KONTRIBUTI I NDRE MJEDJES NË LETËRSINË PËR FËMIJË

Ndre Mjedja së bashku me të vëllanë, Lazër Mjedjen, kryepeshkop i Shkodrës, krijuan Shoqërinë letrare “Agimi”. Ajo kishte alfabetin e vet, me të cilin u shtypën edhe disa tekste shkollore

Xhahid BUSHATI

Ndre Mjedja: klerik dhe poet. Veprimtar i shquar i shkollës dhe i Gjuhës shqipe. Duke gërmuar në jetën e tij dhe atë letrare, didaktike e gjuhësore, mësojmë se, në vitin 1901, Ndre Mjedja së bashku me të vëllanë, Lazër Mjedjen, kryepeshkop i Shkodrës, krijuan Shoqërinë letrare “Agimi”. Ajo kishte alfabetin e vet, me të cilin u shtypën edhe disa tekste shkollore. Ndër to, me rëndësi në fushën e letërsisë për fëmijë, përmendim: – “Këndime për shkollat e para të Shqypnisë” (pjesa e parë, Abetare, Vjenë, 1904); – “Këndime për shkollat e para të Shqypnisë” (pjesa e dytë, Vjenë, 1904); – “Këndime për shkollat e para të Shqypnisë” (pjesa e tretë, Vjenë, 1906). Këto tekste në vitet 1910 – 1911 u ribotuan të redaktuara e të transkriptuara në Alfabetin e Manastirit dhe u ribotuan disa herë (botimi i katër i tyre është bërë në vitet 1926 – 1927) dhe shërbyen në shkollat tona deri në vitet 1930. Patën një përhapje të gjerë në të gjithë Shqipërinë: Shkodër, Prizren, Shkup, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Filat etj. Në hartimin e tyre, hartim i cili u mbështet kryesisht në librat shkollorë austriakë, Mjedja bashkëpunoi me shkrimtarin Anton Xanoni. (Sipas shënimeve të studiuesit Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi). Gjithashtu mendohet se “i gjithë procesi i hartimit të librit “Këndime” (pjesa e tretë, si tekst u mbulua vetëm nga një dorë, ajo e Xanonit). Ndërsa “Libri i parë dhe ai i dytë i Këndimeve” janë mbuluar nga dora e Ndre Mjedës (Mjedjes, shënimi im Xh. B.) […] Mund të thuhet që Mjeda (Mjedja) të ketë bërë ndonjë redaktim të librit që kishte ndërhyrë Xanoni. […] Një gjë mund të thuhet me saktësi, se dorëshkrimet e transkriptuara të tre librave të “Këndimit” u bënë nga dora e Mjedës (Mjedjes)… ” (Mentor Quku “Mjeda 3, Alfabeti, ILAR, Tiranë 2007, f. 405 – 406).

Në librat e vet (Këndimi I dhe II) Mjedja ka futur jo vetëm krijime personale në prozë e poezi, por edhe autorë të tjerë, shqiptarë e të huaj.

Në krijimtarinë poetike të Mjedjes kanë një vend të rëndësishëm edhe fabulat e tij. Ndonëse numri i tyre është i vogël, rreth 15-të; tharmin ato e marrin nga gurrat e La Fontenit dhe Ezopit, nga thesari ynë popullor, por, sigurisht, ndryshojnë shumë pre tyre. (Në ndihmë shënimet e Dr. Veli Veliut, Fabula shqiptare e periudhës së Rilindjes, Shkup, 1993).

Shumë nga krijimet poetike të Mjedjes, që u shkruan posaçërisht për fëmijë, si dhe disa nga ato që u shkruan për të rritur, u përfshinë në tekstet e leximeve letrare të nxënësve për dhjetëra vjet si: “Gjuha shqipe”, “Vaji i Bylbylit”, etj.; u përmblodhën në vëllimet: – “Guxo” (vjersha), Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1953 (ku disa vjersha i janë adresuar gabimisht Mjedjes, pasi janë të Xanonit (si: “Erdhi ujku”, “Djali e Balta”, “Rrena”, “Dhelpna e bretkoca”, “Filxhani i kafes”, “Gruni dhe egjra”, “Luani”, “Thnegla e Pëllumbi”, “Mini”… etj.

-“Agimi” (kallëzime), Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1962 (me bashkautor Anton Xanonin).; – “Vjersha për të vegjël”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1967; – “Përmbledhje vjershash për fëmijë (lektyrë shkollore, 5), Libri Shkollor, Prishtinë 1972; Shkup 1989.; – “Poezi të zgjedhura për fëmijë”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1975; – “Përmbledhje vjershash për fëmijë” (lektyrë shkollore 3), NASHA KNIGA, Shkup 1984, 1988, 1989.; – “Zambakët” (vjersha, gjëegjëza, fjalë ari), ARGETA LMG, Tiranë, 2000; – “Dimri dhe plaku” (vjersha të zgjedhura), DRIER, Tiranë 2002.

Leave a Reply

Your email address will not be published.