LASGUSH PORADECI

Fusha kryesore e veprimtarisë së poetit në periudhën socialiste ishte përkthimi letrar, ai liman i sigurt për heretikët letrarë

Robert ELSIE

Lasgush Poradeci (1899 – 1987) shikohet nga disa kritikë si poeti më i madh shqiptar i shekullit njëzet. Megjithatë është mjaft e vështirë ta caktojmë pozitën e tij në letërsinë shqiptare. Poradeci nuk kishte shumë gjëra të përbashkëta me shkrimtarë të tjerë të kohës: me Asdrenin, Fan Nolin, Migjenin. Lasgushi i solli letërsisë shqiptare një diçka të rrallë: një misticizëm panteist i cili krijoi një urë midis gjendjeve shpirtërore të ekzistencës tokësore dhe burimeve qiellore të energjisë krijuese.

Lasgush Poradeci ishte një prodhim eklektik i kohës dhe një paradoks në letërsinë e Evropës Juglindore. Rexhep Qosja shprehet kështu: “Lasgush Poradeci ndien si romantik, mendon si klasicist, asht i vetmuem dhe hermetizuem shpirtnisht si simbolist dhe i kujdesshëm e fanatik ndaj formës si parnasist.” Me ngritjen e stalininzmit në Shqipëri, penda e shquar e Lasgushit filloi të shteret. Edhe pse u lavdërua fshehtazi nga shumë kritikë, ky estet romantik kurrë nuk gezoi aprovimin e dogmatistëve marksistë. Ata nuk e kuptuan veprën e tij. Poeti vetë tha: “Më mirë ta thyej lapsin se sa të shkruaj si duan ata.”

Temat kryesore te poezisë së Lasgushit janë të njohura. Ai donte fjalët dhe shprehjet arkaike si dhe neologjizmat dhe gjuhën që buronte nga poezitë popullore të Shqipërisë së Jugut. Mitrush Kuteli, i cili botoi vëllimin Ylli i zëmrës, tha: “Lasgushi është poet shqiptar, i vetmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip.”

Por, në të njëjtën kohë, Lasgushi është edhe artist evropian. Ai bashkon sensualitetin e shprehjes së Sharl Bodler-it (1821 – 1867), filozofinë estetike të formës dhe elegancën e dalluar të Shtefan George-t (1868 – 1933), filozofinë dhe humanitetin e Naim Frashërit dhe pavdekësinë kosmografike të mjeshtrit të tij, Mihail Emineskut (1850-1889). Shkencëtari Eqrem Çabej (1908 – 1980) fliste për poetin, ”të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës.” Megjithëse poezia e Lasgushit nuk përkthehet kollaj, Çabej mund të ketë të drejtë. Veprimtaria e Lasgushit ishte e habitshme dhe mahnitëse për ato vite. Me Lasgushin, koha e nacionalizmit romantik, e ushqyer nga një mori poetësh të cilësive të ndryshme të Rilindjes Kombëtare, u zhduk përfundimisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.