KRIJUES E STUDIUES NËN LLUPËN E TOTALITARIZMIT

files in a messy old-fashioned archive

Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, sidomos pas vitit 1970, politika gjuhësore kishte një ndikim të madh në formimin e identitetit kombëtar dhe kulturor, sidomos në kontekstin e Kosovës, ku ndikimet nga Shqipëria ishin të pranishme dhe të forta

Nga Avni HALIMI

Në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist nisi të aplikojë një kontroll të rreptë mbi çdo fushë të jetës publike, përfshirë shkencën dhe kulturën. Politikat gjuhësore ishin një mjet për të ruajtur një narrativ të caktuar kombëtar dhe ideologjik, duke favorizuar një version të gjuhës dhe kulturës që ishte në përputhje me parimet soc-realiste. Me Kongresin e Drejtshkrimit si dhe të standardizimit të gjuhës letrare, mbajtur më vitin 1972, u vunë konturat e kësaj politike si dhe tashmë zyrtarisht do të nisë “gjuajtja e shtrigave”! Standardizimi i gjuhës letrare gati se u bë kusht i të gëzuarit të epitetit patriot. Ata që kundërshtonin apo kishin më të voglën pakënaqësi me ngritjen e kësaj politike, sakaq margjinlizoheshin, etiketoheshin (në Kosovë) dhe internoheshin apo burgoseshin (në Shqipërinë).

“Shtigjet propagandistike” nga Kosova

Intelektualët që ofronin ide që ishin në përputhje me një linjë më të hapur, të avancuar ose që ishin kritike ndaj politikave zyrtare, ishin shpesh të etiketuar si “avangardë”, “hermetikë” ose si figura që vepronin “përtej linjave kombëtare”. Kjo ishte një taktikë për të margjinalizuar dhe për të përjashtuar ata që mund të sfidonin autoritetin e regjimit, i cili ishte bërë garancë e konkluzioneve nga Kongresi i ’72-shit. Duke i dhënë një emër negativ këtyre individëve, regjimi mundohej të minonte autoritetin e tyre dhe të pengonte ndikimin e tyre në opinionin publik.

Diskursi për gjuhën dhe identitetin kombëtar ishte shumë i rëndësishëm, sidomos në një kontekst ku shqiptarët e Kosovës përballeshin me politika asimiluese nga jugosllavët. Intelektualët që argumentonin për një standardizim më të lartë të gjuhës shqipe, që nxisnin përdorimin e dialekteve dhe që kërkonin njohjen e diferencave kulturore dhe gjuhësore, shiheshin si kërcënim ndaj unitetit kombëtar të promovuar nga regjimi. Këtë qasje e kishin sidomos ndaj shkencëtarëve gjuhësorë të Kosovës.

Regjimi zyrtar i kohës dëshironte që të forcohej edhe më shumë, duke i mbyllur të gjitha “shtigjet propagandistike” që mund të vinin nga Kosova. Nga ana tjetër, forcimin e vet e shihnin edhe duke e shtrirë ndikimin te shqiptarët e viseve etnike. Me këtë përpjekje si dhe me qëndrimet etiketues ndaj të gjithë atyre që nuk pajtoheshin me frytet dhe vlerat e regjimit, përçohej një mesazh tek shqiptarët përtej kufijve administrativ: të gjithë ata që dëshirojnë të ngelin shqiptarë duhet të pajtohen dhe ta përqafojnë regjimin!

Nuk ishin të paktë intelektualët dhe studiuesit që kërkonin të sjellin një qasje më moderne dhe shkencore ndaj politikave gjuhësore, duke u mbështetur në teoritë moderne të linguistikës dhe antropologjisë (Skënder Riza, Arshi Pipa, Martin Camaj, Rxhep Ismaili etj.). Kjo përbënte një sfidë për strukturat tradicionale dhe dogmatike të mendimit që promovoheshin nga regjimi. Prandaj, ky lloj intelektualësh u etiketuan nga Sigurimi, u ndoqën e u përndoqën, u shpallën armiq të popullit!

