Heideggeri në tekstin Përfundimi i metafizikës dhe poezia, në saje të një analize të thellë vë në pah se të menduarit filozofik dhe poezia kanë nevojë njëra për tjetrën për t’i realizuar synimet e tyre
Muhamedin KULLASHI
Filozofia dhe letërsia gjatë shekujve janë puqur dhe janë gërshetuar shpesh në mënyra shumë të ngushta në shumë vepra qofshin ato filozofike, qofshin letrare, poetike e dramaturgjike. Poema e Parmendit mbi natyrën, edhe dialogët e Platonit shquhen me një bukuri mahnitëse estetike dhe me një stil të shkrimit që ka ngashënjyer lexuesit gjatë shekujve. Autorët bashkëkohorë që janë marrë me historikun e raporteve midis filozofisë dhe letërsisë kanë trajtuar në veçanti me forma të ndryshme të imagjinares artistike. Edhe në mesjetë kishte tekste shumë të bukura ku gërshetoheshin filozofia dhe poezia. Në kohën e Rilindjes evropiane (XIV-XVI) ky gërshetim diktohet në tekstet e shumë autorëve, bie fjala te Dante Alighieri, Mirandola e Machiaveli. Ky gërshetim shkëlqen më vrullshëm në shekullin XVIII, në veçanti në filozofinë dhe letërsinë franceze: fjala vjen në veprat e Diderotsë (si Ëndrra e D’Alamberit), të Rousseaus (Ëndërrimet e shëtitësit të vetmuar, Rrëfimet, Eloisa e re.) Libri i parë të cilën e kam përkthyer nga frëngjishtja në gjuhën shqipe ka titullin Dialogë filozofikë (Rilindja, Prishtinë, 1979). Me këtë titull kam përmbledhur tre dialogë të filozofit francez Denis Diderot (Dëni Didëro): Shëtitja e skeptikut apo shëtitoret, Biseda e d’Alembertit me Diderotn dhe Ëndrra e D’Alembertit. Parathënia ime ka për titull Filozofia si dialog. Diderot është një nga mendimtarët më të mëdhenj të shekullit XVIII në Evropë. Në veprat e veta filozofike ai ndërlidh me mjeshtri mendimin e thellë konceptual me imagjinaren e begatshme artistike. Goethe (Gëte) për një vepër tjetër të Diderotsë (Nipi i Rameausë) shkruante: “Çfarë koherence në këtë dialog!… Gjithçka është e lidhur këtu me një gjerdan të padukshëm e, megjithatë, ekzistues; një gjerdan i çelniktë të cilin e mbulon para syve tonë një kurorë lulesh”. Marksi në një letër ia rekomandonte Engelsit ta lexonte këtë vepër madhore dhe citonte aty disa komente të Hegelit.
Një aspekt shumë i rëndësishëm i këtyre dialogëve lidhet me metodën e kërkimit të njohurive që kanë një nivel të vërtetësisë. Kjo vërtetësi për njeriun dhe botën, sipas Diderotsë, përtej paragjykimeve, iluzioneve e vetëmashtrimeve, mund të arrihet me ballafaqimin e argumenteve të pikëpamjeve kyçe. Secili nga personazhet e dialogut përfaqëson rëndom një botëkuptim të përpunuar me vëmendje e durim. Çdonjëra nga këto pikëpamje duhet të ballafaqohet nëpërmjet një dialogu polifonik, me problematizimet dhe kontestimet që dalin nga pikëpamjet e tjera. Kësisoj, njohuritë që mund të pretendojnë në një vërtetësi të caktuar nuk mund t’u ikin sprovave të dialogut kritik.
Në saje të hulumtimit të njohurive filozofike dhe shkencore-natyrore të kohës së tij, në veçanti Diderot zhvillon një koncepcion të thelluar mbi njeriun e natyrën që tejkalon kufizimet e materializmit mekanicist, me idenë mbi zhvillimësinë e botës, mbi ndryshimësinë e saj të vazhdueshme. Kësisoj, në shkrimet e tij gjithësia paraqitet si një sistem i ndërlikuar që ndryshon vazhdimisht në çdo pjesë të saj. Shkrimi filozofik këtu përshkohet me atë “kurorë lulesh” të imagjinares artistike për të cilën flet Goethe.
Autorët bashkëkohorë që janë marrë me gjurmimin e lidhjeve midis filozofisë dhe letërsisë kanë vënë në pah shpesh se në shekullin XIX janë shquar, në veçanti poetët gjermanë Hölderlini dhe Novalis me kultivimin e mendimit filozofik-poetik. Ndërkaq në Francë, Victor Hugo dhe Alfred de Vigny dallohen në kohën e romantizmit. Si vepra poetike të Hugos janë cituar shpesh Soditjet dhe Legjenda e shekujve, vepra ku “historia paraqitet si filozofi e llojshmërisë së shpirtrave, popujve, qytetërimeve” (Viellard Baron). Kurse te poezitë e Vignys flitet po kështu për një filozofi të historisë dhe pikë-pamje etike stoiciste. E më vonë, me këto tipare shquhet poezia e Mallarmes, Baudelaireit dhe Rimbaudsë.
