KOPSHTARI I ËNDRRAVE – NJË HIMN PËR LIBRIN DHE LEXIMIN

Mbi librin “Kopshtari i ëndrrave”, autor: Cladio Gobbetti, ilustrimet dhe dizajni: Diyana Nikolova, botuar nga Sh. B. Mediaprint, Tiranë 2021, përkthyer nga Arta Marku

Xhahid BUSHATI

CLADIO GOBBETTI u lind në Foligno, Itali. U diplomua për Letërsi dhe Filozofi në Universitetin e Urbinos. Adoleshencën e jetoi në Pesaro. Pas diplomimit, u transferua në Milano për të ndjekur një master në shkrimin krijues. Ai ka punuar për agjenci të mëdha reklamash, duke fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht është autor televizioni dhe profesor në Akademinë e Re të Arteve të Bukura në Milano. Vitet e fundit ka krijuar një pasion për librin për fëmijë. Librat e tij janë përkthyer në Francë, Angli, Spanjë, Kanada, Kinë, Turqi, Tajlandë, Rusi, Amerikë e Jugut, Shqipëri, Rumani, Sllovaki, Vietnam, Japoni dhe Greqi.

Në një rruzull me “një emër të bukur që s’ia di kush” jeton një burrë shumë i vjetër, aq i vjetër sa nuk i kujtohet as mosha e vërtetë. Mban një kapele qesharake, ka një mjekër të gjatë e të bardhë, një palë syze dhe shkruan mbi një fletë me një makinë të zhurmshme shkrimi me taste të prishura. Pasi përfundoi së shkruari fletën, burri niset në kërkim të vendit të përkryer ku e mbjell dhe pastaj rikthehet që të përkujdeset për të. Nga ajo faqe e mbjellë, pas përkujdesjeve të gjata mbin një pemë shumë e bukur me trung të trashë dhe kurorë të dendur, që ka fletë në vend të gjetheve. Kur fletët piqen, burri nis t’i vjelë, i bën pirg me kujdes, i lumtur nga rezultatet e një pune të gjatë. Më në fund i qep me dorë njëra pas tjetrës derisa bëhen libra dhe i le të lirë që të fluturojnë jashtë dritares së shtëpisë. Librat bëjnë një rrugë shumë të gjatë, mbi dete e shkretëtira, ditën e natën dhe, në fund arrijnë në një bibliotekë, ku çlodhen mes historive të tjera që lexuesit mund të zgjedhin.

Një libër i ilustruar bukur plot magji, shije dhe fantazi nga Diyana Nikolova. Ajo ka lindur në Bullgari. Ka punuar si grafiste dhe drejtuese arti për disa agjenci publicitare të rëndësishme. I është kushtuar ilustrimeve për fëmijë.

Ky libër për problematikën që mbart, për misionin që përçon,është i rëndësishëm, jetik dhe jeton sa të ketë frymë bota. Vogëlushët nuk duhet ta humbasin këtë libër të vyer. Të rriturit duhet ta lexojnë jo vetëm për vete, por në një bashkëbisedim prindëror e të këndshëm me fëmijët e tyre. Është një himn i bukurisë së librit dhe i fuqisë së leximit që, si një farë pasi mbillet ka nevojë për përkujdesje, përkushtim dhe dashuri në mënyrë që t’i japë frytet dhe të krijojë sa më shumë lexues.

“Kopshtari i ëndrrave” është një tekst i bërë me fjalë delikate dhe muzikale që mund të lexohet fare mirë me zë të lartë, me imazhe poetike me ngjyra pasteli. Një histori që ka shijen e një përralle, “historia e të gjitha historive” që përçohet qysh në kopertinë, ku duket një burrë me përparëse që e ka futur kokën brenda fletëve-gjethe dhe, qysh në titull në mënyrë kuptimplote librat i krahason me ëndrrat.

Shkrimtari CLADIO GOBBETTI, në vitin 2022 është nderuar me çmimin e madh “Andersen” – Baiadelle Favole, një çmim që kanë krijuesit me emër botërorë, si: Italo Calvino, Alberto Moravia, De Filippo etj.

Ardhja e librit “Kopshti i ëndrrave”, i munguar në bibliotekën shqipe, nga Sh. B. Mediaprint është një akt fisnik e kulturor, ku vlera e librit ka dimensione planeti. Në fakt, kjo Shtëpi Botuese, në zgjedhjet e saj ka shije, cilësi, kulturë e edukim të librave të përkthyer që kanë bërë emër në botë. Ato kanë pasuruar e dritësuar letrat shqipe, dhe e ka përballur atë me modele letrare. Me këtë libër plot ëndrra, duhet të nis krijimi i çdo biblioteke fëmijësh e të rriturish. Nuk mund të lë pa përmendur punën magjike të përkthyeses Arta Marku. Përse e them: ‘magjike’? Sepse i tillë është ky libër, dhe përkthyesja ruajti testamentin e shpirtit të tij: Kopshtari dhe ëndrrat e tij të përbotshme!

Leave a Reply

Your email address will not be published.