KUJTESË PËR SHKRIMTARIN ARIFI GJYLI

Si krijues, në fakt, i takon brezit të shkrimtarëve që krijuan traditën e re të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj

Xhahid BUSHATI

1.

Arif Gjyli është lindur në qytetin e Shkodrës në prill të vitit 1913 dhe ka vdekur më 23 shtator 1989 në Tiranë. Në qytetin e lindjes, në korrik të vitit 1933, përfundoi Shkollën Normale për mësues. Para çlirimit ka punuar si mësues në Durrës dhe në Mamurras. Ka marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke qenë në poste drejtuese të saj. Ka qenë delegat i Shkodrës në Kongresin e Përmetit, i mbajtur më 24.05.1944. Me çlirimin e vendit ka punuar me detyra të ndryshme, si: sekretar politik i Qarkut të Shkodrës nga nëntori 1944, sekretar i ambasadës së Shqipërisë në Beograd në vitin 1945, etj.Është zgjedhur deputet i Shkodrës në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945, duke qenë edhe sekretar i Kuvendit Popullor. Është arrestuar në shtator të vitit 1947 dhe është dënuar me 20 vjet burg si pjesëtar i grupit të deputetëve. Pas lirimit nga burgu ka punuar në detyra të ndryshme në administratën shtetërore.Vitet më të shumta punoi si mësues i Gjuhës shqipe dhe letërsisë, derisa doli në pension.Nga viti 1962 ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Në fund të viteve 50-të dhe në fillim të viteve 60-të të shekullit XX, ka shkruar dhe botuar këto vepra: – “Historia e dhelpnës plakë”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1958; – “Trimat e Jutbinës”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1959; ribotuar nga Sh. B. Rilindja, Prishtinë, 1973; nga Sh. B. “Ngjyrat e kohës”, Tiranë, 2012;  – “Djathtas-majtas 1, 2, 3”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1960. Ka shkruar dhe botuar në periodikë të ndryshëm të kohës disa studime të ndryshme për Migjenin, Zenel Bastarin etj.

Veprimtaria letrare e tij kryesore është letërsia për fëmijë. Në vitet 1959-1963 ka punuar si mësues në shkollën 8-vjeçare “Emin Duraku”, Tiranë, me një grup nxënësish të ardhur nga qytete e shtëpi të ndryshme të fëmijëve të vendit, për të cilët hartoi një program të veçantë mësimor nga klasa e parë deri në të katërtën. Ky program, por dhe përkushtimi i tij, bëri të mundur rehabilitimin në shoqëri dhe përfundimin e shkollës fillore të rreth 50 nxënësve, të cilët do të kishin përfunduar në spitalin psikiatrik të Elbasanit, pasi ata kishin probleme psikike. Më pas, Arif Gjylit iu hoq e drejta e botimit, kështu që tregimet të titulluara: “Profesor Tomi” (tregime të fëmijërisë), Botimet “Redona Publishing”, Tiranë, 2014; janë pjesë e arkivit të tij të pabotuar më parë, të cilat u gjetën së fundmi nga familjarët. Libri “Profesor Tomi” (tregime të fëmijërisë së autorit) janë përfshirë katër tregime: “Njerëzit me tasa prej hekuri”, “Shkolla e Mulla Salasit”, “Shkolla” dhe “Profesor Tomi”. Kuvendi i Shqipërisë, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, nderoi 29 figura të shquara, që kanë dhënë një ndihmesë shumë të çmuar në historinë tonë kombëtare; e një ndër to ishte dhe i nderuari Arif Gjyli.

2.

Shkrimtari Arif Gjyli vdiq në një ditë vjeshte të vitit 1989, në moshën 76 vjeçare, në Tiranë. Emri dhe veprimtaria e tij e luftës dhe ajo letrare u kujtuan vetëm nëpërmjet një shkrimi. Më vonë, koha vërtetoi se ky shkrim-kujtimi ishte i fundit, por jo përmendja e emrit, e kontributit të tij si mësues e didakt (nga të parët që, pas një pune të gjatë e të durueshme, u mor gjerësisht e me hollësi me problemin e mprehtë të teksteve të leximit dhe të letërsisë për fëmijë), si mësues e studiues (ka meritën për vënien në pah për të parën herë të figurës së poetit popullor tiranas, Zenel Bastari dhe të një vlerësimi poetik – analitik të jetës dhe problematikës së veprës të Migjenit).