Regjimi komunist shqiptar nuk ishte edhe aq naiv për sa i përket ruajtjes dhe përforcimit të sistemit. Kishte ngritur një rrjet bashkëpunëtorësh, spiunësh e oficerësh dhe tashmë dihej edhe sekreti më i imët në mes të bashkëshortëve. Detyrë e këtij shërbimi, veç tjerash ishte edhe shpërndarja e çdo qëndrim, vendimi e përpjekje shtetërore për ta ndërtuar një identitet bashkëkohor kombëtar gjithandej viseve etnike, sidomos në Kosovë, dhe, nga ana tjetër, kishte për detyre që rreptësishtë të kontrollohet, të censurohet e të përshtatet çdo gjë që futet nga Kosova në Shqipëri. Intelektualet shqiptarë nuk duhej të indoktrinoheshin nga “intelektualët kosovarë”! Ky ishte qëndrimi i prerë i regjimit!

Pra, informacioni ishte i kontrolluar dhe shpesh herë i manipuluar me qëllim për t’i shërbyer interesave të regjimit. Çdo lëvizje intelektuale që përbënte një alternativë, për regjimin ishte potencialisht e rrezikshme dhe prandaj duhej të shënohej, të margjinalizohej dhe të neutralizohej si “aktivitet armiqësor”.

Soc-relizmi si “religjion kombëtar

Pra, pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria do të ndërtohet si një shtet komunist që do të dominohet, sidomos në kulturë, nga ideologjia soc-realiste. Politikat kulturore ishin të drejtuara nga një elitë që kontrollonte çdo aspekt të jetës shoqërore dhe kulturore, duke u angazhuar për të ruajtur një narrativë të caktuar ideologjik. Sigurimi i Shtetit, si instrument kryesor i kontrollit, kishte për detyrë të monitoronte, raportonte dhe ndëshkonte çdo lëvizje që mund të dukej si kërcënim për regjimin. Kjo, jo se bëhej aq nga bindjet e paluhatshme të intelektualëve ndaj vlerave të regjimit, por, mbi të gjitha, për ta ruajtur veten, familjen, për t’i ruajtur privilegjet që i gëzonte elita nga regjimi, i cili kërkonte që soc-realizmi të ngrihej në “religjion shqiptar”!

Në këtë kontekst, besnikët e Sigurimit luajtën një rol kyç. Ata ishin individë që, nga frika ose ambicia, u angazhuan për të denoncuar çdo aktivitet kulturor që mund të dukej si deviacion nga linjat zyrtare. Ky proces shpesh herë kishte forma groteske, ku intelektualët e njohur dhe artistët e talentuar ishin subjekt i ndjekjes dhe etiketimit si “elementë subversivë”. Ata individë që manifestonin besnikëri të devotshëm ndaj regjimit, ata shtyheshin, ngriheshin, imponoheshin si vlera të padiskutueshme kombëtare! Ka plot syresh që, ndonëse dikur ishin “vlera të shenjta kombëtare”, sot jo që nuk njihen por as që i kujton dikush!

“Gjuetia e shtrigave” simbolizonte këtë atmosferë të frikës dhe pasigurisë. Autoritetet dhe besnikët e Sigurimit e shndërruan artin dhe kulturën në një fushë të rrezikshme, ku çdo ide e re mund të përfundonte me arrestimin e autorit. Intelektualët që kërkonin të artikulojnë mendime ndryshe, ose që guxonin të sfidonin normat e vendosura, ishin shpesh subjekt i presioneve dhe  ndëshkimeve të ashpra.

Politikat e etiketimeve ishin të sistematizuara. Intelektualët e etiketuar si “avangardë”, apo “hermetikë”, apo “përhapës të vlerave imperialiste” ishin të detyruar të përballeshin me pasoja të rënda e antinjerëzore. Shumë prej tyre u izoluan, duke humbur mundësinë për të kontribuar në kulturën kombëtare. Të tjerët, jashtë kufirit të shtetit amë, u etiketuan si “jugosllavë”, e “armiq të popullit shqiptar”. Ata intelektualë shqiptarë të viseve etnike shqiptare të cilët etiketoheshin nga Sigurimi dhe regjimi shqiptar, me automatizëm konsideroheshin “tradhtarë” nga shqiptarët autoktonë. Kjo krijoi një mjedis ku frika ishte më e fortë se dëshira për t’u shprehur, duke bërë që shprehja kulturore të ishte në një gjendje të censuruar dhe të varfër.

