Ministritë e kulturës në botën e civilizuar përkujdesen ekskluzivisht për trashëgiminë kulturore dhe për monumentet historike si dhe për politika të larta kulturore, duke u angazhuar që diversitetet kulturore, vlerat e përbotshme, t’i paraqesin ekskluzivisht si vlerë e mbarë njerëzimit dhe jo “aset partiak”
Nga Avni HALIMI
Fatkeqësisht, Republika e Maqedoni së Veriore është modeli më i keq i zhvillimit kulturor si dhe i qasjes së shtetit ndaj krijimtarisë dhe, përgjithësisht, kulturës. Në këtë shtet Ministria e Kulturës konceptohet si krye-institucion nacional kulturor, ndërkohë që është vetëm se një organ politik i ekzekutivit që përkujdeset për politikat kulturore të parapara në platformën dhe programin e partisë që drejton me qeverinë. Duke pranuar që të partizohen, me shpresë se do të hanë copën më të madhe të kekut, institucionet nacionale kulturore, asociacionet, shoqatat, komuniteti i krijuesve, artistëve etj. sikur e ndjellin këtë Ministri që të ketë pushtet absolut në zhvillimet dhe ngjarjet kulturore, duke bërë që ajo të ndjehet fuqishëm përtej të qenët organ politik, si timon i kulturës së një vendi, të një shteti, të një shoqërie. Ministria e Kulturës ka një administratë tërësisht partiake (militantë të njërës a tjetrës parti) dhe që nuk kanë lidhje me kulturë, me ndonjë profesion të krijimtarisë, të artit.
Paradoks që shkon deri në pikën më kritike të injorancës është edhe angazhimi i këtij dikasteri qeveritar që ta lozë “transparencën”! Le ta paramendojmë Ministria e sportit dhe rinisë t’i bëjë zbor të rinjtë e sportistët duke i urdhëruar që një muaj të ecin me një këmbë e muajin tjetër me këmbën tjetër, një muaj të ecin duke u zvarritur e muajin tjetër në duar me këmbë përpjetë!
A guxon që Ministria e Kulturës krijimtarinë ta llogarisë si kulturë bujqësore. Kulturat bujqësore mund edhe ta kenë ditën e caktuar kur duhet të mbillen, kur duhet të korren, sepse përtej afatit dhe kohës së caktuar, nuk mund të ketë rendimente dhe ushqim për njerëz e për gjënë e gjallë!
Ministria e Kulturës krijon komision dhe ky komision prej injorantësh për sa i përket njohurive mbi artin, vendos se cili artist, cili piktor apo skulptor mund të organizojë ekspozitë, pa e ditur paraprakisht se çfarë fondesh e vlerash artistike ka në pinakotekën e tyre shtëpiake që do të ekspozohen nëpër galeritë nacionale.
Ata që merren me libra konkurrojnë me nja 1000-1500 e më shumë tituj dhe, një komision injorantësh duhet të vendosë brenda tre muajve se cilat nga ata tituj do të përkrahen financiarisht dhe, pastaj nëse brenda 5-6 muajve nuk botohen dhe nuk dorëzohen kopjet e caktuara, skualifikohen nga “përfitimet” e kësaj Ministrie!
A ka politikë më antikulturore dhe më antikombëtare që krijimtaria letrare të varet nga një “trup” prej 3-5 anëtarëve partiakë, të cilët i marrin parasysh emrat e autorëve dhe jo dorëshkrimet e lexuara për të cilët duhet të vendosin nëse ia vlen botimi apo jo. Natyrisht, çdo anëtar i komisioneve duhet t’i hapë mirë sytë (ky është urdhër partie!) dhe mos të gabojë që të përkrahë autorë që janë të taborreve të tjera partiake. Dhe kjo, jo vetëm me direktiva partiake, por, për më keq, edhe me direktiva të vetë Ministrisë! Dhe pastaj, të thuhet se po zhvillohet kulturë institucionale?!
