KOLOSËT QË LIDHËN DY KONTINENTE

Botime të veçantë

“E une sot nuk mund të vazhdoj me kavrue këtë miqsi pa u ba dyfaqësh. Un, si antifashist, nuk mund të jem veçse anmik i Koliqit. Ti je mik i tij. Pra: un nuk mund të jem mik me ty”, shprehet për Camajn Arshi Pipa në letrën e tij të datës 9 nëntor të vitit 1969.

“Unë e shoh se ti je aq i mbushun mendje se unë qenkam një anmik i yti sa që nuk kam fare shpresë se mund ta mbushi menden ndryshe…të lutem për një gjë: edhe unë jam njeri i ndieshëm, prandaj të lutem mos më fyej ma këso letrash, tue më trajtue kështu pothuajse si paçavër”, ia kthen Camaj Pipës në letrën e tij.

Bardh FRANGU

“Letërkëmbimi Camaj-Pipa: 1959-1992”, përgatitur nga Irena Buzi, nga shtëpia botuese “Princ”, është një libër që pa dyshim ka ngjallur interesim më të madh nga të gjitha botimet e këtij viti. Është i natyrshëm interesimi jo vetëm i specialistëve të gjuhës dhe letërsisë, por edhe i lexuesve për të ditur më shumë për jetën dhe angazhimin e këtyre dy autorëve të rëndësishëm të letrave tona. Kur kihet parasysh se letërkëmbimi është një mënyrë më intime komunikimi mes dy personave, kureshtja bëhet edhe më e madhe. Por që në fillim të këtij refleksioni mbi këtë libër duhet thënë se lexuesi do të mësoj fare pak nga kjo, përkundër një vëllimi letrash të përmbledhura në një libër prej 616 faqesh.

Pak gjëra nga jeta private

Së pari duhet thënë se libri përfshinë një material bruto dhe si i tillë të merr shumë kohë dhe mund për të veçuar materialin që është me interes dhe në funksion përtej raporteve të thjeshta të këtyre dy autorëve të rëndësishëm të letërsisë sonë. Gati treqind faqet e para janë pjesë e një letërkëmbimi ku Camaj dhe Pipa merren me çështje teknike të botimit të librave, siç janë ato me fontet, afatet e botimit, etj. Në një kohë kaq dinamike, kur bota funksionon nëpërmjet mesazheve dhe imazheve, leximi i një libri të tillë është një sfidë e madhe për lexuesin.

Meqë autorët në letërkëmbimin e tyre përdorin shumë fjalë dhe shprehje në gjuhën italiane, gjermane dhe angleze, duket krejt e pakuptimtë si këto nuk kanë një përkthim në gjuhën shqipe! Mbase një shpjegim do të duhej të ishte edhe për disa nga fjalët e vjetra që i takojnë dialektit të gegërishtes, por që nuk janë të kuptueshme për lexuesit e gjerë. Thjesht në formatin si është ofruar ky libër duket ashiqare se për qëllim parësor ka një përfitim material në emër të këtyre dy kolosëve e jo për qëllim dhe interes të lexuesit, i cili për këtë libër duhet të ndajë jo më pak se 20 euro!

Në këtë libër shumë voluminoz, përkatësisht në këtë këmbim të dendur letrash, pak gjëra ndeshim nga jeta private e tyre, gjë që në këtë kuptim libri nuk përmbushë pritjen kureshtare të lexuesit, por angazhimi i pashoq i këtyre dy kolosëve në shërbim të çështjes kombëtare është një shembull për admirim, mbase është një shembull që në kuptimin e idealizmit përbën një vazhdimësi të përpjekjeve të autorëve të Rilindjes sonë kombëtare. Sakrifica e madhe e këtyre dy kolosëve dhe përpjekja që gjithçka çka bëjnë të jetë në shërbim të kombit është e jashtëzakonshme. Mbase në këtë kuptim bien edhe hijet që mbulojnë personalitetin e Martin Camajt, kryesisht të mbështetura në paragjykimet për qëndrimin e tij në Beograd. Angazhimi dhe sakrifica e madhe që dëshmon Camaj nëpërmjet letrave nuk lë hapësirë për dyshime të tilla, dyshime këto që në njëfarë mënyre i shfaq edhe Arshi Pipa në letrat e tij.

