KULTURA NË KAZANI POLITIK SHQIPTAR

A e di kryeministri “historik” shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, se kohë më parë u publikua një Program vjetor për kulturë, i cili me gjasë do të ngelë më diskriminuesi për shqiptarët dhe, historikisht më i padebatueshmi nga vetë shqiptarët për këto tri dekada jetë pluralizmi?

Nga Avni HALIMI

Më vitin 2007, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, N. Gruevski, një javë pas shpalljes së Programit vjetor për kulturë, e shpalli “program të manipuluar” dhe, urdhëroi ribërje të tij! Mediat maqedonase nuk po mund të pajtoheshin që garnitura shqiptare që po drejtonte për herë të parë këtë ministri, Programin e paskëshin bërë sallatë, lakra-lakra, duke ndarë buxhet për projektet kulturore shqiptare më shumë se sa “Marrëveshja e Ohrit”, që për shqiptarët garantonte jo më shumë se 25 për qind! Atë vit, për herë të parë u vendos që nga buxheti i përgjithshëm për kulturë, për shqiptarët të ndahen 25përqind, ndërsa segmentet nacionaliste maqedonase këmbëngulnin që të ndahen 25 për qind nga buxheti i caktuar nëpër sektorë, kurse kishte shumë sektorë ku shqiptarët nuk mund të konkurronin apo ku nuk kishin asnjë projekt!

Ofendimi me “Program” i kulturës shqiptare

A e di kryeministri “historik” shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, se kohë më parë u publikua një Program vjetor për kulturë, i cili me gjasë do të ngelë më diskriminuesi për shqiptarët dhe, historikisht më i padebatueshmi nga vetë shqiptarët për këto tri dekada jetë pluralizmi? Thjesht, a e di kryeministri i parë “historik” shqiptar se inaugurimi i tij u përcoll me publikimin e Programit vjetor për kulturë që është tepër shumë ofendues për kulturën shqiptare!

Profesorët, intelektualët, krijuesit, kulturologët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut – të gjithë heshtën, nuk e thanë asnjë fjalë, as më të voglin shqetësim, ndërsa ka pasur syresh që kanë intervenuar dhe kanë shprehur shqetësim për (mos)kalimin e projekteve maqedonase nga “komisionarët” shqiptar! Të gjithë personalitetet akademike, të gjithë ata të thirrur e të vetëthirrur për të bërë art, letërsi e kulturë shqiptare në RMV – të gjithë “u shtangën” kur kuptuan se kjo ministri kishte ngelur pa zv./ministrin shqiptar! Të gjithë këta “poçarë” të kulturës, u mrekulluan kur kuptuan se sekretari shtetëror i kësaj ministrie qenka emërtuar drejtor i Qendrës kulturore maqedonase në Stamboll! Që të gjithë këta “akademikë”, profesorë, intelektualë, krijues, ranë në delir nga “kënaqësia kombëtare” sapo morën vesh se një shqiptari në Maqedoninë e Veriut do t’i pasurohet CV-ja me suksesin personal në uljen e kolltukut të kryeministrit jo të votuar, jo të zgjedhur, por të ujdisur, të cilin sukses madje e shitën si “sukses historik” të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!

U kuptua, të gjithë intelektualët, krijuesit e kulturologët shqiptarë të RMV-së qenë në ethe të pritjes se cili do të fitojë në duelin irracional në mes Taravarit dhe Selës, se cili do të dalë më vmro-istë e cili më lsdm-istë! I gjithë ky komunitet butakësh heshti dhe nuk “lejoi” të konfrontohen as me “pozitën” e as me “opozitën”, nuk “lejoi” të fëlliqet në asnjë tabor, sepse që të dy taborret ishin me llupë në dorë dhe, nëpër këta butakë, po kërkonin kandidat për “president të RMV-së”! Pse të kundërshtohet Programi vjetor për kulturë, pse të humbet shansi për të qenë i përzgjedhur për garën për president shteti! Pra, dalja me kaq vonesë e Programit vjetor për kulturë qe tempuar për këtë periudhë pikërisht pas analizimit maqedonas të kazanit politik e intelektual të shqiptarëve të mbushur me lloj-lloj interesash meskine e të dëmshme për kombin shqiptar! Heshtja makabre e shqiptarëve po e vërteton këtë sjellje të politikave nacionale maqedonase.