Si krijues, Arif Gjyli la gjurmën e tij në fushën e letrave për fëmijë e të rinj. Konfiguracioni i kësaj gjurme ka dhe mbart në thelbin e saj, modelin e një krijuesi që përvetësoi disa tipare, si: idealin, përkushtimin dhe natyrën që e kishin rilindësit tanë të shquar e të ditur që, mesa duket, ia mëkuan me dashuri edhe intelektualit Arif Gjyli. Duke përqafuar këtë model, ndoqi atë rrugë të ndritur; u mor dhe dha ndihmesë në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj e më gjerë (pedagogji, psikologji, mësuesi), kuptohet në një kontekst të ri historik, i cili shpërfaqte dita-ditës dukuri të reja në jetën shoqërore e kulturore.

Arif Gjylin nuk e kam takuar qoftë edhe një herë në jetë, ndonëse emri i tij ishte i “shëtitur” në Shkodër. Pra, nuk pata rast ta njoh personalisht dhe të bisedoj me të, ndonëse kam pasur shumë dëshirë… Së paku t’i bëja në mënyrë poetike një portret sa njerëzor aq dhe artistik. Pas shumë vitesh, i gjeta si relikte të çmueshme, disa grimca të portretit të tij në librin “Muhamet Uruçi, babai im”. Në pjesën e titulluar: “Në vend të hyrjes” të këtij libri memuaristik, citoj: “Ka një memorie të jashtëzakonshme…, … ka mbetur si gjithmonë i ndershëm.” Gjithashtu citoj: “Më shikoi drejtpërsëdrejti dhe unë për herë të parë dallova nën xhamat e tejdukshëm një palë sy plot dritë”; … “Pas kaq vitesh mund të them se takimi me Arif Gjylin më ka lënë një shije shumë të ëmbël, jo vetëm për kulturën e gjithanshme që rrezatonte, por edhe për saktësinë me të cilën ai kujtonte dhe njihte gjithçka me detaje nga ato vite të vështira.”

Edhe pse kanë kaluar disa dekada nga çlirimi i Shqipërisë, Arif Gjyli nuk është i shkëputur nga kujtimet e luftës, që për të në thelb, ato, duhet të ishin realizueset e ëndrrave të tij të vërteta. Sepse për ato ëndrra, ai la peng jetën. Siç duket për Arif Gjylin, ata mbeten vetëm ëndrra… Dhe si të tilla ata merrnin ‘jetë’ vetëm kur ai i kujtonte (herë pas here) nëpërmjet bisedës së tij të heshtur me plagët e luftës dhe përmendjes së emrave të shokëve të vërtetë… Ishte një bisedë e dhembshur dhe tragjike. Kujtonte edhe momente si këto: “Më mbanin të lidhur me tela, më kanë mbajtur pa gjumë, më kanë mbajtur për një kohë të gjatë në çimento… … Natën më linin pa gjumë dhe gjithë ditën i binin një gramafoni të madh shurdhues sa të mos mundja që të fle asnjë minutë. … Më morën e më shoqëruan në një pyll aty pranë. Në këtë kohë unë fillova të dyshoja dhe fillova të bërtas. … Më bënë një gropë në formë varri dhe më kërcënuan se do të më vrisnin si buharinist. Pastaj më sollën me automobil këtej tek Tirana e re. Më vonë e pashë se më kishin çuar në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Në këtë shtëpi më mbajtën 43 ditë mes torturave çnjerëzore”.

