KUR PIRATËT E BOTIMEVE BËJNË KËRDINË!

Ndërsa botuesit piratë vazhdojnë të qetë punën e tyre të pistë, duke numëruar fitimet, botuesit seriozë përballen me rrezikun e falimentimit

Agim BAJRAMI

Në një nga panairet lokalë të librit, diku në Kosovë, një nga botuesit më të njohur në Shqipëri, në bisedë e sipër, na njohu me një nga shqetësimet e shumta, me të cilën përballet ai dhe shumë shtëpi botuese këtej dhe andej kufirit tonë shtetëror, botimet pirate. Gjatë një vizite rutinë që botuesi në fjalë kishte bërë në disa nga libraritë e Prizrenit, kishte konstatuar jo pa dëshpërim se disa nga veprat e shkrimtarit tonë më të njohur I. K. (ekskluzivitetin e veprave të të cilit e gëzon vetëm ai), ishin kopjuar në mënyrën më të keqe dhe hedhur në treg pa pikë përgjegjësie nga pronarët e një shtypshkronje aty rrotull, pa bërë asnjë marrëveshje ose kontratë me të. Ishte një konstatim që nuk mund të kalonte pa debat, pasi një veprim i tillë prekte jo vetëm botuesin në fjalë, por edhe prestigjin e veprave të shkrimtarit të shquar. Vijimi i historisë më pas i ngjan një labirinti, ku hyn dhe s’e gjen më udhën e kthimit. Meqë me njerëz të tillë nuk mund ta gjesh fjalën asnjëherë, dhe në mungesë të një zgjidhje tjetër, botuesi iu drejtua organeve përkatëse të drejtësisë. Bëri kallëzimin e duhur dhe priti muaj të terë. Logjika na e do se përballë një fenomeni të tillë organet e drejtësisë do të vënin në lëvizje reagimin, por për fat të keq edhe aty u ndesh me indiferencë skandaloze. Është e qartë se me krizën dhe korrupsionin që i karakterizon institucionet tona të drejtësisë, nuk mund të presësh ndonjë gjë të madhe prej tyre, por jo gjer në këtë nivel papërgjegjshmërie.

Është afërmendsh, ata që mbyllin sytë përballë shkeljeve flagrante me ligjin dhe abuzimeve skandaloze me tenderë korruptive dhe milionave të vjedhur, nuk mund të shqetësohen dhe të vihen në lëvizje për “çështje kaq të parëndësishme” për ta ,siç është kjo e abuzimit me të drejtat e autorit. Duke u njohur me shembujt e panumërt të abuzimeve që kanë ndodhur dhe vijojnë të ndodhin në këtë fushë, s’është e vështirë të krijojmë një ide se në çfarë gjendje është katandisur kjo e drejtë e tyre në vendin tonë. Është kjo frymë tolerance dhe indiference e paprecedent, që fenomeni i piraterisë së botimeve të jetë në ditët e tij më të mira, duke sfiduar me këmbëngulje ligjin dhe drejtësinë. Ndërsa botuesit piratë vazhdojnë të qetë punën e tyre të pistë, duke numëruar fitimet, botuesit seriozë përballen me rrezikun e falimentimit. Dihet që individët e botimeve pirate si tregtarë të pandershëm dhe matrapazë janë njerëz qe nuk kanë asnjë lidhje me librin, përveç tregtisë së pandershme me të, karakterizohen nga fudullëku dhe papërgjegjshmëria. Janë tipa të tillë që nuk mund ta konceptojnë dëmin dhe krimin që bëjnë ndaj letërsisë dhe seriozitetit të botimeve, ndaj nuk e kanë për gjë ta vendosin në të njëjtën peshore librin me specat dhe turshitë. Më tepër se kaq, ata ecin me parimin famëkeq k.ç.k dhe s’ua ndjen fare për dispozita dhe për zbatime ligjesh. Rasti që me tregoi botuesi i njohur dhe shumë raste të tjerë, janë tregues se në çfarë klimë aspak të ndershme vazhdojnë të përpëliten autorët e njohur dhe botuesit e tyre. Ka vite e vite që makineritë pirate të abuzimit vazhdojnë të botojnë pa asnjë lloj ngurrimi male të tërë veprash dhe botimesh të autorëve tanë dhe të huaj, pa ju hyrë gjemb në këmbë. Nga njohuritë që kemi mund të konstatojmë se vetëm në Tiranë dhe në rrethet e mëdha ushtrojnë aktivitetin e tyre të dyshimtë mbi dyqind e ca shtëpi botuese dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre është e licencuar dhe punon brenda rregullave dhe dispozitave të përcaktuar me ligj, të tjerat vazhdojnë të mbrohen nga “Maliqi dhe të shijnë në lëmë”,

Gjithkush që ndeshet me këtë realitet, ka të drejtë të pyes vetveten apo organet ligj-zbatuese. Përse jemi katandisur në këtë gjendje? A ekzistojnë te ne një politika botimesh dhe ligje për mbrojtjen e të drejtave të autorit? Natyrisht që po. Si në gjithë vendet rreth nesh edhe këtu, për rregullimin e marrëdhënieve mes autorit dhe botuesve, ekzistojnë një sërë dispozitash dhe direktivash, njëra më e fortë se tjetra, shoqëruar nga një batalion me juristë, ekspertë dhe rrogëtarë të çdo lloji. Që në hyrje të këtij legjislacioni njihesh me direktivën 2006/116/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 12 dhjetor 2006, si dhe direktivën tjetër 2001 /29 /KE, po të Parlamentit Evropian mbi harmonizimin e disa aspekteve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me shoqërinë e informacionit, të cilat e vendosin mbi baza të forta ligjore mbrojtjen e këtyre të drejtave nga abuzimet e kësaj natyre. Neni tre i këtij ligji shkruan, e zezë mbi të bardhë, se: Të drejtat e autorit i përkasin nga natyra personit fizik, i cili ka krijuar veprën. Zyra e mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe gjithë stafi i saj, e di fort mirë se:

