KULTI I FORMËS SI ESENCË E THELBËSORES

(Lexim i “Mbyllur për pushime”, romancë historike nga Stefan Çapaliku)

Durim ÇAÇA

Të kundrosh jo letërsinë, por letraritetin dhe literaritetin, jo realen, por tërësinë e virtuales letrare, pra, ndryshe nga kritika dhe poetika e mbyllur klasike e gjinive, zhanreve, etj. të paraprirë që nga Aristoteli e shekuj më pas, drejt një kritike të sotme moderniteti, është krejt e natyrshme në kohën tonë.Për më tepër, një eksplorim të të ndryshmeve mundësi të diskursit, siç është dhe vepra letrare në fjalë që po promovojmë, në Klubin e Librit, Kavajë, me moderatorë, të rinjtë pasionantë të leximit artistik e kulturologjik të këij qyteti, juristi Gert Metani  dhe specialisti i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, Thoma Axha, me mbështetje të Ministrisë sonë të  Kulturës, përmes Drejtorisë së saj të Librit, si dhe me praninë e autorit dhe botuesit Frano Kulli.

Stefan Çapaliku, është i njohur si prozator me trilogjinë e tij romanore “Secili çmendet sipas mënyrës së vet” e gjer te vepra më e fundit t, ”Tregimet e tranzicionit”, (2021)“, si dramaturg i shquar me dramat e tij  të absurdit shqiptar të kohës sonë, “AllegretoAlbania”, “Pesë komedi të përgjakshme”, etj., si poet me “Kohë e ndalur”, etj.,si studiues dhe eseist i antropologjisë kulturore me “Arti bashkëkohor shqiptar”, “Imago&Verbum”, etj., si autor doracakësh “Estetika moderne”, “Letërsi e interpretuar”, antologjish të vogla ( të kohës së izolimit gjatë epidemisë së Kovid-it) për jetën (përmbledhje barsoletash të komunizmit), apo për vdekjen ( preambula filozofike e këndvështrimesh të traditës popullore shqiptare rreth saj), si regjisor  teatri e filmash dokumentarë, përkthyes dhe realizues performancash skenike, etj. dhe, këto ditë, si akademik i  Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Tek vepra që po vështrojmë, “Mbyllur për pushime” (“Botimet Fishta”, Tiranë,  2021), ndryshe nga romani trilogjik, (një vepër e narrativës së “Bildungsroman, sipas termit të filologut gjerman KarlMongenstern,  që klasifikon të tilla, vepra letrare që vënë në fokus rritjen psikologjike e morale të protagonistit që nga fëmijëria e rinia e hershme e protagonistit deri në moshë të rritur, pra, një roman i edukimit (ku hyjnë romane të famshëm që nga ‘David Koperfildi” i Dikens-it, “Tom Xhons-i, i Fielding-ut, “Xhejn Eir” i Sharlotë Bronte-së, “Aventurat e Hekelber Finit” të Tuein-it, “Portreti i artistit në rini” të Xhojs-it, , “Gjuetari i balonave”, të Khaled Hysein-it, “Mali magjik” i Man-it, “Gra të vogla” të Alkot-it, “Jeta sekrete e bletëve”, të  të Sue Mank Kidd,etj., pra, ndryshe nga vepra “Të gjithë çmenden sipas mënyrës së vet”, që paraqitet, siç thamë,  si një roman i “Bildungsnovel”, te “Mbyllur për pushime”, (një  rrëfim i “qetë” jetësor, në një konstruksion “të lehtë” narracioni),  kemi një  akuarel letrariteti me tharm historik, që “merret me fatet e njerëzve, të shtrënguar të jetojnë, ndër kontekste krejtësisht të gabuara, – siç paraqitet në portalin e librit, – me dashuritë e palumtura të disa njerëzve, të nisur për të ndërtuar të ardhme të lumtura”. Një romancë letrare, në kuptimin e një lirike narrative apo një rrëfim lirik gjendjesh shpirtërore njerëzish, mes shpresash, zhgënjimesh, ëndërrimesh, depresionesh e melankolish  të një kohe të vështirë. Të treguar si histori personash e personazhesh (historikë e fiktivë) gjatë Historisë së madhe të vendit, ndonëse, në ndonjë rast, arrin dhe kulminacion dramatik epik, si, bie fjala, kur Pater Anton Harapi (në roman, PaterAndrea) që, “në betimin e tij si regjent i qeverisë kuinslinge shqiptare para parlamentit,  kishte thënë: Me kobure në gjoks, nuk bahet kush as vlla, as shoq, por ja skllav, ja mizor”  nuk hypën në avionin e dërguar për të nga Beogradi,  nga përfaqësuesi nazist i Ballkanit, për t’u larguar nga Shqipëria, në prag të ardhjes në pushtet të komunistëve, por “Padria e lexoi për së dyti duke zhytur hundën e tij estradeske, edhe më shumë, në atë letër… Herman Janas s’e kishte kuptuar shqiptarin. Kur ai jepte besën…Dhe e ktheu letrën nga ana tjetër, duke shkruar: Shkëlqesi! Të falem nderës! Unë nuk do ta braktis vendin tim, grigjën time, sido që të vijë puna. Kam punue veç për fe e atdhe. Të gjithë mund ta dëshmojnë këtë! Me përulësi, Pater Andrea… Pastaj hipi në makinë dhe u nisën rrugës për në Shkodër. Kur kishin lënë mbrapa Tiranën, …Patër Andrea i tha shoferit të ndalojë.  Shoferi hapi krahun dhe priti jashtë derisa Patër Andrea hoqi të gjitha rrobat civile, mbathi sandalet e lëkurës, veshi zhgunin bojë kafe, lidhi mesit litarin trenyjësh dhe, duke zbritur nga makina, i tha: Tash unë jam në tokën time. Ti duhet të kthehesh te familja yte”); apo në një kulminacion tronditës tragjik (kur usta Mihali që i lutet Profesor Shirokës t’i japë një kostum, këmishë dhe një palë këpucë, meqenëse kishte të njëjtën gjatësi më djalin e tij dhe profesori i jep kostumin e tij të  martesës, (me të dashurën austriake) “atë që ia pati qepur Kolë Tivari, rrobaqepësi më i mirë i pazarit të Shkodrës, me stof anglez, për të cilin i ati, Lazër Shiroka, pati paguar rrumbull gjashtë napolona ari”, ustait,  që ky i fundit të varrosë të bukur, birin e vet të vetëm të vrarë në masakrën e 4 shkurtit.

