LETËRSI E MADHE PËR LEXUESIT E VEGJËL

Astrit Bishqemi ishte dhe do të mbetet modeli i shkrimtarit qytetar, që merrej vesh me sy me lexuesit e veprave të tij, që fliste dhe sillej si fëmijë me fëmijët, duke u munduar që me artin e tij t’iu ushqente sa më shumë fantazinë

Agim BAJRAMI

Nuk doja t’iu besoja syve, kur në orët e vona të natës se ftohtë të këtij janari, lexova njoftimin mortor, për ndarjen nga jeta të njërit prej personaliteteve më të spikatura të letërsisë sonë për fëmijë, prof As Dr Astrit Bishqemi, shkrimtarit të “Gjoks Shkëmbi”, Përtej oborrit diellor”, “Çelësi i depos”, Kronikë me tank”, i bibliografisë enciklopedike, Elbasani ndër vite, i librit të njohur studimor, Teoria dhe historia e letërsisë për fëmijë e të rinj, si dhe i një numri të madh librash të tjerë, përralla, novela, tregime dhe romane, me të cilat, ashtu siç thoshte një tjetër pene e artë elbasanase, Musa Vyshka, mund te krijohet fare mirë një bibliotekë për fëmijë. Ndonëse në distancë, isha munduar ta ndiqja sa të mundja veprimtarinë krijuese të këtij njeriu të lindur dhe të krijuar enkas për librin për fëmijë, të cilit ai iu fal dhe i qëndroi besnik gjer në frymën e fundit, me botimet dhe kontributet e tij letrare unike për nga vlerat. Shumë vite të shkuar, kur unë trokisja me droje në redaksinë e gazetës lokale të asaj kohe, Shkumbini, me ca fletë të zhubrosura poezish në duar, ishte ai që me sjelljen e tij të ngrohtë dhe të përzemërt, më orientoi drejt shinave të duhura të shkrimit, duke më inkurajuar dhe ndenjur pranë me vite te tëra. I pa përkëdhelur asnjë herë nga fati, larg mbështetjes së politikes zyrtare të kohës, talenti i tij i madh, ia doli të triumfonte përballë çdo pengesë dhe kufizimi që i dilte përpara, duke e radhitur veten në radhët e krijuesve më në zë të gjeneratës së tij, si Adelina Mamaqi, Tahsim Gjokutaj, Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Agim Deva etj, duke tërhequr kështu vëmendjen e kritikës së kohës, sa për mënyrën interesante të trajtimit të subjekteve, aq dhe për lirshmërinë me të cilët ata sinkronizoheshin me shijet e lexuesit. Ishte ky grup shkrimtaresh dhe ndonjë tjetër, që me talentin dhe përkushtimin e tyre të madh, arritën të shkruajnë një letërsi të madhe, edhe nën sytë vëzhgues të një censure të rreptë.

Duke qenë edhe unë një nga lexuesit e tij të zellshëm, s’mund të lë pa përmendur stilin e tij dinamik të rrëfimit, karakteret e gjallë dhe atmosferën artistike që krijoi ky autor në romanin “Kronikë me tank”,me temë nga trazirat e vitit 1997, ose Çelësi i depos e ngjarje nga lufta Nacionalçlirimtare, pa folur këtu për grupin e librave të karakterit fantastik – shkencor. Në shumicën e këtyre veprave lexuesi i vogël gjente të vizatuar veten në çaste dhe gjendje të ndryshme, botën e tij të brendshme të pastër dhe të dëlirë. Ndaj nuk është rastësi që takimet e tij të herëpashershme me lexuesit e vegjël dhe mësuesit nëpër shkollat tetëvjeçare të Elbasanit, Cërrikut dhe rrethinave, të shndërroheshin në festa të vogla dhe të paharruara letrare. E them pa  më të voglin ngurrim, se Astrit Bishqemi ishte dhe do të mbetet modeli i shkrimtarit qytetar, që merrej vesh me sy me lexuesit e veprave të tij, që fliste dhe sillej si fëmijë me fëmijët, duke u munduar që me artin e tij t’iu ushqente sa më shumë fantazinë.

Duke njohur mirë sekretet e botës së tyre, arrinte të futej, siç dinte ai, në sirtarët e fshehtë të ëndrrave të tyre, të rrëmihë brenda tyre, duke zgjidhur atë çka i duhej, për t’ua kthyer ato më pas të transformuar në vepra letrare. Si studiues i palodhur, ai ndiqte me interes vijimësinë e letërsisë për fëmijë brenda dhe jashtë vendit, gëzohej për arritjet, por edhe trishtohej shumë për problemet e shumta që haste kjo letërsi në rrugëtimin e saj. Në shumë shkrime dhe studime, ai nuk e fshihte shqetësimin dhe dhimbjen, për harresën dhe lënien e qëllimshme pas dore të saj. Kritikat e tij në adresë të institucioneve shtetërore për indiferencën e hapur të tyre ndaj kësaj letërsie mbetur në stanjacion, në kushtet e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar, janë ende të freskëta. Si studiues ai nuk dinte të mbyllte sytë dhe të behej palë me dukuritë e shëmtuara, që solli me vete ky tranzicion dhe bëri gjithçka për t’i luftuar ato, jo vetëm duke u prononcuar, por duke vendosur përballë tyre, modele të gjallë të letërsisë së vërtetë, me heronj dhe botëkuptime krejt të ndryshëm nga e ashtuquajtura letërsi – soc – realiste.