Te Goethe (Gëte) ideja e një letërsie botërore (Weltliteratur), e cila nuk implikonte heqjen e letërsive nacionale, është një ide filozofike mbi letërsinë. Goethe kishte vërë në pah në shkri-met e veta se “ideja e një vizioni të madh mbi botën realizohet brenda letërsisë” e cila arrin një nivel botëror. Kurse Marcel Proust në veprën e vet madhore Në kërkimin e kohës së humbur flet për një “filozofi estetike e morale”. Bernard Grasset dhe Jean Wahl shquhen si “filozofë artistë” dhe autorë të veprave të shumta nga fusha e filozofisë. Kurse Sartrei është, siç e dini, filozof dhe shkrimtar i romaneve, dramave, novelave.
Stili i tij në shkrimet filozofike (Kritika e mendjes dialektike; Çështjet e metodës) ka edhe dellin poetik e letrar. Kjo vlen edhe për tekste filozofik-politike Situatat në njëmbëdhjetë vëllime. Ajo që lë përshtypje të veçantë në këto shkrime të Sartrit është zotësia e tij që çështjes universale – lirisë së njeriut në shoqëri – t’i japë dimensionet e saj konkrete, specifike, në çdo situatë të cilën e analizon. Lidhja midis analizës konceptuale të sundimit të stalinizmit në Çekosllovaki, hetohet shumë mirë në artikullin e gjatë (50 faqe) Socializmi që erdhi nga të ftohtit. Fjala vjen, ja si e përshkruan situatën e shkrimtarëve çekosllovakë brenda sistemit stalinian: Këtu stalinizmi si “sistem i verbër dhe i shurdhër për dimensionet e mirëfillta njerëzore”, sistem i cili e redukton njeriun në një sistem mekanik: jo vetëm në teori, por edhe në praktikën e përditshme. Sistemi stalinist “është i detyruar t’i përdorë njerëzit, por nuk ka besim tek ata, i përbuz dhe i urren: ai vepron në atë mënyrë që mosbesimi, përbuzja dhe urrejtja t’i për-caktojnë marrëdhëniet e njerëzve ndërmjet vete dhe individit me vetveten”. Ideologjia staliniste, e maskuar me një humanizëm të zbehtë marksian, në vend se ta ndihmojë të kuptuarit kritik të shoqërisë, të pozitës së njeriut brenda saj, i mjegullon dhe i mistifikon raportet shoqërore. Ajo është për Sartrin një “mendim i mineralizuar” të cilin e vendosin si “një rrasë varri në një kokë të shqetësuar, ai mbetet aty, i rëndë, inert, qetësues, duke i ndrydhur përsiatjet dhe dyshimet, duke i kufizuar lëvizjet spontane të jetës në një gumëzhitje të parëndësishme insektesh”. Në atë masë sa të menduarit dhe vetëdija përkufizohen te Sartri me transparencën dhe fluiditetin, “minerali” dhe “rrasa” prej guri janë mohim i vet natyrës së të menduarit. Atë që nuk e gjejmë në analizat sociologjike dhe politlogjike për stalinizmin, Sartri na ofron këtu me procedimet dhe me mjetet e veta letrare e filozofike, aspekte të një realiteti social. Ai e ndriçon përjetimin e atij realiteti nga shkrimtarët çekë e sllovakë edhe në këtë mënyrë: “Ata e ndienin veten jorealë në një shoqëri joreale dhe ceremoniale e të trishtueshme, si viktima, dëshmitarë apo bashkëfajtorë të një farse monumentale dhe të ankthshme, valëviteshin si marioneta absurde në një mjedis të strukturuar nga një absurditet i thellë, në atë mënyrë që çdo orvatje për t’iu adaptuar asaj situate apo për ta ndryshuar atë, ishte që nga fillimi e absurdizuar”..
Bergsoni, ndërkaq, thoshte se filozofi mund të mos jetë muzikant, por ai është shkrimtar në Dy burime të moralit dhe religjionit. Kurse Heideggeri në tekstin Përfundimi i metafizikës dhe poezia, në saje të një analize të thellë vë në pah se të menduarit filozofik dhe poezia kanë nevojë njëra për tjetrën për t’i realizuar synimet e tyre. Veç të tjerash, ai e ilustron këtë nevojë poezisë filozofike të Hölderlinit dhe filozofisë poetike të Nietzsches.
(Nga intervista dhënë revistës Akademia)