Tash e tutje do të kemi një Program për kulturë i cili do të shërbejë si model për vitet e ardhshme! Në të ardhshmen do të thonë: për kulturën shqiptare u nda po aq sa vitin e kaluar kur kjo ndarje ishte ideale për vetë ata! Për pasurimin e CV-ve personale të njerëzve, të cilët jashtë çadrave partiake do të dukeshin si pulat e lagura në shi, po flijohet një “strategji”, e cila, ndonëse jo institucionale, ndonëse jo si program kombëtar, megjithatë kishte krijuar një bazë të shëndoshë për avancimin kulturor të shqiptarëve në këtë shtet. Tash e tutje nuk do ta kemi, sepse edhe kulturë edhe kryeministër historik shqiptar, do të ishte shumë për shqiptarët!

Analfabetët funksional në kulturë

Një prej zërave të buxhetit vjetor të Ministrisë së Kulturës në RMV është zëri i investimeve kapitale, nga i cili shqiptarët “fitojnë” pothuajse zero për qind! Buxheti i këtij zëri shërben për rinovime, meremetime, por edhe për ndërtime të reja. Ministria e Kulturës ndërton strategji për investime kapitale, apo edhe i merr parasysh shumicën e kërkesave që vijnë nga qytetet dhe komunat e ndryshme të vendit, kryesisht për meremetim apo edhe për konzervim të objekteve të vjetra të shtëpive apo qendrave kulturore, për renovim të skenave, për shtim-aneks të objekteve ekzistuese, për ndreqje të kulmit, për ndërrim të dritareve, madje edhe për ndërtim të qendrave për kulturë. Natyrisht, ky zë i buxhetit del të jetë shumë më i madh se tërë buxheti për aktivitete kulturore.

Shqiptarët në Qeveri, shqiptarët në Parlament, shqiptarët në pushtet lokal; shqiptarët në pozita të larta në Ministrinë për Kulturë në RMV: me zëvendësministër e me sekretar shtetëror, me mbi 50 administratorë të punësuar nëpër sektorë e njësi të ndryshme! Asnjë reagim e asnjë shqetësim publik për këtë diskriminim kulturor të llojit të aparteidit! Apo ndoshta, në rastin konkret, kjo heshtje e shqiptarëve (në të gjitha nivelet) flet për analfabetizmin funksional në sferën e kulturës! A e dinë shqiptarët e Qeverisë, të Kuvendit, të pushtetit lokal, shqiptarët e Ministrisë së Kulturës, shqiptarët intelektualë e akademikë të institucioneve të ndryshme kulturore e arsimore se vetëm për sallën e re të Shtëpisë përkujtimore të ASNOM-it (KAÇPM) në Dellçevë, Ministria e Kulturës në fillim të këtij viti ndau 9.6 milionë denarë, buxhet ky gati sa ai i ndarë për botimet, artin pamor dhe për aktivitetet kulturore amatore të shqiptarëve të Maqedonisë! Tutje, po në fillim të këtij viti, ministrja e kulturës nënshkroi marrëveshje me kryetarin e Komunës së Vevçanit për ta përkrahur financiarisht Karnavalin kontravers të kësaj komune me 1.8 milionë denarë, ndërsa njërin prej festivaleve më të vjetër në Maqedoninë e Veriut, “Teatri Shqiptar në Maqedoni” që mbahet në Dibër, ku marrin pjesë dhjetëra trupa teatrale shqiptare, financohet me 3-400 mijë denarë!

Në fillim të vitit 2024, në Qeveri, ministrja për kulturë nënshkroi edhe marrëveshjen për Programin për shfrytëzimin e subvencioneve kapitale nëpër komuna, me qëllim për ta zhvilluar identitetin kulturor lokal. Subvencionet kapin shifrën mbi 50 milionë denarë! Dhe, për vitin 2024 nga kjo shumë do të përfitojnë 11 komuna maqedonase, si: Manastiri, Krusheva, Krivogashtani, Velesi, Çashka, Dojrani, Demir Kapia, Bogdanci, Mavrova dhe Rostusha, Dellçeva si dhe Çuçer Sandeva!

