KOLIQI, TREGIMTARI DHE NOVELISTI MODERN

Koliqi tashmë është shkrimtar i rëndësishëm në historinë e letërsisë sonë, veçanërisht në historinë e prozës. Si prozator modern, Koliqi sjell në prozën shqipe të gjysmës së parë të shek. XX risi në formë, në tematikë dhe përmbajtje

Arben PRENDI

Ernest Koliqi është pranuar tashmë në studimet letrare të këtyre viteve si krijues i shumanshëm që u dallua, si poet, prozator e dramaturg, studiues i letërsisë së shkruar dhe asaj gojore, eseist, themelues revistash, përkthyes, hartues antologjish dhe për disa vite me radhë profesor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe të Universitetit të Romës “La Sapienza “, themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare etj. Koliqi, siç shprehet studiuesi Anton Berisha është “personalitet i shumanshëm dhe shumëfish i rëndësishëm i kulturës sonë“ apo siç cilëson shkrimtari Martin Camaj: “shtyllë e shkrimit shqip“. Po ashtu përcaktimi që Koliqi përdor për Fishtën si: “interpret i shpirtit shqiptar”, mund të përdoret me të njëjtin qëllim për atë vetë, Koliqi është interpret i psikës së shqiptarit. Vepra e këtij krijuesi është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me botën shqiptare, ajo është pjesë e ndikimit jo vetëm artistik por edhe shoqëror, ndërsa ishte analizuese, zhbiruese e vlerësuese e përhershme e saj. Vepra e Koliqit është pritur me interes në kohën e botimit të saj dhe tani. Në të gjitha studimet është nënvizuar shumanshmëria e veprës dhe roli i këtij autori në lëvrimin e tregimit dhe novelës shqiptare, si themelues dhe krijues i tregimit dhe novelës moderne shqipe.

Në novelat dhe tregimet e tij “Hija e maleve” (1929) dhe “Tregtar flamujsh” (1939), përmes rrëfimit artistik që është parësor për prozatorin, Koliqi zbërthen psikologjinë e shqiptarit të kohës, pengesave dhe vështirësive të tij për t’u përfshirë në rrjedhën e qytetërimit dhe përparimit shpirtëror e material; pengesave kulturore e psikologjike në radhë të parë, pastaj edhe të pengesave sociale dhe historike. Këtë e dëshmon edhe bota e pasur e personazheve të novelave, tipat dhe karakteret, përkatësia e tyre nga të gjitha shtresat dhe moshat e shoqërisë. Malësorë e qytetarë, fshatarë e intelektualë të shkolluar në universitetet perëndimore, tregtarë e rrufjanë politikë, mësues e meshtarë, materialistë e idealistë, gra dhe burra, të rinj e të reja; një arkiv artistik i botës psikologjike të shqiptarit verior, të gjysmës së parë të shekullit XX. Përmes këtyre personazheve, Koliqi tenton të analizojë një tranzicion të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare dhe mentalitetin e saj, shkëputjen nga shumë forma dhe rregulla të jetës tradicionale malësore apo tradicionale qytetare dhe përfshirjen në qytetërimin e ri modern me orientim europianoperëndimor, qytetërim me të cilin Shkodra i ka pasur lidhjet gjithnjë të afërta, qytetërim prej të cilit Shkodra është ushqyer me kulturë dhe modele. Dhe për Koliqin ashtu si për Konicën problemi është tek psikologjia e individit, i cili duhej të shkëputej nga rëndesa e modelit të jetës tradicionale, nga rëndesa e elementëve negativë të këtij modeli, për të përqafuar një model më bashkëkohor që ka në bazë kulturën e jetës dhe jo atë të vdekjes. Jo rastësisht personazhet konfliktohen për këtë arsye, pse kjo është çështje jetike, çështje zhvillimi dhe emancipimi; arsye e mjaftueshme që shqiptari të mbetej me sahat te koha e Kanunit të Lekë Dukagjinit, apo edhe më keq, te sahati i kohës së perandorisë turke. Në prozën e Koliqit, vihen re elemente të simbolizmit dhe psikanalizës, por këto elemente nuk janë thelbësore, dhe të qëllimshme. Ato më shumë duhen parë siç thotë studiuesi Anton N. Berisha, në një rrafsh më të gjerë, për arsye se botën e brendshme të individit, kontekstet e ngjeshura e të tendosura dhe shqiptimin e ndjesive shpirtërore, i ndeshim të trajtuara në mënyra të ndryshme edhe në krijimet e letërsisë gojore në përgjithësi, apo në letërsinë gojore shqiptare, para se sa të lindte teoria e psikanalizës dhe frojdizmi. Anton Berisha edhe disa shenja të simbolizmit në prozën 18 e këtij autori, i lidh me simbole të trashëgimisë sonë letrare ose mitologjike, që në prozën e Koliqit janë funksionalizuar në mënyra të ndryshme.

