KEMI AMBIENT TË KONTAMINUAR LETRAR

Me Lulzim Hazirin, poet

klubet dhe shoqatat letrare shqiptare janë jo legjitime dhe nuk përfaqësojnë interesat e shkrimtarëve dhe punëtorëve të tjerë kulturorë në këtë vend. Kemi klube dhe shoqata të uzurpuara nga individë, të cilët nuk e njohin fjalën qeverisje e mirë. Një herë zgjidhet kryetar, për të qenë tërë jetën kryetar!

Shkëlzen HALIMI

Lulzim Haziri (1962, Gostivar) është një nga poetët e dalluar, i cili në skenën letrare u paraqit gjatë viteve 8-ta. Përmbledhjen e parë poetike “Kënga lind në vetmi” e botoi në vitin 1989, në SHB “Rilindja” në Prishtinë. Biografia e tij poetike shënon edhe botimin e librave:“Kur dyert hapen me zile”(1995), SHB “Vatra”, Shkup, “Dalja nga safari” (2005), SHB “Brezi 9”, Tetovë, “Vetmi e varur si numër në portë”, përzgjedhje poezish,(2015), Logos-A dhe përmbledhjen e fundit poetike, “Testament prej mëndafshi” (2019). Në vitin 2017 iu botua libri me poezi të përkthyera në maqedonisht “Кога љубовта се  троши како креда” (Kur dashuria harxhohet si shkumës), përkthyer nga Lindita Ahmeti, të cilin e botoi shtëpia botuese “Goten” Shkup. Në vitin 2000 Shtëpia botuese “Shkupi” ia botoi librin me shkrime për muzikën rok “Rokenrolli shqiptar!” dhe në vitin 2010 në SHB “Nositi SH” nga Gostivari botoi librin me kolumna gazetareske“Bardhë e zi”. Poezitë e tij janë të përkthyera anglisht, spanjisht, finlandisht, frëngjisht, rumanisht, kroatisht dhe maqedonisht. Punon si gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Me Hazirin bisedojmë për çështje aktuale që ndërlidhen me skenën letrare shqiptare gjithandej hapësirave shqiptare.

HEJZA: Vepra juaj e fundit, vëllimi poetik “Testament prej mëndafshi”, në fakt është një testament poetik dhe jo, do të thoshim, amanet, sepse deri te fjala e fundit kanë për të thurur edhe shumë copa mëndafshi, përkatësisht poezi, që nxjerrin në pah shpirtin poetik të Lulzim Hazirit. Çfarë të dha poezia në këtë udhëtim të deritashëm letrar?

L. HAZIRI: Librin e fundit me poezi “Testament prej mëndafshi” e botova pas një distance të gjatë kohore, distance që për mua është një rutinë me të cilën kam rënë në ujdi. Nuk jam nga ata të cilët i kënaq publikimi i një libri tëri. Përkundrazi! Për mua shkrimi është një kacafytje me veten. Ndaj edhe shpesh i ik kësaj kacafytjeje. Kam frikë patologjike nga përsëritja dhe kalimi i shkrimit në rutinë, në bukurshkrim. Siç ndryshon çdo gjë rreth tij, ashtu ndryshon edhe autori, ashtu ndryshojnë edhe motivet, ashtu ndryshon edhe stili, gjuha dhe gjithë ato salltanatet tjera që e bëjnë një poezi. Miku im, poeti dhe studiuesi Salajdin Salihu e ka pikasur më mirë këtë drojë dhe përgjegjësi timen ekstreme ndaj shkrimit, tek thotë: “Poetit mund t’i ndodh që me kalimin e viteve, të bëhet më i përgjegjshëm se sa duhet për shkak të drojës, që nuk është tjetër veçse një pjekuri edhe më e madhe artistike.” Dilemën qëllon që ta zbusë paksa ndonjë vlerësim tjetër nga miqtë, siç është ky i poetes Lindita Ahmetit: “Në përmbledhjen “Testament prej mëndafshi” janë dy motive mbi të cilat mbështetet krijimtaria e Lulëzimit: në kënaqësinë për të qenë brenda magjisë poetike dhe në dëshirën për t’u dhënë amshimin emocioneve të thurura në vargje”.Në fund, autori duhet të ndjej çastin kur poezitë e mbështesin për muri dhe ato t’i bëjë publike për lexuesin. Atëherë i vjen fundi drojës për shkak të përgjegjësisë mizore ndaj gjuhës, frikës se mos kam ndryshuar më shumë se sa duhet. Ky ndryshim mua më duket i natyrshëm, sepse kam ndryshuar edhe unë në hapësirën mes dy botimeve. E ndjej se ka ndryshuar gjuha ime, ritmi, struktura e vargut, melodia e poezisë etj. E ndjej një autor të ri Brenda meje, i cili është produkt i kohës dhe leximeve. Dilemën se ky ndryshim është i dobishëm apo i dëmshëm, më mirë mund të ma heqin lexuesit. Libri tashmë ka nisur rrugëtimin e vet deri tek ta. S’kam ç’bëj më tepër në këtë magji!

