KOHË FILMAXHINJËSH DHE TEATRALËSH

Teatralët vdesin si në teatër, përngjashëm me protestuesin e lyer me bojë të kuqe, që turma e merr si të vrarë. Ju kujtohet kur Rama i drejtohej Lulit me nofkën “artisti” dhe ai për ta vërtetuar, vinte një tabelë para vetes: “Unë jam teatri”?

Fatbardh AMURSI

Në Shqipëri dominojnë dy tipa të së njëjtës medalje, që, hedhin topa bore mes tyre, ku guri rri i fshehur: filmaxhinjtë dhe teatralët, të cilët i gjeni me shumicë në tregun politik, mediatik e në atë të artit. Doemos dhe në facebook. Si njëri dhe tjetri janë në rol dhe, kur qëllon t`i shohësh duke u grindur, ku goja u kthehet në jashtëqitje, merre me sportivitet, bëjnë filma, luajnë teatër. Në mesin e atyre me maska, nëse ke fytyrën tënde, hall të madh hedh mbi vete. (Nëse filmaxhinjtë u turrën t`i vinin flakën Bunk Artit, teatralët u bën gardh në mbrojtje të teatrit të vjetër, i njohur ky si bastion i fundit i realizmit socialist, që këta e bëjnë rezil.) Teatralët vdesin si në teatër, përngjashëm me protestuesin e lyer me bojë të kuqe, që turma e merr si të vrarë. Ju kujtohet kur Rama i drejtohej Lulit me nofkën “artisti” dhe ai për ta vërtetuar, vinte një tabelë para vetes: “Unë jam teatri”? Kam bërë një shkrim atëherë me titull “Teatër me teatrin”, mu turrën filmaxhinjtë dhe teatralët, ngaqë besonin se Luli do t`i vinte gjoksin fadromës, duke na sjellë në kujtesë Mic Sokolin! “Shoku Enver ka luajtur ndonjëherë në teatër?”-do pyeste Duro Shehu, i vëllai i ish kryeministrit shqiptar. “Kam luajtur në teatrin e Korçës.”-iu përgjigj Hoxha. Luajti teatër ai, sa i desh bytha. Tani merren me prapanicën e tij. Meqë jemi këtu, gjyqet e montuara, të inskenuara me dëshmitarë të rremë a nuk ta kujtojnë teatrin? Sikurse dihet, filmaxhinjtë nuk shpenzuan asnjë sekuencë trimërie në mbrojtje të kinostudios, edhe kur po kërkohej ndalimi i filmave të kinostudios “Shqipëria e re”, s`ngritën alarmin se po zhdukej kujtesa kulturore, sikurse teatralët bënë me godinën e amortizuar. Si mund të ndodh kjo, kur filmaxhinjtë dhe teatralët janë dy anë të së njëjtës medalje?!

Pikërisht njëri nga mbrojtësit e flaktë të teatrit, faqet e para të romanit ia kushton mizorisë kryeministrore në shembjen e teatrit të vjetër, ta rrëzojmë të gjatin, së bashku me një regjisor bashkëvuajtës u shfaqen në zyrën e “kryeministrit diktator” për të kërkuar mbështetje financiare për një film kushtuar vuajtësve në burgjet e diktaturës. Thua se cjapi po shkonte tek kasapi?! Krejt pa lidhje të akuzosh një skenarist dhe një regjisor për tradhti, pse po i kërkojnë kryeministrit të shqiptarëve para, kur ai u ka paguar këstet e burgut, ka ngritur muzeun “Shtëpia e gjetheve”, sikurse po investohet për Spaçin famëkeq?! Sikurse shihet “grupet e interesit” janë për një qëllim. (Vetëm Enver Hoxha nuk merrte kredi tek kapitalistët.) Me sa duket Ramën e shohin si pinjoll të atyre që vranë dhe varën, ndoshta prania e skenaristit u kujton poezinë “A janë bërë më të mirë vrasësit tanë”?! Mos po rehabilitojnë EdvinKristaqRamën, ka të ngjarë të jetë shqetësimi i bashkëvuajtësve. (Nëse ti s`je tradhtar apo spiun, kjo nuk do të thotë që s`mund të jesh i pabesë, filmaxhi apo teatral. Njëherë e një kohë Rama citonte një fjalë të urtë malësorësh: “I pabesi është më i keq nga hasmi.”) “Autori, (është fjala për skenaristin,) nuk thekson pothuaj asgjë mbi faljen e xhelatëve, që kurrë nuk kërkuan falje. Por, pranon kokulur, besëprerë dhe me kandil shprese, se në kushtet ku gjendemi nuk bëjmë dot pa paratë e tyre.”-reagon një adhuruese. Personalisht, ky reagim mu duk një vetëmashtrim, ngaqë lë të kuptohet se opozita, na qenkësh në pikë të hallit, me xhepa të shpuar, s`kanë fakirët të sponsorizojnë autorë të persekutuar, edhe pse kullat po i ngrenë në kupë të qiellit?! Është folur shpesh për shpenzimet e tyre marramendëse në fushata, në TV, pavarësisht se predikuan “autobusin falas”. Në autobus janë akoma. (Ende s`po e kuptojnë se betejat e opozitës janë të trukuara me ndeshje të shitura. Më i sinqertë më duket deputeti Sajmir Korreshi me ato daljet shou, që shkaktojnë humor me qesh e ngjesh.)