Sigurisht që pjesa më e rëndësishme e këtij letërkëmbimi janë raportet që kanë ndërmjet veti këta dy autorë të rëndësishëm të letërsisë sonë. Raportet e tyre janë ndryshe nga ato që kishin dy kolosët tjerë të letërsisë sonë; Konica dhe Noli. Martin Camaj këtu dëshmohet si një karakter i urtë dhe i butë, një si karakter biblik, për dallim nga Pipa që shfaq një karakter agresiv dhe të pa kompromis. Që në fillet e saj të ndërtimit të raporteve mes veti shohim një qëndrim tepër mospërfillës dhe dyshues të Pipës ndaj Camajt, mbase pa ndonjë arsye. “E unë sot nuk mund të vazhdoj me kavrue këtë miqsi pa u ba dyfaqësh. Un, si antifashist, nuk mund të jem veçse anmik i Koliqit. Ti je mik i tij. Pra: un nuk mund të jem mik me ty”, shprehet Arshi Pipa në letrën e tij të datës 9 nëntor të vitit 1969. Përkundër kësaj Camaj paraqitet si shumë i kujdesshëm dhe në përgjigjen e tij për këtë ai do të shprehet: “Unë e shoh se ti je aq i mbushun mendje se unë qenkam një anmik i yti sa që nuk kam fare shpresë se mund ta mbushi menden ndryshe…të lutem për një gjë: edhe unë jam njeri i ndieshëm, prandaj të lutem mos më fyej ma këso letrash, tue më trajtue kështu pothuajse si paçavër”.  Si duket kjo ishte e mjaftueshme që relacionet e tij për një kohë të gjatë të ngrihen dhe të aktivizohen dendur dhe pa asnjë dilemë tek pas vdekjes së Ernest Koliqit në vitin 1975.

Camaj në shërbim të Pipës!

Ajo që lexuesit i bën përshtypje është fakti se Martin Camaj përherë është i gatshëm të jetë në shërbim të Arshi Pipës, madje më shumë se kaq, Camaj kujdeset për punën dhe veprat e Pipës duke mos kursyer asgjë. Angazhohet për botimin e veprave të tij, angazhohet që sa më shumë të jetë e mundur që Pipa të jetë i pranishëm nëpër shumë konferenca dhe simpoziume në Evropë, gjë të cilën e arrin me shumë sukses. Në këtë kuptim, bazuar në letrat, Camaj duket sikur e ka idhull Arshi Pipën. Duket sikur në sytë e tij sheh atdheun e munguar dhe të shtypur nën diktaturë. Megjithatë gjithë këtë angazhim të Camës ndaj tij, Pipa në fund e shpreh si mirënjohje me faktin se Camajn e propozon për çmimin Nobel.

Sigurisht që hapësirë të gjerë në këto letra zë angazhimi i të dyve për ruajtjen e gegërishtes letrare, përkatësisht refuzimin e standardit të shqipes. Ky qëndrim i tyre sigurisht që ishte i njohur edhe më herët për ne, por mbase fakti që Arshi Pipa e akuzon Camajn për një qëndrim liberal ndaj standardit, mund të jetë një gjë e re për shumë lexues. Në letrën e 19 korrikut të vitit 1990 Pipa i shkruan kështu Camajt: “Ti, më duket, e tepron me huazimet tua nga “gjuha e njësuar”. Interesant është përgjigjja e Camajt në këtë: “Sot nuk mundem me ba dallime (gegënisht-tosknisht) dhe letrarishte e ndiej veten ma afër me De Radën se Fishtën. Dhe mbase kjo duket edhe nëpërmjet letrave të tyre. Ndër të tjera Pipa përemrin vetor unë e shënon pa ë (un), ndërsa Camaj e shënon me ë (unë). Bazuar në atë se vetë Pipa deklaron se është një person shumë politik, edhe standardin e shikon në këtë prizëm, mbase gjë normale kjo, sepse gjuha, para se të jetë problem kulturor, është problem politik. Sigurisht që kjo është temë e hapur për diskutim edhe sot, mbase do të jetë përherë, ndërsa gjuha është organizëm i gjallë, por frika se ky problem mund të kapërcej kufirin gjuhësor dhe të marr konotacione të një ndarjeje territoriale, siç ka tendenca sot, bën që këta dy autorë edhe të keqkuptohen e të keqpërdoren.

Në letrën e 14 gushtit të vitit 1990, Pipa do t’i shkruaj kështu Camajt: “Stalinizmi në Shqipni ka fillue me imponimin e tosknishtes simbas recetës së Stalinit, dhe, sa për kosovarët, kanë qenë kosovarët stalinista (ndër ta kryesorë Ali Hadri dhe Rexhep Qosja) ata që kanë dalë me parullën hypokrite “Nji komb, një gjuhë letrare”, e cila kuptimin e kishte nji tosknishte letrare staliniste me zhdukjen e gegënishtes letrare. Nëpërmjet imponimit të “gjuhës së njësuar”, stalinistat shqiptarë dhe kosovarë kanë synue me zhdukë çdo gjurmë të letrarishtes gege, sidomos shkodrane, e cila ka orientim roman, kurse “gjuha e njësuar” ka frymëzim bizantin kryekreje”. Ndërsa në letrën pasuese Pipa do t’i shkruaj Camës: “Kjo asht mënyra ma e mira, mendoj unë, me i shpallë botës shqiptare dhe lavruesvet të huej të shqipes se gegërishtja letrare, e vorrueme n’atdhe pa ceremoni, asht gjallë në mërgim”.

