitas që rreth tempujve kullosnin bagëtitë. Kur lordi Elgin, skocezi Thomas Bruce, ish ambasadori anglez në Stamboll (1802-1804), ish gjeneral dhe kont i Anglisë, erdhi në Athinë për t‘u interesuar për antikitetin grek, ai kishte siguruar dhe një “firman” të sulltanit, që i lejonte të bënte kërkime arkeologjike e madje dhe të merrte objekte, friza të “frontonit” të tempujve, statuja si dhe kariatidën në fjalë duke e sharruar, një nga gjashtë vajzat e tempullit. Kjo kishte ndodhur në 26 dhjetor të vitit 1805. Ishte një lloj rrëmbimi, që hyri në histori: rrëmbimi i grave, por tashmë të gurta. Lordi i mori, i hipi në anije bashkë me 12 statuja, 15 metope dhe friza të shumta dhe i dërgoi në Londër. Pas pak kohësh, njerëzit që banonin përreth filluan të tregojnë se natën dëgjoheshin dënesa, të qara, thirrje. Ishin pesë motrat e tjera prej guri që kërkonin motrën e tyre. Një vazhdim i tragjedisë antike, por Homeri, Eskili, Euripidi kishin kohë që kishin vdekur. Mijëra vjet, për ta treguar këtë histori. Një tragjedi më vete.
Që nga ajo kohë kur njerëzit tregonin për dënesat e kariatidave, kanë kaluar rreth dy shekuj. Tashmë legjenda nuk përmendet më. Veç historianët e tregojnë si një anekdotë historike, por dhe si një grindje politike shumëvjeçare midis Greqisë dhe Anglisë, pasi kërkesat e herëpashershme të Greqisë, lufta e madhe e Melina Mërkurit kur ishte ministre Kulture dhe zëri i saj në UNESCO, nuk arriti ta kthente vajzën e grabitur. Qeveria angleze thoshte se British Museum ishte një institucion privat; muzeu nga ana e vet thoshte se gjithçka ishte marrë legalisht dhe se Greqia nuk i kishte kushtet ta mirëmbante një monument të tillë nga shkatërrimi prej kushteve atmosferike. Kur isha ballë tempullit Erechteion-it të stilit jonik m’u kujtua që në një nga tekstet e vjetra kisha lexuar se ky tempull ishte kthyer për një kohë të gjatë harem i guvernatorit turk të kështjellës. Dhe imagjinoja një harem brenda tempujve antikë. Në dekorin madhështor të antikitetit, femrat e haremit, guvernatorit turk duhet t’i jenë dukur si shtojzovalle në festat dioniziake. Dhe gurët qajnë, ashtu si njerëzit kur u rrëmbejnë të dashurat e tyre dhe i kërkojnë që ato të kthehen. Por tashmë askush nuk i dëgjon dënesat e kariatidave për motrën e tyre të rrëmbyer e të syrgjynosur.