KULTURA DHE PROPAGANDA MANIPULUESE SOC-IREALISTE

Y5B4Gwk_Jdg

Një element i rëndësishëm i propagandës së regjimit enverist ishte promovimi i “letërsisë kosovare” dhe “krijuesve kosovarë.” Kjo kishte për qëllim të theksonte se shqiptarët e Kosovës kishin një kulturë të zhvilluar dhe të respektuar brenda Jugosllavisë, por gjithashtu se kjo kulturë ishte pjesë e një identiteti të veçantë kosovar, e jo thjesht një zgjatim i kulturës shqiptare

Nga Avni Halimi

Gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, asgjë nuk lihej rastësisht dhe çdo aspekt i jetës publike ishte i rregulluar nga shteti dhe ideologjia socialiste. Në këtë kontekst, politika shtetërore shqiptare, përfshirë propagandën për Kosovën, ishte e bazuar në një qasje të kujdesshme dhe të mirëplanifikuar. Propaganda për Kosovën në Shqipërinë socialiste ishte një instrument i rëndësishëm politik dhe ideologjik, që shërbente për të promovuar një imazh të kontrolluar të realitetit kosovar, të përshtatur me interesat e regjimit të Hoxhës dhe për të mbështetur projektin e tij për një Shqipëri të izoluar dhe të vetë-mjaftueshme. Kjo vërehet edhe në dokumentin e arkivuar në Arkivin Shtetëror, i cili ka të bëjë me PLANET TEMATIKE TË ORGANEVE TË SHTYPIT, RADIOTELEVIZIONIT DHE SHTËPIVE BOTUESE LIDHUR ME PROPAGANDËN PËR KOSOVËN.

Kur vëllai bëhej “shok i idealit socialist”

Në fakt, nëse analizohet me kujdes tërë kjo “strategji propagandistike” do të vërehet se regjimi enverist më së paku interesohej për propagandim të çështjes së Kosovës. Përmes kësaj “propagande” në fakt, regjimi, mundohej të nënvizojë të gjitha ato angazhime kombëtare të dështuara ndër vite e dekada, derisa do të vije socializmi, i cili duhet të konceptohet si e vetmja ideologji kombëtare “me vlera të pavdekshme”.

Në arkivat shtetërore të Shqipërisë komuniste, dokumentet (pra, edhe dokumenti në fjalë) tregojnë një përdorim të qëllimshëm të termave si “kosovarët,” “shoqëria kosovare,” “shtypi kosovar”,  “letërsia kosovare,” “trashëgimia popullore kosovare”, “arkeologjia kosovare” etj. në vend të referimeve më të përgjithshme si “shqiptarët e Kosovës”, “letërsia shqiptare e Kosovës”, “trashëgimia kulturore e shqiptarëve të Kosovës” etj.  Kjo zgjedhje e gjuhës nuk ishte e rastësishme. Duke përdorur këto terma, regjimi synonte të ndërtonte një identitet të veçantë për shqiptarët e Kosovës, një identitet që do t’i shërbente narrativës së regjimit për ta trajtuar Kosovën si një çështje të jashtme, të distancuar nga vetë kombi shqiptar. Kjo ishte në përputhje me strategjinë e Hoxhës për të shmangur përplasjet e hapura me Jugosllavinë, sidomos pas ndarjes me Jugosllavinë e Titos në vitin 1948.

Pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin komplekse dhe të ndryshueshme. Fillimisht, Tito dhe Hoxha kishin një aleancë të përkohshme bazuar në ideologjinë e përbashkët komuniste. Në këtë kontekst, shqiptarët e Kosovës u paraqitën nga propaganda shqiptare si “shokë të idealit socialist,” dhe shpesh, përkujtimi i figurave historike të Luftës së Dytë Botërore nga Kosova fokusohej vetëm tek ata që kishin kontribuar në luftën antifashiste. Nuk përkujtohet asnjë ngjarje nacionaliste e shqiptarëve të Kosovës, asnjë personalitet nacionalist shqiptar, nuk preferohet të përkujtohen me asnjë fjali as demonstratat dhe represionet komuniste antishqiptare pas ngjarjeve të vitit 1968 etj. Pra, shqiptarët e Kosovës kujtoheshin vetëm si kontribuues në luftën antifashiste, të tjerët sikur nuk ishin shqiptarë për regjimin e Hoxhës! 

Kjo qasje ishte një mënyrë për të afirmuar legjitimitetin e regjimit në Shqipëri dhe për të portretizuar luftën antifashiste si një çështje mbarëshqiptare, por gjithmonë në frymën e socializmit dhe të ndihmës reciproke mes popujve “të barabartë” të Ballkanit. Pasi marrëdhëniet mes Hoxhës dhe Titos u përkeqësuan, propaganda shqiptare ndryshoi ton, duke kritikuar regjimin jugosllav për shtypjen e shqiptarëve të Kosovës, por gjithmonë duke e ruajtur një distancë të kujdesshme retorike për të mos e përfshirë hapur çështjen kosovare si pjesë të çështjes kombëtare shqiptare.

