KUINTESENCA E KOHËS AKTUALE

Çdo individ është një realitet më vete, e njerëzimi përbëhet nga larushia e realiteteve, sepse kjo panoramë gjendet brenda individit ku çdo gjë është subjektive dhe çdo njeri është “një e vërtetë, një realitet”

Emine BORIÇI

BOLERO NË VILËN E PLEQVE e Fatos Kongolit është ndër romanet që e drejtoi letërsinë shqipe drejt rrymës së postmodernizmit. Fillimisht mund të themi që postmodernizmi i vë theksin individit ku gjendja vetjake e tyre dhe zgjedhjet janë kuintesenca e njohjes njerëzore. Çdo individ është një realitet më vete, e njerëzimi përbëhet nga larushia e realiteteve, sepse kjo panoramë gjendet brenda individit ku çdo gjë është subjektive dhe çdo njeri është “një e vërtetë, një realitet”. Në roman shohim pikërisht këtë ku secili jeton në botën e vet mendore-shpirtërore. Shpesh rrëfimi krijon brenda rrëfimit dyzimin e karakterit të personazhit, ku e vërteta është “niveli mendor zero” i personazhit protagonist dhe realiteti i “gënjeshtërt” është rroga mujore e mirë. Sikurse edhe në këtë rast, kemi kapërcim pikëpamjesh të cilat i zënë vendin njëra-tjetrës, me qëllimin e  fshehjes të së vërtetës, ku Parashqevia mundohet të mbulojë çdo aspekt nga jeta e saj personale. Një nga tiparet më të qenësishme të posmodernizmit që ndihmojnë në vizualitet, është rrëfimi në vetën e parë. Rrëfimtari është një femër, Parashqevia, që gjithçka e tregon nga fushëpamja e subjektivizuar përballë një të vërtete reale. Ajo e tregon ashtu siç e sheh në raport me shtëpinë, vilën në të cilën shërbente.

Sfidimi i tabuve

Elementi më i spikatur është erotizmi. Shumë fleta të këtij romani mbushen me fjalën erotizëm dhe me përshkrime të hollësishme të veprimeve erotike deri në “banalitet”. Parashqevia shpesh përballet me veten, me mendimet dhe me gjendjen e saj të brendshme, dominancë e së cilës është fjala lakuriqësi që i mvishet veprimeve të pakontrolluara, e shtyrë nga një asosacion subkoshientar. Sikurse postmodernistët fjalët, batutat dhe shprehje të ndryshme zënë një vend shumë të madh në vepër, bëjnë që të devijojnë nga tradita e nga rrymat letrare të mëparshme, duke sfiduar tabutë e duke i bërë më të prekshme gjëndrat e eroticitetit, ku mund të përmendim diskutimin e plakut me doktorin.

Një tjetër element është koha dhe hapësira të cilat nuk janë të mirëpërcaktuara në thelb. Në përgjithësi,ngjarjet zhvillohen në kohën e shkuar: në të kryerën e thjeshtë, të pakryerën dhe të ardhmen e së shkuarës, disa herë në të tashmen, por brenda kohës së shkuar që zhvillohet ngjarja. Ky përcaktim nuk është i plotë nëse nuk i shtojmë edhe kohën abstrakte, ose e quajtur ndryshe eterne. Nuk kemi thjesht përzierjeje, por koha i kalon limitet e natyrshmërisë së zhvillimit kronologjik të matshëm në: kohë mendore apo kohë e brendshme, të cilën sinonimisht paralelizohen me kohën e shkuar. Brenda Parashqevisë, në mendjen e saj është një personazh i dytë, ku koha dhe hapësira nuk kanë përcaktim, edhe veprimi është mendor, citoj: “thëniet e mia deri tani kanë lënë të kuptohen dhe të nënkuptohen disa gjëra, por jo kryesoren: ishte fshehur gjithë jetën. Kjo ekzistencë e fshehur më ishte nevrikosur, nuk duroja më”. I gjithë ky artikulim ndjenjash në këndvështrimin tonë të çastit paraqitet lehtësisht i përballueshëm, por nëse vrojtojmë imtësisht veprimet e mendimet e personazhit, kuptojmë në mënyrë direkte mungesat e mëdha e dëshira të paplotësuara që vijnë në formën e një skene befasuese për lexuesin tradicional, e krejt papritur rrjedha e ngjarjes ndryshon nga ndërfutja e një tjetër historie, duke bërë të pranishëm një tipar tjetër të postmodernizmit, digresionin. Thënë ndryshe, retrospektiva është elementi i cili thyen rregullat tradicionale të rrjedhës logjike të romanit. Aty ku Parashqevia tregon për eksperiencën e saj në makinë me Dirinën, tregon për familjen e sidomos për motrën e saj. Një sekuencë tjetër kohore e kemi kur Dirina i kërkon masazh e ajo i bindet, kujton paralelisht masazhin që i bënte plakut. Pra, kemi një ngjarje që ndodh dhe një frekuencë retrospektive për të njëjtën situatë, masazhin që për Parashqevinë nuk është thjesht punë, por është ndjenja e ndrydhur dashurore që nuk e ka pasur kurrë, përdhunime po, por i ka munguar një jetë familjare.