HEJZA: Ambienti ynë letrar, fatkeqësisht që moti është kontaminuar me lloj – lloj mbeturina që dukshëm ia kanë zënë frymën letërsisë së mirëfilltë. Sot kemi më shumë botues se lexues, qarqe të ndryshme “letrare”, kemi mafi letrare, kemi epigonizëm, diletantizëm dhe çka jo tjetër? Vlerat e vërteta u përmbysën për shkak se demokracia vazhdon të trajtohet me mjete të anarkisë. Pse ndodhi kjo dhe si ta dekontaminojmë këtë ambient letrar?

L. HAZIRI: E kam vështirë të shtoj diç më tepër nga kjo që numëruat më lartë, aq më tepër që gjithë këto devijime kulturore i kam vërejtur deri sa kam qenë një mandat e gjysmë në Komisionin e Ministrisë së Kulturës për letërsi. Vërejta një matrapazllëk letrar, mashtrime të ulëta që bënin shkrimtarët, amatorizëm që e shisnin si vlerë kombëtare, shkrimtarë të vetë-proklamuar me nivel gjysmë analfabeti të njohjes së gjuhës, reprodukues të një vepre, arrogantë kulturorë, që për një refuzim të një kërkese që ua bën, janë në gjendje të të shajnë e kërcënojnë, dhe shumë shëmti të tjera, të cilat reprodukohen çdo vjet, duke thithur një buxhet të majmë qindra mijëra eurosh nga arka e shtetit. Kjo përsëritje e këtij ambienti kulturorë, e pa kritikuar dhe ndëshkuar nga institucionet shtetërore, e pa debatuar në qarqe kulturore dhe në media, ka krijuar një ambient të kontaminuar letrar, që çdo ditë e më tepër e trashë anarkinë e vlerave letrare. Kjo mafi letrare synon të prezantohet si etalon i vlerave letrare dhe kulturore. Ky organizim perfekt i këtyre matrapazëve kulturorë është i dëmshëm për kulturën kombëtare dhe sa më parë duhet të ndërmerren masa për ‘heqjen e taxhisë” nga ana e atyre që “ua mbushin trastën”, nga ata që paranë publike të grumbulluar nga taksat e qytetarëve ua shpërndajnë këtyre klaneve të veshura me petka kulturore kombëtare. Teknika e tyre e veprimit është zhvendosja e vëmendjes nga rrjedha normale e zhvillimeve kulturore. Kakofonia e tyre për ndonjë pseudo libër të refuzuar është aq e zhurmshme, sa nuk dëgjohen as të arriturat në sferën e kulturës. Kur u digjet bishti, thonë se u dogj fshati!Fola vetëm për ambientin kulturor që financohet nga shteti e që, sipas të dhënave që i kam hasur, mbulon mbi 90 për qind të aktiviteteve kulturore dhe botimeve letrare këtu në Maqedoninë e Veriut. Ky është një problem tjetër i cili duhet hapur! Një formë e këtillë e sigurimit të mjeteve për botime dhe aktivitete letrare e ngulfat garën kulturore dhe jetën publike të librit. Autorët dhe Shtëpitë Botuese vetëmjaftohen me financimin e librave dhe këtu, ose në bodrumet e tyre, përfundojnë librat e botuar. Librat nuk shiten, por falen! Promovimi i rrallë i ndonjërit prej tyre më tepër është akt i lavdërimeve që i bëhen autorit (në të shumtën e rasteve pa mos ia lexuar librin), se sa një akt kulturor ku flitet për librin në raport me zhvillimet letrare, për vlerat dhe mangësitë e tij. Nëse nuk diagnostifikohet sa më parë kjo gjendje, nëse nuk mobilizohen dhe organizohen autorët dhe aktivistët kulturorë, nëse Ministria e Kulturës nuk i identifikon shkaktarët e kësaj gjendjeje dhe nuk jep kahe të zhvillimeve kulturore, një pseudovlerë e këtillë kulturore do të ngritët në traditë, duke na shndërruar në një provincë kulturore të parëndësishme për atë që e quajmë kulturë kombëtare. Në këtë rast, ekzili letrar në Tiranë dhe Prishtinë do të jetë rruga e vetme për individualitetet letrare. Të tillë kemi shumë në këtë vend, por, fatkeqësisht, të njëjtit janë të vet izoluar, ose të revoltuar!

