KUSH I DËNON ME HESHTJE POETËT QË NA BËJNË NDER?

Nuk e kuptoj praninë e Ernest Koliqit, i cili nuk njihet si poet, qoftë dhe të Kasem Trebeshinës, pavarësisht se ka shkruar poezi, ata majat i kanë tjetërkund, kur harrohen poetë të mirëfilltë: si bohemi Pano Taçi, Jorgo Bllaci, Zydi Morava apo Uran Kostrecin?!

Fatbardh AMURSI

Pas antologjisë moderne shqipe të poetit Rudolf Marku “Veshun me diell mbathun me hënë”, që trazoi median, botohet në Rumani një e dytë me titull “Antologia Poeziei Albaneze” (Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla deri më sot) në gjuhën rumune me autorë studjuesit bashkëshortë Luan Topçiu “a brilliant literary critic” dhe Renata Topçiu-Melonashi, ku po duken përshëndetjet e para. “Antologjia moderne shqipe” e autorit me banim në Londër ka të deklaruar një kriter të veçantë: atë modern, novatorë, allafranga, i cili nuk u mor parasysh si specifikë e hartimit të antologjisë. Kjo është arsyeja që tek Rudolfi nuk përfshihen bejtexhinjtë, të cilët në antologjinë e dytë janë të pranishëm. I gjithë stihia ndaj tij pati një të përbashkët: mungesën e gjithëpërfshirjes në rrafshin territorial, kryesisht mungesa e autorëve kosovarë, tetovarë, ulqinakë, etj. Duke respektuar kriterin modern të antologjisë së tij, personalisht isha për një përfshirje më të gjerë autorësh, që e plotësonin këtë kriter, kështu bëhej një mbulim më i mirë i hapësirës shqiptare, ndaj botova dhe shkrime për të munguarin: Vehbi Skënderi, Anton Ndoc Papleka, Niko Kacalidha, etj., të cilët i shoh të përfshirë në antologjinë e dytë, bashkë me Skënder Mehmet Buçpapajn.

Nëse unë do të hartoja një antologji nga zanafilla deri në vitet 1950, kur u instalua Realizmi Socialist, a do të funksiononte kriteri i gjithëpërfshirje duke pasur për bazë territorin? Nga Pjetër Budi deri tek Lasgush Poradeci, Fishat, Noli, Ndre Mjeda, gjithë të tjerët ishin në mërgim, si: Naimi, De Rada, Noli shto dhe Martin Camajn, Ernest Koliqin, Bilal Xhaferrin më vonë, deri tek Kadare në Paris. Në këtë antologji nga zanafilla deri në vitet 50, do mungonin poetë nga trevat e tjera shqiptare, për arsyen e thjeshtë se s`ka. Për t`i rënë shkurt, kriteri territorial nuk funksionon për arsye historike. Në kohën e “luftës së ftohtë”, të ndarjes ideologjike të botës, të kufijve, përsëri territoret nuk ishin përbashkues. Me rënien e Murit të Berlinit, gjithpërfshirja nuk përputhej me territoret shtetërore. (Një i huaj vesh fanellën tënde kombëtare dhe medaljet i njihen Shqipërisë.)

Antologjia e Bukureshtit pretendon se ka në fokus poezinë shqipe të shkruar në pesë shekujsh me një hartë gjeografike shumë të gjerë, duke lënë të kuptohet se janë marr parasysh të gjitha vërejtjet në adresë të antologjisë së parë, ku autori u akuzua, po e themi më butë: për mungesë patriotizmi. Ajo që unë vërej me trishtim është se, antologjia e dytë, ka zgjeruar hartën territoriale të pas viteve `90-të, duke zbrazurterritore poetike të përfaqësimit, deri në “spastrime” autorësh të njohur. Për ta thënë figurativisht: përmendet Fushë-Kosova dhe zhduket nga harta poetike Fusha e Myzeqesë, e cila njihet si një trevë poetësh, si: Faslli Haliti, Izet Shehu, Gëzim Hajdari, Gazmend Kapllani, Sherif Bali, Bujar Xhaferri, Elmaz Qerreti, Shpend Sollaku Noe, Ilir Levonja, at e bir Radi, Lindita Arapi, Miltiadh Davidhi, Kujtim Hajdari, Valter Dauti, etj, shto dhe poetë të Fierit: Maku Pone, Majlinda Rama, Petraq Kote, etj., qyteti që jep dhe çmime, sikurse e mori së fundi Skënder Buçpapaj, pra, e gjithë kjo trevë s`ka asnjë poet të përfaqësuar në antologjinë në gjuhën rumune. Do më thonë se është V. Zhiti, “Qytetar Nderi” i Lushnjes, i cili poetët lushnjarë i ka quajtur “tufëzime të partisë”. Të këtij mendimi me sa duket janë dhe autorët e antologjisë. Në antologjinë e R. Markut Lushnja ishte më e përfaqësuar se të gjithë trevat e tjera. (Prof. Klara Kodra, mbështetësja më e flaktë e poetit Marku ndaj sulmet të kolegëve të saj akademikë, profesorë, doktorë shkencash, a do ta ndjejë mungesën e mikut të saj të vjetër në antologji, sikurse shkruan në elegjinë kushtuar atij: “Dikur t`i më qortoje/Kur vonohesha në takim./Tani e ke radhën ti/ Të vonohesh në amshim./Po unë s`do të qortoj dot/Të kërkoj në hapësirë/ Në qiell, në tokë, Faslli.” Ta lëmë Myzeqenë dhe të kapërcejmë oqeanin, të shohim diasporën me aktive në fushën e letrave, si ajo e Amerikës dhe e Kanadasë, aktualisht nuk i përfaqëson askush. Do më thonë përsëri: i përfaqëson V. Zhiti. Poetit i uroj suksese, por, a është normale kjo për një “kritik brilant të letërsisë”, sikurse është Luan Topçiu? Në romanin “Krishti personal” Roland Gjoza shkruan: “Në Amerikë kam botuar pesë romane. Po nga atdheu mbajnë heshtje, si një lloj zie. Ne andej matanë quhemi të ikur, të harruar…Në Shqipëri kam botuar rreth 20 libra, po asnjë rresht nuk është shkruar për to. Unë jam shkrimtar i heshtjes. Kjo më ka bërë mirë, po më ka privuar nga kënaqësitë. S’më ka ecur.” Në antologjinë e Rudolfit R. Gjoza ishte, tani hiqet. Kurjoz të dija arsyen. Kush i dënon me heshtje poetët, që na bëjnë nder? Nuk njoh në diasporën e Amerikës, një tjetër të jetë më i suksesshëm nga Gjekë Martinaj, i cili ishte në antologjinë e Rudolfit, i cili është vlerësuar më shumë çmime në ballafaqimet poetike në botë, sikurse lexojmë dhe i nominuar për Nobel. Si mund të harrohet një poete si Reshida Çobo, lëvruesja e suksesshme e haikut, e vlerësuar dhe në atdheun e Haikut në Japoni, e cila po punon për një antologji me autorë shqiptarë që lëvrojnë haikun. Mund të vazhdoja dhe me emra të tjerë, por është dhe radha e të tjerëve të flasin, qoftë duke mos rënë dakord me mua.