Dilemat dhe pikëpyetjet psikologjike të shqiptarit, shkrimtari i vesh artistikisht me elemente mistike apo misterioze, në funksion të rrëfimit, që sigurisht ka parësor anën artistike, por edhe në funksion të shpjegimit të embrionit të neurozave psikologjike të personazheve. Sikurse Frojdi nënvizon rëndësinë e fëmijërisë në jetën njeriut, ashtu Koliqi artistikisht i drejtohet botës së hershme shqiptare; besëtytnive, riteve, miteve, përrallave, legjendave, figurave mitologjike, rregullave kanunore që bënë jetë të gjallë, në popull për shekuj; si “fëmini” e psikes së personazheve. Personazhet nuk mund të interpretohen as nuk mund të kuptohen pa këtë shtresë të personalitetit të tyre, që megjithëse nuk është në vetëdije sepse kohët kanë ndryshuar, gjendet ende në pavetëdije, në formë primitive.

Elementet nga bota parake shqiptare në aspektin psikologjik, marrin funksione simbolike. Ngjyrimit në jetën e gjallë në popull i shtohet edhe një ngjyrim simbolik, me natyrë artistike dhe psikologjike që shndërrohet edhe në një kod për zbërthimin e neurozës emocionale, psikologjike të personazheve. Shkrimtari bashkon kështu një projektim tredimensional, të botës së personazhit, ku dimensioni i parë është ai primitiv, në pavetëdije, dimensioni i dytë ai i përjetimeve dhe ndijimeve, mendimeve të momentit dhe dimensioni i tretë një përzierje e tyre, që prodhon një kaos shpirtëror dhe psikologjik prej të cilit pasojnë neuroza me pasoja të rënda, por edhe veprime tragjike, siç ndodh me personazhin kryesor te novela “Gjaku”. Konica te “Një ambasadë e zulluve në Paris” (1924), ashpërsisht i stigmatizonte bashkatdhetarët e vet si një turmë zullujsh, që nuk ishin në gjendje të bëhen komb, kurse Koliqi të njëjtën kërkesë e shtron në novelën “Gjaku” në mënyrë më të rafinuar: “A ka send ma të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimin një kombi zhytë në errsinën e padijes?” duke e parë çështjen e daljes nga errësira e traditës negative dhe e kapërcimit të modelit moral të traditës si një çështje parësore për njeriun dhe shoqërinë shqiptare. Personazhet që marrin përsipër një mision të tillë kalojnë përvoja dramatike dhe tragjike, që janë në fakt edhe përvojat dramatike dhe tragjike të intelektualit apo të riut shqiptar në realitet. Ata duhet të kalojnë nëpër unazën e zjarrtë të konflikteve të shumëfishta: së pari me veten, instinktet e vjetra që nuk janë shtypur plotësisht nga kultura, së dyti me mjedisin, të afërmit, shoqërinë, së treti me institucionet morale apo institucionet inekzistente të shtetit të ri. Por për shkrimtarin, ndoshta konflikti i parë që duhet zgjidhur është ai psikologjik, brenda njeriut, ku flenë instinktet e vjetra të shtypura përkohësisht në pavetëdije, por që me t’u dhënë rasti dalin me agresivitet dhe në mënyrë të paparashikueshme në sipërfaqe, në vetëdije siç do të thoshte Frojdi. Mësuesin Doda te novela “Gjaku”, pikërisht se i ka shtypur këto instinkte, rrezikon të shndërrohet i papranueshëm për mjedisin ku jeton.

Përplasja në këtë novelë është kontrastuese dhe e lashtë: ajo mes dritës, (qytetërimi, kultura) dhe errësirës (padija, zakonet negative). Mësuesi Doda frymëzohet nga “drita”, kultura e jetës, dija e marrë në universitet, mjedisi i tij nga “errësira”, padija, instinkti, tradita negative, që çojnë në takim me vdekjen. Koliqi si personazhi i tij mendon se arsimi, kultura, janë një mjet i rëndësishëm për ta shkëputur shoqërinë shqiptare nga tradita negative, një mjet i rëndësishëm për të rritur brezin e ri me një botëkuptim tjetër.