“Kosovarët” dhe diferencimi i identitetit kombëtar

Përdorimi i vazhdueshëm i termave si “kosovarët”, “krijuesit kosovarë” në vend të “shqiptarëve të Kosovës” tregon një përpjekje të ndërgjegjshme për të krijuar një identitet të veçantë për shqiptarët e Kosovës, të ndarë nga shqiptarët e Shqipërisë. Kjo kishte disa qëllime strategjike: e para, në një periudhë kur Ballkani ishte një arenë e ndjeshme gjeopolitike, Enver Hoxha nuk donte të provokonte Jugosllavinë duke e paraqitur Kosovën si një pjesë të pandarë të kombit shqiptar. Krijimi i një identiteti “kosovar” ndihmonte në zbutjen e tensioneve dhe e mbante çështjen brenda kufijve të Jugosllavisë socialiste; e dyta, duke e paraqitur çështjen kosovare si një problem që lidhej me zhvillimin socialist të popujve të Jugosllavisë, Hoxha synonte të krijonte një perceptim ku regjimi i tij paraqitej si mbrojtës i interesave të “shokëve kosovarë,” por pa e sfiduar hapur integritetin territorial të Jugosllavisë. Kjo qasje lejonte Hoxhën të ruante legjitimitetin e tij si lider i lëvizjes socialiste shqiptare pa rrezikuar përplasjet ndërkombëtare; e treta, duke përdorur terma të veçantë për shqiptarët e Kosovës, propaganda krijoi një formë të nacionalizmit ideologjik, ku mbrojtja e të drejtave të kosovarëve bëhej pjesë e projektit socialist, e jo një çështje kombëtare shqiptare. Kjo strategji shmangte rrezikun e nacionalizmit të papërmbajtur, që mund të kërcënonte stabilitetin e regjimit totalitar.

Një element i rëndësishëm i propagandës së regjimit enverist ishte promovimi i “letërsisë kosovare” dhe “krijuesve kosovarë.” Kjo kishte për qëllim të theksonte se shqiptarët e Kosovës kishin një kulturë të zhvilluar dhe të respektuar brenda Jugosllavisë, por gjithashtu se kjo kulturë ishte pjesë e një identiteti të veçantë kosovar, e jo thjesht një zgjatim i kulturës shqiptare. Autorët dhe krijuesit që afirmoheshin në Shqipëri ishin ata që përputheshin me ideologjinë komuniste, që kishin kontribuar në luftën antifashiste, ose që shkruanin në frymën e socializmit. Kjo shërbente për të përforcuar narrativën se shqiptarët e Kosovës ishin pjesë e një projekti të përbashkët socialist, në përputhje me vizionin e regjimit shqiptar për bashkim popujsh të “barabartë” në luftën kundër imperializmit.

Kjo qasje propagandistike ka lënë një trashëgimi të thellë dhe të ndërlikuar në mënyrën se si shqiptarët e Kosovës janë perceptuar në Shqipëri dhe në mënyrën se si ata kanë zhvilluar identitetin e tyre. Ndërkohë që sot përdorimi i termave si “kosovarët” është më pak i ngarkuar politikisht, ai ende reflekton ndarjen e krijuar gjatë periudhës komuniste. Regjimi i Hoxhës jo vetëm që e krijoi këtë ndarje për arsye taktike, por edhe e përforcoi atë përmes mjeteve të propagandës kulturore dhe ideologjike, duke e lënë pas një trashëgimi komplekse të një identiteti të veçantë “kosovar,” të ndarë nga identiteti kombëtar shqiptar.

Dokumenti për të cilin do të shkruhet në disa vazhdime e që bën fjalë për një propagandë socialiste për Kosovën, shihet se ëëështë një projekt kompleks dhe i mirëplanifikuar, që shërbente si një mjet për të përforcuar legjitimitetin e regjimit të Hoxhës, për të kontrolluar narrativën kombëtare dhe për të manovruar me kujdes brenda mjedisit të ndërlikuar politik të Ballkanit. Kjo propagandë na del si një pasqyrë e politikave të ndjekura nga regjimi, të cilat nuk ishin kurrë spontane apo të paplanifikuara, por gjithmonë pjesë e një strategjie të qëllimshme për mbrojtjen e interesave të pushtetit totalitar.

