KORTEZHI I NGRIRË

Tregim

Biser MEHMETI

Me sytë e vagëlluar e shihja kortezhin e dërrmuar që mërdhihej nga të ftohtit. Derisa prisnin të hapej varri, disa lëshonin ofshama të thella nga pritja e mundimshme. Disa madje pshurrnin afër arkivolit, të cilin e kishin sjellë këtu pa dëshirën e tyre… Shumica prej atyre njerëzve ishin miq të Stasit, me të cilin ishin shoqëruar sa kishte qenë gjallë… Disa Stasin e kishin dashur si vëlla. Tash nga goja nxirrnin një lumë sharjesh banale pse ai s’kishte vdekur verës, po dimrit… Sa njerëz të poshtër, i thashë vetes. Edhe sa ka qenë ai gjallë e kanë fyer prapa shpinës. Kjo nuk u ka mjaftuar, po vazhdojnë ta fyejnë edhe pas vdekjes… Kështu do të veprojnë edhe me mua! Do të më shajnë pse s’kam zgjedhur ditën që atyre u përshtatet për të vdekur… Më së miri është të vdes në verë, i thashë vetes… Nuk bën as në verë të vdes! Atëherë do të më shajnë pse bën vapë e madhe dhe dielli u bie në kokë si saç!… Kurdo që të vdes miqtë e mi do të më sjellin te varret e pastaj do të kënaqën duke më sharë… Njerëzit janë të mbushur me urrejtje të paqartë. Nuk dinë çka kërkojnë nga vetvetja as nga të tjerët…

    Pritja po bëhej gjithnjë e më torturuese. Katër ose më shumë të rinj nuk po arrinin ta hapnin varrin, ngase toka ishte shumë e fortë… Një mendje më thoshte se në këtë të ftohtë do të prisnim edhe tri ditë të tjera derisa të hapej varri… Pas pak m’u bë sikur të gjithë miqtë e Stasin, të cilët gjatë gjithë rrugës e fyenin atë pa mëshirë, ishin larguar pa e varrosur atë, ngase nuk kishin mundur ta duronin të ftohtin që po i ngrinte ngadalë. M’u bë sikur unë i vetëm kisha mbetur që ta varrosja Stasin, me të cilin dikur kisha pasur shoqëri të ngushtë… Një zë tjetër më tha: pse u bëre i marrë e nuk u largove edhe ti me kortezhin!?… Fillova të dyshoj sikur me zë të lartë u kam thënë: i urrej njerëzit hipokritë që i duan të gjallët e i shajnë të vdekurit!… Unë kam respekt për njerëzit e vdekur më shumë sesa për njerëzit e gjallë!…

Derisa e shihja arkivolin e Stasit zura ta akuzoj veten pse s’kisha shkuar me kortezhin me të cilin kisha ardhur. Stasi është i vdekur dhe çdo gjë që bëj për të ai nuk do të jetë në gjendje të më falënderoj… Kur të kalojë ky dimër polar, vijmë dhe e varrosim trupin e tij… Derisa vështroja e nuk isha në gjendje t’i thosha vetes çka vështroja, m’u bë sikur kortezhi me të cilin erdha te varret ende qëndronte afër meje… Me një zë që më dridhej u thashë: ju lutem, kur të vdes mos më fyeni sikur e fyet Stasin!… A ju kujtohet kur Stasi ishte i gjallë gjithnjë i thoshit se e doni dhe e respektoni mjaft shumë… Ndoshta edhe ai e ka ditur se e keni gënjyer tërë kohën, se nuk e keni dashur me të vërtetë…

Troni, miku im më i ngushtë, i cili qëndronte afër meje dhe gjithnjë zgërdhihej, më tha: pse na akuzon ne për gjëra që edhe vetë i ke bërë! Pse shtiresh i ndershëm kur je më i keq se të gjithë ne!… S’mund  ta durojmë këtë të ftohtë që po na ngrinë ngadalë e në heshtje!… Derisa mundohesha ta gjeja fillin e mendimeve një zë më tha: pse mundohesh ta gënjesh vetveten! Ti i pari fillove fyerjet ndaj Stasit pasi dyshove se acari kishte nisur të t’i ngrinte të gjitha gjymtyrët e trupit… Edhe pse mundohesha ta kandisja mendjen, se nuk kisha bërë gjëra kaq të neveritshme, ajo gjithnjë më thoshte me tinguj të kumbueshëm: ti je i pari që fillove ta fyesh Stasin për së vdekuri! Pastaj edhe të tjerët filluan ta fyejnë me zë të lartë… Sikur të mos e kishe fyer ti, ndoshta asnjëri nga kortezhi nuk do ta kishte fryrë. Ti je fajtori kryesor që njerëzit u shfryen ndaj Stasit… O Zot, i thashë vetes, ndoshta vërtet e kam fyer Stasin! Ai  ka qenë miku im më i dashur. Shumë shokë e miq të mi erdhën për hatër timin nëpër këtë kohë të ftohtë për ta varrosur kufomën e tij. Të gjithë filluan të çuditën kur më dëgjuan si e fyeja pa mëshirë Stasin. Disa edhe më kanë fyer edhe mua, po këtë gjë e kanë bërë tinëz meje…

