KULTURA NË KOHË KRIZASH SI NË SHTETET E EJL-së

Vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar shënuan përmbysjen e sistemit socialist që për gjysmë shekulli kishte dominuar sidomos në disa shtete të Evropës (Evropës Juglindore), si dhe “kataklizëm kulturore” që u shfaq me këtë përmbysje e që, mjerisht, po vazhdon edhe sot e kësaj dite

Nga Avni HALIMI

Kultura, ndonëse segment kryesor i identitetit etnik e shtetëror, në kohë krizash ekonomike, politike e luftarake, gjithnjë mbetet si pjesë e fundit që do të trajtohet dhe që do të çlirohet nga pasojat e këtyre krizave. Kjo periudhë e trajtimit të kulturës pas krizave të përgjithshme shoqërore di të jetë e mjegullt, shumë e gjatë, e trishtë dhe traumatike për identitetin kulturor të shoqërisë.

Në periudhë krizash dhe në ato post-krizash “shpërthejnë” duke u shumuar hulumtues e analistë që merren me krizat politike dhe ekonomik, me ngjarjet luftarake dhe me implikimet sociale, ndërsa kolapsin kulturor, përmbytjen dhe nëpërkëmbjen e vlerave nuk e vëren askush!

Nevoja për transformimin kulturor apo për ruajtjen e vlerave kulturore nga periudha paraprake, ngelë një kronikë e pambarim, një punë që do përfshirje të gjerë e të thellë të ekspertëve të ndryshëm “neutralë”!

Shtetet Baltike (Lituania, Estonia, Letonia), Gjermania Lindore, Çekia, Sllovakia dhe Polonia procesin e transformimit kulturor e patën më të lehtë, sepse nuk lejuan që të dëmtohen vlerat kulturore nacionale, por që u angazhuan pa hezitim në harmonizimin dhe identifikimin e sistemit të vlerave kulturore nacionale me ato të rajonit evropian perëndimor. Jo vetëm që ishte evident angazhimi nacional, por nuk munguan as rihartimet e strategjive kulturore të shteteve evropiane, të cilat i përfshinë në vlera perëndimore të gjitha ato kultura të këtyre shteteve që u përfshinë në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Prej shteteve të tjera post-komuniste, të cilët do të përkufizohen si shtete të Evropës Juglindore, më së lehti kaloi dhe u shkëput Sllovenia. Duke e tejkaluar lehtësisht modelin kulturor socialist, ajo përqafoi sistemin modern kulturor si dhe sistemin e vlerave perëndimore.

Kroacia, përgjatë transformimit politik duke u angazhuar për ruajtjen e kornizën institucionale, këmbënguli që në mënyrë radikale ta ndryshojë tërë atë koncept të vlerave ideologjike. Këtë angazhim Kroacia e pagoi me një luftë katastrofale, e cila do ta rëndojë dhe ngadalësojë radiusin e veprimit kulturo-politik.

Rumunia dhe Bullgaria, ndonëse transformimin e kaluan pa luftëra dhe pa trazira shoqërore të theksuara, ndonëse patën përkrahje logjistike e financiare nga Evropa, megjithatë iu deshtë më se një dekadë që sistemi i tyre kulturor të rikonstruohet dhe të shënojë hapat e para drejt sistemit të vlerave kulturore perëndimore.

Serbia dhe Mali i Zi, duke pretenduar se janë vazhdimësi e një shteti që po shkatërrohej (ish-Jugosllavia), të dy republikat këmbëngulnin në ruajtjen dhe vazhdimësinë e asaj fryme politike, shoqërore e kulturore të një kreature që ishte nën inercinë e shpërbërjes totale. Nga ana tjetër, duke e synuar epitetin e trashëgimtarëve politikë, në të dy shtetet do të instalohet një regjim i rëndë autoritar, i cili do ta provokojë edhe themelimin e sistemit paralel institucional – shtetëror dhe opozitar. Opozita do të mësyjë themelimin e institucioneve paralele kulturore, për të cilët do të hasë në përkrahje të fuqishme nga fondacione të shumta perëndimore, ndërsa pushteti do të mundohet ta ruajë vazhdimësinë kulturore institucionale, duke ia shtuar karakterin populist me qëllim që shoqërisë opozitare t’i ngulfasë sa më shumë vlerat kulturore pro-perëndimore.