HEJZA: Natyrisht, mungesa e kritikës e ka bërë të veten dhe, siç thotë një fjalë e urtë, “kur mungon maçoku, minjtë bëjnë dasmë”, sot jemi dëshmitarë të një mish – mash të vërtetë në lëmin e botimeve. Sa i kontribuoi kësaj gjendje mungesa e kritikës letrare?

L. HAZIRI: Një ambient i krijuar për të cilin fola më lartë, nuk mund ta rregullojë kritika letrare. Do të ishte mirë që, së pari të krijohet dhe të strukturohet një ambient për kritikën e mirëfilltë letrare. Universitetet, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, mediat dhe portalet kulturore, duhet të fillojnë ta nxisin këtë zhanër letrar. Vlerësoj se duke krijuar një ambient që do ta nxiste kritikën letrare, do të jepej një kontribut i vogël në vendosjen e një hierarkie letrare. Të ndahet, siç thoni Ju, shapi nga sheqeri. Sa për vet autorët, të gjithë njëqind e sa librat që çdo vjet financohen nga Ministria e Kulturës, janë“kryevepra”. Kontributi i kritikës letrare do të ishte vlerësimi i këtyre botimeve. Kjo do të ndihmonte dhe nxiste edhe lexuesin e ardhshëm, i cili aktualisht mungon si pasojë e rashamonit kulturor. Nuk mundem pa e përmend me këtë rast paraqitjen dhe rolin fisnik që e ushtron profili dhe revista elektronike HEJZA në këtë drejtim. Është një tregim i suksesshëm në jetën kulturore të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Tregim që duhet të ndiqet.

HEJZA: Shqiptarët, veç tjerash, për Librin e Ginisit mund të konkurrojnë me numrin e antologjive poetike. Në këto 30 vjetët e fundit, sipas disa të dhënave, gjithandej ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, janë përpiluar e sajuar mbi 800 antologji. Pse kjo dëshirë kaq e zjarrtë për të sajuar antologji “poetike”?

L. HAZIRI: Personalisht më frikëson fjala Antologji! Edhe më tej jam i mendimit se puna e antologjive nuk duhet t’u lihet autorëve, një personi, aq më tepër nëse ai person është më i ri se 80 vjet dhe nuk e ka dioptrinë e syzeve +6, si pasojë e leximit ndër mote! Nuk mund të përpilojë një antologji të poezisë kombëtare,në gjuhën shqipe, ose në gjuhë të huaja, një shkrimtar! Antologjitë duhet të jenë punë e vazhdueshme e instituteve letrare. Personalisht, më shumë më pëlqejnë antologjitë tematike si p.sh. Antologjia e poezive për qepën, e të ngjashme. Këtë mund ta bëjë një autor, qoftë ai edhe shkrimtarë. Por, të synosh të përpilosh një antologji kombëtare është përgjegjësi që nuk e mban një shpinë letrare. E mban, por fillon të lakohet!
Nuk kam fjalë tjera të përshtatshme përveç sarkazmës për këtë dukuri!

HEJZA: Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë disa klube e shoqata letrare shqiptare. Mbahen shumë orë letrare, ndahen disa të ashtuquajtura “mirënjohje” (gjithnjë në baza interesi). Por, fatkeqësisht, nuk kemi një çmim letrar vjetor, siç ndahen në Prishtinë e Tiranë, një çmim që sado pak do të ishte unifikues dhe nuk do të kishim ambient letrar të përçarë, çfarë aktualisht kemi. Pse nuk kemi forcë për diçka të tillë?