Çapaliku rrëfen në veprën në fjalë nga pikëvështrimi i autorit, pra, “raporton” (fakte reale dhe fiktive), në shenjësimin e vet narrativ të literaritetit (të estetikës së shkrimësisë së tij artistike), ku rrëfimi i ofron lexuesit shumë detaje, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në një distancë të madhe nga ajo që rrëfen (Lufta II Botërore në Shqipëri, vështruar në vitet ’20 të shekullit XXI dhe, përmes filtrit dhe aftësisë së njohjes të kësaj pjese përfituese të historisë, (një grupi personazhesh historikë e fiktivë) adopton atë që quhet, sipas Zhenet-it (“Figura, III”, 2017:208), vizionin apo pikëvështrimin, duke dhënë përshtypjen e adoptimit të një perspektive në lidhje me historinë (atë reale-dokumentare dhe artitike-letrare).  Një rrëfim ky, në rastin tonë, më shumë se i zhvilluar, është i detajuar dhe ku rrëfimtari (autori) shfaqet vetëm në këtë mënyrë të rrëfyeri, që ka të bëjë në atë që të thuash sa më shumë të jetë e mundur dhe, në të njëjtën kohë, ta thuash këtë “më shumë”, sa më pak që të jetë e mundur, mënyrë që bën të harrohet fakti se është rrëfimtari i cili rrëfen. Një teknikë kjo që bashkon predominimin xhojsian të skenës (rrëfimi i detajuar), me atë të transparencës flobertiane të rrëfimtarit.