Rama ua premtoi parat sapo ata hapën gojën, i bindur se sponsorizimi më shumë se sa për filmin do ishte një investim për imazhin e tij. Nuk thonë kot: ai që të shan të do?! “Hallall Komandant! Si gjithmonë dy lëvizje para kundërshtarit në shah!”-do thoshte Tërmeti, nipi i “komandantit lab”. Po ty ziliqar, sa të qenka bërë qejfi, që marifetxhiuRama, e luajti pjesën dhe e përdori dëshirën e mirë të të vuajturve për interesa pushteti? Si të mos gëzohem, kur mua më ka dalë nami se e mbështes “kryeministrin që duam”, të cilit po i shërbejnë me zell ata që s`e duan? Do të thoni ju, që noc rokun ke marr prej tij, o “revanshist i realizmit socialist”, “oficer rezervist i zboreve”, që ke marrë dhe leje krijuese nga Lidhja e Shkrimtarëve, kur shokët e tu kalbeshin burgjeve?! Po, mor po, unë jam i keqi, vazhdoni t`i bini legenit, që me raste e përdorni dhe si helmet?!

Përtej imoralitetit të kohës, të vërtetave që therin, pakënaqësisë personale, uroj që filmi të përmbush pritshmëritë e publikut, të arrijë suksesin historik, sikurse e parathotë dhe EviKokolari, qoftë dhe një nismë për pajtimin kombëtar, por, kurioz të dija: autori i poezisë “A u bënë më të mirë vrasësit tanë?”, ka ndërruar gjë mendje, meqë i biri i Kristaq Ramës firmëtar i varjes së poetit Havzi Nelaj, që mungon dhe në antologjinë rumune, veç kësteve të burgut i dha skenaristit pension të veçantë, e çoi tek Papa duke bërë sherr me të ndjerin president, në OKB më pas, tani po i sponsorizon dhe skenarin, është tjetër nga ai që shajnë të vetët?! Më bën përshtypje ca sugjerime, sidomos kur thuhej që në xhirime të thirreshin të aktronin dhe ish të burgosur, që sipas tyre: do ta bënin filmin të veçantë. Nuk di a ka në skenar bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit nga radhët e të burgosurve, nëse po, s`do ishte keq të ftoheshin dhe ata të luanin veten. (Të burgosurit bënin aktivitete artistike në burg, luanin dhe estradë.) Meqë dikur ata me “biografi të mirë” luanin rolet pozitive, tani me një realitet të përmbysur ishëve u takon të luajnë rolet e komandës së burgut, të ofiqarëve shtetëror dhe s`do ishte keq t`i bënin një ftesë ca opinionistëve, në mos dhe ndonjë komandanti burgu ende gjallë. Meqë Rama akuzohet si diktator, koka e mafies, nip i byroistit, se mos i taksin rolin e komandantit të burgut? (E pamë të luante në një film të Mamaqit. Fundja, ky nuk bën sikurse, me gjasme.) E sikletshme do jetë dhe për një arsye tjetër. Ministra, kryetarë bashkish, drejtorë institucionesh i ka në burg, po sikur t`u shtohet Sala me Metën, thonë se këta e mbajnë në pushtet bashkë me Lulin, a do i bëjnë këmbët Ramës ta heqë këtë valle me pranga?! Jemi në Tironë, çdo gjë mund të ndodh! (Filmi i parë, ku rolin kryesor e kishte një i burgosur është “Dora e ngrohtë” me skenar të NeshatTozajt, shkrimtar nga radhët e punonjësve të Ministrisë së Brendshme në sektorin e kriminalistikës, bazuar në romanin e tij “Thikat” me parathënie të Ismail Kadaresë, i botuar na Francë dhe në Greqi. Nuk mund të mos bëj përshtypje ndryshimi i titullit nga “Thikat” tek “Dora e ngrohtë”, pavarësisht se si bajoneta dhe foleja e fishekut kanë po ato raporte, sikurse filmaxhinjtë me teatralët. Mos vallë kjo lloji “dore e ngrohtë” iu zgjat dhe autorëve të filmit, të cilët panë tek kryeministri, i akuzuar për shembjen e teatrit të vjetër, një “artist dhe mik”?! E po të bësh filma pa kinostudio, sikundër bëjnë filmaxhinjtë dhe teatralët, është një arritje e madhe e kohës virtuale?! S`kemi pse ua hamë hakun. Kjo është koha e tyre…

Leave a Reply

Your email address will not be published.