Në këtë kontekst, politika gjuhësore dhe etiketimet ndaj intelektualëve në Shqipërinë komuniste ishin një reflektim i një regjimi që kërkonte të kontrollonte çdo aspekt të jetës shoqërore. Duke u përballur me këto sfida, intelektualët që mendonin ndryshe shpesh ishin ata që përpiqeshin të ruanin një identitet të pasur dhe të larmishëm, ndonëse me rreziqe të mëdha për vetveten.

“Vështrim propagandistik” mbi botimet gjuhësore në Kosovë

Kur ky vlerësim apo etiketim i elitës intelektuale vinte nga ndonjë emër eminent në sferën e artit, letërsisë dhe kulturës, kjo pastaj bëhej “ligj”! Një prej raporteve të kërkuar nga regjimi është edhe raporti i 24 nëntorit të vitit 1980, i titulluar “NJË VESHTRIM MBI DISA NGA BOTIMET KOSOVARE NGA FUSHA E GJUHËSISË DHE PRIRJET QË VËREHEN NË TO”, i përgatitur nga një prej historianëve dhe akademikëve më të shquar shqiptar, Kristaq Prifti!

Nga mënyra dhe qasja në këtë raport, shihet se autori ka qenë dhunshëm i angazhuar për një analizë të thuktë të studimeve gjuhësore që lërohen në Kosovë, si dhe t’i nënvizojë të gjitha rreziqet që vijnë nga këto studime kosovare mbi identitetin kombëtar!

Autori është, pa dyshim, njohës i mirë i studiuesve dhe i angazhimeve intelektuale të shqiptarëve të Kosovës, të cilët angazhoheshin që mos të humbin asnjë milimetër nga hapi kombëtar në ngritjen e identitetit kulturor kombëtar. Ndonëse në një Shqipëri hermetikisht të mbyllur, ai di mbi gjithçka që shkruhet e që studiohet në Kosovë, i përmend me radhë të gjitha revistat gjuhësore që botohen në atë kohë, i di të gjitha shkrimet nga fusha e gjuhësisë që botohen nëpër revista, shpreh konsideratë për gjuhëtarët kosovarë që japin kontributin e tyre nëpër revista e konferenca shkencore.

Raportuesi nënvizon se qendrat kryesore të kërkimeve, studimeve dhe botimeve në fushën e gjuhësisë, në lëmin e shkencave albanologjike në Kosovë, janë Instituti Albanologjik dhe Fakulteti Filozofik në Prishtinë. Pjesa dërmuese e studimeve në lëmin e gjuhësisë botohen në revistën “Gjurmime albanologjike”, në “Përparimi”, “Fjala” si dhe në gazetën “Rilindja”, sidomos në të shtunave, raporton akademiku Prifti.

Më tej, raportuesi i thekson shkrimet, botimet e veçanta, autorët që janë në të njëjtën linjë me politikat gjuhësore të Shtetit Amë. Kështu, raporti sjell botimin e numrit të parë të përmbledhjes “Studime gjuhësore” që u botua më vitin 1978 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Një vit më vonë Instituti do të botojë edhe librin “Onomastika e Kosovës” (628 faqe), përmbledhje kjo e referateve, diskutimeve, kumtesave të mbajtura në simpoziumin kushtuar kësaj fushe më vitin 1977.

Dokumenti në fjalë, i deklasifikuar kohë më parë, ka rëndësinë e vet, sepse raporton për një kohë me aktivitete të bujshme për sa i përket fushës së gjuhësisë dhe, përgjithësisht, kulturës shqiptare. Evidentohen një sërë aktivitetesh, konferencash e botimesh të cilat raportuesi i vlerësn si mjaft të rëndësishme dhe në harmoni të plotë me linjat e përcaktuara nga regjimi në politikën gjuhësore kombëtare. Raportohet se është botuar “Shenja dhe ide” dhe “Shumësia e tekstit” të Rexhep Ismailit. Pastaj, “E folmja e Shalës së Bajgorës” e Latif Mulakut, “Kërkime gjuhësore” të Idriz Ajetit. Po ashtu, raportohet edhe për angazhimin e gjuhëtarëve kosovarë për të sjellë në shqip botime të huaja që kanë të bëjnë me gjuhësinë, si: “Elemente të gjuhësisë së përgjithshme” i Andre Martinesë, të përkthyer nga Rexhep Ismajli, “Elemente të gjuhësisë së përgjithshme” i F. De Sosyrit, përkthyer nga Rexhep Ismajli, “Drejtimet në linguistikë”, i Milka Iviqit, përkthyer nga Sulejman Drini.

