KRITIKA, ESTETIKJA DHE JOESTETIKJA

Jo kushdo mund të gjykojë me kompetencë një vepër letrare dhe artistike, përveç kritikës profesioniste të specializuar dhe, shkrimtareve e artistëve mjeshtër të mëdhenj

Mexhit PRENÇI

Sipas optikës sime, veprat letrare dhe artistike, gjykohen sipas parametrave artistik, estetik dhe mesazhor. Këto janë tre dimensione të integruara në njëra-tjetrën, në një unison perfekt në veprat e klasit të parë. Çdo dimension ka veçoritë dhe specifikën e tij, që ndërthuren me njëri-tjetrin, potencionojnë njëri-tjetrin, duke dimensionuar forcën shprehëse nga ku burojnë kumtet, si elementet më kumunikuese me lexuesin. Një harmoni e tillë, si vlerë estetike, duhet të përshkojë veprën, atë që në thelb të saj përmban ide të mëdha njerëzore e universale dhe ide e mendime të larmishme, ku e bukura, e madhërishmja, tragjikja dhe komikja, janë të integruara dhe formësojnë opozitën ndaj së shëmtuarës dhe së ultës si kategori estetike. Dimensioni estetik, si jetik për veprën letrare, kërkon domosdo edhe gjykimin profesional të dukurive estetike dhe joestetike, çka kjo është dhe objekt i kësaj eseje.

Që në krye të herës do të theksoj: jo kushdo mund të gjykojë me kompetencë një vepër letrare dhe artistike, përveç kritikës profesioniste të specializuar dhe, shkrimtareve e artistëve mjeshtër të mëdhenj. Kjo kuptimësi nuk mohon shfaqjen e mendimeve, te ideve, opinioneve, përshtypjeve dhe mbresave të amatorëve të kritikes, sipas nivelit te shijeve të tyre dhe sipas dëshirës për të komunikuar me nivele te tilla lexuesish, po jo me lexuesin e kualifikuar, i cili ka kërkesa të larta. E theksoj këtë për faktin se disa poetë, shkrimtarë, madje edhe disa amatorë të artit dhe letërsisë, edhe pse nuk njohin estetikën, edhe pse nuk njohin llojet e kritikës: simbolike, sociologjike, psikanalitike, stilistike, formaliste, strukturaliste dhe semiologjike, marrin guximin e çartun dhe u japin “leksione mjeshtërie” jo vetëm shkrimtarëve profesionistë po edhe kritikeve profesioniste. Po t’i pyesësh ata që lozin rolin e kritikut: përse “x” vepër që ka vlera minimale e keni vlerësuar si vepër të nivelit të lartë, apo pse veprën “y” që është dinijitoze e keni gjykuar me vlera të kufizuara, do të marrish një përgjigje të tillë: “Kështu gjykoj unë”, “Ky është mendimi im”, “Kështu më pëlqen mua”, e të tjera, e të tjera.

Kritiku i shquar Bielinski do të thoshte: “Asgjë nuk mund të pohohet mbi bazën e tekave personale të ndjenjave spontane, as të bindjeve individuale, gjyqi i takon arsyes dhe jo personit dhe personi duhet të gjykojë në emër të arsyes mbarënjerëzore”. Kjo, padyshim, thërret fjalën e kritikës profesionale, që përfaqëson mendimin dhe gjykimin artistik dhe estetik më të kualifikuar, për përcaktimin e vlerave dhe jovlerave. E me që jemi duke përsiatur në rrafshin e gjykimit estetik të veprës letrare, përsëri do t’i referohemi Bielinskit për arsyetimet empirike të pëlqimit apo mospëlqimit të veprave. “Më pëlqen. Nuk më pëlqen -do të thoshte Bielinski – mund të thuhet kur është fjala për gjellët, verërat, vrapimin e kuajve, të qenve”, çka do të thotë se janë gjykime diletante. Diletantizmi në letërsi, art, kulturë, madje edhe në kritike, po shumohet. Kështu, duke u bërë shumicë, po nakatos e dreqos vlerat e vërteta si në krijimtari ashtu edhe në rrafshin e kritikës, siç theksova më lart.

