KUFIRI MES REALES DHE LEGJENDËS

(Rreth poezisë së Bekim Muhaxherit)

Zyrafete SHALA

Ndër ata pak krijues të viteve të fundit që kanë kultivuar vargun poetik për dekada me radhë, por që nuk e kanëpasur prioritet botimin është edhe poeti ferizajas Bekim Muhaxheri, me profesion gazetar, që zgjodhi të dilte para lexuesve si poet i formësuar.Sado e thjeshtë në dukje, një qasje e tillë është e rrallë për kohën tonë, kur janë të pafundme tendencat për ta përdorur poezinë për çfarëdo qëllimi tjetër, por jo për të shprehur një emocion fisnik, si qëllim parësor i saj.Se prej nga buron ky relacion i veçantë me poezinë te Bekim Muhaxheri, nuk duhet shumë mund për ta kuptuar sapo të lexohet cilado poezi e tij; është përgjegjësia e lartë ndaj fjalës së shkruar që e bën të veçantë jo vetëm Bekimin si krijues, por edhe vargun e tij si krijim.Kemi të bëjmë me një poet të vetëdijshëm për kufirin ndjeshëm mes shkrimit dhe krimit, përgjegjësi kjo që është brumosur me kohë dhe që vihet re nëtë gjitha poezitë, të përfshiranë vëllimet Ëndrrat bëhen pranga (Koha Print, 2020) dhe Në zemrat tona dimri ka mbetur (Armagedoni, 2021). Vëllimi i parë,Ëndrrat bëhen pranga, përfshin vargjet e krijuara në një periudhë të gjatë kohore, në mosha të ndryshme të autorit dhe rrjedhimisht, edhe me forma të ndryshme të reagimit ndaj realitetit. Vështruar nga momenti kur Bekimi ka vendosur të dalë para lexuesve, poezitë e tijnga njëra anë mund të shihen si përmbledhje e përvojave dhe përjetimeve jetësore individuale, ndërsa në anën tjetër edhe si mënyrë e perceptimit të botës nga një subjekt poetiki mbrujtur me kujtesën kolektive kombëtare.

Gjerësia kohore e krijimit të poezive të këtij libri, rezulton meshumëllojshmëri temash e motivesh, që ngërthejnë jetën si tërësi;por edhe preokupimet e njeriut, i cili duke qenë dëshmitar i ngjarjeve e kthesave të mëdha, merr përsipër t’i përjetësojë ato në vargje.Në tetë ciklet e këtij vëllimi, ku poezitë janë ndarë në varësi nga temat që trajtojnë, gjejmë të ndërthurur realitetin me të kaluarën, qoftë me të kaluarën historike, si në ciklin Histori apo me trashëgiminë shpirtërore si në ciklin Legjendat, kategori këto, gjurmët e të cilave i mbart në vete çdo pjesëtari popullit që ëndrra iu kthye në makth (Të lidhur me lidhjen, f. 20).Prandaj, shpalosjen e unit të tij lirik, autori e nis pikërisht duke iu kthyer të kaluarës, që nga kohërat antike e deri më tani. Mirëpo, ky kthim nuk ka si qëllim vetëm riprodhimin e fakteve tanimë të njohura, ai kthehet për të dialoguar me shekujt, për t’i rishikuarvuajtjet, për të gjetur arsyet e tyre dhe për t’i mëkuar vrragët që ato kanë lënë në kujtesën kolektive e individuale. Doemos, në mesin e plagëve të mbetura e të pambyllura janë edhe ato të luftës ‘mesjetare’ të zhvilluar në kohët moderne, me eksodin biblik dhe kthimin, por edhe me dhimbjen për jetët e këputura, nga ato që u futën në histori, apo të tjerat që mbetën pezull mes dy botëve.