Të vazhdoj më tej me territoret e zbrazta? Në Durrës, shto Kavajën dhe Rrogozhinën e Xhelal Toskut, përmendet vetëm Arian Leka, të cilin personalisht e çmoj, por a mund t`i hiqet viza Moikom Zeqos, Petraq Ristos dhe një poet aq të pëlqyer si Agim Bajrami? (Moikomin e kujtonin se ishte akademik, të tjerë janë bërë. Edhe Rama ia kurseu fjalën e mirë, në përvjetorin e PS-ës, duke përmendur vetëm Driteron në atë përballjen e madhe për t`i ndryshuar emrin PPSH-ës. Qahen nga Plenumi IV ata që s`pësuan asgjë, ndërsa të goditurit, si Moikom Zeqo, Thanas Dino, Faslli Haliti, Viktor Qurku, etj., u takon të jenë në çdo antologji dhe jo t`u hiqet viza, si të shlyejnë ndonjë amanet të demonëve të dikurshëm.) Shkojmë në Kukës. Askush. S`përmendet as Havzi Nelaj dhe as ai që harrohet gjithmonë, Agim Spahiu, që, nëse lexoni një shkrim të Luljeta Lleshanakut për të, kuptoni dhe arsyen pse e menjanojnë. “Asnjë gazetë apo revistë letrare, asnjë shtëpi botuese s`ia hapi derën, asnjë institucion ku si atëherë dhe sot profesionistë mediokër mbushnin dhe mbushin fletët e tyre. Miqtë luanin me besimin e tij.” Tani luajnë veçse me kujtimin e tij.

Nuk e kuptoj praninë e Ernest Koliqit, i cili nuk njihet si poet, qoftë dhe të Kasem Trebeshinës, pavarësisht se ka shkruar poezi, ata majat i kanë tjetërkund, kur harrohen poetë të mirëfilltë: si bohemi Pano Taçi, Jorgo Bllaci, Zydi Morava apo Uran Kostrecin?! (Në Gjakovë jepet çmimi “Hamit Alija”, ndërsa në antologjira nuk e plotsoka kushtin për të qenë një nga ata. Si mund të harrohet Demir Gjergji, i cili u ka recituar poezitë sa e sa kolegëve?! Po kështu Dhori Qiriazi, Sadik Bejko, Sulejman Mato,Teodor Keko. Do të nderonte çdo antologji një poet lirikë si Sokrat Habilaj! Nuk di pse nuk përfshihet në antologjitë poetik Nënë Tereza, poezitë e së cilës njihen në të gjithë botën? Më është krijuar përshtypja se më shumë se sa për të nderuar, tërhiqemi nga mania për të lënduar. “Njerëzit gjejnë mënyra të reja për t`i shtypur të tjerët, mënyra të reja për t`i zhbërë arritjet më të mira të të tjerëve.”-do thoshte në këtë rast Salman Ruzhdie.

Më tërhoqi vëmendje një sqarim i Zyrës së shtypit ALAR, ku thuhej: “Si çdo lloj përpjekje e tillë në botë ka njëfarë koeficienti “subjektiviteti”, parapëlqimesh për një autorë apo tjetrin.” Flitet për imazhin e gabimit, duke lënë të kuptohet se mungesat apo gabimet janë të falshme. (Sipas ekspertëve, që të rrëzohet një avion duhet të ndodhin 7 gabime njerëzore të njëpasnjëshme. Mos vallë Rudolfi i kishte plotësuar të shtata? Thua se artit i kishte ndodhur një gjëmë.) Mos i merrni fjalët e mija për kapital, por dhe “lekë xherri” apo “pare e kuqe” nuk kanë për të qenë kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.