Letërsia e penguar i shpëtoi mitologjisë së socrealizmit me mitin e atdheut socialist, mitin e heroit socialist, me mitin e njeriut të ri, mitin e sigurimit të shtetit, mitin e partisë së lavdishme, me mitin e së ardhmes së lumtur, me mitin e fanarit ndriçues etj
Dr. Yzedin HIMA
Letërsia e penguar u shkrua në burgjet e diktaturës dhe në kampet e përqendrimit të të dënuarve dhe internuarve. Për disa raste mund të themi se u konceptua në mendjen e shkrimtarit dhe poetit në burgje dhe u hodh në letër më pas për arsye që merren me mend. Kjo letërsi u shkrua normalisht nga shkrimtarë të talentuar, që nuk bënë asnjë kompromis në dëm të artit të tyre, por që e pësuan kur tekstet e tyre i çuan për botim në shtëpinë botuese. Një ndër shkrimtarët emblematikë të këtij grupi është Visar Zhiti, cili pas burgosjes, e vazhdoi krijimtarinë e tij në burgjet e diktaturës. Disa shkrimtarë dhe poetë ia dolën të largoheshin nga vendi dhe e vazhduan krijimtarinë e tyre në Perëndim si Martin Camaj, Arshi Pipa, Bilal Xhaferi dhe Gjek Marinaj.
Letërsia e penguar i shpëtoi mitologjisë së socrealizmit me mitin e atdheut socialist, mitin e heroit socialist, me mitin e njeriut të ri, mitin e sigurimit të shtetit, mitin e partisë së lavdishme, me mitin e së ardhmes së lumtur, me mitin e fanarit ndriçues etj. Mitologjia e Letërsisë së Rilindjes dhe Letërsisë së modernitetit u zëvendësuan nga mitologjia e e realizmit socialist dhe konkretisht: Mitin e gjuhës shqipe, aq të pranishëm në letërsinë pararendës si në shkrimtarinë e “Letërsisë së romantizmit”, por edhe në atë të “Letërsisë së modernitetit” e zëvendëson me mitin e fjalimeve të udhëheqësit. Mitin e heroit romantik nacional e zëvendëson me mitin lejfenian të njeriut të ri. Mitin e armikut të kombit e zëvendëson me mitin e armikut të klasës. Mitin e dashurisë për atdheun e zëvendëson me mitin e dashurisë për partinë, ndërsa mitin e njeriut të vetmuar të letërsisë së modernitetit të viteve ’30 e zëvendësoi me mitin e turmës revolucionare.
Letërsia moderne e gjysmës së parë të shekullit XX njohu një reliev me maja të tilla të krahasueshme me relievin e letërsisë bashkëkohore europiane me tekstet letrare të autorëve të shquar, si Konica, Fishta, Asdreni, Noli, Koliqi, Poradeci, Migjeni, Kuteli etj. Pikërisht trysnia e rrjedhës së kësaj letërsie, e shtratëzuar në periudhën e Rilindjes kombëtare dhe me profil të qartë si letërsi si e tillë gjatë periudhës së Letërsisë së modernitetit, vijoi në kushte tejet të rënda pas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Ajo vazhdoi rrjedhën si Letërsi e penguar. Vijmë në përfundimin se rrjedha e kësaj letërsie u shndërrua në rrjedhëz për shkak të kushteve që u krijuan, por duke ruajtur tiparet më të mira të rrjedhës. Tekstet letrare të autorëve të shquar të Letërsisë së penguar për nga cilësia artistike qëndrojnë krahas teksteve letrarë më të shënjuara të Letërsisë së modernitetit. Për të ilustruar këtë përfundim mjafton të krahasojmë çifte autorësh me profil të përafërt të dy periudhave: Në tekstet e Zef Zorbës identifikohet forma eliptike e teksteve të Migjenit. Tekstet letrare të Zef Zorbës janë hermetike, sikurse mjaft tekste të Asdrenit dhe Migjenit. Energjia estetike e teksteve të Migjenit është e pranishme me të njëjtën dritë dhe forcë edhe te tekstet letrare të Zef Zorbës. Ligjërimi poetik i Zef Zorbës është i ndikuar nga poezia më e mirë botërore, sikurse edhe ligjërimi poetik i Migjenit. Dhuna që vjen nga jashtë dallohet qartë në tekstet ekzistencialiste të Zef Zorbës, dukuri që ndeshët edhe në tekstet letrare ekzistencialiste të Migjenit.