Pjesa e dytë e romanit tregon për jetën e dhembshur që ka pasur Parashqevia, duke përdorur një nga format e rrëfimit: digresionin i cili tregon mbi përdhunimet që ka përjetuar, e kalon pastaj prapë në të tashmen e së shkuarës: jetën e saj në vilë. Pas drekës së z. Ifran me z. Firdeus shkon pas e vazhdon historinë e dhimbshme pas përdhunimit, se si ajo ishte katandisur dhe si vajti në vazhdimësi jeta e saj vite më parë. E gjithë kjo lojë kohore stilon shkathtësinë e penës artistike e digresionuese kohore tipike si tipar postmodern.

Figura kryesore është satira deri në sarkazëm, ndaj ideali i traditës dhe ndërgjegjja merr trajtën e një personazhi: Parashqevia e brendshme. Kjo jepet përmes përballjes së gjyqtares Afërdita me mospëlqimin që ajo ushqen ndaj Parashqevisë. Ajo nuk është thjesht një personazh kryesor i romanit, ajo është edhe personazh i së vërtetës së errët ndërgjegjësor të individit. Antipatia e kësaj gjyqtare ndaj saj në një farë mënyrë konvencionalisht është një lloj frike ndaj përballjes së errët të individit.

Komunikimi

Shpesh rrëfimi e humb rrjedhën logjike, siç e kemi thënë edhe më sipër përmes digresionit e përmes këtij përfitohet edhe metateksti. Duke rrëfyer jetën e saj në vilë, ajo ndërfut tregimin mbi jetën e saj të mëparshme. Emrat e personazheve janë të plota në përgjithësi. Por, në veçanti z. Ifran shpesh epitetohet si plaku ose në një rast tjetër si adoleshent i përjetshëm. Në këtë mënyrë rrëfimtari thekson pikërisht ironinë dhe papërshtatshmërinë e moshës së tij (plak) dhe veprimeve të tij (adoleshent i përjetshëm).

Një nga pikat më nevralgjike të romanit është komunikimi, ku bashkëjeton fantazia dhe realja (fiksioni) subkoshienca dhe koshienca, mëkati me ndërgjegjen, të cilat marrin fytyra nga veshja tipësore e personazheve. Nga shkrirja e reales me fantazinë përfitohet edhe loja e ligjëratave, sidomos aty ku aktivizohet imagjinata. Konkretisht, situata kur Parashqevia sillet si postier, e cila transmeton shkëmbim komunikimi mes plakut dhe z. Firdeus.

Parantezisht mund të themi se komunikimi mes personazheve nuk zhvillohet përmes imagjinatës, ose thjesht përmes veprimeve, por rrëfimtari shfrytëzon larmi llojesh të komunikimit: me letra, këtu përmendim bisedat e zoti Ifran me zonjën Frideus, me piktura, me piano kur luante plaku pasi zihej me zonjën Frideus. Një nga llojet më të veçanta është komunikimi me lexuesin. Ai në këtë rast bëhet personazh bashkëbisedues me rrëfimtarin dhe personazhin. Kjo mënyrë e fton lexuesin ta njohë më nga afër protagonistin dhe të jetë më pranë gjendjes psikologjike. Ajo që piketohet më shumë në këtë roman është pasqyra e marrëdhënia që ka Parashqevia me të.

Janë tre pasqyra ku shihet Parashqevia dhe debaton me vetveten: e para është në banjë, tjetra në dhomën e gjumit dhe pasqyra më e madhe ku shpesh Parashqevia debaton me vetveten është ajo e sallonit.

Të tria pasqyrat simbolizojnë tri shtresa të nën-ndërgjegjes së Parashqevisë. Ajo që vizualisht është në banjë e që Parashevia nuk dialogon fare me vetveten, e dhomës së gjumit që simbolizon një shtresë të nënndërgjegjes midis errësirës së thellë dhe shtresës së ripërtërirë dhe ajo e korridorit, pasqyra më e madhe e cila e paraqet personazhin si një sekret të kyçur ndaj të vërtetave që ajo mbart. Prandaj, romani postmodern është një risi ku nëpërmjet veprimeve e mendimeve të personazheve sjell një tjetër botëkuptim, ndryshe nga ai klasik që jemi mësuar duke kaluar çdo pengesë lehtësisht e duke konkorduar çdo mentalitet prapanik e gjykues mbi ngjarje të rëndomta. Kjo rrymë mbetet e zhveshur nga çdo “normë” letrare, duke i ftuar lexuesit të informohen për natyrën e brishtë të femrës, e cila nga mospërkrahja arrin deri në degradim moral.

Leave a Reply

Your email address will not be published.