Edhe në Universitetin Aleksandër Xhuvani, ai krijoi figurën e pedagogut të përkushtuar që komunikonte me studentët e tij me metoda të përparuara bashkëkohore. Të flisje me Astritin kishe ndjesinë se nuk po flisje me një njeri të zakonshëm, por me një autoritet që rrezatonte kulturë dhe mirësi të pafund. Thjeshtësia e komunikimit me lexuesit dhe me kolegët e tij, e bënin atë kaq të afërt dhe te adhuruar nga të gjithë. Ata që kanë pasur fatin të punojnë me të, thonë se metoda e tij komunikuese, ishte për t’u marrë shembull. Në çdo fjalë të tij, ai rrezatonte vetëm kulturë dhe mjaltë diturie. Astriti ishte miku i të gjithë atyre, që donin ta identifikonin veten me letërsinë dhe misionin e saj të shenjtë humanitar. E nderonte misionin e tij të shkrimtarit dhe nuk kënaqej asnjëherë me atë çka realizonte. Përpara procesit shkrimor tavolina e tij e punës mbushej me shënime dhe fakte, që do t’i shërbenin atij hap mbas hapi për veprën e ardhshme. Mjeshtër i narracionit dhe ndërtimit të frazës, shumica e veprave të tij shquhen për ngjyra të gjalla jetësore dhe karaktere me botë të gjerë. Heronjtë e tij ishin fëmijët me gjithë kompleksitetin e jetës dhe rritjes së tyre. Ashtu siç është në karakterin e shkrimtarëve më të mirë të kësaj fushe, ai nuk i shikonte karakteret e tij që nga larg, por shkrihej e bëhej njësh me ta gjatë gjithë procesit shkrimor, pa pasur aspak droje nga kjo gjë. Është kjo arsyeja që në veprat e tij gëlojnë gjithë kohës tipa dhe karaktere nga më interesantet, subjekte dhe ndodhi që ta mbajnë frymën pezull. Nga ana tjetër, ai s’lodhej duke shkruar pareshtur me orë të tëra volume të pafundme me vëzhgime dhe studime të thelluara letrare, që i shërbyen jo vetëm kohës kur u shkruan, por edhe brezave te ardhshëm te krijuesve dhe studiuesve të letërsisë sonë kombëtare.

Bir i një familje të vjetër elbasanase dhe një qyteti ku u lind Kostandin Kristoforidhi, Dhimiter Shuteriqi, Musa Vyshka etj, ai mori shumë nga përvoja e tyre dhe i dha një dimension më të gjerë talentit të tij të madh. Edhe pse shumicën e subjekteve dhe ngjarjeve te veprave te tij ai i mori pikërisht nga historia dhe e sotmja e këtij qyteti, ai iu dha atyre një shtrirje dhe rrezatim shumë më të gjerë, duke futur në to problematikat dhe shqetësimet e fëmijëve të të gjithë kombit. Jo më kot shumë nga veprat e tij janë nderuar me çmime të ndryshme nëpër ngjarje dhe konkurset e mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe janë rekomanduar për t’u bërë pjesë e lëndës së leximit letrar nëpër shkollat tona. Figura e tij prej shkrimtari në kohë, u bë model frymëzimi dhe adhurimi për shumë letrarë, ndërsa kolegët e niveleve të tij, ngurronin t’i dërgonin krijimet e tyre në shtëpitë botuese, pa marrë më parë mendimin dhe sugjerimet e tij te vyera. Astriti ndiqte me interes dhe kishte një dobësi të dukshme edhe për letërsinë që shkruhej dhe vazhdon të shkruhet me sukses edhe përtej kufirit tonë shtetëror, si në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Shumica e vëzhgimeve dhe studimeve të tij nuk mund të konceptohen pa veprat dhe emrat e autorëve të atyre viseve. Ai dëshpërohej dhe ndihej keq kur ndeshej me përcaktimet letërsi shqiptare, letërsi kosovare, Për një shkrimtar atdhetar si ai, përcaktime të tilla ishin aspak normale, tendencioze dhe antikombëtare. Prof Astrit Bishqemi nga tash e tutje do të jetë një mungesë e madhe për ne, që e deshëm, që e lexonim dhe e adhuronim artin e tij shkrimor. Ai u ngut te ikte para kohe nga jeta tokësore jo vetëm nga shkaku i sëmundjes, nga e cila vuante prej kohësh, por edhe nga fakti që njerëz si ai, nguten për t’u takuar shumë më shpejt se të tjerët me qiellin dhe enigmat që fsheh ai. Iku duke lënë pas një krijimtari të pasur dhe të vyer, që sado të kalojnë kohët, vlerat e saj nuk do të zbehen asnjëherë. Unë i besoj postulatit se kur një shkrimtar ia mbërrin të identifikohet me vepra të tilla, ai mbetet gjithmonë i pranishëm mes nesh…

Leave a Reply

Your email address will not be published.