Bosnja dhe Hercegovina pas një lufte të ashpër e shkatërrimtare do të përjetojë edhe një destruktivitet përgjatë ngritjes së institucioneve shtetërore përmes një protektorati klasik. Ky destruktivitet edhe sot e kësaj dite ka penguar hedhjen e hapave drejt ngritjes së sistemit të ri kulturor të përbashkët. Shoqëria e ndarë në tri etnitete, edhe më tej e ka të pamundur përcaktimin për një identitet kulturor për shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Maqedonia, duke u angazhuar me xhelozi në ruajtjen e vlerave të sistemit të kaluar, do të propagojë ndërkombëtarisht edhe një kinse angazhim të shqiptarëve të këtushëm për “institucione paralele” arsimore e kulturore. Prezencën e ndërkombëtarëve do ta shfrytëzojë për ta bindur popullatën maqedonase që të antishqiptarizohet sa më shumë dhe të mos ketë frikë për ndonjë konflikt eventual ndëretnik. Kjo politikë, sa nacionaliste aq edhe shoviniste, edhe më tej mbjell frikë se themelimi i institucioneve kulturore shqiptare praktikisht do ta “federalizojë” Maqedoninë e Veriut dhe, përmes këtyre qëndrimeve zyrtare, në fakt edhe më tej mbahet një krizë latente. Politikanët maqedonas tashmë e kanë ngritur në strategji nacionale faktin që për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të ketë asgjë më tepër se sa përfshirja e tyre në Qeveri. Pjesëmarrja e shqiptarëve në shtetndërtim dhe në drejtim të organeve shtetërore i obligon ata që para faktorit ndërkombëtar të shfaqen maksimalisht si lojalistë dhe të kënaqur e të përmbushur politikisht. Kërkesat e shqiptarëve për zhvillim të “jetës paralele” institucionale hidhërojnë dhe dëmtojnë maqedonasit! Kjo frikë në “zhvillimin paralel” universitar nuk ekziston më, por akoma mbahet e fuqishme në zhvillimin institucional, kulturor të shqiptarëve të këtushëm. Prandaj, bashkëjetesa në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve është kaq e brishtë dhe për pasojë kemi dëshirat transparente maqedonase “vetëm shqiptari i vdekur është i mirë”, “vdekje shqiptarëve”, “dhomë gazi për shqiptarët” etj.

Kosova ishte në një situatë shumë të vështirë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Shqiptarët e Kosovës i njihnin shumë mirë vlerat kulturore evropiane, i njihnin edhe vlerat kulturore të popujve të tjerë të rajonit, por, nga ana tjetër, për ta përforcuar identitetin kulturor, edhe më tej po vazhdonte të ndikohej nga sistemi i vlerave kulturore soc-realiste të Shtetit Amë, bartës të të cilave ishin personalitete të mëdha, por edhe institucione të rëndësishme artistike. Uzurpimi i institucioneve nacionale nga kolonialistët serbe, ndikoi në zhvillimin e një sistemi paralel duke themeluar “institucione të pavarura” kombëtare. Jo vetëm arsimi, por në mënyrë paralele u zhvillua edhe jeta kulturore, duke u themeluar teatro e produksione paralele që mbaheshin nga shqiptarët dhe nga donatorë të ndryshëm perëndimore. Në këtë periudhë, në emër të “jetës paralele”, filloi edhe shtrirja e kiçit, e shundit, e tallavasë, e disa kulturave të diskutueshme dhe që nuk kishin kurrfarë pikëtakimi me identitetin kulturor shqiptar. Kjo shtrirje e dyshimtë, ndonëse përkrahej dhe sponsorizohej institucionalisht nga kolonialistët serbë, nuk ia doli që të futet si pykë dhe ta çajë në dysh trungun e identitetit kulturor shqiptar, e as të krijojë identitete të reja brenda etnisë shqiptare.