Si e tillë, vepra në fjalë nuk “befason”, nuk “spikat”, nuk “trondit”, nuk shpërfaqet si “letërsi e madhe”. Një prozë minimaliste, me fjali eliptike, me ngjyresa lokaliste peizazhesh urbane dhe  të mendësisë së kohës e frazeologjisë popullore të Tiranës, Shkodrës dhe (herë-herë) të Beogradit  ku, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, me tragjedi të mëdha dhe përmbysje rendesh politikë, jetojnë jetën e vet të “të natyrshme” të përditshmërisë që nga Osmani me Sonjën (këpucari plak beqar me fiksime që martohet më në fund me prostitutën italiane të luftës, mbetur në Shqipëri), Profesor Shiroka, studenti që braktis seminarin dioqezian të Salzburgut dhe, i dashuruar me murgeshën e re të seminarit të motrave, pranë seminarit të tij, Margaritën, kthehet pas 18 vitesh në Shqipëri, në vilën e tij, në Tiranë, me të shoqen depresive austriake dhe me djalin e tyre të trishtë, Lukën, (që dëgjon muzikën e re atonale e të serialitetit të Arnold Shoenberg-ut);  Ibrahim Arapi, piktori, mbetur në Shqipëri, larg së dashurës së tij italiane, Marina Bramani, (të dashuruarit që janë mrekulluar bashkë,  me “Manifestin futurist” të Marineti-t dhe me ekspozitat e Umberto Boçionit dhe Xhino Severini-t në Romë ); FilipHila, studiuesi i ri në Tiranë, i porsa ardhur nga Perëndimi ku ka qenë me studime, me letrat e  zjarrta të dashurisë që i dërgon Milicës, (së dashurës serbe të diplomatit nazist, austriakut Herman, në Beograd, dashuri e lindur gjatë vizitës së tyre në Tiranë): “Druaj se kurrë s’do të ngopem me ty, e kjo asht e vërtetë e fortë për t’u përballue. Trupi  yt asht i dashun për mue dhe e ndjej thellë në gjithë qenien time. Deri në torturë. Të due tmerrësisht fort dhe fizikisht, po aq sa të due edhe shpirtnisht”; Rrem Bardhi, komunisti i lëvizjen partizane dhe Renato, ushtari italian i mbetur pas kapitullimit të fashizmit që Rrema e aktivizon për të gjuajtur me top ndërtesën e Asamblesë Kushtetuese;  mjeshtri dhe sipërmarrësi i punishtes së këpucarisë, Lazër Shiroka dhe ushtarët gjermanë që kanë ngritur çadrën e tyre në oborrin e shtëpisë së tij në Shkodër; gjer tek Kryeministri, Anton Harapi, (në roman, personazhi episodik prekës me atdhetarizmin e zjarrtë të pater Andreas) dhe diplomati  nazist austriak për Ballkanin, Herman Janas, me të dashurën e tij serbe Milica Zhuniç, në Beograd, në  rrugën me rrapa e lulevile të “Skadarlije”-s, ku pak më tej vilës së tij nisnin trembëdhjetë blirët që i kujtonte poemën e famshme me të njëjtin titull, të FridrihVeber-t, të mësuar qysh në vogëlinë e vet. (Ajo që thoshte Sartri, kur e pyesnin se ç’bënin gjatë okupimit të Parisit: Jetonim jetën tonë në kafene, restorante, parqe, me gjermanët e pranishëm).