Pra, edhe në rrafshin e kritikës, diletantizmi duke qenë shumicë, me gjykimet inkompetente, katranos estetikën dhe joestetikën e veprave letrare dhe artistike. Kjo dukuri vihet re, sidomos në përurimet e librave, në salla ku shokët e miqtë e autorit flasin me superlativë, nëpër panairet e librit, ku të folurit në përgjithësi, duke sjelle kujtime për jetën e autorit, dëshmon paaftësi për të gjykuar konkretisht për vlerat dhe jovlerat estetike të veprave. Madje, deklamimet inkompetente: “Ky roman është një kryevepër”, “Ky libër poetik është më i miri i poezisë sonë”, “Autori “y” është autor i madh dhe pikë” e të tjera kësisoj, ku asgjë nuk argumentohet, nuk janë gjykime as artistike, as estetike, përkundrazi dëshmojnë difiçencë profesionale, kulturore madje dhe intelektuale. Madje disa poetucë e shkrimtarucë, pseudokritikë e grafomanë i sheh në çdo përurim libri dhe veprimtari artistike e kulturore që ngrihen e gagacojnë edhe kur s’e kanë lexuar librin e, flasin rroma për toma, për gjera të njohura e të ditura, sikur t’ishin para një auditori provincialësh apo më keq, kooperativistësh të djeshëm, duke marrë rolin e lektorit, edhe kur salla është mbushur me profesionistë dhe specialistë të mirëfilltë, duke qenë krejtësisht të paaftë për të përcaktuar personalen artistike të autorit, vlerat artistike dhe estetike të veprës së tij. Kjo rrit kërkesën për domosdoshmërinë e gjallërimit të kritikes profesionale, për të moslejuar mediokritetin që ta bëjë lesh arapi hierarkinë e vlerave. Përcaktimi prej kritikës profesionale të elementeve estetike dhe joestetike në veprën letrare, është shumë i rëndësishëm ashtu si dhe përcaktimi i vlerave artistike dhe mesazhore. Siblei do të thoshte: “Cilësitë joestetike mund të vihen re tek cilido me shikim, me të dëgjuar, me inteligjencë normale”, ndërsa ato estetike, sipas tij, “kërkojnë ushtrimin e shijes, të përcaktueshmërisë ose të ndjeshmërisë, të dallimit ose të vlerësimit estetik”, çka kurrsesi nuk mund ta bëjnë amatorët, veçse profesionistët. Libri i estetit i Tefik Çaushit, “Erosi te Kadareja”,shquhet pikërisht për përcaktimin e asaj që është estetike te vepra e Kadaresë, me kompetenca profesionale prej esteti.

Duke vazhduar me Siblein, do të theksojmë se cilësitë estetike që kanë përfshirë të bukurën, formën, harmoninë, të madhërishmen, të mirën dhe të dobishmen, janë pasuruar në “një larmi pothuajse të pafund” me terma të tillë si: “i hijezuar”, “dinamik”, “i fuqishëm”,”i gjallë”, “delikat”, “i rëndomtë”,”sentimental”, “tragjik”, “i hijshëm”, “i hirshëm”, “i ndezur”; gjithashtu: “një kontrast i fortë”, “krijon tension”, “mbart një kuptim”, “përfshihet së bashku”, të cilat Siblei i quan koncepte estetike. Po siç pohon Osvald Hangfling, ai i quan joestetike përshkrimet për artin, për përmbajtjen, apo kur thuhet: ky roman ka aq e kaq personazhe apo novela, merret me jetën e klasës punëtore etj.

Problematik është edhe propagandimi i kësaj çorbe vlerash dhe jovlerash në media. Bëhet një propagande amatoreske, ku për çdo libër, shfaqje teatrore. spektakël muzikor, ekspozitë të arteve figurative, të flitet vetëm për vlera të larta, shpesh me terma të tillë si: “shfaqje e shkëlqyer”, ”humor brilant”, “spektakël i magjishëm”, “artist kolos”, “shkrimtar gjigand”, madje titulli “i madh” përdoret pa rezerva; por nuk mungon të përdoret edhe vlerësimi “gjeni” për artistët e spektakleve, që merr ngjyra komike e të tjera, e të tjera. Kjo ka bërë që shkrimtarët dhe artistët e niveleve të ulëta dhe mediokre, t’i besojnë të mosbesueshmes, se janë vërtete krijues të klasit të parë. Kështu, disa kanë arritur gjer atje sa ta përjetojnë se janë vërtete të mëdhenj. Këtu marrëzia e mediokritetit është kaq e madhe sa ata të mos pranojnë asnjë lloje kritike. E, nëse ndonjë kritik vazhdon punën e tij duke analizuar e kritikuar veprat e tyre, ata, delirantët mediokër, i sulen me taborre shokësh e miqsh, me klane e marifete, duke aktivizuar mjerisht dhe njerëzit e familjes, që ta “hanë të gjalle” kritikun që përcakton diagnozën e veprës mediokre e të autorit mediokër, duke mos debatuar në rrafshin e gjykimit artistik dhe estetik, po kush je ti e kush jam unë, duke sharë magjypçe mbarë e prapë, për shkak të paaftësisë për të gjykuar dhe debatuar për vlerat dhe jovlerat me profesionalizëm.