Kjo është vetëm “blerje e intelektualëve” dhe stimulim qeveritar për të heshtur ata që dinë të flasin e të shkruajnë! Ministritë e kulturës në botën e civilizuar përkujdesen ekskluzivisht për trashëgiminë kulturore dhe për monumentet historike si dhe për politika të larta kulturore, duke u angazhuar që diversitetet kulturore, vlerat e përbotshme, t’i paraqesin ekskluzivisht si vlerë e mbarë njerëzimit dh jo “aset partiak”! Konkurset në Ministri duhet të jenë me afat të përhershëm. Konkurset duhet të kuptohen si mundësi e pakufizuar për të përfituar nga buxheti për aktivitet dhe zhvillim kulturor. Si në çdo sferë të krijimtarisë artistike, ashtu edhe te botimet ministria duhet të këmbëngulë për një profesionalizëm, në vlerësime profesionale e me kompetencë! Në sferën e botimeve duhet të konkurrojnë institucionet nacionale, shtëpitë botuese, organizatat e ndryshme që merren me veprimtari botuese, shoqatat e shkrimtarëve etj. të cilët paraprakisht do të duhej të hapnin konkurse dhe të formonin komisione për vlerësimin e dorëshkrimeve të autorëve dhe, ata që kalojnë, thirren për kontratë të detajuar. Në komisione do të duhej të jenë recensentë të spikatur, kritikë letrar të mirëfilltë, emra eminentë të autorëve nacional dhe, jo të jenë me një vlerësim njëfaqëshe për fondin e titujve me të cilët do të konkurrojë në ministri akcili institucion apo asociacion, madje të ketë vlerësim-recension për çdo titull veç e veç, si dhe mendim për titujt që nuk mund të botohen! Pra, përzgjedhës i botimeve të jenë qindra komisione të “decentralizuara” dhe jo një komision që nuk ia del t’i lexojë as titujt me të cilat konkurrohet për programin vjetor të Ministrisë.
Sa i përket programit vjetor, ç’ne që për një aktivitet të tillë të përkujdeset Ministria e Kulturës? Kjo Ministri mund ta bëjë rekapitulimin në fund të vitit të aktiviteteve që i ka përkrahur dhe jo të bëjë program paraprak, sepse, në fund të vitit del që të paktën nja 10 për qind e këtij programi nuk realizohet dhe, a nuk do të duhej të llogaritet kjo pastaj si dështim i kësaj Ministrie! Nuk është në tagrin e kësaj Ministrie që të bëjë plan se sa libra do të botojë sivjet, se sa koncerte do të organizojë sivjet, se sa ekspozita do të hapi sivjet! Në tagrin e kësaj Ministrie është që të kërkojë zbatim të politikave kulturore, të kujdeset për trashëgiminë kulturore si dhe me fanatizëm të pakursyer t’i mbrojë të drejtat e autorëve! Të ndalojë më së lidhuri “marrëveshje” me shtëpitë botues. Fare në fund, Ministria e Kulturës nuk ka arsye, as morale dhe as ligjore që, honorarin e autorit, të recensentit, të lektorit, të dizajnerit, t’i lëshojë të gjitha në xhirollogarinë e botuesve, të institucioneve nacionale e të asociacioneve letrare! Ministria e Kulturës “Cezarit duhet t’ia japë atë që i takon Cezarit dhe Zotit (krijuesve) duhet t’ia japë atë që i takon Zotit”! Secili subjekt që konkurron për të botuar, e ka të drejtën të shtrojë kërkesë për financim te Ministria vetëm atëherë kur ta ketë gati programin e vet vjetor. Pra, subjektet konkurrojnë me programe vjetore dhe nuk harton paraprakisht program vjetor Ministria për Kulturë. Është identike sikur Ministria e Ekonomisë të botojë programin vjetor për çdo familje se sa të hajë, çka të hajë, sa të blejë dhe çka të blejë gjatë një viti! Ministria e Kulturës ekziston për artistë, për aktorë, për krijues, për shkrimtarë dhe jo për tregtarë e për xhambazë partiakë. Komuniteti i artistëve dhe krijuesve është kontribuesi i vetëm i asaj që në të ardhmen, përmes kryeveprave të tyre, trashëgimia kulturore të jetë sa më e pasur. Komisionet partiake janë “ndërtues” që ngrenë kulla prej letre mbi reliktet e lashta arkeologjike!