Punime me gabime shkencore, por pa nëntekste të errëta

Raportuesi vlerëson se një punë mjaft e gjerë në Kosovë është bërë edhe për botimin në formë përmbledhjesh të plotë të studimeve dhe artikujve të një varg studiuesish shqiptarë. Përmendet libri “Studime gjuhësore” i prof. Eqrem Çabejt. Po ashtu informohet se janë në botim e sipër edhe disa tituj si “Gramatikat e shqipes” të J. Kastratit, M. Domit, S. Rizës etj.

Më tej, Kristaq Prifti, i angazhuar nga organet përkatëse të regjimit për të raportuar mbi angazhimet gjuhësore si dhe në fushën e albanistikës të autorëve kosovarë, analizon kontributet e tyre në fushën e onomastikës, sidomos angazhimin intelektual që përmes studimeve dhe qasjeve intelektuale në onomastikë t’i kundërshtojnë të gjitha pikëpamjet antishqiptare  të shkollës antropogjeografike të J. Cvijiqit, nën redaktimit e të cilit u botuan për më se dyzet vjet një koleksion i titulluar “Srpski etnografski zbornik naselja i poreklo stanovnistva” (Përmbledhja etnografike serbe, shpërngulja dhe prejardhja e popujve), ku i botuan veprat e tyre shumë studiues antishqiptar, si S. Stanojeviq, V. Qubrilloviq, A. Uroshevac, I. Tomiç, A. Joviçeviq, M. Lutovac etj. Raportuesi nënvizon se teza kryesore e kësaj shkolle është se popullimi i Rrafshit të Dukagjinit si dhe i Kosovës nga shqiptarët paska ndodhur në shekullin XVII-XVIII, me nguljen në masë të malësorëve shqiptarë në momentin kur serbët qenkan larguar së andejmi për t’u vendosur më në veri, pas dështimit të luftërave austro-turke në shekullin XVII. Sipas shkencëtarëve serbë, raporton Prifti, pjesa e popullsisë serbe të islamizuar që mbeti në vend qenka shqiptarizuar!

Pra, raportuesi, prof. Prifti, vëren se gati të gjitha shkrimet dhe studimet nga fusha e onomastikës me sukses i rrëzojnë këto teza serbe si dhe provojnë çështjen e vazhdimësisë së etnisë shqiptare në trevat ilire të Drdanisë. Tutje, raportuesi nënvizon se janë për t’u vlerësuar sidomos punimet shkencore të Skënder Gashit, Rexhep Ismajlit, Rexhep Doçit, Muhamet Tërnavës, Mark Krasniqit, Muhamet Pirrakut, Ruzhdi Ushakut etj.

Më tej, raportuesi Kristaq Prifti analizon kontributin e shkencëtarëve kosovar në fushën e dialektologjisë, të cilët studimet e veta i publikojnë në organet “Jeta e Re”, “Përparimi”, “Jehona” dhe “Gjurmime albanologjike”. Konsideratë e veçantë shprehet ndaj botimit të një serie të re të punimeve gjuhësore me titull “Studime gjuhësore” nga Instituti Albanologjik. Autori i raportit nëpër shumë punime vëren mangësi shkencore, por e lumturon fakti që “shkrimet nuk kanë shkarje ose gabime me karakter të thellë, sidomos me nëntekste të errëta” (faq. 8 e dokumentit). Lavdëron punën shkencore të Idriz Ajetit, të Hilmi Aganit, të Latif Mulakut, Mehdi Bardhit, Mehmet Halimit, Abdullah Zyberit, Fadil Rakës, Tafil Kelmendit etj. 