E njëjta pranëvënie mund të bëhet midis teksteve letrare të drejtpërdrejtë, me tematikë politike të Fan Nolit me tekstet letrare me të njëjtën tematikë të Trifon Xhagjikës. Mund të pranëvëmë për nga niveli artistik pa asnjë mëdyshje tekstet letrare të Ernest Koloqit me tekstet letrare të poetit emblematik të Letërsisë së penguar Frederik Rreshpja. Mendojmë se nuk kërkohet guxim për të krahasuar tekstet poetikë të Lasgush Poradecit me tekstet poetike të Mihal Hanxharit. Të dy poetët i kanë kënduar me mjeshtëri dashurisë si materie substanciale nga e cila bota është bërë, dashurisë si vetëflijim dhe si përherëshmëri. Kur themi se Letërsia e penguar i ruajti tiparet më të mira të Letërsisë së modernitetit kemi parasysh pikërisht ruajtjen e letërsisë si e tillë, pa u kthyer në letërsi të qëllimtë, duke mos humbur substancën letrare dhe duke mos u shndërruar në tekst propagandistik. Arrijmë në përfundimin se rrjedha e Letërsisë së modernitetit e ndërprerë dhunshëm në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore vijoi rrjedhën e saj si shkrimtari dhe si tekst letrar herë në dritë të diellit dhe herë fshehur në shtratin e brishtë të Letërsisë së penguar.
Kur themi Letërsi e penguar nënkuptojmë atë letërsi që është krijuar në burg, por është penguar të botohet, atë letërsi që është krijuar jashtë burgut, por gjithashtu është penguar të botohet, edhe atë letërsi që qe botuar dhe është ndaluar duke u penguar që të lexohet, edhe atë letërsi që nuk qe krijuar, sepse pengohej të lindte nga klima e terrorit, por do të lindte kur kjo klimë do të ndërronte, edhe atë letërsi që qe krijuar në mendjen e shkrimtarit, por qe penguar për t’u hedhur në letër nga frika, edhe atë letërsi që qe krijuar dhe shkruar, por nuk qe çuar kurrë për botim, sepse pengohej prej frikës, por që u shfaq pas rënies së diktaturës dhe shkaktoi habi estetike, edhe atë letërsi që është krijuar, është çuar për botim, por botimi qe penguar për shkak se nuk përmbushte kriteret e realizmit socialist.
Letërsia e penguar, krahas tipologjisë së përbashkët me Letërsinë e modernitetit, duke u zhvilluar në një kohë tjetër, u pasurua edhe me tiparet e letërsisë europiane, si në formë dhe në përmbajtje. Kjo u vu re në tekstet letrare të autorëve më të spikatur të kësaj letërsie. Ndonëse u krijua në një klimë aspak të përshtatshme, ndonëse lidhjet me botën e qytetëruar u ndërprenë nga muret e izolimit total të qytetërimit shqiptar me botën,Letërsia e penguar për shkak të inercisë nga letërsia pararendëse dhe për shkak të mosaplikimit të parimeve dogmatike të socrealizmit në procesin krijues nga krijuesit e kësaj letërsie, shfaqet sot me një prurje serioze në shtratin e begatë të Letërsisë shqipe. Në tekstet letrare të kësaj prurjeje takojmë unin poetik me dilemat e tij ekzistenciale. Më e prekshme kjo dukuri gjendet në tekstet letrare të Zef Zorbës, Mihal Hanxharit, Visar Zhitit, Jamarbër Markos. Në tekstet letrare të këtyre autorëve gjen të njëjtin shqetësim e trazim të unit poetik, sikurse në tekstet letrare të autorëve bashkëkohorë si metamorfoza e tjetërsimi i individit si rezultat i uniformizimit të shoqërisë dhe dhunës së fatit, dhunës së turmës, dhunës së përditshmërisë.
