KONTRIBUTET STUDIMORE TË ASTRIT BISHQEMIT

Duke njohur opusin letrar e shkencor të autorit Bishqemi, nuk ke sesi të mos mendosh për lëvrimin e gjinive dhe zhanreve letrare, si dhe të studimeve të thukëta, në të shumtën e rasteve edhe si modele

Xhahid BUSHATI

Në historinë e studimeve shkencore të letrave shqipe për fëmijë e të rinj, krahas krijimtarisë së pasur letrare, shenjohet me germë të madhe veçanërisht një emër me një kontribut të pareshtur vlerash… Ai quhet Astrit Bishqemi. Kontributet në fushën e studimeve letrare shfaqen në disa aspekte, si në ato: historiografike, bibliografike, bio-bibliografike, analiza dhe komente veprash, gjurmime, përshtypje, portrete, vështrime për periudha letrare me problematika dhe tipare të tyre kohore që lindën mbi baza realitetesh të caktuara, etj., etj. Në këto arritje të pashoqe prof. as. dr. Astrit Bishqemi në disa gjurmime, interpretime e kode, është bërë shpesh edhe themelues, vendimtar e vizionar në fushën e studimeve të këtyre letrave, shpesh të munguara e të cunguara nga ana shkencore në rrjedhën e viteve. Në këtë dritësim të mëtejshëm të kësaj figure, na vjen në ndihmë edhe vlerësimi i shkrimtarit Aleko Likaj, i cili thotë: “Krijuesi Astrit Bishqemi sot është padyshim një nga figurat më të veçanta e të spikatura të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Përveç disa botimeve me studime në fushë të kësaj letërsie, më tepër për nevoja universitare, të studentëve që studiojnë në ciklin e ulët të arsimit tonë të lartë, boton herëpashere tekste të karakterit shkencor, duke mos u shkëputur nga pasioni i tij i zjarrtë që ka të bëjë me krijimtarinë artistike për botën e fëmijëve dhe të rinjve.”

Këto shënime, mbase pakëz të vonuara, dritëdhënëse e dritënjohëse, krahas vijëzimeve të disa aspekteve të krijimtarisë së mirëfilltë letrare të autorit Bishqemi, rreken kryesisht të ndriçojnë një fragment të portretit të tij poliedrik, siç është ai i studiuesit të palodhur, studiuesit me bagazh dhe të vlertë e, me përgatitje të lartë shkencore. Në këtë pamje vlerësimi, përsëri na vjen në ndihmë gjykimi i prof. dr. Faik Shkodrës. Citoj: “Të shkruash kritikë letrare para së gjithash është ndjenjë, sa përgjegjësie po aq ndjenjë ndjeshmërie, mirëpo Astriti deri më tani në të gjitha veprat e botuara, qoftë si tekste të historisë për fëmijë, si tekste për problem të teorisë së letërsisë, si vepra me studime për figura e vepra letrare, është dëshmuar se ka afinitet, ka përgatitje profesionale, shkencore dhe ka aftësi në mjeshtërinë e të shkruarit për dukuritë dhe çështjet e shumta të letërsisë…”