Sigurisht që lexuesi ka pritur të ketë raporte më të dendura të këtyre dyve me personazhe të ndryshme të kulturës dhe letërsisë nga diaspora (brenda këtyre letrave të shtrirë në dy kontinente; Evropë dhe Amerikë), por nuk është kështu. Raportet e Camajt dhe Pipës kryesisht zhvillohen nëpërmjet personave të huaj që merren apo shfaqin interesim për gjuhën, përkatësisht për kulturën shqiptare. Kjo mbase përkon edhe me përkushtimin e tyre që të afirmojnë sa më shumë kulturën shqiptare dhe realitetin në këto hapësira të mbyllura fort, veçmas në Shqipërinë staliniste.

Afirmimin e kulturës shqiptare

Nga personazhet e njohura, para ndryshimeve në Shqipëri, përmenden autorë si A. Kostollari, D. Agolli, Sh. Pllana, A. Berisha, F. Agani, I. Rugova, etj, ndërsa pas ndryshimeve përmenden E. Rama. A. Klosi, F. Lubonja, etj. Për Kostollarin Camaj do t’i shkruaj Pipës kështu: “Për reformat e tilla (fjala është për standardin e gjuhës) janë përdorë si mjete njerëz pa farë përgatitje shkencore si Andokri Kostollari që në Moskë kishte studjue ingjenieri e jo gjuhësi. Arbreshët tregojnë “cose orrende” për këtë njeri, si sillet me ata që dinë ma shumë në akademi e si ky i përvetëson punimet e tyre, ato që i pëlqejnë tue i nënshkrue e si Çabej i sëmunë për vdekje ka thënë: “nuk po më mbyt kanceri, po intrigat e Kostollarit!”. Në anën tjetër Pipa e falënderon Camajn: “Të falem nderit për artikullin e Kostollarit mbi Stalinin linguist. Më ka hy në punë fort”. Në një letër të tij, të datës 16 janar 1987, Camaj njofton Pipën për librin e Ibrahim Rugovës “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (1504-1986): “Mjerisht mungon metoda e sistematika në radhitjen e landës. Por ashtë një fillim. Çka ashtë me randësi (kështu pata përshtypjen) se Ti  aty paraqitesh si autor bazor i kritikës letrare”.

Ikja e Ismail Kadaresë në Paris zë një vend të rëndësishëm në këmbimin e letrave të tyre. Kadarenë e shohin si një personalitet të mbështjellë me dyshime të mëdha, shkaku i angazhimeve të tij politike dhe pozitës që kishte gjatë kohës së diktaturës në Tiranë.

Për Vizitën që Martin Camaj i bën Prishtinës në kuadër të seminarit për gjuhën shqipe, i shkruan Pipës për emocionet dhe befasitë e këndshme që kishte përjetuar nga pritja shumë e ngrohtë që i bëjnë kosovarët.

Meqë fare pak kemi të dhëna për jetën e tyre private, si për kuriozitet duhet veçuar një letër të Pipës dërguar Camajt më 23 qershor të vitit 1990, kur Pipa ishte 70 vjeçar: “Ti thue se ajo (Elvira) asht tue u dallue edhe si kritike letrare, gja për të cilën gëzohem fort. Atë vajzë unë e çmoj shumë, si edhe e due fort- e jo vetëm pse asht e bukur dhe ka një tingull zani qi m’i dridhë leskrat e shtatit. T’a kam pasë zili që e ke pasë ti nxënëse e jo unë! Po e la me kaq se po kam frigë të mos më çohen peshë ato leskrat!”

Sigurisht e veçanta e këtij libri janë angazhimet e mëdha të dy këtyre kolosëve për afirmimin e kulturës shqiptare në dy kontinente, gjë për të cilën meritat më të mëdha i takojnë Martin Camajt, i cili nuk kursehet për ta angazhuar Pipën në Evropë, sikundër që vetë angazhohet për në Amerikë, duke e ndërlidhur aktivitetin e tyre mes dy kontinenteve, ku diaspora shqiptare ishte mjaft e dendur dhe që kishte nevojë të organizohej sa më mirë jo vetëm nëpërmjet shtypit dhe botimit të librave. Në anën tjetër Arshi Pipa si person më politik, shfaq një interesim të madh jo vetëm për gjendjen në Shqipëri, por edhe për atë në Kosovë dhe Maqedoni. Madje jo vetëm që ishte pjesëmarrës i demonstratave për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, por edhe ishte njëri nga organizatorët e tyre në Amerikë.

Fakti që këta të dy synonin të ishin pjesë e elitave kulturore evropiane dhe amerikane, dëshmon se kemi të bëjmë me dy personalitete shumë të rëndësishme, angazhimi dhe prodhimi i tyre letrar dhe gjuhësor do të jenë objekt studimi dhe leximi të vazhdueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.