Në rrugëtimin lirik që autori e bën nëpër kufirin mes reales dhe legjendës, shohim se përmasat e kohës që po e jetojmë na ofrojnë një perspektivë tjetër të vlerësimit të trashëgimisë kulturore kombëtare, ku tani na shfaqet e përmbysur çdo gjë, madje edhe frazeologjitë, edhe mitet e legjendat: Qengji i urtë më s’i thith dy nëna/Mbetet pa thithur/Çdo gjë po ndryshon/Vetëm njeriu për njeriun/Vazhdon të jetë ujk (Ndryshim dhe njëjtësi, f. 30).I  gjendur mes një përmbysjeje të tillë vlerash, njeriu e ka të vështirë të ndjekë transformimet aktuale, të gjej një kod moral që do t’i përshtatet trendit të kohës dhe kërkesave të tij. Në poezitë e tjera autori duke reflektuarmbi realitetin e përditshëm,fokusohet në sekuenca të veçanta të dukurive tëzakonshme,duke shpërfaqur idenë se kjo kohë që refuzon të ndjeshëm mitik të jetës, është kohë e njeriut të zakonshëm, jo e heronjve dhe e madhështisë. 

Përsiatjet rreth natyrës dhe ligjshmërive të saj, ashtu si edhe përsiatjet mbi jetën, vdekjen dhe dashurinë, janë një segment i veçantë në universin poetik të Bekim Muhaxherit. Metamorfozat e natyrës në soditjen e poetit shpesh marrin trajta befasuese përmes figurës së personifikimit: Vjeshtës i bie të fikët/para vdekjes/dhe dimri pastaj/vetëm hedh mbi të/qefinin e vdekjes(Vdekje e vjeshtës, f. 54). Ndërsa jeta, që në këndvështrimin e autorit mund të jetë aq e thjeshtë, komplikohet vetëm nga tendencat e njeriut për të dominuar apo për të qenë në qendër të universit.Derisa krijesa të tjera më të thjeshta, si pëllumbat, na mësojnë artin e të lartësuarit përmes dashurisë, njerëzit synojnëtë arrijnë atë me ngrehinat e larta, përmes të cilavenë fakt vetëm e thellojnë inferioritetin e tyre. Paradokse të tilla përgjatë rrugëtimit nëpër kohë sjellin në një çast kur doemos kërkimet mbërrijnë përpara dilemave fondamentale të jetës, përpara ridimensionimit të koncepteve të vjetra të lirisë, shpresësedashurisë që shpalosen varg pas vargu nga autori.

Vëllimi i dytë Në zemrën tonë dimrika mbeturi botuar një vit pas të parit, solli poezi të krijuara gjatë periudhës kur bota u trand ngapandemia dhe kur njerëzimi që pandehte se tanimë kishte arritur kaherë ta mbizotërojë natyrën, u spraps nga një gjallesë mikroskopike. Nga një këndvështrim i tillë e kundron edhe poeti këtë situatë në poezinë Planet i pabesëku shprehet me një dozë cinizmi: Nuk mund të themi / “Ky është një hap i madh për njerëzimin”/ Siç thamë kur u lëshuam në Hënë / Nëse jashtëtokësorët ekzistojnë / Po qeshin diku në hapësirë / Me planet tona / Për të zbritur në Mars(Planet i pabesë, f. 19). Mirëpo, nuk është kjo tema e vetme që i përshkon poezitë e këtij vëllimi, përkundrazi, secili nga dhjetë ciklet shtjellon tema dhe motive të ndryshme, por që të gjitha janë reflekse ndaj jetës, botës, njerëzve dhe realitetit që e krijojnë ata.Është vështirë të thuhet se poezitë e cilit cikël janë më të realizuara, sepse poeti Muhaxherijo vetëm ka investuar emocion dhe mjeshtri në secilën prej tyre,por edhe i ka trajtuar ato me një qasje kryekëput origjinale.