Sipas ministres, për këto dy vite të fundit, Ministria e Kulturës ka ndarë mbi 90 milionë denarë (mbi 1.5 milionë euro) edhe atë “për zhvillim të barabartë kulturor të vetëqeverisjes lokale”! Asnjë projekt apo iniciativë për themelimin e qendrave kulturore shqiptare nëpër komuna që drejtohen prej shqiptarëve: në Çair, në Haraçinë, në Saraj, në  Likovë, në Dollnen, në Bogovinë, në Tearcë, në Zhelinë, Vrapçisht, Studeniçan, në Zajaz etj. Qendrat kulturore i mbledhin të rinjtë, i nxjerrin në pah afinitetet dhe talentet kulturore në mesin e të rinjve, zhvillojnë identitetin e tyre kulturor, përgatisin kuadro për asociacione kulturore profesionale! Fundja, kjo dukuri nuk është se duhet t’i brengosë maqedonasit, qoftë si popull, qoftë si drejtues të institucioneve shtetërore. Kjo brengë duhet të jetë ekskluzivisht e shqiptarëve të cilët më me ëndje e kanë të mrizojnë nëpër dikastere qeveritare e nëpër funksione shtetërore se sa t’i ngrenë kulturalisht shqiptarët e Maqedonisë. Vetëm në këtë pozitë të mjerë, shqiptarët do të jenë në gjendje që të votojnë për analfabetët e tyre funksionalë në rrafshin kulturor, të cilët, do t’i rehatojnë nëpër pozita e funksione, ku në vend të identitetit kombëtar, prioritet i jepet identitetit shtetëror: këta janë funksionarët tanë maqedonas që nuk mund (nuk dinë dhe nuk duan!) të bëjnë asgjë për identitetin kulturor shqiptar!

Heshtja si “ves nacional” para diskriminimit

Sa jemi të sinqertë, fillimisht si institucione shtetërore e pastaj edhe si njerëz të kulturës, kur themi se ministria përkatëse, nisur nga Programi vjetor për kulturë, ka financuar projekte që janë me interes nacional! Nisur nga praktikat e deritanishme, katërçipërisht dëshmohet se ne as që e dimë se çfarë është interes nacional! As që kemi shprehur më të voglin reagim, qoftë si subjekt juridik e qoftë si subjekt fizik, apo edhe si pushtet lokal, kundër të gjithë atyre që manipulojnë me këtë nocion, por dhe kundër atyre që lejojnë tallje me interesin nacional!

Le të ndalemi vetëm te sektori i veprimtarisë teatrore, te kjo veprimtar që në botën e civilizuar konsiderohet si vlerë estetike që shpërfaq nivelin aristokrat të popullit! Për vitin 2024 Ministria e Kulturës na paskësh kaluar 53 projekte të institucioneve lokale, të subjekteve fizike si dhe 15 manifestime teatrore të institucioneve lokale dhe të subjekteve fizike. Gjithsesi, në Programin vjetor nga kjo veprimtari janë përfshirë edhe 25 institucione nacionale me gjithsej 64 projekte teatrore si dh 9 manifestime teatrore të institucioneve nacionale! Nga ky numër i projekteve del se në Maqedoninë e Veriut për vitin 2024 do të kemi 24 manifestime, që i bie në çdo dy javë nga një manifestim! Ose, 117 vepra dramatike, që i bie gati në çdo të tretën ditë nga një shfaqje!

