Ekokritika sjellë ndryshime në studimet letrare, duke e lidhur gjithmonë kritikën dhe teorinë letrare me problemet mjedisore
Afrim REXHEPI
Në tekstin për historinë e formave letrare Histori e letërsi, i ndikuar nga vepra Arkeologjia e dijes e Mishel Fukosë, Genette përcakton faktin që letërsia nuk duhet kuptuar si dokument historik, por si monument. Në kontekst, duke iu referuar modelit teorik të Sabri Hamitit për një poetikë historike të letërsisë shqipe, tema natyrë, në leximin tim, përcaktohet si shenjë autentike dhe si kuptim që kap universalitetin, si esencë e shndërruar në aktualitet përmes formave letrare, me tendencë të përsëritet dhe të theksojë përjetësinë në aktualitet. Dhe kjo nënkupton procedimin metodologjik, që idenë për natyrën në letërsi, e përcjellim në lëvizshmërinë e vet historike. Në fakt, shpjegimi bëhet funksional në kuptimin e koncepteve teorike të Sabri Hamitit, përmes Bioletrës ose Jetëshkrimit, në kuptimin format e jetës përsëriten, ngjashëm siç përsëriten format letrare, por nuk përsëriten veprat letrare, sepse veprat letrare janë forma individuale të përhershme, zbulohen nga lexuesi empirik, përmes përvojës së gjallë, reale dhe empirike. Fenomeni letrar, siç është edhe tema e natyrës, e lidhur me ambientin semiotik, bëhet origjinale, autonome dhe unikate, duke e provokuar skemën për një poetikë historike të letërsisë shqipe.
Në esenë antologjike, Letërsia dhe Ekologjia: Një Eksperiment Ekokritik (1978), William Ruckert, e përkufizon ekokritikën si “zbatim të ekologjisë dhe koncepteve ekologjike në studimin e letërsisë, sepse ekologjia (si shkencë e si disiplinë) ka rëndësinë më të madhe për të tashmen dhe të ardhmen e botës”. (Ruckert, 1996: 107). Në këtë kontekst, interaktiva e mundshme midis letërsisë dhe natyrës shqyrtohet nga këndvështrimi i koncepteve ekologjike. Ekokritika kërkon të gjejë gjuhën e përbashkët midis njeriut dhe jonjeriut për të treguar se si ato mund të bashkëjetojnë në mënyra të ndryshme, pasi çështjet mjedisore janë bërë pjesë integrale e ekzistencës sonë. Ky është një problem esencial me të cilën merret ekokritika në përpjekjen e saj për të gjetur një pozicion më të ndërgjegjshëm mjedisor në studimet letrare. Ekokritika si koncept teorik dhe kritik shprehet në antologjinë e titulluar Leximi Ekokritik: Kuptimet në ekologjinë letrare (1996), e redaktuar nga Harold Fromm e që studion raportin ndërmjet letërsisë dhe natyrës. Në librin shpjegues, të gjitha tekstet apo interpretimet tekstuale regjistrohen në formë eseistike, kryesisht nga pikëpamja ekokritike. Dhe ja një sinjal në krijimin e një paradigme të re interpretuese letrare, të një lloji të ri të kritikës letrare të quajtur ekokritikë. Ekokritika sjellë ndryshime në studimet letrare, duke e lidhur gjithmonë kritikën dhe teorinë letrare me problemet mjedisore.
Është me rëndësi diskursive t’i kthehemi tekstit Letërsia dhe Ekologjia e Ruckert, sepse përveç që është teksti i parë eksperimental për interaktivën letërsi – ekokritikë, shënohet edhe pasiguria letrare-historike dhe letrare-teorike e tij. Ai duhet të kishte parasysh faktin se letërsia e konfirmon vlerën e saj përmes funksionit estetik dhe jo përmes relevancës tematike, jashtë letërsisë. Metodologjia e tij e aplikuar për lidhjen e “çdo gjëje me gjithçka”, si fenomenet natyrore, ashtu edhe fenomenet kulturore, në kuptimin që poezia i ngjan lëndëve djegëse fosile apo një formë ruajtjeje karburanti që lirohet në raport me lexuesin, një lloj paralelizmi me efekt komik, mbetet në fazën e eksperimentit (të dështuar). Vetëdija teoriko – letrare dhe vetëdija letrare – historike e Ruckert – it, nuk është e përcaktuar sipas procedimeve metodologjike për një sistem të plotë, por për të përcaktuar relevancën tematike. Në esenë e tij antologjike, Ruckert “mendon që letërsia e vërteton vlerën e saj, jo përmes konfigurimit artistik, por përmes funksionalitetit të temave” dhe një pragmë e tillë e teorisë letrare dhe filozofike, imponon procesin lëvizës: prej ontologjisë kah politika, duke e përjashtuar strukturën e brendshme e dinamike të veprave letrare, edhe kur e interpreton poezinë, duke krijuar paralelizëm midis energjisë krijuese të poetit, me lëvizjen e ujit në natyrë. Funksionimi i dimensionit sinkronik përkufizon fenomenin natyrë, ideja e natyrës në letërsi nuk mund të diakronizohet, të përcaktohet në kohë. Në tekst është funksional edhe dallimi ndërmjet ekokritikës dhe ekologjisë së letërsisë (eko-letërsisë). Ekologjia e letërsisë (eko-letërsia), përfshin gjithë gamën e veprave letrare, përfshinë fiksionin, poezinë dhe kritikën, përfshinë ato procedura metodologjike në studimin e letërsisë që kanë të bëjnë me natyrën imagjinare të letërsisë: biosemiotikën e Iksel-it, poetikën e hapësirës së Bachelard-it, gjeopetikën e Kenneth White-it, kronotopin e Bakhtin-it, tematologjinë dhe historinë e ideve, me ekokritikën. Pra, dallimi midis ekokritikës dhe eko-letërsisë është i domosdoshëm dhe funksional për fenomenin natyrë, sepse duhet ditur fakti që ekologjia e letërsisë përfshin në vete edhe ekokritikën.