L. HAZIRI: Për mua, klubet dhe shoqatat letrare shqiptare janë jo legjitime dhe nuk përfaqësojnë interesat e shkrimtarëve dhe punëtorëve të tjerë kulturorë në këtë vend. Kemi klube dhe shoqata të uzurpuara nga individë, të cilët nuk e njohin fjalën qeverisje e mirë. Një herë zgjidhet kryetar, për të qenë tërë jetën kryetar! Edhe mund të jenë, po të mos harxhonin paratë e mia dhe të gjithë taksapaguesve. Kështu, siç funksionojnë këto shoqata, nuk mund të presim përmbajtje të reja kulturore, por vetëm reprodukim dhe përsëritje bajate të aktiviteteve. Tashmë e kanë shndërruar në etalon se si duhet të duket një aktivitet letrar:

– Pritja e mysafirëve nga të gjithë trevat shqiptare;

– Ora e madhe letrare;

– Ndarja e çmimeve dhe mirënjohjeve (çmime pa para, mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit);

– Darka solemne;

– Përcjellja e mysafirëve.

Mungon debati, mungon rrjetëzimi, mungon promovimi (përveç ai i organizatorit), mungon interkomunikimi me lexuesit dhe shumëçka që do ta avanconte letërsinë.

Ndërsa, sa u përket çmimeve letrare, këtu në Maqedoni nuk e kemi asnjë për bé. Kjo dhe mungesa e tregut, veçse e forcojnë anarkinë e vlerave dhe mundësojnë gëlimin e antivlerave. Në opinion kam dëgjuar idenë që çmimet letrare duhet të jenë obligim i Ministrisë së Kulturës, ashtu siç është në Prishtinë e Tiranë. Kjo mbase do të ishte hapi i parë për të vlerësuar arritjet e vitit në fusha të ndryshme. Por, një shoqatë e formuar enkas për këtë qëllim, e cila do të kishte për mision ndarjen e çmimeve vjetore për zhanre të ndryshme letrare, e formuar nga emra kompetent dhe me integritet, do të ishte zgjidhja më e mirë për ta organizuar këtë garë dhe vlerësim. Me këtë do t’i eskivohej pezhorativit: shkrimtar qeveritar, çmim qeveritar apo politik. Me një rregullore të mirë dhe me një fond të siguruar nga bizneset dhe Ministria e Kulturës, një akt kaq i nevojshëm edhe mund të arrihet.

HEJZA: Ju shpesh merrni pjesë nëpër ngjarje poetike që organizohen në Shqipëri e Kosovë. Por, është një e vërtetë se sa i përket bashkimit shpirtëror, kemi edhe shumë barriera në kokat tona, çka do të thotë se akoma nuk njihemi mes veti ose edhe nuk duam, siç dëshmoi publikisht Rudolf Marku me “antologjinë” e tij, i cili vlerëson se poezia bashkëkohore shqipe shkruhet vetëm brenda territorit të Shqipërisë. Pse ky refuzim i bashkimit shpirtëror?

L. HAZIRI: Ende jemi duke i vuajtur pasojat e proceseve politike dhe shoqërore në hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Edhe pse kanë kaluar tri dekada nga rënia e komunizmit nëShqipëri, mbi dy dekada nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, dhe po kaq nga Marrëveshja e Ohrit, ku shqiptarët filluan të faktorizohen këtu në Maqedoni, politika, që tashmë zhvillohet brenda ndërtesave qeveritare, ende nuk ka potencën dhe frymën që e patën rilindësit tanë të organizuar në klube të vogla jashtë territorit shqiptar. Ende jemi në kërkim të formave të përbashkëta të bashkëpunimit. Ende jemi në fazën e dëshmimit të vlerave, të vlerësimit apo pjesëmarrjes ad hoc, ose të bazuar në njohje personale. Pastaj, pak është punuar në tejkalimin e paragjykimeve brenda komunitetit letrar dhe artistik. Tirana letrare shfaq kompleksin e superioritetit, që u manifestua edhe me antologjinë e Markut që e përmendët më lartë, dhe në forma të tjera, duke krijuar kështu një ambient të përshtatshëm vetëm për vete, duke e anatemuar dhe larguar Kosovën nga gara me fjalët, “seç e kanë një sintaksë!”, apo duke mos e përfillur dhe duke injoruar skenën letrare këtu tek ne. Tirana e mohon edhe letërsinë botërore të përkthyer “me takatin e vet”, por në kohë të duhur, nga SHB “Rilindja”, vetëm pse disa nga këto libra janë përkthyer nga një gjuhë e dytë. Kjo më së miri u manifestua gjatë vizitës së Ernesto Sabatos kur të njëjtit iu fsheh fakti që “Rilindja” ia kish botuar edhe “Tunelin”, edhe “Mbi heronjtë dhe varrezat”.Si kurrë më parë na nevojiten profile letrare si ai i Luan Starovës apo Ali Podrimjes për t’i thyer këto paragjykime dhe për të trasuar forma të bashkimit shpirtëror.