Të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to, mund të kufizohen kundër vullnetit të mbajtësit të tyre vetëm në kushtet dhe në mënyrat e rregulluar me ligj. Gjithashtu në nenin 27 të këtij ligji, që bën fjalë për të drejtën e përdorimit dhe shpërndarjes së veprës, shkruhet qartë se kjo e drejtë është ekskluzivitet vetëm i autorit dhe i përket vetëm atij, për të autorizuar ose ndaluar vënien në mënyrë të ligjshme në dispozicion të publikut origjinalet ose kopjet e veprës dhe të drejtave të tjera, të lidhura me të. Në rast të kundërt, për shkelësit parashikohen një draft masash dhe dënimesh të rrepta ( gjer në heqje të licencës). Ligjet janë për t’u pirë në kupë, por në vendin tonë ku Maliqi është më i fortë se ligji, ndëshkimet ndaj elementeve të tille abuzues vazhdojnë të jenë akoma me pikatore. Deri më sot pak ose aspak herë kemi dëgjuar të dënohet apo të bëhet shembull dikush për këtë punë. Edhe përkundër protestave të vazhdueshme të botuesve, si rasti në fjalë, dhe hartimit me bujë e zhurmë i strategjive antipirateri, dukuria e piraterisë vazhdon të bëjë të vetën. Në këtë situatë kaq të vështirë, ku të gjithë ia lënë fajet njëri tjetrit, vendosja e rregullave të caktuar për këtë çështje, po bëhet një mision gjithnjë e më i vështirë dhe një dhimbje koke e vazhdueshme e botuesve. Nëse do të bënim një sondazh sipërfaqësor në listat e abuzimeve dhe shënjèstrave të piraterisë, do të konstatonim se një sërë autorësh të letërsisë latino -amerikane dhe veprat e Kadaresë zënë ballin e oxhakut dhe shërbejnë si shpella Sezami për botuesit piratë. Ai që guxon fiton, do të më pohonte para ca kohësh si pa të keq një botues i tillë. Dikur, ai kishte vetëm një shtypshkronjë të vogël, të licencuar vetëm për përgatitjen e mjeteve kancelarike, si ftesa dasmash, reklama restorantesh dhe biznesesh të ndryshme, por duke parë se ç’bënin të tjerët, ia nisi dhe ai. Iu vu botimeve të librave me aventura për fëmijë, dhe ia pa goxha hajrin kësaj pune. Përfundimi: Nga një shtypshkronje e vogël diku në një qoshe të kryeqytetit, sot është bërë me goxha para dhe makineri nga më modernet. Fatkeqësisht në situata të tilla, të paudhët shtohen, ndërsa botuesit e ndershëm që besojnë te ligji dhe shteti, mbeten gjithmonë në pritje të “Godosë”.

Është e qartë se kjo klimë mbytëse dhe kjo lojë pa rregulla nuk dëmton rëndë vetëm librin dhe autorin, por e shton edhe më shumë rrëmujën dhe konfuzionin në tregun e brishte te botimeve tona Si mund të dilet nga kjo gjendje Përgjigja është e qartë, Kur prokuroria dhe zyra e mbrojtjes së të drejtave të autorit që paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë të zgjohen nga dremitja (edhe pse një mëndje më thotë se mund të jenë bërë palë me piratët) dhe t’i dalin autorëve dhe botuesve në krah. Në të kundërt, shpresat për ta vënë mbi shina të shëndosha ligjin e mbrojtjes së të drejtave të autorit, do të mbeten thjesht iluzione. Botuesit që të vetme armë mbrojtje kanë fjalën dhe ligjin, përballjen dhe sherrin me njerëz të tillë e kanë të vështirë. Në kushte të tilla, i përket Shoqatës së Botuesve të tregohen më aktivë dhe më të rreptë përballë kësaj piraterie, duke mbledhur të gjitha energjitë dhe konsumuar të gjithë të drejtat që iu njeh ligji, sepse në fund të fundit funksioni i saj nuk është vetëm organizimi i panaireve dhe dhënia e çmimeve të kësaj ngjarje autorëve të tyre. Tashmë kur në industrinë e botimeve të jashtëligjshme deti është bërë kos dhe se merr vesh qeni të zotin, zgjimi i saj duhet të jetë një emergjencë. Në të kundërt, braktisja e autorëve dhe botuesve të tyre në mëshirë të fatit si deri më tash, do të ishte me pasoja të pariparueshme. Shembujt praktikë se si vendet fqinjë me ne aplikojnë mbrojtjen e të drejtave të autorëve të tyre, nëpërmjet një legjislacioni dhe një sërë mekanizmash funksionalë, janë të njohur për të gjithë dhe mund të na hynin në punë, por kur mungon vullneti i duhur dhe në krye të këtyre institucioneve vendosen militantë partiakë dhe jo profesionistë, kjo odise fatkeqësisht do të vazhdojë edhe më tej.

Leave a Reply

Your email address will not be published.