Letërsia e penguar u zhvillua si rrjedhë më vete e Letërsisë shqipe, por edhe brenda shtratit të realizmit socialist si kundër-rrjedhë. Këtë pjesë të Letërsisë së penguar ne e kemi emërtuar Letërsia e Purgatorit. Është e vështirë ta përkufizosh Letërsinë e penguar si një dukuri unike letrare. Ajo u krijua dhe u shkrua në burg, por u krijua dhe u shkrua edhe në shtratin e Letërsisë së realizmit socialist, siç ka ndodhur me ato tekste letrare të Letërsisë së penguar, që ne i kemi emërtuar si Letërsia e Purgatorit. Ky emërtim lidhet më tepër me fatin e autorëve të këtyre teksteve, të cilët janë shkrimtarë me tekste të botuara, por për shkak se nuk e kanë përqafuar me devotshmëri metodën dogmatike të realizmit socialist kanë krijuar tekste jashtë parimeve të kësaj “metode”. Këto tekste letrare janë dënuar duke u shndërruar në karton ose duke u “burgosur” në fondet rezervë të bibliotekave. Autorët e tyre janë larguar nga qyteti dhe profesioni i tyre dhe janë detyruar të shkojnë të banojnë në zonat rurale për t’u edukuar me frymën e klasës punëtore, duke kryer punë të rënda si minatorë, punëtorë ndërtimi apo kooperativistë. Ky qëndrim në “purgator” zgjatej për vite të tëra ose gjatë gjithë jetës. Në Letërsinë e purgatorit si pjesë e Letërsisë së penguar bëjnë pjesë tekstet letrare të dënuara të autorëve si Ismail Kadare, Dhori Qiriazi, Sadik Bejko, Zija Çela, Dhimitër Xhuvani, Koço Kosta, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Bujar Xhaferi, etj. Këto tekste, ndonëse panë dritën e botimit, u kritikuan, u nëmën dhe u burgosën në fondin e rezervuar të bibliotekave, duke pësuar fatkeqësinë më të rëndë, humbjen e lexuesit. Autorët e Letërsisë së purgatorit kanë krijuar tekste letrare me nivel të lartë artistik, por kanë paguar “haraçin” duke shkruar edhe tekste propagandistikë në këmbim të botimit të teksteve të tjerë me vlera letrare. Në tekstet letrare të këtyre autorëve dallohen ku më zbehtë e ku më qartë “tatuazhet” e metodës së realizmit socialist.
Letërsia e penguar është shprehje e disidencës estetike me letërsinë zyrtare të gjysmës së dytë të Shekullit XX.Pas shqyrtimit të teksteve letrare të Letërsisë së penguar vijmë në përfundimin se kjo letërsi i ka shpëtuar morsës së socrealizmit, ndonëse, siç jemi shprehur më lart, aty- këtu nëpër tekstet letrare të saj dallohen tatuazhet e metodës së realizmit socialist, sidomos tek tekstet letrare të Letërsisë së purgatorit. Themi se kjo letërsi është shprehje e disidencës estetike në lidhje me letërsinë zyrtare, sepse nuk ndoqi parimet dogmatike të socrealizmit, sipas të cilave qe ngjizur teksti i letërsisë zyrtare, por ndoqi parimet estetike të nyjëtimit të një teksti, ku forma, e bukura, letrarja, humanizmi janë të panegocueshme nga krijuesi. Termi disidencë estetike, mendojmë është një term i diskutueshëm, por në përdorimin tonë do të thotë refuzim i parimeve të tilla dogmatike si partishmëria proletare, krijimi i heroit pozitiv, etj., refuzim i asaj letërsie që u shkrua në vitet 50 – 60, ku euforia për fitoren, urrejtja ndaj armiqve të brendshëm dhe armiqve të jashtëm i kishte “çmineralizuar” tekstet nga letrarja duke i kthyer thjesht në propagandë. Disidenca estetike në Letërsinë e penguar ka qenë herë e hapur, herë e fshehur sipas klimës që krijohej në diktaturë. Disa nga shkrimtarët e shquar të viteve ’60 nyjëtuan tekste letrare që shkaktuan mjaft polemika midis tyre dhe brezit të shkrimtarëve pararendës. Ndërsa krijimtaria e disa poetëve të Letërsisë së penguarsi Zef Zorba, Mihal Hanxhari, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti është qartas e dallueshme nga letërsia zyrtare e socrealizmit në të gjithë komponentët e saj.
