LETËRSIA E MIRË ËSHTË FANTASTIKE

Vetë letërsia botërore fillon me dy kryevepra letrare të cilat, i përkasin kryekëput zhanrit të letërsisë fantastike. Iliada dhe Odisea

Artur SPANJOLLI

E gjithë letërsia e mirëështë fantastike. Duke filluar nga Eposi i Giglameshit, Homeri, Dante, një pjesë e Shekspirit, Don Kishoti, i cili ka elemente thellësisht fantastike, Gëte me Faustin e tij një pjesë e letërsisë franceze, VirginiaWolf me Orlando-n e saj suprem, letërsia e realizmit magjik latinoamerikan. Nga Markezi, Borgesi, Rulfo, Alende, Asturiasi, Paz apo Ljosa, etj. E kështu me radhë përrallat, Njëmijë e një netët, Liza në botën e çudirave, Harry Poter, Princi i vogël, Udhëtimet e Guliverit, Rabele me: Gargantua e Pantaguel, etj etj, etj. Letërsia e mirë duhet të jetë fantastike. Duhet medoemos të jetë një produkt alternativ i jetës. Një rikrijim i saj. Jo një kopjim besnik saj. Por doja të thoja, se e gjithë letërsia, si alternativë e krijuar nga fantazia njerëzore, është fantastike, edhe kur ajo riprodhon ose rikrijon jetën pa e përzier pra me elementin mbinjerëzorë. Kur lexojmë një Balzak, Hugo, Tolstoj apo Xhejms, edhe pse këta autorë na e japin realitetin siç e njohim, pa elementin fantastik; sido që të jetë, edhe këto romane realiste, ndryjnë brenda tyre, medoemos elementin fantastik. Ato janë sajesa alternative, paralele, të ngjashme me jetën reale. Ato pra, edhe pse ndjekin ligjet e jetës, siç i njohim, ato mbeten gjithmonë. fryt i fantazisë, pra i letërsisë fantastike.

E gjithëletërsia e mirë, do të më pëlqente t’i drejtohej intuitës, asaj ane të trurit, e cila merret me fantazinë, imagjinatën. Ajo është dhe duhet të jetë, produkt irracional i ëndrrës, i rastësisë, i krijimit letrar dhe jo veç i logjikës së ftohtë racionale. Kjo është edhe arsyeja pse letërsia analitike e Dostojevskit më intrigon, më josh dhe më bën të mendoj, të reflektoj, por nuk më bën ta dua atë thellësisht, përjetësisht. Nuk bëhem dot “dashnor” i saj. Preferoj Tolstoj-in. Vetë letërsia botërore fillon me dy kryevepra letrare të cilat, i përkasinkryekëput zhanrit të letërsisë fantastike. Iliada dhe Odisea. Dhe veç për Odisea-n, si kryevepër e kryeveprave, mund të flisja, për orë të tëra.

Letërsia e Borgesit për shembull, është fryt i intuitës, i imagjinatës, është një koncentrat ëndrre, krejtësisht irracionale dhe fryt i pandërgjegjes. Dhe është pikërisht tek ato intuicionet e tij, ku qëndrojnë edhe grimcat e një gjenialiteti të pashoq. Një gjenialitet krejt origjinal. Borges nuk arrin në konkluzione, dhe ndoshta as nuk i interesojnë fare, ato, ai veç provokon, hap shtigje të reja, eksploron tëpaeksploruarën. Borges, duke punuar, duke u marrë pra, me konceptet, mundohet të na ofrojë një botë alternative; e rikrijon atë duke e elaboruar dhe vëzhguar mirë në laboratorin e tij krijues. E gjithë letërsia e mirëështë fantastike. Ajo duhet të jetë fantastike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.