Vrasja e vëllait, e vendos heroin në një pozicion të vështirë, të cilin as e mendonte ndonjëherë. Ky moment shërben edhe një herë, për një projektim tredimensional të personazhit. Aty zbulohet bota e tij shpirtërore, reale. Realiteti i plagos njerëzit idealistë atëherë kur nuk e presin dhe atyre u duhet ose të luftojnë deri në fund, ose të kapitullojnë. “Diçka zgjohej në shpirt të tij, diçka që deri atë ditë kishte fjetë në fundet e errëta të pandërgjegjes”- përshkruan trazimin psikologjik të personazhit, ndërsa kujtimi i vëllait të vrarë e mundon.

Ky përshkrim i qartë psikoanalitik më kujton një përcaktim të Frojdit për natyrën psikologjike të njeriut: “Çdo jetë pra është e dyfishtë. Poshtë në pavetëdije ne ekzistojmë në 19 tërësinë tonë, ne jemi e Dikurshmja dhe e sotmja, njeriu primitiv dhe ai i qytetëruar, përzierje e turbullt ndjenjash, mbeturina arkaike të një Uni më të gjerë të lidhur me natyrën lart, në dritë të kthjellët e të fortë ne jemi vetëm Uni i vetëdijshëm që ekziston në kohë”. Doda, i pushtuar nga këto përzierje ndjenjash kontradiktore bëhet edhe personazh tragjik. Qëllimi i jetës së tij: qytetnimi i vendit të tij, mbetet një projekt i ndërprerë, ndaj të cilit ai është edhe i gatshëm të flijohet, siç edhe flijohet në fund të novelës, duke u dorëzuar vetë në xhandarmëri pasi vret gjaksin e tij, me qëllim që shteti të nisë të funksionojë, kjo në fakt e dallon nga një gjakmarrës i zakonshëm. Doda nuk është një gjakmarrës i rëndomtë, por beteja që zhvillohet në të përfundon në favor të zakonit, kundër qytetnimit dhe vetë ideve të Dodës, që thotë se “gjaksor janë të gjithë ata që derdhin gjak njeriu”.

Te Koliqi, nuk mungon kritika e ashpër për të metat e përparimit shpirtëror dhe atdhetar të shqiptarit, në mënyrë të dallueshme në novelat “Gjaku” dhe “Tregtar flamujsh”. Te “Tregtar flamujsh”, Koliqi me personazhin e tij të preferuar: të riun ëndërrimtar e idealist që kthehet nga studimet jashtë shtetit me ndjenjën e mallit për atdheun dhe përgjegjësinë për t‟i shërbyer familjes por edhe atdheut; (kujtojmë këtu “Studentin në shtëpi” të Migjenit) e qesëndisë pa kompromis mentalitetin anadollak, të tregtarit të vogël që s’lë asgjë pa shitur vetëm e vetëm që të pasurohet sadopak, shet edhe flamuj kombëtarë… Flamuj të cilët nuk po i shiteshin, dhe për këtë fajëson poetin e ri, mësuesin që nuk u ngjallë njerëzve ndjenjat e duhura atdhetare. Sa më shumë ndjenja atdhetare aq më shumë flamuj të shitur, aq më shumë fitime për tregtarin e vogël, që mbetet në këtë mënyrë edhe më i vogël dhe më i cekët. Ky tregtaruc, siç thuhet në Shkodër, me këtë tregim hyn në ligjërimin artistik dhe publicistik shqiptar si simbol i gjithë asaj kategorie njerëzish, që për interesa personale janë gati të shesin gjithçka, qytetin e tyre, atdheun, gjuhën, flamurin… çdo gjë që mund të blihet.

Ndërkaq disa tregime elementin mistik apo mitologjik e kanë pikërisht si element simbolik që zbërthen kodin e gjendjes shpirtërore – psikologjike të personazheve. Të tilla mund të jenë, “Nusja e mrekullueshme”, “Kur orët lajmojnë”, “Zana e fundme”. Veçanërisht “Nusja e mrekullueshme” është një tregim lirik në të cilin elementi mitologjik fsheh neurozën e “dashurisë së pamundur” të malësorit shqiptar, ose të dashurisë si “sekret” mistik.