Krahas disidencës estetike në letërsi, në gjysmën e dytë të Shekullit XX, ka ekzistuar edhe disidenca politike nga shkrimtarë dhe tekstet e tyre të krijuara jashtë dhe brenda burgut. Lexuesit të sotëm nuk besojmë se i intereson disidenca politike e shkrimtarit. Atij i mjafton teksti letrar dhe nuk ka ndonjë interes për fatin e autorit, apo qendrimet e tij politike e shoqërore. Nëse teksti përmbush pritshmëritë e tij estetike, lexuesi është indiferent për fatin e autorit. Në këtë punim kemi sjellë shembuj të disidencës estetike, por edhe të disidencës politike në tekstet letrare të krijuesve të Letërsisë së penguar. Tekstet më të spikatur të këtij lloji i gjejmë në krijimtarinë e poetit disident Arshi Pipa, ku vizatohet me mjeshtëri dhuna dhe rrjedhojat e saj mbi qytetarët shqiptarë. Tekstet e Trifon Xhagjikës janë tekste që goditin hapur, në mënyrë të drejtpërdrejtë diktaturën, diktatorin dhe dhunën e ushtruar mbi shqiptarët. Për këtë arsye poeti martir u dënua me vdekje, duke qënë një nga shembujt emblematikë në të gjithë Lindjen europiane të përballjes së guximshme të poetit me diktaturën. Tekstet me temë politike i gjejmë edhe tek poeti tjetër martir, Havzi Nela, i cili në kërkim të lirisë së munguar stigmatizon diktaturën, si mbytëse të lirisë. Edhe në tekstet e disa shkrimtarëve të tjerë të Letërsisë së penguar dallojmë disidencën politike, si nëntekst, duke ndjekur pesë parimet për të thënë të vërtetën në diktaturë për të cilat flet shkrimtarit Bertold Breht.
Shpesh është artikuluar se në Shqipëri nuk ka patur shkrimtarë disidentë. Në Shqipëri ka pasur shkrimtare që me tekstet e tyre krijuan disidencën estetike në letërsi dhe shkrimtarë të tjerë që nëpërmjet teksteve të tyre letrare, por edhe nëpërmjet veprimtarisë së tyre shoqërore kanë qenë disidentë të hapur politikë duke denononcuar dhunën, mungesën e lirisë, krimet ndaj qytetarëve të këtij vendi.
Letërsia e penguar përmes rezistencës estetike të shkrimtarëve të saj arriti të ruajë letraren, arriti të ruajë qenësinë e saj si letërsi dhe si rrjedhojë arriti të mbetet letërsi si e tillë. Për të argumentuar këtë tezë na vjen në ndihmë koha, si redaktorja më e mirë e teksteve letrare. Mjaft tekste letrare të promovuar me zhurmë në shtypin letrar dhe nëpër takime krijuesish, sot i bëjnë të skuqen autorët e tyre për faktin fatkeq të shkrimit të tyre. Mjaft emra të shkrimtarëve të socrealizmit, të cilët mbushnin bibliotekat e vendit me tekstet e tyre sot janë harruar dhe nuk njihen nga lexuesit. Ndërsa tekstet e Letërsisë së penguar, pavarësisht fatit të tyre prej hirusheje, sot lexohen dhe rilexohen. Tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes, Visar Zhitit, Zef Zorbës, Mihal Hanxharit, Jamarbër Markos shkaktuan habi estetike te lexuesi, ndonëse patën fatin e teksteve letrare të ekskomunikuar për dekada të tëra për shkaqe joletrare. Letërsia që i bëri ballë kohës dhe diktaturës qe letërsia e nyjëtuar sipas parimeve estetike. Tekstet që arritën të ruanin substancën e tyre letrare falë talentit letrar dhe vetëdijes prej krijuesi të autorëve të tyre sot përbëjnë atë që ne e kemi emërtuar si Letërsi e penguar.