Kritika profesionale nuk duhet të bjerë në kurthin e mediokritetit, që të merret me amatorët dhe mediokrit, por as nuk duhet të stepet, përkundrazi duhet ta thotë me guxim dhe profesionalizëm të vërtetën, për vlerat estetike dhe joestetike të letërsisë dhe të artit për cilindo. Ka ardhur koha të rivlerësohen edhe mitet dhe të çmitizohen pseudomitet. Madje, të vlerësohen edhe ata shkrimtarë dhe artiste me vlera që kanë mbetur në hije; të vlerësohet krijimtaria e këtyre dhjetë viteve të fundit, ku shumë të rinj kanë hyrë pa trokitur në pallatin e letërsisë dhe të artit, duke sjellë risi. Ka ardhur koha që të vetëdijesohen krijuesit, se nuk është sasia që përcakton vlerat, por cilësia. Mund te shkruash edhe njëqind libra dhe të jeshe i diskutueshëm: je apo nuk je shkrimtar; ashtu siç me një poezi Vaso Pasha, apo me dy tre libra Migjeni etj, kanë hyrë në pallatin e elitës dhe të personaliteteve të letërsisë dhe të artit të kombit. Urtaku do të thoshte, jo shumë e për lum, por pak e saktë. Ndërsa mediokerit, i nxjerrin librat si simitet nga furra! Apo kur një vjershë, e bëjnë dhe përralle, e bëjnë dhe tregim, dhe skeç, edhe skenar filmi, e çfarë s’e bëjnë. Kritika profesioniste, duhet ta thotë me guxim fjalën, me argumente artistike, estetike dhe mesazhore, duke arritur edhe gjer në gjykime të tilla: është apo nuk është shkrimtar apo artist ”x” krijuesi. Një kritikë komplekse, e guximshme dhe profesionale është koha të gjallërohet dhe të thotë fjalën e saj me kompetence. Poshtë kritika euforike, entuziaste, ekuilibriste dhe diletante që e bëjnë lesharapi hierarkinë e vlerave.

Vetëm kritika komplekse, analitike, që operon me parametra estetike, artistike dhe kumtore, është e aftë të bëjë vlerësimin e duhur, të përcaktojë vlerat dhe jo vlerat e veprave dhe të krijuesve të tyre. Ka ardhur koha që kritikët e vërtetë, aktivë, t’i aktivizojnë nëpër juri, në veprimtari artistike (po kjo nuk ndodh, sepse ata janë të pakompromentueshëm) dhe të mënjanojnë të sklerozuarit, qofshin kritikë apo profesorë, të mënjanojnë sidomos kritikët entuziastë që flasin me superlativa edhe për veprat mediokre, apo ata që s’janë kritikë; ka ardhur koha që të shpartallohen klanet e jurive që bashkëpunojnë me nëpunësit e ministrisë, duke ndarë çmime sipas shoqërisë, miqësisë, këmbimit të çmimeve: këtë vit ti mua, vitin tjetër unë ty, duke caktuar në juri ata që kompromentohen kollaj, që bëjnë allishverishe të ulëta duke sfiduar vlerat.

Po le të kthehemi përsëri te estetikja dhe joestetikja, si kahe orientuese ndaj lexuesit. Për këtë po sjell mendimin e Osvald Hangfling: “Një detyrë e madhe e kritikeve është misioni i orientimit të njerëzve për t’i shikuar gjërat tek ajo që është estetike”. Këtu do të shtoja se po kaq e rëndësishme është edhe që të njihet se cila është estetike dhe joestetike nga vetë krijuesit, por sidomos nga amatorët dhe kritikuesit që lozin rolin e kritikut, mbasi pa e njohur joestetiken nuk mund ta braktisësh, ashtu si pa e njohur estetikën nuk mund ta gjykosh si vlerë për t’ua transmetuar të tjerëve. Jo kushdo mund te shkruaj poezi, jo kushdo mund te shkruaj drama, jo kushdo mund të bëjë kritikë, nëse nuk kanë talent secili në fushën e vet.

Mjerë letërsia dhe arti sikur shkrimtari të bënte kritikun dhe kritiku shkrimtarin, e mediokrit të përcaktonin vlerat dhe jo vlerat si shumicë! Le t’i lëmë poetët të bëjnë poezi, romancierët romane, kritiket kritikë që të ecim me profesionalizëm në kahen e duhur: përsosjen e mjeshtërisë artistike që të mos mbetemi gjithnjë diletante dhe mediokër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.