KONCEPTI I LIRISË SI QËLLIM DHE KREDO E PËRHERSHME

(Rreth vëllimit poetik “Enigma e vijave” të Hekuran Halilit)

Agim BAJRAMI


S’di pse më ngjajnë poezitë e Hekuranit si një grumbull pikturash të ndezura, ku ngjyrat dhe lëvizjet, në pamundësi për ta përmbajtur vetveten, fillojnë të thyejnë kornizat dhe të ribëjnë vetveten edhe nëpër mure. Mendimi im parësor shkon në shumë hipoteza, por unë më shumë i mëshoj idesë se brenda formës dhe përmbajtjes se tyre, autori ka shpërfaqur artistikisht copëza të shqetësuara të vetvetes së tij, në bërje dhe zhbërje, dhe çka është më e rëndësishme, në një moment rishqyrtimi të arsyes së ekzistencës së tij në këtë botë. Janë gjendje që të gjithë ne i kemi brenda vetes, por që Hekurani ka ditur t’i formësojë dhe t’i pasqyrojë ato në versione të ndryshme.
Edhe më parë e kam njohur krijimtarinë e tij, që nga “Unë njeriu”, ” Bukë me Hënë”, e gjer te tregimet e tij aq tronditës me problematika të mprehta sociale dhe historike. Janë poezi spontane, por që kanë ditur të marrin nga realiteti esencën dhe thelbësoren. Autori ka një këndvështrim krejt të tijën për ato që merr përsipër të trajtojë. Vargjet e tij duket se formësohen dhe bëhen të gjallë prej prekjes dhe të komunikimit të pazëshëm.
Kjo, se nënteksti është një pjesë e stilit të poetit. Duke qenë tip meditative, autori i vesh vargjet e tij me një tis të hollë filozofie, që kërkon një përqendrim dhe kohë të posaçme leximi. Ai e merr në duar momentin dhe pasi e kundron atë nga shumë kënde, vendos ta vërë para lexuesit në një mënyrë të natyrshme, nëpërmjet shkrirjes brenda tyre të ekzistencializmi, futur pak nga ajo magmë malli dhe mospajtimi për atdheun e tij të mohuar fiziologjik, që ndonëse konsiderohet mollë e ndalume, vazhdon të lëvizë brenda tij si një dëshirë e përjetshme.
Bir i një çami të shpërngulur me dhunë nga trojet stërgjyshore, që mbylli sytë me qepalla të rënduara nga malli për rikthim, e shtyn atë ta shndërrojë vargun e tij shpesh në një zog amaneti. Ai fluturon nëpër net mbi rrënojat e muret e mbetura të shtëpisë së tij, si për t’ju thënë atyre se asgjë nuk ka humbur, se asgjë nuk është shuar, se bijtë vazhdojnë të jenë atje, mbas atij kloni të mallkuar prej urrejtje dhe krimesh të përbindshme, dhe se ata dikur do të vijnë për t’i prishur dhe zhdukur përgjithmonë.
Unë që e njoh karakterin dhe natyrën e këtij njeriu, kam të drejtë ta besoj edhe këngën e tij patjetër. Shfletoj një e nga një vargjet e ndjerë të poezive të tij dhe befas ndihem i ngarkuar me klithma dhe vaje nënash, me hije të tejdukshme baballarësh, gjyshërish dhe gjyshesh të vrarë barbarisht nga i pabesi, përjetoi net Shën Bartolemeu dhe Guernikash të përgjakshme.
Janë momente specifike kur autori kthehet në peng kujtimesh dhe nuk mund ta mbajë dot vetveten Është kjo arsyeja pse koha e leximit të poezive të Hekuranit të krijon një klimë dhe ndjesi të veçantë. Shoqëruar nga ngjyrimet dhe magjia e fjalës së bukur, sado i pandjeshëm të jetë, lexuesi i kësaj poezie sikur e përjeton dhe e prek më mirë të dukshmen dhe misterin e saj, aq më shumë në këto kohë të vështira depresioni dhe vakumi të stërzgjatur shpirtëror, kur e bukura dhe të tjera kategori estetike, si ajo nëse do të përdornim një krahasim alternativ të G. Markesit: kanë nisur të udhëtojnë me vagonin e fundit të trenit të kohës.