Tematika e Letërsisë së penguar është e larmishme. Fati i individit përballë dhunë së shtetit, tjetërsimi i njeriut si pasojë e dhunës, metamorfoza si dukuri traumatike në diktaturë, roli i turmës në diktaturë, bjerrja e virtyteve të formuara ndër shekuj për shkak të terrorit shtetëror, përballja e dashurisë me urrejtjen në shoqërinë diktatoriale, zhveshja e një shoqëria nga humanizmi dhe zëvendësimi i tij me urrejtjen klasore, atdheu si përhershmëri dhe diktatura si përkohshmëri, dashuria si streha e vetme në diktaturë, janë disa nga temat e trajtuara në tekstet e kësaj letërsie. Duke studiuar tekstet letrare të poetit Arshi Pipa vijmë në përfundimin se autori asnjëherë nuk e identifikon diktaturën me atdheun, por e sheh atdheun si viktimë e diktaturës duke e identifikuar me veten. Dhuna e diktaturës ndaj qytetarëve shqiptarë shihet si dhunë mbi atdheun, gjithashtu diktatura identifikohet si rrënuese e qytetërimit të krijuar në mijëra vjet. Nga shqyrtimi i teksteve lirike të poetit Arshi Pipa, vijmë në përfundimin se poezia për poetin është dashuri, zbulim, takim me të bukurën, krijim i saj, kërkim i së vërtetës artistike e kuptimore, edukim i shpirtit, fisnikëri, atdhetari, formë ekzistence.
Tipologjia e diskurseve te “Letërsia e penguar”. Tekstet e “Letërsisë së penguar”, duke qenë se u krijuan në një hark kohor mjaft të gjerë që përfshin disa dekada, duke u krijuar nga shkrimtarë dhe poetë që përfaqësojnë disa gjenerata, formojnë një spektër në llojet e diskurseve, qoftë në aksin semantik, po ashtu edhe në aksin estetik te tekstit. Nga shqyrtimi i tipologjisë së diskurseve dallojmë tekste me diskurse realiste, romantike, futuriste, hermetike, simboliste etj. Diskursi realist vjen si inerci dhe përvojë nga poetë dhe shkrimtarë të shquar të “Letërsisë së modernitetit”. Tekstet poetikë të poetëve Visar Zhiti, Bilal Xhaferi, Sadik Bejko, Genc Leka, Havzi Nela, Zyhdi Morava, Pano Taçi etj. janë tekste letrare me diskurs realist. Tekste me diskurs futurist, apo me futurizmin si prani ndeshen në krijimtarinë e poetëve të viteve ’60 si ndikim nga futurizmi rus e ndoshta më pak nga futurizmi Italian. Ne jemi ndalur te poema me diskurs futurist e poetit të nëmur Faslli Haliti. Tekstet me diskurs simbolist i kemi ndeshur në tekstet letrare të poetit martir Vilson Blloshmi, të poetëve Frederik Rreshpja dhe Mihal Hanxhari etj. Tekstet me diskurs hermetik janë, për mendimin tonë, dukuria më interesante në “Letërsinë e penguar”. Këto tekste i ndeshim në krijimtarinë poetike të poetëve Zef Zorba dhe Jamarbër Marko. Tekstet e këtyre poetëve nuk kanë asnjë funksion tjetër, veç funksionit estetik, gjë ende e rrallë në poezinë shqipe, e cila edhe kur i shpëtoi 39 morsës së socrealizmit, nuk i shpëtoi të qënit si letërsi funksionale, qëllimore a tendencioze. m. Tekstet e “Letërsisë së penguar” me modelimin, rimodelimin dhe destruksionin e miteve shënuan një kulm të poetikës në “Letërsinë shqipe”. Letërsia ka lindur nga mitet dhe ushqehet nga mitologjia. Pas studimit të teksteve të “Letërsisë së penguar”, vijmë në përfundimin se në tekstet e saj ndeshen mitet si miti i lirisë, miti i atdheut, miti i Sizifit, miti i Hënës, miti i kohës, miti i Itakës, miti i Perëndimit, miti i metamorfozës, miti i femrës, miti i humbjes, miti i ringjalljes, miti i vetmisë, miti i mungesës, miti i dashurisë etj. Një nga mitet që ndeshet shpesh në “Letërsinë e penguar” është miti i humbjes. Nga analiza e teksteve letrare kemi ardhur