LETËRSIA E FIKSIONIT TË DYFISHUAR

Duke folur për Dushin, autori empirik flet për veten, për të tjerët për një kauzë, e cila ishte përvijuar nëpër hone të thella shpirtërore, për t’ u bartur nëpër organizime të fshehta e për të shpërthyer më vonë si refuzim politik

Adriatik ZEQIRI

Palimpsest Dush Kusarit u shkrua në kohën kur në Kosovë më kishte rënë sistemi i diktaturës komuniste jugosllave dhe kishte filluar shtypja dhe dhuna e një sistemi me tipare fashiste, që kishte për qëllim pastrimin e Kosovës nga shqiptarët. Tashmë censura nuk kishte kuptim, ngase shfarosja kishte marrë një dimension tjetër, jo atë të tjetërsimit dhe të futjes në binarët e sistemit monist, por kishte kaluar në totalitetin e saj më të egër të mundur, eliminimin fizik. Andaj edhe fjala tashmë ishte e drejtpërdrejtë përderisa arrinte të shfaqej. Ajo nuk ishte më e mbuluar me figurë, dhe tashmë nga diskursi alegorik i viteve ’70 e ’80, kishte kaluar te diskursi i dëshmisë, dokumentimit të së shkuarës së hidhur dhe reflektim i të ardhmes nëpërmjet historisë. Kjo do të thotë të mos dalësh nga natyra fiksionale e shkrimit letrar, megjithatë duke kaluar nëpërmjet zhanreve e diskurseve që po i përgjigjeshin një kohe tjetër të shfaqjes artistike.

“Mirëpo, deri te ky roman shtresat autobiografike janë mbuluar me figurë, qoftë si pasojë e frikës nga censura, qoftë për hir të polisemantikës së tekstit letrar (ideal i letërsisë) ngjarjet e jashtme të viteve ’90, kur ndodh rënia e sistemit të centralizuar dhe nis dhuna e hapur, të cilat ndikuan që së paku të hapet diskursi intencional. Kjo hapje diskursive, sidomos për trajtimin e temave me shenja nacionale, te Teki Dërvishi hap mundësinë që të përforcojë lirshëm shtresat autobiografike të tekstit të vet, duke mundësuar që më të mos ketë nevojë në krijimin e “diskurseve mashtruese”, por të diskurseve më të etabluara letrare me shenja më të forta autobiografike. Nuk ka më nevojë të përdoren figurat si Shtëpia e sëmurë (burgu), Thashë (dëshmi), Herezia (individualiteti karshi rendit) për të mbuluar shkrirjen e individualitetit krijues në figurën si mbulim, por tashmë lind kërkesa për të shkruar letërsinë si amalgam i fuqishëm i interdisiplinaritetit zhanror: dëshmi, biografi, fiksion që do të thotë shkrimin e tekstit përkushtues për shokun e burgut Kadri Kusarin”.

Pra, romani Palimpsest Dush Kusarit nga Teki Dërvishi vjen si një përkushtim për mësuesin e shkollës së mesme, heroin e rinisë së autorit, Kadri Kusarin, me shtresëzimet autobiografike të cilat janë ato që e karakterizojnë fabulën. Rrëfimi i kohës së shkollës së mesme që lidhet direkt me lëvizjen patriotike në Kosovë të fundviteve ’50 dhe viteve ’60 , me personalitete të kësaj lëvizjeje, ku figurë kryesore e njohur ishte Adem Demaçi. Në fakt, teksti hapet me një shkrim që autor e ka Adem Demaçin, i cili i kushtohet heroit të romanit Kadri Kusari. Adem Demaçi, shkrimtari i ri i asaj kohe, e pastaj figura përfaqësuese e rezistencës kundër pushtuesit komunist jugosllav, e thotë fjalën i pari. “Kadriu ishte më i miri ndër ne”. Kështu përfundon teksti hyrës i romanit, si një nevojë e jashtëzakonshme për konfirmim, për heroin që do të tregohet, për krijimin e një bindjeje të brendshme.

