“KRITIKË LETRARË” PËR KLIKIME…

Sipas një studim mbi shpenzimin e kohës dhe perceptimit të vizitorëve në Akademinë e Arteve të Bukura, në Firence, del që më së shumti “humbet” (koha) para përmendores së Davidit. Kësaj kryevepre botërore, gjatë vizitës, mesatarisht i kushtohet kjo kohë: meshkujt dy minuta, femrat 3 minuta e gjysmë! Ajo që ua tërheq vëmendjen më së shumti këtyre vizitorëve është fakti se femrat në masë prej 75% mrekullohen nga “bukuria e mahnitshme” e organeve gjenitale të Davidit, kurse meshkujt, në mase prej 64 %, më tepër humbin kohë duke e analizuar prapanicën e Davidit! Kjo, sepse asnjë prej vizitorëve aty nuk ndalet për ta bërë një analizë mbi mjeshtërinë e papërsëritshme të Mikelanxhelos, nuk e analizojnë pasionin e tij për anatominë, psikologjinë e gjallë që e reflekton ajo skulpturë e mermertë etj. Një përqindje relativisht e madhe e vizitoreve femra mendojnë se përmasat e gjenitaleve të veprës, në fakt janë përmasat reale të organeve të autorit (Mikelanxhelos) dhe, në perceptimet e tyre, zë vend edhe fantazia seksuale e nxitur nga dëshira për ta pasur partnerin e jetës të ngjashëm si Mikelanxhelo jo me vizion, por me trup.

A mund të kemi kritikë reale, objektive e të mirëfilltë nëse vlerësimin e bazojmë në një fantazi të tillë! Prandaj, sot mbisundon bindja, por edhe vlerësimi se, kritika jonë është në komë, as e vdekur, as e gjallë! E kishim dikur, ra në komë dhe jemi në pritje që të rizgjohet! A mundet që nga koma të zgjohet një trup, një organizëm, bie fjala, nga nallbani, nga samarxhinjtë, nga teneqepunuesit, nga ollukëxhinjtë, nga matrapazët, që me ecjen e të dehurit mundohen të hapërojnë në kritikën si shkencë, duke dhënë “vlerësime” mbi poezinë, mbi aktrimin, mbi romanin, mbi operën, mbi vizatimin, mbi muzikën e baletin, mbi filmin e teatrin!

Është tragjik fakti se një poezi e Ali Podrimjes merr mezi nja 100 pëlqime, ndërkaq ndonjë anonime, që akoma nuk i ka bë as hapat e para (por ka një bukuri relative), merr edhe me mijëra pëlqime e komente, thuajse bëhet fjalë për një autore që ka marrë Çmimin Nobël. Ndaj dhe “kritikët” e sotshëm, të gjithë sharlatanë, më tepër na dalin si gjuetarë të bukurisë së krijueseve se sa si “zbulues të madhështisë” së një vepre; më tepër kujdestaronjë nëpër facebook-a se sa në lulishten e krijimit të mirëfilltë! Sepse, estetikën e mendojnë si shtrat seksi!

Kohëve të fundit, sikur është bërë trend që sapo të dalë në opinion një krijuese e bukur dhe e kolme, sakaq na shpërthen nja armatë e “shkrimtarëve”, duke klikuar e bërë “komente” në krijimet e tyre (zakonisht në poezi), pavarësisht faktit se e vërteta është më ndryshe. Pra, a po krijojmë poezi e “kritikë letrare” për klikime apo për ta shtuar vlerën e krijimtarisë sonë letrare! Nuk janë këta çunakë të ndërkryer “të thirrurit” e prodhimit dhe të avancimit të kritikës sonë të mirëfilltë. Këta “vlerësues” sharlatanë janë po aq të rrezikshëm sa edhe urrejtja e armikut të përbetuar të kulturës sonë kombëtare! Sepse ata, gjatë vlerësimit nuk mendojnë me trutë e kokës, por me ato të Davidit… Pra, poezitë e “bukurosheve”, të shoqëruar me foto-portretet e tyre provokuese, marrin me mijëra “pëlqime” (kurse jo vetëm Podrimja, por edhe Agolli, e Arapii e ndonjë tjetër mezi marrin nja 100 pëlqime)…

Në tërë botën, vulë e vlerave të një krijimtarie llogariten redaktorët, recensentët, vlerësuesit e dëshmuar dhe jo maniakët e bukurisë formale! Mëlmesë për estetikën mund të jetë vetëm bukuria e amshueshme! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.