Është një shumësi gjendjesh shpirtërore dhe realitetesh që të afrojnë me bujari copëza qëndrese dhe shpirt kundërshtie ndaj gjendjeve depresive, të arealit ku jeton heroi. Materializimi i saj në këtë lloj poezie shfaqet në mënyra dhe forma të ndryshme, që nga ironia e thellë kafkiane, sarkazma e hollë e zheromjane, e deri tek dimensioni i klithmës, shohim të ngjizura bashkë njëherësh disa gjendje trishtim, zhgënjim, rebelim. Pikërisht, brenda këtyre gjendjeve e vizaton portretin e tij të shqetësuar edhe poeti. Rendja drejt thelbit dhe jo sipërfaqes, ju jep atyre një qartësim dhe peshë specifike të dukshme. Autori i përngjan një lajmëtari në shumë raste, i cili mbasi ka vrapuar dhe i ka grahur kalit nga sheshi i betejës, mbasi ka duruar shigjetat e helmatisura të pseudomiqve dhe pseudopolitikanëve në shpinë dhe kraharor, si mbetet gjë tjetër veç të shpallë kumtin e tij me një të folur të shpejtë por të përmbledhur qartë: “Për mustaqe rrezesh do ta kap këtë diell /E do ta përplas për tokë”. Pse ndodh ky rebelim i drejtë në psikikën dhe sjelljen e poetit ? Çështë kjo dalje e menjëhershme e tij nga vetvetja?
Përgjigja është e thjeshtë. Njerëzit e botës kanë ftohtë nën një diell që fshihet. Pushtetet në atdheun e tij ua kanë dimëruar jetën dhe i kanë lënë pa shpresë ata. Atëherë poetit si mbetet gjë tjetër, veçse të kalojë nga zhgënjimi, në mosbindje.
Vini re se sa bukur e motivon autori këtë lloj veprimi: Sepse njerëzit e mi kanë ftohtë. Po kështu ngjet edhe në poezinë tjetër, “Të enjten”. Ndërrimi i vendit me Krishtin, krahas gjetjes interesante, përbëjnë edhe një shkak më shumë për autorin, për të pasqyruar një realitet drithërues dhe kontravers, por dhe për të polemizuar me dogmën: i kërkova Krishtit të ndërronim fat dhe vend. Ai pranoi. Të dielën unë nuk rilinda si ai, ndërsa Krishti, në të vetmen botë të vërtetë dëfren.
Po kështu, tek poezitë me temë trishtimin, autori mbasi ka shpërfaqur në një gjatësi të admirueshme konceptualitetin dhe kredon e tij jetësore, pasqyron njëkohësisht edhe pengesat, e dhe shtizat e helmuara të bashkudhëtarëve dhe njerëzve të rremë. Është e qartë se në karakterizimin e tyre, autori përdor stigmën, një stigmë të rafinuar dhe shpuese njëkohësisht. Është shumë e rëndësishme të themi se artikulimin e këtyre mesazheve autori e shoqëron edhe me gjestikulacionet e nevojshme si të ishte në një skenë. Ndaj, nuk është për t’u habitur, që në klimën e vargjeve të tij vëmë re herë pas here praninë e shiut dhe të erërave, qiej dimri dhe vjeshte pafund.
Tre janë boshtet ku e mbështet frymëzimin e tij autori. Rrënjët, Trungu dhe Aroma. Për Hekuranin fjala rrënjë është e lidhur ngushtësisht me atdheun e tij të mohuar, Çamërinë. Në të gjitha poezitë e tij me këtë temë, autori e shpërfaq vetveten si një kalorës malli. Ky është shkaku që në leksikun e tij fjala Çamëri është me e lakuara dhe mban vazhdimisht erë troku dhe shtigjesh rikthimi, erë peizazhesh të braktisur dhe shtëpi të djegura. Nuk e teproj të them se poezitë e këtij autori, më shumë se prej fjalësh, janë lot i fshehtë në faqet e ashpra të një biri të burrëruar nga dhimbja dhe pritja.