Dhe në këtë prozë – fiction, të gjithë jetojnë jetët e tyre vetjake, edhe në këto rrethana, madje, pasionante gjer në çmenduri, (Milica që del mendsh dhe shkruan shqip fjalë dashurie nëpër muret e rrugëve të Beogradit e të Novij Sad-it,  për të dashurin e saj shqiptar të vrarë në Tiranë), edhe në kulmin e tmerreve të vitit të fundit të luftës së madhe, (masakra e 4 shkurtit, 1944 e Xhaferr Devës, – në roman, të Xhaferr Qoses), rropamat e së cilës (luftës) ndihen fare pak në roman, (madje, nuk ndihen as fanfarat triumfale të propagandës së komunistëve që po marrin pushtetin politik). Romani shpërfaqet kështu, si një romancë sociale jetësh dhe fatesh të njerëzve, të shtresave dhe përkatësive të ndryshme shoqërore, (që nga shtresa e njerëzve të rrugës:  të hajdutëve (Mani i Liut, Lapi i Lijes) të prostitutave (Caja e Xexes, Fizja e Mimit, Fahrija e Sefës, italiania Sonia), tek ata të shtresës së thjeshtë popullore, (Osmani, “shkarpaxhiu”, ndreqësi i këpucëve, në barakën e tij prej llamarine që këndon serenata dhe që “simbasCajes së Xexes, problem i vetëm që kishte Asmoni, ishte se binte në dashuri menjëherë” me çdo “femër të përgjithshme”, Dulla, komshiu polic, që “e njohin njeri-tjetrin, si paren e kuqe”, Ali Xhixha, ekulibristi (pehlivani) i cirkut popullor, usta Mihali i ndërtimit, ardhur nga Berati, Rrem Bardhi, administrator i kinema “Nacional”, Bim Kurbani, pronari i restorantit, “në Tiranën e asaj kohe, që nuk qe as si Korça, as si Shkodra, por ishte një lesheli entuziaste që zgjohej si oksidentale në mëngjes, e binte të flinte si orientale”), dhe gjer ato të shtresës më të lartë të mjeshtërve artizanë, artistëve, funksionarëve të pushtetit e shtetit kuinsling shqiptar të luftës, në rrjedhën e kohës: Mësuesi i muzikës, Maestro Gurabardhi, Profesor Shiroka, ministri i Shëndetit Publik, doktor Sajmir Peza, albanologu serb Dragoljub Gjokiç, gjer te Regjenti shqiptar, PaterAndrea), Martin Flip-i, ambasadori nazist në Shqipëri dhe Herman Neubaker, -në roman, HermanJ anas,- i dërguari i Hitlerit për Ballkanin, me selinë e tij në “Skadarlije”, -“Rruga e Shkodrës”,- të Beogradit,”qytetit të madh me plot gjurmë  të shqiptarisë, me“Rrugën e Durrësit”, “Rrugën e Skënderbeut”, “Rrugën e Prizrenit”, “Palat Albania”, ndërtesa më e lartë e tij, grataçieli i vetëm i Ballkanit, qytetit me verën e  tmerrshme,  të nxehtë,  të klimës kontinentale, ku dy lumejtë, Sava dhe Danubi, që nuk rrjedhin në gryka malesh, por thjesht shtrihen si dy budallej hardallë në një fushë të madhe, si tul buke, nuk flladisin aspak e ku nis kupton ëndrrën e tij historike për pak det dhe që, për të cilin, arkitekti i famshëm francez Le Korbuazje, kishte thënë, pas vizitës në të, më 1911, se Beogradi ishte qyteti më i shëmtuar, i ndërtuar në vendin më të bukur të botës”, – tek jetojnë secili në fatin e vet, atë tragjikomiken  absurde e groteske të përjetshme të jetës njerëzore, edhe në një kohë të tillë të trishtë,  dramatike e tragjike,  me një fytyrë historizmi të  dy viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Me një ngjyrim, herë-herë dhe pikaresk, (me strukturën e hapur të veprës që duket si “e pafund”, protagonistin e zakonshëm anti-hero dhe “bëmat” e “aventurat” e tij të një jete të rëndomtë, mohimin e idealizmit, karakterin linear të personazhit që nuk evoluon dhe nuk ndryshon asnjëherë, siç jepet, bie fjala,  dhe në përmbyllje të kësaj romance, që po e rijapim të plotë më poshtë:

“Gjithsesi ia vlente ta festoje këtë ditë, (28 nëntorin e 44-ës, të çlirimit të Shqipërisë), sido që të ishte dhe çfarëdo që të ndodhte. Dhe Osmani i kishte marrë masat. Ai kishte marrë nga shtëpia të gjitha kursimet e këtij viti dhe do ta çonte Sonian t’i bënin rrush e kumbulla te restoranti “Pëllumbi i bardhë”. Le të bëhej ç’të bëhej. Atë drekë ai donte ta ekzagjeronte, ta tepronte, ta dhiste krejt, ta bënte baltë…Dhe e mori Sonian hopa. Kishte lezet që tani, kur sapo i kishte mbushur të gjashtëdhjetat, të merrte një femër hopa dhe të ecte nëpër rrugë, pa e çarë kokën për askënd. Dhe Sonia qeshi, qeshi e qeshi, si kurrë ndonjëherë më parë në jetën e vet. Njerëzit po boshatisnin rrugët dhe po ecnin secili për hesap të vet. Ja, kjo ishte fytyra e bukur e lirisë.  Dhe ashtu marramendshëm shkuan deri te dera e restorantit “Pëllumbi i bardhë”. Aty Osmani e lëshoi Sonian mbi këmbët e veta. Por askush aty. Mbi derë, Bim Kurbani kishte shkruar me dorën e vet në një tabelë kartoni: “Mbyllur për pushime””.