Teoria e letërsisë shqipe ka një model teorik që korrigjon dhe nuk lejon që gabimet e Ruckert- it të përfshihen edhe në kodin e letërsisë shqipe. Sabri Hamiti, duke i shfrytëzuar paradigmat teorike të historive letrare në vijim, ndërtoi një model të veçantë për një poetikë historike të letërsisë shqipe e që teoretikisht pretendohet të modelohet në histori të letërsisë shqipe. Modelin teorik në fjalë, akademik Kujtim Shala e kërkon në shkrirjen e modelit teorik të Gerard Genett-it dhe të Cvetan Todorovit, kurse në aspektin estetik dhe filozofik, unë do të thoja një ndikim i librit epokal Arkeologjia e dijes e Michel Foucault dhe një ndikim i estetikës empirike të Gilles Deleuze. Letërsia duhet lexuar si e vetëmjaftueshme për veten, sepse mjaftojnë njohuritë që ka brenda, vetënjohja e njeriut për të qenë estetikisht e nevojshme për njeriun, pa shtesa ideologjike e politike. Në tekst, teoria nxjerr në pah tendencën që në çdo tekst letrar, në çdo formë letrare, duhet parë veçantia dhe mënyra, si pozicionohet ajo veçanti brenda sistemit të vlerave letrare. Dhe kur ajo vendos temat (edhe temën e natyrës dhe ekologjizmat) përmes një procesi të caktuar të semiozës, të përsëritshme e të përsëritura, përmes formave letrare – poezi, tregim, roman etj., edhe kur ato janë karakteristika të sublimuara të letërsisë, si ndërtim dhe si kuptim, d.m.th. si poetikë, atëherë do të mund të flasim për një variant të caktuar të poetikës historike, pra historinë e letërsisë, si shkencë e analizë kritike objektive, e transformimeve dhe përjetësive, e efektit të fortë të veprave nga tradita dhe modeleve të tyre, në vend të proceseve kohore ideologjike dhe politike. Pra, veprat letrare, si bie fjala poezitë bukolike të Naim Frashërit apo poezitë e Lasgush Poradecit (të manifestuara në forma e nënforma letrare, me temën e natyrës, me ekologjizma mjedisore), si dukuri letrare, janë të lidhura gjenetikisht me strukturën organike të identitetit kulturor, sepse gjuha shqipe është kujtesë, sepse gjuha shqipe kujton.
Sipas modelit teorik për një histori të poetikës shqipe të Sabri Hamitit, shkrimi dhe leximi empirik letrar si procese njerëzore komplekse dhe tejet të ndërlidhura e kanë burimin te individi dhe bota e tij, e jo në rrethanat shoqërore dhe ideologjike të kolektivit. Kjo është kërkesa që letërsia t’i kthehet natyrës së saj të vërtetë, krijimit të vlerave shpirtërore dhe kënaqësia e njohjes së këtyre vlerave. Bioletra ose jetëshkrimi, është një ftesë për t’u kthyer në fillim, në pafajësinë, në zbulimin e vetes dhe të botës, pa pranuar konvenca ideologjike e politike. Në këtë hapje të përgjithshme, krijuesi takohet me lexuesin e kohës së tij apo të kohëve të tjera, për të relativizuar kohën me përjetësinë e artit. Ekologjia i nevojitet letërsisë, si një nga këndvështrimet e mundshme teorike, ndryshe nga sa pretendojnë Ruckert dhe shumë studiues, letërsia vërtetohet përmes çështjeve ekologjike, jo si vazhdimësi e ideologjisë, por, në ekzistencën e saj historike, si letërsi. Kështu, vepra, përmes bioletrës, i afrohet estetikës, funksionit të saj origjinal, unik e parësor, asaj që e bën letërsinë letërsi edhe kur poeti i drejtohet natyrës. Duhet pasur parasysh faktin se format janë të përjetshme: romani, tregimi, poezia, por mbetet procesi empirik, pra bioletra, e krijuar përmes dialogjizmit krijim – lexim, të cilat janë të veçanta dhe origjinale, të cilat përsërisin temat e natyrës gjatë gjithë jetës dhe kohës (historisë), autori përmes krijimit dhe lexuesi përmes leximit empirik dhe të përsëritur. Jo si konstrukte diskursive të lojërave gjuhësore, por si entitete të gjalla, reale e faktike, ngjashëm me idenë e hiperobjektit të Timotij Morton, ngrohja globale, një hiperstrukturë që ndikon në çdo gjë. Gjykuar sipas modelit teorik të Sabri Hamitit, ndikim domethënës i ekokritikës në studimin e historisë së letërsisë shqipe, mund të jetë vetëm një rivlerësim i mundshëm i perspektivës letrare – historike, e që nuk ka arsye shkencore të devijojë nga kanuni i letërsisë shqipe.