”KRISJE” TË DUKSHME NË KULTURËN GJUHËSORE

E kemi shprehur edhe herë të tjera. Ka shpërthyer një vërshim i pafrenueshëm i fjalëve të huaja të panevojshme, shtimi i termave të huaj në vend të termave shqip që përdoreshin normalisht

Gjovalin SHKURTAJ

Situata e sotme e kulturës gjuhësore në krejt bashkësinë shoqërore shqiptare nuk është ashtu si duhej të ishte dhe, në disa mjedise e raste, sidomos në ligjërimin e politikanëve dhe të mjaft gazetarëve është vërtet shqetësuese. Ka shumë vjet që është lënë pas dore kujdesi për shqipen e shkruar dhe të folur. Kultura dhe etika e të folurit publik kanë pësuar ”krisje” të dukshme e të rënda. Dhe, në fakt, ka jo pak politikanë e gazetarë, që flasin e shkruajnë si të krisur. Ka mjedise shoqërore dhe institucionale, ku shkruhet e flitet dosido, pa asnjë kujdes për etnografinë e ligjërimit, me shpërfillje të dukshme ndaj traditave dhe normave të etikës së kuvendit e të fjalës publike. Kjo “flamë” gjuhëprishëse prek shpesh si deputetë e zëdhënës të shtypit, politikanë e shtetarë të lartë, ashtu edhe gazetarë e sidomos artikullshkrues të organeve partiake, që ndjekin shembullin e tyre. Pakujdesia dhe papërgjegjshmëria për shqipen e shkruar e të folur shfaqet dukshëm edhe në rendjen e pamotivueshme e të papranueshme pas fjalëve të huaja dhe mënyrave të të thënit të “shartuara” sipas modeleve të anglishtes, por që nuk janë as të pranueshme dhe as të nevojshme. Gjithmonë shqiptarët kanë thënë, p.sh.: pi kafe, ha bukë, ha drekë, ha darkë etj. Tashti “modernët” po thonë gjithnjë e më shpesh: konsumoj një kafe, po konsumoj një drekë apo darkë etj. Dhe, populli i thjeshtë, që mot e jetë e ka dashur, po edhe e ka ruajtur gjuhën shqipe, pyet me të drejtë: Pse po e prishin etnografinë e të folurit shqip e shqiptarisht disa shtetarë e gazetarë? Pse po ia marrim frymën shqipes me reklamat e shkruara tmerrësisht keq e që po ia zvjerdhin shijen e të folurit shqip shikuesve e dëgjuesve të emisioneve?