Rrëfimi në  këtë prozë projektohet si një strukturë drame me kapitujt (skenat), pauzat, (mizanskenat, -elementë dramaturgjikë që Çapaliku i përdor, natyrisht, gjerësisht, në tekstet e tij të mirëfilltë dramatikë), pjesët (aktet) si dhe si një shpërfaqje mozaiku ravijëzimesh (skicimesh) të një numri miniaturash e syzhetesh fabulorë subjektorë, siluetash personazhesh episodikë dhe situatash e ngjarjesh rrethanore, pa lidhje me njëra -tjetrën, veç bashkëkohësisë së tyre të periudhës historike, (pa protagonist qendrorë, bosht aksional veprimi, aktantëkarakterialë përcaktues të rrjedhës së rrëfimit, etj.). Një sagë e vogël mozaikale fatesh njerëzore e familjare, në kohë lufte të përbotshme, me një kadencë të tragjikomikes dhe groteskes në sfondin e tragjedisë së njerëzimit. Syzhetefabulorë dhe silueta personazhesh, (si një ushtrim stili, do të thonim), që ndërthuren sipas kredos estetike të autorit për të krijuar një letërsi hedonistike, pra, një letërsi që ngjall kënaqësinë e leximit të çdo lexuesi. Dhe ia ka arritur këtij qëllimi, leximi i librit ecën me ritëm të shpejtë e këndshëm, pa ndjesi lodhjeje e sforcimi.

Arti rrëfimor te “Mbyllur për pushime” (në këtë pamje artistike të sociales historike) të Çapalikut, (plazmuar dhe me mbresa nga “Kujtimet” e publikuara të administratorit të Hitlerit për Europën Jug-lindore, Ballkanin, Herman Neubaker si dhe nga “Kujtimet” e publikuara kohët e fundit, për Tiranën e viteve 1939-1944, të shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit të shquar të kohës, MustafaGreblleshi, për mendësinë shoqërore dhe zhargonin popullor të të folmes dialektore tiranase të kësaj kohe), është një përthyerje prizmatike, -siç shprehet autori,- në një ngjyrim letrar autorial të një fragmenti historik të këtij vendi e populli. Dhe që përbën, gjithësesi, një arritje  të artit të tij të shkrimësisë artistike.

Diskursi i tij, në këtë rast, i rrëfimtarit romanesk, shpërfaqet përmes historisë, (pra funksionit tipik narrativ që i referohet asaj); përmes tekstit narrativ me organizimin e brendshëm të rrëfimit, (nyjet, lidhjet, ndërmarrëdhëniet e aktorëve-personazhë dhe aktantëve veprues, si indikacione të regjisë tekstuale); nëpërmet situatës narrative, ku janë protagonistë rrëfimmarrësi, (në këtë rast, virtual, -lexuesi) dhe vetë rrëfimtari në një funksion komunikimi; si dhe shpërfaqet, gjithashtu, përmes funksionit emotiv, (raportit afektiv, – moral dhe intelektual të rrëfimtarit me historinë reale dhe fiksionale të veprës së vet).

Dhe, në tipologjinë e larmishme të teknikave të formësimit të rrëfimit e të shkrimësisë, dramatike, romanore, eseistike, studimore, utilitare-kulturologjike, regjisoriale, biografike, (për artistin Serafin Fanku, piktorin italian Kollura, etj.), kritike, antologjike, poetike, etj., të akademikut Stefan Çapaliku, kulti i formës si esencë e thelbësores, shpërfaqet  “suigeneris” dhe në këtë narrativë të re, – një roman në formën e një romance mozaikale, ndodhish, ngjarjesh e historish personale e familjare jetike (realiste-dokumentare e të trillit artistik), për  shoqërinë tonë të së shkuarës, (në një fraksion të saj vendimtar, vitet ’43-’44), si  një lirizëm i “historikes”, (ndiesish  individuale jetësore  në nivele të llojllojshëm shoqërorë, brenda historisë së madhe epike të përbotshme”), përmes një larushie përjetimesh “të tyre” vetjake,  personazhesh realë e fiktivë episodikë të jetës dhe kohës së vet, të karaktereve  të tyre ambiguidë (të shumëfishtë), të vërtetë e letrarë, me mëdyshjet e rravgimet e tyre komike e dramatike, mes një humori të zi dhe absurdi të luftës së botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.