KSENOMANI

Tregim

Qazim SHEHU

Sapo e kisha botuar librin tim me tregime dhe po e kundroja me kujdes kopertinën,lidhjen,paraqitjen e tij estetike.Libri është si fëmija,thonë,por unë do të shtoja se kur vjen një libër, ai lind i rritur dhe nuk ka më mundësi të provojë veten,nuk do kujdes,sepse kujdesi ndaj tij i përket punës paraprake.

E mora librin tim dhe e dërgova në një librari.Para më doli një vajzë e bukur,me një pamje disi të ndrojtur,por ndërsa komunikoja me të për mundësinë që ta reklamonte diku,ajo ma ktheu se nuk para ecte letërsia shqipe,veçmas librat me poezi, fare.Kishte kthyer mbrapsht sa e sa autorë dhe i vinte keq për këtë,por ishte e detyruar.

Nuk bëra zë, nuk doja ta zgjasja më këtë,vetëm tunda kokën dhe dola i heshtur.Në trotuarin përballë librarisë, sytë me kapën një radhë librash shtrirë përtokë.Emra të mëdhenj: Dostojevski, Tolstoi, Balzaku, Kafka, Xhojsi, Man, Heminguej. Libra filozofikë,histori,monografi,rrinin shtrirë përtokë dhe kalimtarët kalonin pa ua hedhur sytë.

Disa tituj më tregonin se i kisha lexuar,por seç kisha një tërheqje drejt tyre,pasi botimet ishin të reja dhe më ngjante sikur nuk i kisha lexuar.Ai që shiste ishte një i njohur ,por u shmanga,bëra sikur nuk e pashë, sepse disa herë më kishte rekomanduar libra të mirë dhe unë i kisha blerë.Ai e dinte që blija libra dhe në disa raste isha zënë ngushtë, se s`më ndodheshin paratë e mjaftueshme.

Bëra tutje dhe po mendoja:Në Tiranë ka lokale luksoze,po nuk ka librari luksoze,ka dyqane mode,markete me hapësira të bollshme,por nuk gjendet që nuk gjendet një librari e përmasave të mëdha.Sikur të ishte një e tillë,ku autorët të çonin librat dhe njerëzit të shkonin, të lexonin,të blinin,të kontaktonin me autorët,të kishte lektorë të përgatitur dhe seriozë,sa mirë do qe!

I lodhur siç isha, hyra në një klub për të pirë diçka.Ndërsa kamarierja po vonohej, nxora librin tim të ri dhe po i gëzohesha.Mendoja se nuk ishte i keq.Por atij i rri përsipër një kopertinë e dyfishtë,mosnjohja dhe indiferenca.Edhe nëse e lexonte dikush, do të më lavdëronte për ato gjëra që edhe nuk duhen cekur,sepse çdo libër ka gjëra që nuk ritmojnë,këto i kupton autori,pas dy –tri vitesh,pasi ftohet pakëz.

E mora gotën e rakisë,më duhej një gotë sa për një tonus ngazëllyes,kur dëgjova një zë:

-Ej shkrimtar,ç`na ke shkruar?

Ngrita vështrimin nga libri dhe sytë më parë prokurorin EL,i ulur me dy shokë të tjerë,mbase gjykatës apo avokatë.Nuk kishte rëndësi.Dikur ai s`ka qenë prokuror,por shoku im,por, mbasi mbaroi kursin gjashtëmujor të Plepave, e ndoqi mirë karrierën gjyqësore dhe u bë një emër i dëgjuar i jurispudencës,i shqiptuar për çështje të prekshme edhe nga media.

-Një libër me tregime,-thashë.

-Mund ta shoh?

U ngrita dhe ia dhashë librin.Ai e mori dhe çoç foli me shokët.Filloi ta shfletonte, tundi kokën.Kur u ktheva në tavolinën time, vura re një broke verë dhe një pjatë me dy bërxolla.

-I ke nga prokurori,-tha kamarierja.

Nuk bëra zë,as falenderova.Po shihja drejt tij.Pasi e shfletoi një copë here, ai ia dha librin njërit nga shokët që rrinte me të,siç dukej, vartës i tij,i cili ma solli në tavolinë.

-Megjithë qejf do ta blija,-tha,-por nuk lexoj letërsi shqiptare,lexoj letërsi të huaj,franceze,angleze,amerikane…

Mua sikur më ra tavani mbi kokë.Ky kokoroç,që s`e di se çfarë ka qenë,ende fliska si për pasnesër.Mendo sesi mund të formulojë ky idiot akuzat,si mund të japë pretencat, dhe aty për aty,falë intuitës sime të thekshme, ia ktheva:

-Ti ke të drejtë,-thashë,-shkrimtarët shqiptarë vuajnë nga mungesa e leximit…

-Atëherë përse shkruani?…

-Këmbëngulim,për shkak të mungesës së leximit dhe besojmë se një ditë do të lexohemi…

-Aha!-ia bëri ai me ironi dhe një shpërfillje, që u ndie nga intonimi…

-Por ,-vijova,-përpara se të përzëmë shkrimtarët shqiptarë nga ky vend, në fillim duhet të përzëmë prokurorët,gjyqtarët dhe avoketërit shqiptarë;nuk do të ishte keq,-vijonte ironia ime sipas logjikës së tij-t`i zëvëndësonim me prokurorë italianë,belgë,francezë,anlezë.Jeta do të bëhej më e bukur pa prokurorët shqiptarë, sesa pa shkrimtarët shqiptarë.Sepse,sado të dobët të jenë shkrimtarët shqiptarë,ata mundohen të ngrënë në këmbë të mirën,të bukurën, të cilën,siç është parë,ju e keni përdhosur…

U ngrita dhe dola pa ia prekur porosinë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.