Edhe Shqipëria e pati shumë të rëndë transformimin e gjithmbarshëm të sistemit shoqëror. Hapja pas një izolimi total gjysmëshekullor, i cili kishte shkaktuar një varfëri të rëndë shoqërore, bëri që transformimi të zhvillohej në dy segmente: në atë ekonomik dhe social. Segmentet e tjera, përfshirë këtu edhe segmentin kulturor, përjetuan një degradim dhe një stagnim, një mospërfillje shtetërore. Për pasojë, vetëm në sferën e trashëgimisë kulturore institucionet nacionale u varfëruan për shumë objekte të rëndësisë së veçantë kulturore, për shumë relikte e objekte arkeologjike, për shumë ikona e vepra të ndryshme artistike që u vodhën, ju shkatërruan, u tëhuajësuan e u shitën jashtë. Ndaluan shumë manifestime e festivale, të rejat që u krijuan më tepër ishin angazhime individuale se sa institucionale. Strategjitë nacionale për zhvillim kulturor më tepër ishin partiake se sa shtetërore e kombëtare. Politikat kulturore nuk po vëreheshin askund! Trazirat puçiste të vitit 1997 gjithçka sollën në zgrip të ekzistencës. Shteti u rilind porse assesi t’i gjejë fillet e një strategjie kombëtare për zhvillim institucional kulturor.

Pa dyshim, politikat kulturore nuk i mungonin vetëm shtetit shqiptar, porse ato nuk shiheshin në asnjë shtet të rajonit, përjashto këtu ato politika kulturore që zhvilloheshin nga individë, shoqata e asociacione të pavarura kulturore.

Kjo situatë do të nis të ndryshojë sidomos pas vitit 2000, kur do të fillojë një bashkëpunim më i ngjeshur kulturor në mes të shteteve të EJL-së. Ky bashkëpunim nuk do të ndodhë si interesim shtetëror për nisma bilaterale kulturore porse do të ndjehet nga shtytjet e jashtme, nga Këshilli i Evropës, nga Unioni Evropian, nga Kombet e Bashkuara (UNESKO), nga SHBA dhe nga fondacionet dhe fondet institucionale të shteteve të ndryshme evropiane. U krijuan programe te reja, skema dhe platforma, si Pakti i Stabilitetit, të cilat kërkonin organizime të përbashkëta rajonale, por dhe rrjetëzime të asociacioneve dhe institucioneve kulturore dhe jo vetëm!

Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe shumë organizata dhe fondacione, si për shembull, rrjeti i Fondacionit Soros, Pro Helvetia, Kontakti Kulturor, Fondacioni Kulturor i Evropës që zhvillon platforma në të cilën përkrahen iniciativa të ndryshme në shtetet e Evropës Juglindore.

Ndarja e re e shteteve në tranzicion të EJL-së, në Ballkanin Lindor (Bullgaria, Rumania, Moldavia) si dhe në Ballkanin Perëndimor (shtetet e dala nga ish-Jugosllavia) me Shqipërinë (por pa Slloveninë), edhe pse shkaktoi më shumë probleme se sa që i zgjidhi ato, megjithatë solli deri te një konstatim: stabilizimi i rajonit nuk është i mundshëm përderisa shtetet e dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë nuk do të krijojnë marrëdhënie të ndërsjellë, bazuar në bashkëpunim të barabartë si dhe në bashkëpunim që mbështetet në interes, sidomos në sferën e kulturës dhe artit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.