Në ciklin Shkretëtirë autori i qaset relacionit mes kohës dhe të jetuarit; sa më shpejt që rrjedh koha aq më intensive bëhen përpjekjet e njeriut për të vrapuar pas saj (apo dëshira për ta arritur atë), për t’i lënë prapa të tjerët, për t’i arritur lartësitë dhe vonë, shumë vonë e kuptojnë se në fakt gjatë tërë kohës vetëm sa kanë rrëshqitur: Në greminat e jetës së vogël / Të përditshme / Si zogj të vrarë / Pa e provuar më ecjen përpara (Egoizëm, f. 37). Ky mashtrim që njeriu i bën vetes gjatë të ngarendurit pas kohës, e bën që të harrojë procesin e të jetuarit: Nganjëherë duhet të shkundemi / Nga gishtat e këmbëve te majat e flokëve / për ta kuptuar se jemi gjallë (Heqje pluhuri, f. 53). Harrimi i vetes doemos sjell në shmangie nga esenca e qenësisë së llojit, prandaj:Është koha të qëndrojmë në tokë / E të mësojmë nga kafshët e bimët / Si të jemi njerëz (Heqje pluhuri, f. 53). Ndërsa në ciklin Pronarë lirie autori i bën një radiografi lirisë njerëzore apo asaj që ne e quajmë të tillë, pa çka se aty hyn edhe liria për të shpikur e përdorur armët më shkatërrimtare ndaj njëri-tjetrit, liria për të vrarë, për të përdorur helme kimike, për të shkatërruar planetin, lirinë, për ta kthyer në ferr të vetmen jetë që patëm mundësi ta jetonim si njerëz në tokë. Prandaj poeti nuk ndihet rehat në kohën e tij: Për vete do të doja / Kthimin prapa / në një kohë tjetër / Për ta gjetur dhe zhbërë / Çastin kur zumë në thua / Derisa po ecnim nëpër mjegull (Shpallje, f. 71). I vetëdijshëm se shqetësime të tilla kanë pasur edhe shumë njerëz përpara tij, në kohë të ndryshme, madje shumë prej tyre edhe janë sakrifikuar në rrugën e kërkimit të së vërtetës,  ai u bën homazh atyre me vargjet: Ende nuk kemi asnjë mjet / Për zbulimin e eshtrave / Të të  pushkatuarve / Pa gjyq e pa varr / Anekënd globit / Mund të na dalë shumë punë / Por ndoshta duhet të gërmojmë / nën secilën lulëkuqe.

Padyshim, poezitë më të ngarkuara emocionalisht janë ato të ciklit të parë, Gjumë pa zgjim, të cilat autori ia dedikon vëllait të ndjerë, Ilirit,portretin e të cilit e gdhend mjeshtërisht në poezinë Turbullme ngjyrime të fuqishme elegjiake: Buzëqeshje do të ketë / Por jo si jotja / Me ata sy që bëheshin diej të vegjël / E shpërndanin rreze dashurie… Ëndrra do të ketë / Por jo si jotja / Për të ecur / Për t’u ngritur në këmbë / E mbajtur aq gjatë brenda (Turbull, f. 11).Paralelizmi mes figurës së vëllait dhe Gjergjej Elez Alisë në poezinë Vertikale, është një gjetje e jashtëzakonshme, që përmban në vete edhe një akt rebelimi ndaj simboleve të klishetizuara mitike, qofshin ato simbole të vuajtjes apo të heroizmit, përdorimi i të cilave sikur i lë në hije përjetimet e stërmundimshme të jetës së përditshme.Klithma e poetit që në vargun e parë: Gjergj Elez Alia nuk ishte asgjë / Përballë teje (Vertikale, f. 13) e përgatit lexuesin për krahasimet vijuese mes dy figurave, për shpërfaqjen e virtyteve të njeriut që jeta e vuripërpara një sprove të rëndë, por ai mbeti njeri: Ti nuk shkele asnjë buburrec / Gjysmë shekulli i lidhur për karron me rrota / Kurrë nuk u ngrite në këmbë / Por askush nuk jetoi / Më vertikalisht se ti (Vertikale, f. 13). 

Me një përkushtim dhe përgjegjësi të lartë ndaj fjalës e krijimit, me shtytjen për të depërtuar në misteret e jetës, me durimin për të lëmuar në vijimësi stilin, me shprehjen e kultivuar dhethellësinë e mendimit, Bekim Muhaxheri hyn në letrat shqipe me hap të sigurt dhe me synime të qarta për të ofruar kontributin e tij,në momentin kur rikthimi i vlerave është çështje prioritare në letërsinë tonë. Tani kur fjala e shkruar nëpërkëmbet pa mëshirë, shpeshherë duke mos e marrë mbrojtjen e duhur as nga individët e as nga institucionet që do të duhej të përkujdeseshin për të, vetë respekti ndajsajështë vlerë. E kur ky respekt gërshetohet edhe me lëndën e pasur të përpunuar nga një pendë me dhuntie pjekuri krijuese, atëherë mund të thuhet se lexuesi ka në duar dy botime seriozeme poezi nga një krijuesi kultivuar që premton të bëjë edhehapa të tjerë të suksesshëm në terrenin e vështirë të poezisë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.