Koliqi tashmë është shkrimtar i rëndësishëm në historinë e letërsisë sonë, veçanërisht në historinë e prozës. Si prozator modern, Koliqi sjell në prozën shqipe të gjysmës së parë të shek. XX risi në formë, në tematikë dhe përmbajtje. Strukturën e tregimit, novelës, e përsosi nga pikëpamja kompozicionale, si asnjëherë më parë në prozën shqipe, duke u mbështetur së pari në përvojën e prozës shqiptare dhe europiane, veçanërisht asaj italiane dhe së dyti në modelin e rrëfimit gojor shqiptar. Ndërsa nga ana tematike ai e pasuroi prozën e këtyre viteve me një larmi temash, që nga tema intime e deri te tema sociale.

Në përmbajtje analizohet bota e brendshme plot dilema dhe kundërshti e njeriut shqiptar dhe njëkohësisht bota morale, psikologjike e shoqërisë shqiptare. Zbulesa psikologjike e qenies njerëzore është ndër përmbajtjet më domethënëse. Për ta realizuar këtë përmbajtje autori i drejtohet shpesh analizës psikologjike të “dhomës së errët” (Niçe) të qenies njerëzore. Analizës psikologjike të marrëdhënies së njeriut përmes kësaj “dhome të errët” me realitetin, grupin social, hapësirën dhe kohën në të cilën ekziston.

Në tregimet dhe novelat e dy vëllimeve “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”, Koliqi i kushton rëndësi të veçantë portretizimit bindës të personazheve, si personazhe të botës shqiptare, dhe si personazhe, qenie njerëzore. Ky portretizim është shpesh edhe teknika bazë e analizës së botës së brendshme të njeriut. Shpesh edhe domethëniet artistike e kuptimore janë të lidhura me mënyrën e ndërtimit të portretit të personazheve.

Në plazmimin e këtyre portreteve autori ndërthur elemente sa të formës aq edhe të përmbajtjes, ku elementi përmbajtjesor është dominant për të krijuar karakterin e dallueshëm të personazheve njëri nga tjetri. Si personazhe të botës shqiptare, personazhet e Koliqit bartin 20 gjithë ngarkesën emocionale, psikologjike, të shqiptarit i cili gjendet në kapërcyell të dy epokave, epokës tradicionale të dominuar nga tradita zakonore dhe epokës moderne të dominuar nga kërkesa për një model të ri jete, kryesisht ndikim nga kultura e shkruar, nga shkollimi brenda vendit apo nga modeli i jetës perëndimore, kryesisht ndikim nga shkollimi në universitetet europiane.

Ndërsa si personazhe – qenie njerëzore, ato përshkohen nga trajta të vuajtjes dhe dhimbjes, të dhëna në formën e trishtimit, melankolisë për fatin e qenies njerëzore, për ikjen e moshës rinore, mosrealizimin e ëndrrave ose të ndjenjave, deri në formën e pikëllimit për vetë absurdin e jetës apo të vdekjes së qenies njerëzore. Këto personazhe përshkohen nga vuajtja ekzistenciale e qenies. Përmes saj na zbulohet një botë shpirtërore shumë komplekse e personazheve, gjë e cila, mendoj, i afron ata edhe tani me botën e lexuesit. Shumë prej personazheve që përshkohen prej kësaj vuajtjeje dramatike në mënyrën e vet, janë personazhe idealistë që e pësojnë në konflikt me realitetin dhe të përditshmen. Çka përbën një element tjetër modern në prozën e Koliqit, dhe në prozën shqiptare.

Prozat e Koliqit shquhen për shprehjen lakonike dhe strukturën e ngjeshur, aq sa mjaft prej tyre përmbajnë elementë që mund të shtjellohen edhe më tej, në lloje të tjera të prozës. Autori përdor emërtimin “novela” për këto proza, por një pjesë e mirë e tyre për shkak të përfundimit të shpejtë të veprimit dhe mungesës së shtjellimit më në gjerësi të episodeve, mbeten në kufijtë e tregimeve. Në modelin e rrëfimit, Koliqi, gërsheton rrëfimin si rrëfim i shkruar me rrëfimin si rrëfim gojor, ndaj shpesh mjete të rëndësishme të komunikimit artistik janë përshkrimet e shkurtra, dialogjet, monologjet e ngjeshura. Në themel të prozave qëndron pothuaj gjithnjë një fabul interesante, e cila fillon dhe mbaron shpejt, me një zhvillim klasik të veprimit, shpesh duke ndjekur rrjedhën logjike dhe kronologjike të tij. Sa i përket shprehjes artistike mund të themi se proza e Koliqit përshkohet nga lirizmi dhe nga ngjyrimi poetik i shprehjes artistike, cilësi këto të tekstit të prozës moderne. (Gegnia)

Leave a Reply

Your email address will not be published.