    Përsëri desha të largohem nga varri i Stasit, po nuk e di pse nuk arrija ta bëja një gjë të këtillë. Një zë i heshtur më tha: ti më shumë ke dëshirë të qëndrosh me të vdekurit sesa me të gjallët! Gjithnjë i ke dashur më shumë të vdekurit sesa të gjallët!… Të vdekurit gjithnjë janë të heshtur dhe kurrë nuk të kundërshtojnë për asgjë, madje as atëherë kur i fyen! Me të gjallët puna është ndryshe. Ata gjithnjë flasin gjëra të neveritshme, madje të kundërshtojnë edhe atëherë kur e thua të vërtetën!… Fillova të dyshoj sikur kishte një kohë të gjatë që shoqërohesha me të vdekurit, tek të cilët gjeja kënaqësi, të cilën nuk arrija ta gjeja me të gjallët. Duke qëndruar një kohë të gjatë në mesin e tyre kisha filluar ta ndjeja veten të vdekur sa dyshoja sikur gjendesha në një skaj të amshimit… Kur e shihja mëngjesin, po edhe mbrëmjen si shfaqeshin mbi hapësirën e varrezave, dëshiroja të largohesha nga të vdekurit e të vazhdoja të jetoja në mesin e të gjallëve. Sa herë dëshiroja ta bëja një gjë të këtillë diçka më thoshte se të gjallët gjithnjë më kanë urryer pse më shumë i doja të vdekurit!… Pastaj  më kaplonte dilema nëse më mirë do të ishte të jetoja në mesin e të vdekurve apo në mesin e të gjallëve…

Në atë ambient të mbushur me ftohtësi polare, çdo gjë e gjallë dhe e vdekur i nënshtrohej ligjit të heshtjes absolute. Ajo heshtje e tmerrshme ma hante shpirtin si të ishte një gjarpër i madh. Brenda dhe jashtë varrezave edhe koha ishte ndalur. Për të vdekurit ajo s’kishte kurrfarë rëndësie… Ka edhe njerëz që jetojnë e koha nuk u hyn fare në punë, më tha vetvetja. Disa çaste jam orvatur sërish t’i këpus vargojt e harresës, po s’kisha fuqi të mjaftueshme për ta bërë një gjë të këtillë… Edhe pse dua s’mundem tërë jetën të qëndroj në mesin e të vdekurve, më tha një zë i njohur, i cili më përplasej në kokë tash e një kohë të gjatë. Pas pak i kam thënë atij zëri të qetë: prej lindjes në mesin e të gjallëve s’kam mundur të gjej kënaqësi!… Këtë e gjeta në mesin e të vdekurve!… Për fat të keq ende e ndjej veten të gjallë, andaj më duhet të sillem si i gjallë… E di se rruga për atje është e gjatë dhe e vështirë.

Disa çaste më vonë e gënjeva veten se e dija rrugën që më largonte nga varret, po qëllimisht nuk dëshiroja të largohesha. Ai ambient i heshtur më dukej sikur mbushej me njerëz të vdekur, të cilët dëshironin të më shoqëronin. Nga të gjitha anët frynte një erë e lehtë, e cila sikur ma freskonte fytyrën që më digjej flakë. Më kaploi dyshimi sikur kujtesa, mbi të cilën kishte reshur një shtresë e trashë e pluhurit, po më rikthehej ngadalë. Në atë çast s’kisha dëshirë të kujtoja asgjë që më kishte ndodhur e që s’më kishte ndodhur. S’kisha dëshirë të mendoja për vdekjen e Stasit, i cili s’dihej nga çka kishte vdekur, as pse kishte vdekur në këtë ditë të ftohtë dimri. Sa herë dëgjoja për dikë që vdiste gjithnjë kisha bindje sikur unë isha ai që kisha vdekur, sikur gjendesha në arkivol, sikur disa njerëz më dërgonin te varret, sikur trupin ma mbulonin me dhe…

Në pasqyrën e thyer të mendjes e pashë veten sikur ecja në mesin e një kortezhi të lodhur e të rraskapitur nga rruga e gjatë. Shumica e njerëzve ishin të heshtur. Megjithatë, ata nuk mërziteshin fare për njeriun që e kishin varrosur në një vend të shkretë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.