në përfundimin se në “Letërsinë e penguar” dhe në të gjithë “Letërsinë shqipe” nuk gjen asnjë poet që me aq ashk t’i ketë kënduar humbjes sa poeti Frederik Rreshpja. Ai mund të cilësohet si Kadmi i “Letërsisë shqipe”. Miti i humbjes ndeshet edhe në tekstet poetikë të Visar Zhitit, Mihal Hanxharit, Jamarbër Markos etj. Nga shqyrtimi i teksteve të tyre letrare del si përfundim se humbja është rrjedhojë e mungesës së lirisë. Në diktaturë njeriu humb identitetin dhe tretet në turmë, humb profesionin, humb pasurinë, humb miqtë, humb virtytet, tjetërsohet. Thënia e poetit Frederik Rreshpja në një tekst poetik të tij, unë vërtetë nuk fitova asgjë në këtë jetë, por humbjet i kam pasur të mëdha dhe pyetja retorike në një poezi të Zef Zorbës, Kur s’ka dritë ç’i do sytë, janë përkufizimi më i qartë i raportit të poetit me diktaturën. Krahas mitit të humbjes në tekstet letrare të të kësaj letërsie takohet miti i metamorfozës. Në baladat dhe legjendat 40 shndërrimi, metamorfoza ndodh kur personazhet pësojnë trauma të forta shpirtërore, ku ata gjenden në situata të pazakonta, të cilat kërkojnë energji të jashtëzakonshme jashtënjerëzore për të zgjidhur këto situate. Miti i metamorfozës ndeshet pothuaj në tekstet e të gjithë poetëve dhe shkrimtarëve të “Letërsisë së penguar”. Nga shqyrtimi i teksteve letrare të Visar Zhitit vijmë në përfundimin se metamorfoza në tekstet e tij përfshin edhe qenie të gjalla edhe sende e objekte pa shpirt. Poeti Visar Zhiti, në tekstet e tij, shndërrimin, tjetërsimin, pra metamorfozën e individit të burgosur e shikon si të pakthyeshëm. Nga studimi i teksteve të këtij poeti vijmë në përfundimin se diktatura me metodat e saj diabolike synonte çnjerëzimin dhe tjetërsimin si një proces terrorist të vazhdueshëm. Gjithashtu mësojmë se i gjithë diskursi poetik i teksteve të Visar Zhitit thuret nga fije humanizmi. Metamorfoza e gishtërinjve të tij në gjarpërinj, e tremb unin poetik. Në këtë tekst ai nuk ka vetëm shqetësimin e shndërrimit të duarve të tija në gjarpërinj nga torturat e dhunës së shtetit, por se nesër këta gishtërinj do të mbysin e helmojnë të tjerët, pra edhe ata që i shndërruan me dhunë nga gishtërinj në gjarpërinj, për të vetmin faj se shkruan poezi. Nga shqyrtimi i teksteve të Frederik Rreshpjes vëmë re se metamorfozat në të gjithë tekstet e tij janë metamorfoza formale, që kalojnë nga një formë në një tjetër me synime thellësisht estetike. Nëse të poezia e Visar Zhitit miti i metamorfozës përdoret më shpesh në funksion të rrafshit semantik të tekstit, te Frederik Rreshpja miti i metamorfozës përdoret pothuajse në të gjitha rastet në funksion të rrafshit estetik të tekstit. Uni poetik në diskursin poetik të Frederik Rreshpjes ndihet më komod i prangosur nga zinxhiri i humbjeve se sa nga komforti që vjen si rrjedhojë e procesit të shndërrimeve dhe konvertimeve, ndaj kur ndjen se duhet të shndërrohet, ai zgjedh vdekjen, si shndërrim sublim. Ndërsa nga shqyrtimi i teksteve poetikë të Mihal Hanxharit vijmë në përfundimin se dukuritë, objektet, njerëzit, ngjyrat, tingujt, format shfaqen në një dritë zanafillore, që projekton skenën e pandërprerë të shndërrimeve të tyre. Kjo mënyrë konceptimi e ndihmon mjaft poetin për të ndërtuar realitete artistike, ku shenjat sjellin imazhe të gjalla të shndërrimeve nga zanafilla deri në çastin fatlumë të shfaqjes. Dashuria është një arsye madhore në tekstet poetike të Mihal Hanxharit, që me mungesën e saj, shkakton metamorfoza traumatike.