Dhe është aq e madhe kjo ndjenjë, sa çdo poezi e tij kushtuar kësaj teme më kujton dyvargëshin e njohur te Himenesi kur thotë: Ai qielli i rrokullisur, është hija ime. Nisur nga intensiteti i lëvizjeve dhe densiteti pohimeve të këtij libri, autori është në një garë të heshtur me kohën për të thënë sa më shumë të vërteta. Parë në këtë këndvështrim, poezitë e tij, përveç “Poemes së gurit “dhe të ndonjë tjetre, janë koncize, dhe të kursyera në fjalë, si të jenë shkruar në ecje e sipër, apo në një moment të shkurtër pushimi mbi një pllakë guri kufiri. Afërsia e tij me aromën e vendlindjes e mban përherë të karikuar dialogun e tij me të.
Në vëllimin e tretë me poezi vëmë re përdorimin efikas të simbolikës. Kjo është shenjë pjekurie, por edhe nevojë e poezisë së tij për të gjetur sa më shumë elemente dhe mundësi shprehje për gjuhën e tij poetike. Kështu, etimologjia e rrënjëve, e themeleve dhe e gurit, s’janë gjë tjetër, veçse një kuptim epik etnosi dhe pavdekshmërie mbi të cilat ai vendos nostalgjinë e së shkuarës, si dhe parashikimet e së ardhmes.
Vargu i shkathët dhe metaforik, i ngarkuar fund e krye me imazhe dhe përjetime, është i aftë të përcjellë ide dhe mesazhe të fuqishme. Poeti e ka orientuar veten tek poetët e lidhur ngushtë me bashkëkohësinë dhe faktet e ditës. Duke pasur një sensibilitet të lindur, ai e ka të pamundur të fshijë vragat dhe gjurmët e tyre nga vetja. Në këtë mënyrë vargu i tij bëhet edhe një lloj tabloidi me vlera të larta përgjithësuese. Në poezitë ” Bisedë me gurët”, ”Bukë me hënë”, ndërrimi i vendit me Krishtin, fuqia abstraguese dhe thellësia e mendimit arrijnë majat.
Poeti i përzgjedh me kujdes subjektet dhe heronjtë e tij lirik dhe arrin të shpërfaq me anë të tyre një pjesë të mirë të unit të tij jetësor. Pikturat poetike të Nazusë, babait, nënës apo ullinjve të vendlindjes, e ndihmojnë atë për ta shpërfaqur me forcë idenë e trashëgimisë. Jo me kot shumë gjurmë dhe reminishenca të jetës së tyre, ai i ka gdhendur si me daltë ne relievet e kujtesës së tij. Janë vargje ku thjeshtësia dhe thellësia ecin në të njëjtët binarë. Poezitë e Hekuranit të lënë gjurmë në kujtesë dhe nuk harrohen lehtë. Kjo, jo për densitetin e figurave dhe elementëve të ndryshëm artistik, sesa të frymëmarrjes së fuqishme të tij, mpleksjes së të vërtetave artistike me ato jetësore, si dhe të një ankthi të përhershëm që e shoqëron atë. Janë pikërisht këto që e joshin dhe tërheqin natyrshëm lexuesin, duke e ngarkuar njëherësh edhe me emocione. Të njëjtat mesazhe arrin të përcjellë ky poet edhe në kolonën e tretë të “Aromës së jetës”. Janë krijime të ndjera kushtuar motrës, mbesës, gruas, djalit dhe vajzës së bukur çame me fustan të bardhë, si të qëndisura me fije mëndafshi.
Edhe këtu autori të befason me lojën e pastër të ndjenjave dhe abstragimit, edhe këtu koncepti i lirisë dhe lartësimit të ndjenjave sentimentale, mbetet qëllim dhe kredo e përhershme. Nga libri në libër profili i tij poetik po bëhet më i plotë dhe më i veçantë, ashtu siç është ai vetë në jetën e tij të përditshme. Hekurani është një zë që rreket ta thotë gjithçka jo me zë të zakonshëm apo të diktuar nga të tjerët, por nga lartësia e fronit ku e ka ngjitur fjalën ai, shoqëruar me fëshfërimën e një dege ulliri, apo një tufë manxurani Çamërie, me të cilën ajo bëhet më e bukur, më sensuale, dhe njëherësh më njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.