Në shikim të parë, ky rezultat i Ministrisë për Kulturë është mjaft impresionues (!), serioz dhe sfidues në të mirë të interesit nacional! Por, sapo të hulumtohen shumat e ndara për këto projekte teatrore, sakaq do të vërehet se diçka nuk është në rregull! Në pah del amatorizmi, tallja, përçmimi i këtij “arti të aristokracisë”, loja jo e ndershme që bëhet me artistë, autorë, regjisorë dhe me të gjithë ata që angazhohen rreth përgatitjes së një shfaqje. Ndarja e buxhetit për secilën shfaqe apo manifestim sipas logjikës së kësaj ministrie, flet për një gjest qesharak që mund të manifestohet vetëm nga analfabetët funksional! Kjo flet se në këtë ministri nuk mbahet llogari për vlerën, nuk mbahet llogari për mundin autorial si të autorit ashtu edhe të regjisorit, nuk mbahet llogari për aktrimin, për ekipin që mundëson lojën teatrore. Mbase kanë shpikur ndonjë aparat llogaritës në të cilin e fusin projektin dhe vetë aparati ua nxjrrr se akcili projekt teatror duhet të financohet me, për shembull, 175.665 denarë, apo me 148.151 denarë, apo me 100. 276 denarë aq sa është vlerësuar manifestimi teatror i “K’tu fest” që mbahet në Strugën turistike! Në çdo shumë të ndarë, kemi edhe para të shkoqura deri në 1 denarë, 5 denarë, 4 denarë, 6 denarë etj! Dhe, me këtë “sinqeritet” ministrja disa herë u mburr për transparencën që paskan përdorur kësaj radhe! Ndarja e buxhetit në këtë formë, me këtë “makinë llogaritëse” jo që është qesharake, por është edhe ofenduese, poshtëruese dhe, mbi të gjitha, alarmante për botën e artistëve!

Për çfarë kujdesi për interesin nacional mund të flasim nëse një festival teatror shqiptar financohet me vetëm 100 mijë denarë dhe pjesa tjetër e shkoqur sa 3 red bulla! Cila shfaqje teatrore e subvencionuar me 83 mijë denarë paraqet angazhim për interesin nacional? Një ekip solid (shfaqja është art ekipor) që angazhohet minimum 60 ditë resht për ta realizuar një shfaqje që paguhet me 83.119 denarë?! Ministria për Kulturë këtë ekip e ka paguar vetëm nga 1.5 litër coca cola në ditë! Me lëmoshë nuk bëhet art, me lëmoshë nuk tregohet serioziteti i dikasterit shtetëror për kulturën për interesat nacionale.

Tjetër është problem më vete ndikimin partiak në subvencionimin e projekteve! Bartësit e projekteve që janë më afër pushtetit natyrisht që paguhen “më mirë”, ndërsa të tjerët trajtohen si pacienti me serum në prag të dhënies shpirt! Ndërsa habit pikërisht heshtja e këtyre “kultrologëve sizifianë”, të cilët, për çdo vit të lume e përjetojnë të njëjtin injorim institucional! Si është e mundur që “festivalet” e mbira si kërpudhat pas shiut të financohen me miliona denarë, kurse Festivali Teatror i Dibrës, i cili është ndër festivalet më të vjetra në Maqedoninë e Veriut, tash e mbi 20 vite vazhdimisht financohet me shumë qesharake! Në këtë Festival çdo vit marrin pjesë dhjetëra trupa teatrore shqiptare, ndërsa me buxhetin që ndanë ministria nuk mund t’u sigurohet pjesëmarrësve as nga një gotë ujë minerali! Këtë diskriminim të hapur e hesht drejtoria e Manifestimit, e hesht pushteti lokal, e hesht bota artistike shqiptare! Të gjithë heshtinm sepse u vije keq që t’ua prishin komoditetin pushtetarëve. Dhe, s’duhet të habitemi nëse kjo heshtje para diskriminimit të shndërrohet në ves nacional!

“Heshtje mortore” në muze

Këto ditë kryeministri i parë shqiptar në RMV, Talat Xhaferi, dhe ministrja për kulturë, Bisera Kostadinovska-Stojçvska, paskan dalë për një shëtitje propagandistike në zonë e Manastirit. Ministrja shënon se kishin vizituar dy muzetë më të rëndësishëm në këtë qytet: IN “Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeu” – Manastir, si dhe IN “Muzeu i Alfabetit Shqip” – Manastir! Pa dyshim, muzetë janë strehë e vlerave të padiskutueshme të lashtësisë, të periudhave e të ngjarjeve të ndryshme që i japin përmbajtje identitetit të çdo etnie. Është detyrë shtetërore e kombëtare përkujdesja ndaj muzeve, është obligim shtetëror e kombëtar respekti ndaj këtyre institucioneve!