HEJZA: Ju i takoni atij brezi që gjatë viteve 80-ta (për shkak të studimeve) një kohë të gjatë e kaluat në Kosovë. Pikërisht gjatë këtyre viteve kultura shqiptare në Kosovë pati një shpërthim të hovshëm jo vetëm në letërsi, por edhe në artet tjera. Pse ndodhi ky shpërthim i hovshëm dhe si ishte jeta kulturore e atyre viteve, ndonëse në rrethana tejet të vështira për shkak të fillimit të rrënimit të ish Federatës jugosllave (pas ngjarjeve të 81-shit)?

L. HAZIRI: Nuk e kam analizuar këtë fenomen dhe shkaqet që sollën këtë shpërthim të hovshëm kulturor. Por, ndjehem i lumtur që e kam përjetuar disa vite këtë kohë. Nga kjo distancë kohore mund të them se shkak për këtë ka qenë Kushtetuta e vitit 1974. Liria që pasoi nga ky akt u shfrytëzua me mend nga punonjësit kulturor shqiptar. U krijua një ambient i përshtatshëm kulturor, i cili diti të distancohet nga pseudo patriotizmi, që është veprimi i parë që mund ta bëjë një i robëruar, që sapo i hiqen prangat. Kosova e shfrytëzoi me mençuri këtë liri, duke dërguar studentët më të mirë nëpër Universitetet e Evropës, tek mjeshtrit e mëdhenj të mendimit letrar, siç ishin Edgar Moreni, Zhorzh Bataji, Zherar Zheneti dhe shumë emra që s’më kujtohen këtë çast. Për dallim nga studentët e sotshëm, atëbotë shumica e tyre u kthyen në Kosovë dhe vepruan nëpër institucione kulturore. U kthye Ibrahim Rugova, Rexhep Ismaili, Sabri Hamiti dhe një plejadë e shkrimtarëve dhe kritikëve letrarë. Pastaj, rol të rëndësishëm luajti edhe integriteti i redaktorëve dhe drejtuesve të tjerë kulturor të cilët, çuditërisht zgjidheshin për meritat e tyre, e jo afërsinë që mund ta kishin me udhëheqësit e Lidhjes Komuniste të kohës. Në historinë e asaj kohe të Kosovës emrat e Esad Mekulit, Rexhep Qosjes, Anton Pashkut, Ali Aliut, Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Shaip Beqirit, Gani Bobit, Shkelzen Maliqit dhe shumë të tjerëve duhet të jenë të shënuara në krye të radhës dhe të jenë model i punës së redaktorëve të ardhshëm kulturor.Por, mbi të gjitha, gazetat, revistat letrare dhe SHB “RILINDJA” kishin sensin e kohës. Ua sollën lexuesve shqiptarë kryeveprat e letërsisë botërore, pa pasur barrën e simotrave të tyre në Tiranë.  

HEJZA: Gostivari, fatmirësisht, ka një jetë dinamike si i përket artit. Ka shkrimtarë, aktorë, piktorë, regjisorë, fotograf, ka institucione kulturore, aktivitete të shumta kulturore, por nuk ka librari. Pse?

L. HAZIRI: Nuk ka librari, sepse njerëzit kohëve të fundit pak lexojnë dhe shitja e librave është biznes i destinuar të punojë me humbje. Ashtu siç i ndodhi librarisë Nobel në Çarshi të Shkupit dhe shumë librarive me fat të njëjtë. Libër-shitja është shndërruar në degë të tregtisë që i duhen subvencione nga ana e shtetit, siç jepen subvencione për bujqësinë, për duhanin apo ndonjë kulturë tjetër bujqësore. Ndërsa, ajo që më mban lidhur për këtë qytet janë individualitetet e theksuara me të cilët bashkëjetoj. Gostivari ka shkrimtarët Shazim Mehmedi e poeten e re Afërdita Xhaferin, ka regjisorin Sulejman Rushitin, fotografin Osman Demirin, dizajnerin Safet Spahiun, piktorët Reshat Ahmetin e Bashkim Mexhitin, ka Teatrin profesionist, ka galerinë KULT dhe Shoqatën e artistëve figurativ DRAUDACUM, dhe “Silindart”, Festivalin e teatrove “Othelo”, ka Qendrën konservuese dhe tash së fundi edhe Galerinë e arteve. Publiku le të mbetet sfidë e vazhdueshme për drejtuesit e këtyre institucioneve kulturore.

Foto: Rromir Imami

Leave a Reply

Your email address will not be published.