Në pjesën e tretë të raportit, raportuesi flet më gjerësisht për problemet për të cilët edhe është angazhuar për një analizë mbi botimet në fushën e gjuhësisë dhe mbi shkencëtarët kosovarë. Tetë vite pas Kongresit të Drejtshkrimit dhe normimit të gjuhës letrare, regjimi kërkon të dijë se sa ia kanë dalë të ndikojnë te kosovarët për sa i përket normës letrare dhe kulturës së gjuhës shqipe. Raportuesi fillimisht raporton mbi botimet korrekte që kohëve të fundit janë botuar në “Rilindja”, “Fjala”, “Përparimi”, në të cilat haptazi vërehet angazhimi serioz dhe “dëshira për të përdorur gjuhën letrare të njësuar në ballë të gjerë, në çdo fushë të veprimtarisë”. Vlerësohet lart sidomos puna e prof. Idriz Ajetit.

Akademik Rexhep Ismajli i padëshirueshëm për regjimin shqiptar

Megjithatë, nënvizon raportuesi, “vihet re edhe një prirje që në kuadrin e trajtimeve teorike të problemeve të normës letrare si dhe të përkufizimeve e ripërkufizimeve të saj, të vihen në diskutim jo vetëm ndonjë zgjidhje e veçantë, por edhe të lidhet kryesisht me nëntekst, ideja e nevojës së rishkrimeve e ritrajtimeve të saj”. Prijësin e kësaj “ideje retrogarde”, raportuesi Kristaq Prifti e sheh te Rexhep Ismajli, sidomos pas botimit të shkrimit “Mbi normën gjuhësore” të botuar në revistën “Përparimi”, 1, 1980, faqja 48-66. Prifti thotë se autorin e këtij shkrimi shumë studiues kosovarë e shohin si “gurë të parë që hidhet kundër normës letrare unike e përgjithësisht kundër zbatimit të gjuhës letrare në Kosovë”! Ndërsa vetë raportuesi për Rexhep Ismailin thotë se ai është “promovues i një varg idesh, në të cilat, ndonëse nuk kërkon haptazi të ndryshojë normën letrare të njësuar, synon që të çelë rrugë për një rishikim të ardhshëm të normës së gjuhës letrare shqipe” (faqja 11 e dokumentit). Për këto ide, Rexhep Ismajli bazohet në teoritë e S. Rizës, vlerëson raportuesi, dhe shton: “Rexhep Ismajli hedh mendimin se “baza e gjuhës letrare mbështetet në prestigjin shoqëror të një dialekti në momentin kur vendoset. Me këtë rast ai lë të nënkuptohet se, ajo që u vendos në një moment të caktuar (norma e gjuhës letrare shqipe) për shkak të prestigjit shoqëror, mund të ndryshohet po për këto arsye, d.m.th. kur me zhvillimin e Kosovës të marrë një prestigj më të madh shoqëror gegërishtja.”

Duke përfunduar raportimin mbi personalitetin shkencor të Rexhep Ismajlit, raportuesi K. Prifti zbulon arsyen se pse shkencëtari kosovar duhet të linçohet dhe të margjinalizohet! Sipas tij, prof. Ismajli është i rrezikshëm për faktin që në punimet e tij askund nuk citon asnjë autor nga RPSH dhe as nga Kosova!

Lista e shkrimtarëve “pozitiv” dhe “negativ” të Kosovës

Nga nevoja për të ruajtur një narrativ të caktuar kombëtar dhe ideologjik, regjimi i kohës në Shqipëri, përveç me gjuhëtarë merrej edhe me shkrimtarët shqiptarë të Kosovës, për të cilët hartonte lista se kush është i dëshiruar e kush është i rrezikshëm. Ky vlerësim, i ndarë midis shkrimtarëve “të dëshiruar” dhe atyre “të rrezikshëm” e “antishqiptarë”, reflektonte një atmosferë të fortë kontrolli dhe manipulimi të kulturës, që kishte pasoja të thella për zhvillimin e identitetit kombëtar. Çuditërisht, në listën e shkrimtarëve të dëshiruar ka plotë emra që kanë qenë të angazhuar në afirmimin e socializmit jugosllav, të bashkim-vëllazërimit si dhe emra që më shumë i kanë kontribuar UDB-së se sa letërsisë shqiptare! Ndërsa, pa dyshim, mungojnë emrat e atyre që ishin therë në sytë e jugosllavëve dhe që përndiqeshin nga sistemi komunist jugosllav.