Krijimtaria e tij letrare u shfaq në mesin e viteve ’60. Angazhimi i tij: i përkushtuar ndaj letërsisë për fëmijë e të rinj në disa rrafshe. Krahas prozës së shkurtër, të mesme e të gjatë, në opusin e veprës së tij zënë vend edhe studimet letrare. Vepra e tij e titulluar “Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”, është një vepër madhore, ku rrok gjithë hapësirën e procesit letrar mbarëshqiptar, zhvillimin e tij shumëplanësh, shumështresor, me paralelet dhe ndërprerjet e tij, me dukuritë e fenomenet të analizuara në vështrime historike e teorike, analitike e problemore. Krijimtaria në prozë (në shumë plane) ka edhe një dukuri si zanafillë: lëvrimin me sukses të zhanrit fantastiko-shkencor. (Për këtë shkrimtari Bekim Gaçe shprehet: “Astrit Bishqemi u afron njohjen e zbulimeve të fizikës dhe fluturimet ndërplanetare). Po sjellim dy shembuj nga dy vepra të tij për të njohur më gjerë vlerat e tij si shkrimtar. “Kronikë me tank” (roman, Sejko, Elb. 2004) është një roman i spektrit kronikal, ku në fokus është kronika dhe ku autori, bashkë me “petkun” e shkrimtarit, ka veshur edhe atë të kronikanit apo të gazetarit për realizimin e misionit që i ka vënë vetes.” Kurse e veçanta e romanit serial (sagë) “Klik, Rrapatushët 1,2,3,4” (roman, Extra, 2007) është arkitektura krejtësisht e re, e cila del jashtë çdo konturimi tradicional, ku nuk kemi më një subjekt të caktuar, që shtjellohet brenda një boshti apo kompozicioni klasik, por tërë përmbajtja voluminoze e tij është një mozaik copëzash letrare, disa të risjella nga krijimtaria e tij më e spikatur në vite, me një alternim rrëfimesh, përshkrimesh, gojëdhënash, historish, vizatimesh, portretesh, pikturash, fotografish artistike, por edhe humoristike, si të thuash, një enciklopedi e tërë letraro-artistike, e cila krijon variacione në të lexuar, ndjesi e kënaqësi të veçanta dhe, nga ana tjetër, ofron një informacion të pasur e të larmishëm për lexuesit.

Me emrin e Astrit Bishqemit, një emër prej shkencëtari lidhen këto vepra studimore e madhore, si: “Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë” (Sejko, Elbasan 1997, e ripunuar, Sejko, Elbasan 2004), “Eja, ta lexojmë bashkë një vjershë!” (komentar) (Tiranë 1998, Elbasan 2000), “Letërsia botërore për fëmijë” (Silver, Elbasan 1999, e ripunuar, Sejko, Elbasan 2006), “Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë (disa ribotime) (Sejko, Elbasan 2001, Dy Lindje dy Perëndime, Tiranë 2008), “Vlera të anatemuara…” (Gjurmime e studime, Sejko, Elbasan 2005), “Autorë e tekste letrare, probleme e vlera…” (Sejko, Elbasan 2007), “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj -1886 – 2009- (Fjalor enciklopedik, Dy Lindje dhe dy Perëndime, Tiranë 2009), “Libri – miku më i çmuar i fëmijëve” (Doracak bibliografik), botim i Fondacionit ECE, Elbasan 2000, “Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë e të rinj ndër vite” (Fjalor enciklopedik), Qendra studimore për historinë, kulturën dhe traditën elbasanase; Elbasan 2017, etj. E gjithë kjo prurje dimensionale flet për një tablo të madhe drejt vizatimit të ecjen dhe zhvillimit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, që sigurisht për këto studime kërkon studime të mëtejshme e të thelluara, për të qartësuar dhe vlerësuar edhe më mirë figurën dhe individualitetin prej studiuesi të talentuar të prof. as. dr. Astrit Bishqemit.

Duke njohur opusin letrar e shkencor të autorit Bishqemi, nuk ke sesi të mos mendosh për lëvrimin e gjinive dhe zhanreve letrare, si dhe të studimeve të thukëta, në të shumtën e rasteve edhe si modele. Shkrimtari dhe studiuesi Dr. Xhevat Syla konstaton, se: “Numri i madh i titujve të librave, por edhe vëllimi i tyre, flasin më së miri për përkushtimin e tij të madh kësaj fushe të krijimtarisë letrare, si dhe për rezultatet të cilat e radhisin atë ndër shkrimtarët, e sidomos ndër studiuesit më të vyeshëm të letërsisë sonë për fëmijë.”

Nëpër vite, me disa nga veprat studimore të prof. as. dr. Bishqemit janë marrë studiues, kritikë, shkrimtarë, etj., si: prof. Bedri Dedja, prof. Odhise Grillo, prof. Agim Deva, prof. dr. Faik Shkodra, dr. Xhevat Syla, Skënder Kariqi, Milaim Nelaj, Pandeli Koçi, Klara Kodra, Skifter Këlliçi, AlekoL ikaj, etj. Disa mendime dhe konsiderata të tyre përkojnë edhe me qasjet tona lidhur me probleme a dukuri të veçanta në fushën studimore të prof. as. dr. Astrit Bishqemit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.