Tekstet dhe veprat letrare të Letërsisë së penguar zënë një vend të nderuar në hierarkinë e vlerave të Letërsisë shqipe.Mjaft tekste letrare të Letërsisë së penguar kanë zënë vend në fondin e artë të letërsisë shqipe siç janë tekstet poetikë të poetëve Frederik Rreshpja, Zef Zorba, Visar Zhiti, Mihal Hanxhari, Jamarbër Marko. Gjuha ka qenë streha e poetëve dhe krijuesve në diktaturë, natyrisht dhe shpëtimi i tyre. Arrijmë në përfundimin se pikërisht gjuha është edhe terreni ku duhet gërmuar për të zbuluar dhe njohur më mirë tekstet letrare dhe autorët e tyre. Jo vetëm për poetët që u pushkatuan apo u varën si Vinçenc Prenushi, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika, Havzi Nela, por edhe të tjerët e përdorën gjuhën edhe si strehë, edhe si mjet shprehës, edhe si refuzim të së përditshmes për të jetuar përhershmërinë si Lasgush Poradeci, Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Maks Velo etj. Gjuha, sikurse edhe nëntoka, ruan dhe fsheh mistere, të cilat duhen zbuluar pikërisht duke hulumtuar në gjuhën e teksteve letrare të shkrimtarëve të Letërsisë së penguar. Tek tekstet e shkrimtarëve kemi zbuluar mjaft të panjohura të fshehura në gjuhë. Synimi ynë qe që nëpërmjet leximit të kësaj gjuhe të zbulonim dhe hidhnim dritë mbi misteret e krijimit në diktaturë. Censura, autocensura ka krijuar mjete dhe detale të gjuhës poetike, të cilat fshihnin brenda formës së rafinuar mesazhin artistik e kuptimor.
Tekstet me diskurs hermetik janë, për mendimin tonë, dukuria më interesante në Letërsinë e penguar. Këto tekste i ndeshim në krijimtarinë poetike të poetëve Zef Zorba dhe Jamarbër Marko. Tekstet e këtyre poetëve nuk kanë asnjë funksion tjetër, veç funksionit estetik, gjë ende e rrallë në poezinë shqipe, e cila edhe kur i shpëtoi morsës së socrealizmit, nuk i shpëtoi të qenit si letërsi funksionale, qëllimore a tendencioze.
Gjithashtu vijmë në përfundimin se Letërsia e penguar është pjesë e rëndësishme e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Kjo letërsi nuk vjen si mohim i një letërsie, si mohim i një teksti, apo autori. Ajo vjen dhe zë vendin e saj të mohuar për arsye jashtë-letrare për dekada të tëra. Ajo vjen dhe zë vendin bosh në mozaikun e Letërsisë shqipe. Natyrisht kërkohet nga studiuesit, hartuesit e teksteve shkollore vëmendje më e madhe për ta publikuar këtë letërsi me të vetmin kriter vlerësues, atë artistik. Letërsia e penguar është ende e panjohur për lexuesin e gjerë dhe jo fort e përfaqësuar në tekstet shkollore, ndonëse mbart te vetja vlera të spikatura artistike dhe njerëzore. Mungesa e poetëve Frederik Rreshpja, Zef Zorba, Mihal Hanxhari, Visar Zhiti, Jamarbër Marko në tekstet shkollore, nuk dëmton këta autorë, por formimin letrar e estetik të nxënësve.