“Propaganda matematikore” që e madhëronte regjimin totalitar

Rëndësia e këtij dokumenti konsiston vetëm në katalogizimin e një sërë ngjarjesh e shkrimesh të publikuara në organe të ndryshme e që mund të shërbejnë për studiues të rinj. Për vitin 1979 vendoset që në kuadër të gazetës “Zëri i Popullit” të botohen 32 shkrime, gjegjësisht në çdo ditën e dhjetë të përkujtohet nga një ngjarje. Shumica e shkrimeve që do të botohen nuk dihet se prej nga merren dhe kush janë autorët e tyre. Në këtë organ planifikohen që gjatë këtij viti të botohen këta shkrime: Komiteti i “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” (formuar me 7 nëëntor 1918), “Kongresi i manastirit” (14-22 nëntor 1098), “Shqiptarët dhe beteja e Kosovës e vitit 1389), “Kryengritja antiosmane e Prizrenit 1839), “Kryengritja antiosmane e Kosovës dhe Malësisë së Veriut në fund t shekullit XVII”, “Kryengritja antiosmane e Kosovës e vitit 1844”, “Fillimi i luftës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë (tetor 1879)”, “Lëvizja për gjykatat shqiptare në Kosovë më 1879”, “Lidhja e Pejës”, 1899”, “Lidhja e Pejës në gazetën “Shqipëria” dhe në memorandumet e Shoqërisë Shqiptare të Bukureshtit”, Mbledhja popullore e Ferizajt më 1909”, “Kryengritja antiosmane e Kosovës 1910”, “Kryengritja antiosmane e Kosovës 1912”, “Lufta ballkanike dhe Shqipëria”, “Mbi vendimet antishqiptare imperialiste për copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëëve në Londër 1013”, “Bajram Curri dhe kontributi i popullit të Kosovës në Revolucionin e Qershorit 1924”, “Çlirimi i Tuzit” (2 dhjetor 1944), “Çlirimi i Podgoricës” (18 dhjetor 1944”, “Demonstrata antifashiste e Gjakovës e 8 dhe 28 nëntorit 1941” etj. Ndërkaq, në kuadër të përkujtimit të figurave historike të Lidhjes së Prizrenit dhe të figurave të tjera të shquara do të botohen 17 shkrime dhe, konkretisht, për këta figura: Ahmet Koronica, Ali Dervish Prishtina, Ali Ibra, Binak Alia, Col Delia, Iljaz Pashë Dibra, Jakup Feerri, Mic Sokoli, Sheh Mustafa Tetova, Sef Kosharja, Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, Zija Prishtina etj. Nga figurat e shquara do të botohen artikuj mbi Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, Shotë dhe Azem Galicën, Ali Kelmendin, Asim Vokshin, Xhevdet Dodën, Hajdar Dushin, Mustafa Bakiun, Emin Durakun, Sadik Stavilecin etj.

Në “Zërin e Popullit”, në fushën e letërsisë dhe kulturës “Plani tematik” parasheh të botohen lajme kulturore nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Pastaj, reportazhe mbi aktivitetin e shoqërive kulturore në Kosovë, Turqi dhe Kalabri, përshkrime letrare për qytetet dhe Muzetë e Kosovës, mbi bibliotekat e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, artikuj, siç thotë “Plani tematik”, “mbi unitetin historiko-kulturor, që të tregojmë se kemi luftuar bashkë, në një truall, me një gjuhë, se kemi të njëjtat tradita”, artikuj mbi letërsinë kosovare.    

Ndërkaq, ky “plan tematik” propagandën për Kosovën në gazetën “Puna” e ka paraparë përmes këtyre botimeve: “Memorandumi i Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e pesë vilajeteve (1878-1879)”, “Besëlidhja e Pejës dhe Haxhi Zeka (1897 dhe janar 1899), “Lufta për arsimin shqip dhe përpjekjet e Hasan Prishtinës (1909)”, “Kaçaniku, Cërnaleva dhe trimi legjendar Idriz Seferi (1910), “Kosova në luftën për pavarësimin e Atdheut 1912”, “Juniku – vendi ku lidhej vbesa shqiptare 1912”, “Vera e vitit 1919 në Kosovë”, “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe programi i përgjithshëm për veprimtarinë e kryengritjes 1919”, “Gratë kosovare në luftë për liri dhe pavarësi”, Gazeta “Populli” organ i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe roli i tij, “Klubi pansllavist i Beogradit dhe politika e tij për shkombëtarizimin e Kosovës etj. Gjithashtu planifikohen të botohen edhe shkrimet që do të ndriçojnë figurën patriotike të: Ymer Paçarizit, Emin Durakut, Hajdar Dushit, Xhevdet Dodës, Ibe Palikuqit etj, Kurse, në kuadër të rubrikës temat e ditës do të botohen shkrimet: “Çiftelia dhe këngët në odat kosovare”, “Tema e punës në poezinë e popullit”, “Përshkrime historike-gjeografike të “Fushës së Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Rugovës, Drenicës, Podujevës, Karadakut etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.