Marrëdhënia e krijuesit Arif Gjyli me letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj janë objekt i këtij shkrimi. Përmes këtyre rreshtave, artikullshkruesi përpiqet të krijojë një drejtim-shikim ndryshe, një optikë rivlerësimi veçanërisht në dialog me kohën e pas kohën që jetoi e krijoi ky shkrimtar. Librat e botuar, duke parë vitet përkatëse të botimit, nuk përkojnë me fillimet e vërteta të ndihmesës së Arif Gjylit në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Pra, vitet e ndajnë dhe e largojnë nga fillimet dhe të vërtetat letrare. Arsyet… sikur mbeten të pakuptueshme, nganjëherë absurde. 

Si krijues, në fakt, i takon brezit të shkrimtarëve që krijuan traditën e re të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Si krijues vetëm emri i përmendët. Në të rrallë edhe disa rreshta. Kur në të vërtetë ai dhe brezi i tij: “… zgjeruan shumë diapazonin tematik, që thelluan fondin realist dhe që e ngritën në një nivel më të lartë cilësinë ideoartistike…”. … Më tej, po për këtë shkrimtar thuhet: … “Në këtë kuadër, gjithashtu, duhet parë edhe kontributi i shkrimtarëve më me stazh si M. Kuteli, Arif Gjyli, M. Zaloshnja, që bënë një punë të mirë për popullarizimin e letërsisë së pasur të popullit për fëmijë, ose përmes ritregimit, në formë të përshtatshme, të rapsodive dhe baladave të moçme shqiptare, ose përmes përpunimit të përrallave popullore dhe tregimeve të tjera të kësaj natyre. Në traditën e re hyn edhe kriteri i vlerësimit, tek i cili u mbështetën shkrimtarët B. Dedja, M. Gurakuqi, Arif Gjyli, M. Zaloshnja dhe N. Jorgaqi për të mbledhur dhe redaktuar vepra të disa autorëve të shquar të së kaluarës për fëmijë”. Dhe për të vijuar  mendimin e mësipërm, me atë që një studiues tjetër e quan absorbim të folklorit, gjejmë nga ai këtë formulim, formulim që gjen mbështetje në marrëdhëniet të ndërsjellët të krijimit letrar dhe folklorit: “Një pjesë shumë e konsiderueshme e vjershave me subjekt ose e poemave të De Radës, Darës, Serembes, Sakos, Çaçit, Jakovës, Siliqit, Balës, Qafëzezit, Çomorës, Gjylit e më vonë akoma Agollit, Kadaresë, Arapit, Dedes, Beqarajt e Gjokutajt, dëshmojnë për lidhjet e qëndrueshme të poezisë sonë për fëmijë me folklorin, për absorbimin që i kanë bërë të gjithë këta poetë folklorit për nevojën e përhershme që ata kanë ndier për t’u dhënë fëmijëve të brezave të ndryshëm vargje, ku njomështia dhe shpirti popullor të ndihen me po atë forcë që i ka edhe populli”.

Në mes shumë studiuesve, gjykimet dhe interpretimet e Prof. Vehbi Balës për këtë model krijuesi, sikur kanë hyrë më në thellësi të procesit krijues të tij, gjë që kanë sjellë më njohje dhe interpretim të veprës letrare. Mendoj se edhe sot, ata janë aktuale në shikimin dhe zbërthimin e figurës së Arif Gjylit në këtë lëmë letrar, lëmë që mbart vlera bashkëjetuese e bashkudhëtuese. Kjo është arsyeja që, studiuesi i mirënjohur i letërsisë për fëmijë dhe të rinj Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi në veprën e tij, me të drejtë ndihmesën letrare si parësore të shkrimtarit Arif Gjyli e vendos te kapitulli “Përshtatja dhe rikrijimi”, ku e pozicionon vlerësueshëm dhe meritueshëm, duke e lidhur emrin e tij me lëvrimin e këtyre dy zhanreve (veçanërisht me të parin), qëllimi i të cilit (dhe të tjerëve krijues që u morën me këto dy zhanre), është: “… që ta bëjnë të kuptueshme e të këndshme për lexuesin e vogël një krijim madhor të folklorit ose një vepër të shquar të letërsisë për të rriturit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.