E kemi shprehur edhe herë të tjera. Ka shpërthyer një vërshim i pafrenueshëm i fjalëve të huaja të panevojshme, shtimi i termave të huaj në vend të termave shqip që përdoreshin normalisht. Le ta fillojmë me një nga “prurjet” më të freskëta. Gjatë ditëve të nxehta të verës, sa herë flitet për zjarret që bien në Jug e në Veri, thuhet “Të gjithë jemi në alert”. Edhe një emision famëkeq në një nga televizionet ka titullin “Alert”.Gjatë ditëve të pandemisë, sikur të mos mjaftonin frika dhe shqetësimi e dhimbja për sasinë e madhe të njerëzve që ndahen nga jeta prej covid-19, na duhej të durojmë edhe plojën e fjalëve alert, alertohet (në vend të alarm, alarmohet); hospitalizohet (në vend të shtrohet në spital), si dhe i shumë foljeve të tjera të krijuara pa asnjë nevojë, si komisonohet (në vend del para komisionit mjeko-ligjor). Tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnë limit, limtoj, i limituar na shoqëron çdo ditë, qëkur hapim televizorin për të dëgjuar lajmet e deri në emisionet e orëve të vona të mbrëmjes, ku “vringëllojnë shpatat” e analistëve dhe jo pak “analfabetëve me diplomë”, që për fjalët e ndyra dhe zotësinë e sharjeve, ua kalojnë edhe ngjelkave më gojështhurura të lagjeve anësore të qyteteve shqiptare. Gjithandej në rrethet e politikanëve, të analistave dhe të masës së gjerë të shkruesve ka një ”ethe” për të përdorur fjalë të huaja të reja, po edhe për t’u rikthyer në fjalë të huaja të vjetra, të cilat tashmë ishin zëvendësuar me mjaft sukses. Vijon edhe “fushata” e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia- presidencë, pushtuesi-okupator, shtypja-represion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë, ndalimi- arrestim etj. Madje, siç ka vënë në dukje edhe shkrimtari Ismail Kadare, disa politikanë dhe shtetarë, jo vetëm nuk ndreqen, nuk duan t’ ia dinë aspak për dëmin që po i sjellin shqipes, po edhe vazhdojnë të “kërkojnë” për të prurë sa më shumë fjalë të huaja, të reja. Mjaft politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja (të pakuptueshme e të panevojshme) nuk mund të quhen “të mençur” e të përgatitur. E kjo, sigurisht, shkon krahas me “garën” e pafrenueshme të fjalëve të huaja të hyra nga anglishtja, që përdoren dendur e pa nevojë në mediat e shkruara e të folura, në titujt e emisioneve radio- televizive dhe në reklamat. Të gjitha kanalet televizive të reja, qysh nga Top-Channel e në vijimësi, emërtohen me formën angleze channel e jo me fjalën tashmë të hershme e të shqiptarizuar kanal. Pyesim me të drejtë e pa asnjë ironizim: Ҫ’e gjeti RAI-n që thotë “cinque canali della RAI?” Po ashtu, është bërë e pandalshme “flama” e shqiptimit të shkronjave të shkurtesave jo sipas shqiptimit shqiptarisht (ABëCë, FëBëI), po sipas anglishtes: ejBiSi, eFBiaI etj. Edhe rubrika a emisione, që kishin emra a togfjalësha shqip, si studio e hapur, u “modernizua” duke e anglishtizuar: OPEN. Sapo është krijuar edhe një emision i ri që titullohet “Wy not”. Pyesim me shumë dashamirësi e pa asnjë cinizëm: Çfarë të keqeje do të kishte po të thuhej shqip: “Pse jo?” Sa mirë është, p.sh. titulli i emisionit “Përputhen”. Çfarë ka më të mirë reklama që thotë nxitoni të bëni blerje në dyqanin x se”sasia është e limituar” në vend të “sasia është e kufizuar”?! Çfarë të mire ka reklama që thotë ejani se se ka “çmime të çmendura” (në vend që të thoshte shqip e qartë: çmime të mira, çmime shumë të lira apo shumë të mira”). Dhe,shikoni lexues të nderuar, sa me ëndje po përhapet gjithandej cilësimi me fjalën i çmendur, apo me foljen rrëmbej (rrëmbeu çmimin) në vend të fitoi, mori. Gjithmonë është thënë e shkruar nga shqiptarët: “merrem vesh, bëj marrëveshje”. Po shohim të shkruar në faqet zyrtare apo në postime on-line, si dhe në ligjërimet e fjalimet zyrtare, foljet dakordësoj, dakordësohem dhe emrat e formuar préj tyre si dakordësim, dakordësi, të cilave u janë qasur me dashuri të donkishoteske gati të gjithë shtetarët shqiptarë, si dhe përsëriten nga mediat e shkruara e të folura. E pse na u dashka që, pa asnjë arsye (as kuptimore, as stilistike) të lëmë pa përdorur fjalët shqipe merrem vesh, marrëveshje apo mosmarrëveshje. Për çfarë na duhet folja dakordësohem, kur dihet se shqiptarët që nga Vermoshi deri në Konispol thonë merrem vesh (apo nuk merrem vesh), si dhe emrat marrëveshje e mosmarrëveshje. Madje, shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadareja, i cili ka shkruar edhe një libër të tërë me titullin “Mosmarrëveshja”, as që e ka ndier nevojën t’i përdorë, qoftë edhe një herë të vetme, “mosdakordësinë” apo “dakordësinë”. (Shkëputur nga një shkrim më i gjatë i autorit)

Leave a Reply

Your email address will not be published.