KOMUNITETI PA VLERA I “KRIJUESVE”

A po i shtohet shoqërisë shqiptare edhe kategoria e “komunitetit të pandërgjegjshëm” që po merren me art e kulturë! Në mesin e tyre po na mbijnë edhe “vlerësuesit e krijimtarisë artistike” dhe, po mjafton vlerësimi i tyre kuturu që në botën tonë krijuese të etablohen turlifarë honxhobonxho me lloj-lloj veprash jo të denja as për fishekë kikirikësh. Dhe ky komunitet i krijuesve të pandërgjegjshëm për momentin po dominon, janë më të zhurmshëm, janë më të organizuar, janë më imponues, sepse hall e kanë pozicionimin e tyre në Panteonin e krijuesve kombëtar, ndonëse në ndërdijen e tyre e dëgjojnë “zërin magjik” që ju flet mbi pavlerën e tyre!

Ky zë, pastaj i zbret të atillët në nivelin e matrapazit, të zhvatësit, të dëmtuesit të vlerave të mirëfillta kulturo-estetike. Për të qenë katastrofa edhe më fatale, ky “komunitet artistik” po ia del që të institucionalizohet, të buxhetoret, duke u subvencionuar nga institucionet shtetërore. Kësisoj, çdo vit në fushën e kulturës po na çelin “thera gomari”, ndërsa ministria e kulturës, për shembull në Maqedoninë e Veriut, mburret me cinizëm “po subvencionojmë krijimtarinë dhe kulturën shqiptare”! Kush? Ata të cilët as që dinë gjë nga kultura shqiptare, por që u mjafton “letra rekomanduese” e partisë mbi “krijuesit” e saj!

Për vitin 2024 në Programin vjetor të kësaj Ministrie u publikua se do të përkrahen financiarisht 53 tituj nga persona të ndryshëm si dhe 58 tituj (libra e revista) nga shoqata, institucione e shtëpi botuese të shqiptarëve të RMV-së! Pra, gjithsej 111 tituj! Për sa nga këta tituj është informuar opinioni, sa promovime të tyre patëm, për sa nga këta libra u publikua ndonjë vlerësim, recension! Sa propagandë u zhvillua për këta tituj? Pse i gjithë ky turp nga ajo që botojmë? Nëse ministria do të vinte kusht që çdo individ apo shtëpi botuese të dorëzonte edhe 5 dëshmi fiskale për 5 tituj të shitur nëse dëshirojnë ta tërheqin buxhetin e caktuar nga komisionet përkatëse të sektorit të botimeve, a do të dilnin 3-4 shtëpi botuese që do ta realizonin këtë kusht! Çka flet kjo?

Kjo flet për atë dukuri për të cilën mbarë opinioni është i informuar me përjashtim të Ministrisë për Kulturë! Nuk ka libra ose ka, por me tirazhe fiktive. “Botimet” janë fiks në atë tirazh që e kërkon Ministria (5 ekzemplarë të detyrueshëm dhe 50 për Bibliotekën Universitare). Këta tituj në masë prej 98% janë produkt i fotokopjeve që për 100-150 euro ta përgatisin atë tirazh që të kërkohet për t’i marrë 1000-2000 eurot e ndara për botim nga Ministria! Prandaj, libraritë tona janë të stërmbushura me tituj nga shtëpitë botuese të Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo edhe me tituj nga botuesit shqiptar të RMV-së. Prandaj, botuesit shqiptarë të RMV-së nuk i ke nëpër asnjë panair të librit (përjashto 2-3 botues), sepse nuk kanë libra për të nxjerrë nëpër tezga, sepse janë të ndërgjegjshëm se kanë manipuluar, se nuk e kanë pasur aktivitetin serioz sa i përket librit, por tërë angazhimi “kulturor” i tyre ka qenë t’i marrin paratë e caktuar për veprimtarinë e tyre botuese.

Ministria e kulturës nuk ka inspektorë që do ta inspektonin tirazhin e librit të botuar, me të cilin tirazh kanë konkurruar dhe për të cilën u është ndarë shuma e caktuar; nuk ka inspektorë që do ta inspektonte tregun e produktit të botuar. Nuk vë kusht që të paktën në dy panaire të librit të eksponohen botimet e subvencionuar prej Ministrisë. Botimet e atyre që kanë konkurruar individualisht të shpërndaheshin nëpër shtëpi botuese që do të merrnin pjesë në panaire, duke i ndihmuar financiarisht, qoftë me vendin e zënë në tezgë, qoftë edhe me përqindje nga shitja e librave!

Krejt kjo do të ishte shumë normale vetëm edhe sikur të kishim se çfarë të nxjerrim në opinion, nëpër librari e nëpër panaire! Edhe teknikisht librat e sodit i kemi për ibret. Skripta të mbështjella me kopertina pa kurrfarë elementi estetik. Janë këto “vlera” të komunitetit të pandërgjegjshëm të palo-krijuesve e të palo-shkencëtarëve. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.