Kadriu ishte më i miri ndër ne, kjo është edhe vija diskursive e fabulës, në një rrëfim në vetë të parë, si gjithmonë në prozën e Teki Dërvishit, i cili është shumë më afër dëshmisë e autobiografisë, duke i hapur rrugë diskutimeve formale.Statusi i tekstit nga autori mbetet i papërcaktuar, duke aluduar në një formë të re të fiksionit që Kujtim Rrahmani do ta quante si prozë postmoderne. “Kapitujt e aktet e ndryshme të romanit “Palimpsest Dush Kusarit”, kanë emërtimet e zhanreve dhe varianteve të ndryshme të shkrimit, si: Pergamenë, Ornament, Palimpsest, Fletore, Rekuiem, Libër i humbur, Fotodosje, Portret, Variantii amshimit e ndonjë tjetër, emërtime këto që definojnë shpesh edhe prirjen përkatëse të modusit të caktuar për situatën përkatëse. Mirëpo, këto emërtime, në shikim të parë zhanrore, prezantojnë edhe akte të veçanta ngjarjeshtë jetës së heroit dhe jo vetëm të atij, duke e shqiptuar kështu veçanërisht dimensionin historik të kohës, shovinizmin dhe totalitaren përnjëherësh, të shtetit që funksionon në kohën dhe hapësirën e romanit. Bashkë-dyzimi i modelit pergamenë të shkrimit, me narracionin e idealizuar e fragmentar, me eseizmin dhe hulumtimin e tipit biografik, këtë prozë e bëjnë postmoderne në kuptimin e plotë të kësaj fjale”.

Prozë postmoderne për nga elementet, por gjithashtu edhe ndër të parat që kishin të bënin me një letërsi që kishte filluar të shkruhej në gjuhën shqipe, letërsinë e burgut ose më saktë fiksionin dokumentar, një tip autobiografie artistike, e veçantë për nga forma, por e përhapur shumë në vendet postdiktatoriale, ndoshta një nevoje e tmerrshme për të treguar, për të dëshmuar vuajtjen dhe shtypjen e përjetuar, për të krijuar Librin e historisë kombëtare, nëpërmjet aktit individual të heroit.

“Këto biografema për kronikën historike të Kosovës janë evidenca të pamohueshme, ashtu siç janë të tilla qindra e mijëra të tjera për martirët e shumë te ne. Por, për autorin Teki Dërvishi e dhëna apo evidenca historike nuk mjafton për mikun e bashkëvuajtësin. Mbi konceptin aristotelian se poiesis-i është më filozofik sesa historia, Dërvishi, të dhënës historike i jep shpirtin letrar: dëshminë e qëndresës, të vuajtjes dhe të pësimit. Duke e njohur biografemën se Kadri Kusari ishte albanolog dhe në fletoret e tij kishte ravijëzuar impresione letrare, Dërvishi, mjeshtër i sinkretizimit të formave, hyn në botën e palimpsestit apo të rikrijimit të tyre, qoftë me anë të kujtesës, dëshmisë apo atribuimit, duke e shndërruar tekstin fundor si komunikim letrar, politik e nacional me Dushin, të tjerët dhe vetveten.”

Pra, që teksti është fiksion autobiografik nuk ka dyshim, por që në paratekstin e tij e shpallë edhe tendencën për një dyfishim, për krijimi e një iluzioni të një dëshmie të dokumentuar, shkrimin e një teksti mbi një tekst tjetër, ose më saktë identifikimin e gjurmëve të një teksti të mëhershëm duke bërë kështu palimpsest. “Shkrimi kur të vihet mbi shkrimin, shkrimit të ri kur i vihet stoli shkrimi i vjetër, i thonë – palimpsest.”

“Duke qenë se palimpsesti në teorinë e shkrimit letrar nënkupton një hipotekst (nëntekst) dhe një hipertekst (mbitekst), që do të thotë dy shkrime, një të dhënë e një autorial; del sheshit tendenca që vepra të marrë trajtëne sprovës, të veprës që mbështetet në të dhënën për jetën, për rrethin, për autorin dhe për personazhin e veprës. Kjo, madje, mund të hutojë lexuesin naiv e të besueshëm, që veprën ta shohë si monografi për Dush Kusarin, qoftë edhe me artikulimin e tekstit që në disa nivele e merr trajtën e esesë.

Në këto kurthe mund ta çojë lexuesin vetë autori me lojën e vet krijuese, me vetëdije të plotë apo duke iu shtruar udhës kah e shpie shkrimi i vet letrar. E vërteta është se edhe këtu ngjet paradoksi, si jo njëherë në letërsi, për t’u dëshmuar tanimë edhe në shqip: se letërsia autobiografike sado e ushqyer nga iluzioni i tekstit referencial, në të vërtetë është letërsi e fiksionit të dyfishuar.”