Regjimi shqiptar i kohës promovonte shkrimtarë të caktuar nga Kosova, që vlerësoheshin si persona  në përputhje me linjat ideologjike të Tiranës. Këta shkrimtarë, që shquheshin për angazhimin e tyre në përhapjen dhe forcimin e soc-realizmit shqiptar, si dhe që ndihmonin në forcimin e narrativës së unitetit kombëtar, merrnin mbështetje dhe vlerësim nga autoritetet, duke u botuar dhe promovuar në Tiranë si intelektualë të mëdhenj kombëtar.

Në anën tjetër, çdo shkrimtar në Kosovë, sikundër edhe në diasporë, që shprehte ide që konsideroheshin si devijante, kritike ndaj regjimit ose që synonin një qasje më të hapur dhe më të larmishme për identitetin shqiptar, ishin të etiketuar si “të rrezikshëm” dhe “antishqiptarë”. Këta shkrimtarë, që shpesh ofronin një reflektim më të thellë mbi përvojat dhe sfidat e Kosovës dhe të shqiptarëve, u përballën me ndjekje, censurë dhe margjinalizim. Regjimi e shihte këtë lloj të shkrimtarëve “hermetikë” dhe “rrebelë” si kërcënim për stabilitetin e tij dhe si një rrezik për narrativën e kombit shqiptar.

Politika e censurës e regjimit i ndalonte shkrimtarët e rrezikshëm të shpreheshin lirshëm, e aq më pakë të botohen e të njihen në Tiranë, duke e bërë kështu artin dhe letërsinë një fushë të kontrolluar dhe të varfër. Nga ana tjetër, “shkrimtarët dekadentë” të Kosovës nga ky linçim komunist shpesh ndjeheshin të vetmuar dhe të izoluar, duke humbur mundësinë për të kontribuar në një dialog të pasur kulturor.

Pasojat e kësaj qasjeje ishin të rënda. Shkrimtarët që kishin potencialin për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e kulturës dhe identitetit shqiptar u detyruan të heshtin, duke shkaktuar kështu një humbje të madhe për trashëgiminë kulturore dhe letrare. Kjo ndarje nuk ishte vetëm e dëmshme për shkrimtarët individë, por gjithashtu dëmtoi mundësinë për një reflektim më të thellë mbi identitetin shqiptar.

Një listë të tillë i është kërkuar të përgatisë autorit të “Shota dhe Azem Galica”, Ajet Haxhiut, një nga studiuesit e figurave të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare. Duke kuptuar se çfarë kërkon regjimi, cilët autorë i duhen regjimit dhe cilët i konsideron si armik të popullit, Haxhiu përgatit “Listën e krijuesve nga Kosova, të cilët i kanë shërbyer çështjes kombëtare me veprat dhe punimet e tyre”, si dhe “Listën e krijuesve që me krijimtarinë e tyre janë negativë apo të papërcaktuar”! Në listën e parë renditen krijuesit si: Esat Mekuli, Hasan Mekuli, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Ali Aliu, Agim Vinca, Abdylaziz Islami, Anton Çeta, Arif Demolli, Demush Shala, Din Mehmeti, Dervish Rozhaja, Enver Gjergjeku, Fahredin Gunga, Ekrem Kryeziu, Hasan Hasani, Idriz Ajeti, Jakup Ceraja, Jusuf Buxhovi, Latif Berisha, Lorenc Antoni, Murat Isaku, Muhamet Pirraku, Maksut Shehu, Mark Krasniqi, Nazmi Rrahmani, Qerim Ujkani, Ramiz Kelmendi, Rifat Kukaj, Rexhep Qosja, Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti, Syrja Popovci, Shyqyri Galica, Shukri Rrahimi, Vehap Shita, Zejnullah Rrahmani, Zekirja Cana etj.

Kurse, në listën e dytë, në atë të “shkrimtarëve negativë” radhiten shkrimtarët dhe studiuesit si: Adem Gajtani, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Ibrahim Rugova, Rexhep Ismajli dhe Anton Pashku!

Emrat si Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Jusu Gërvalla, Fehmi Agani, Ukshin Hoti, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Musa Ramadani, Edi Shukriu, Flora Brovina etj. nuk përmenden në asnjë listë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.