Kryeministri i parë shqiptar i RMV-së mbase nuk e ka pasur pozitën shtetërore të përshtatshme për t’i vizituar muzetë, por ama e ka pasur pozitën shumë të rëndësishme për ta shprehur përkujdesin maksimal ndaj muzeve! Pa dyshim, nuk është hera e parë që e viziton Muzeun e Alfabetit Shqip në Manastir, porse është hera e parë që e viziton në cilësinë e kryeministrit, madje është hera e parë që e viziton së bashku me ministren për kulturë të RMV-së!

Dhe, për çfarë i vizituan këto dy Muze shumë të rëndësishme, si për maqedonasit ashtu edhe për mbarë shqiptarët (dhe jo vetëm për shqiptarët e RMV-së, siç shprehet ministrja)? Vetëm sa për t’u fotografuar e për të pasur pamje që do të flasin se këtu, në Maqedoninë e Veriut funksionon bashkëjetesa, sidomos ajo bashkëjetesë që diktohet nga koalicioni qeveritar LSDM-BDI! Ky ishte qëllimi i kësaj vizite propagandistike? Pa dyshim, kryeministri dhe ministrja e kulturës (sikundër të gjithë qytetarët e vendit) duhet t’i vizitojnë institucionet nacionale dhe në cilësinë e funksionarëve të lartë, duhet të japin ndonjë deklaratë, pse jo, shpresëdhënëse!

Çka tha kryeministri i parë shqiptar në RMV, Talat Xhaferi, kur hyri së bashku me ministren në Muzeun e Alfabetit Shqip? Si kryeministër, a pati ndonjë vërejtje, ndonjë premtim, ndonjë sugjerim, a shprehu ndonjë habi, ndonjë pakënaqësi kundër politikave nacionale maqedonase që këtë Muze ta nënçmojnë me dyqane brenda godinës së Muzeut? Ose, për shembull, a e dinte kryeministri i parë shqiptar i RMV-së se ministrja që e kishte në krah, për sivjet (2024) Muzeut të Alfabetit Shqip i kishte ndarë vetëm 400 mijë denarë për programin vjetor? Muzeu i një ngjarje më të rëndësishme për kombin shqiptar, nga buxheti i përgjithshëm i Programit Vjetor të Ministrisë për Kulturë të RMV-së, ka shkëputur pjesën “e kekut” që nuk kushton më shumë se 400 mijë denarë, ose 7 mijë e ca euro për aktivitet vjetor! Kurse Muzeut maqedonas në të njëjtin qytet ministria për vitin 2024 i ndau 1.940.000 denarë, apo rreth 330 mijë euro! Ministrja dhe kryeministri i parë shqiptar në RMV, do të thoshin që këta dy Muze nuk mund të krahasohen dhe se tjetër peshë ka ai i muzeut nacional maqedonas! Megjithatë, është një institucion tjetër, madje lokal, “Muzeu lokal-galeria” në Kavadar, të cilit i është ndarë buxhet gati dyfishi i atij që i është ndarë si buxhet vjetor për Institucionit Nacional “Muzeu i Alfabetit Shqip” në Manastir!

Kryeministri i parë shqiptar i RMV-së, nëse nuk do që të jetë “kryeministër teknik”, atëherë do të duhej që me këto të dhëna të shkelte në Manastir dhe publikisht t’ia tërhiqte vërejtjen ministres për kulturë për buxhetin diskriminues ndaj kulturës shqiptare, ashtu siç u tregua “trim” në zyrat e policisë në Tetovë, pas së cilës ngjarje, vizitoi muzetë në Manastir sa për të propaganduar “bashkim-vëllazërimin” që diskriminon kulturën shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.