Pra, Palimpsest Dush Kusarit, është tekst autobiografik, me heroin Kadri Kusarin në qendër të rrëfimit dhe një rrëfim në vetën e parë si përkushtim për idealin e rezistencës ndaj sistemit, për mësuesin dhe ideologun historia e cila duhej të tregohej tashmë. Më herët kemi sjellë një konstatim se edhe teksti alegorik është në vetvete autobiografik kur kemi sjellë disa interpretime të romanit të Teki Dërvishit Herezia e Dërvish Mallutës, megjithatë tash te Palimpsesti, Dërvishi kalon nga alegoria, nga figura te dëshmia, te dokumentimi, nga personazhet simbole te personat simbol, pra është momenti i rileximit të një teksti të mëhershëm siç duket, andaj edhe shumë shenja barten nëpër tekst në pozicion krahasues për të kryer detyrën e dekodimit të tyre në nivelin stilistik e semantik gjuhësor, duke dhënë shansin për të rikrijuar kuptimet e teksteve të mëhershme. Përsëri do të shfaqet Shtëpia e sëmurë, por tashmë me referencë të drejtpërdrejtë për burgun, pra e zbuluar si figurë ose njeriu i cili vdes i ri dhe shumë të tjera si këto. Pra, është një lloj çelësi për të lexuar edhe njëherë letërsinë e Teki Dërvishit. Në fakt, lehtë mund të identifikojmë qëllimin e shpërfaqjes së ideve autoriale për fenomenet dhe për ngjarjet në tërësi, si të momentit, si ato historike nëpërmjet një teksti artistik. “”I lirë, si i vdekur.” Robi bëhet i lirë vetëm në çastin kur është i vetëdijshëm për robërinë e tij.”

“Pra, duke folur për Dushin, autori empirik flet për veten, për të tjerët për një kauzë, e cila ishte përvijuar nëpër hone të thella shpirtërore, për t’ u bartur nëpër organizime të fshehta e për të shpërthyer më vonë si refuzim politik”.

Nysret Krasniqi në studimin e tij për romanin në veprën Letërsia e Kosovës 1953-2000, do t’ i bëjë një ndarje dypjesëshe romanit, duke konstatuar dy momente të rrëfimit që bartin edhe ngarkesa të ndryshme edhe stilistike: “Por, lexuesi i vëmendshëm i këtij libri do të hetojë dy blloqe intencionale, të pashpallura, në këtë libër. Del se pjesa e parë e librit, nëpërmjet jetës së Dush Kusarit si albanolog shpërfaq edhe koncepsionet e autorit Dërvishi për individualitetin artistik, vetminë e artistit, vuajtjen e tij karshi sistemit uniform të vlerave ideologjike, dhunën shpirtërore e fizike ndaj tij, për ta shënjuar maksimën e njohur se veçantia paguhet e nuk shpaguhet kurrë.

Ndërsa, pjesa e dytë e kësaj proze më tepër del fiksionalizimi i fakticitetit të burgimit të Kadri kusarit dhe të burgosurve tjerë, për ta shndërruar këtë pjesë në përvijim emocional të vuajtjes dhe qëndresës së njeriut shqiptar, atij njeriu i cili duke e pranuar aktivizmin nacional ka sakrifikuar jetën e tij.”

Pra, edhe njëherë i kthehemi asaj që e quajtëm boshti i diskursit të fabulës, Dushi ishte më i miri nga ne, për të dhënë edhe intencën autoriale të krijimit të heroit model, për atë që duhet të bëhet në përpjekjen për realizimin e të drejtave nacionale dhe njerëzore, pra heroin e rezistencës ndaj sistemit totalitar shtypës e shovinist.

Dushi ishte frymëzimi dhe libri i parë, si violinë e parë në ndërtimine orkestrëssë madhe të librit të Historisë Kombëtare, ku faqet e tij të djegura e të shkatërruara kërkonin palimpsestin që po e bënte Teki Dërvishi, nga arkivat e kreativitetit të tij, simbolika e një laboratori të mrekullueshëm ku po “kopjoheshin” tekstet e ngjarjeve të një kohë të rezistencës e mbijetesës. Libri që Tekiu po shkruante, nuk ia kishte borxh vetëm Dushit, mësuesit të tij po edhe bashkëluftëtarëve të idealit me të cilët kishte përjetuar burgun qysh herët, që dalin të radhitur në faqet e këtij libri, librin të cilin Teki Dërvishi e kishte filluar qysh herët, qysh nga fillet e shkrimit të tij.

P.S.

Poshtëshënimet për shkaqe teknike janë mënjanuar

Leave a Reply

Your email address will not be published.