LETËRSIA, KY MALLKIM I BUKUR

Edhe pse libri nuk është më popullor si filmi, gazeta, TV apo interneti, prapë ai nuk duhet braktisur, a injoruar. Injorimi i librit, është ekuivalenti i një varfërimi shpirtëror të tejskajshëm. Njerëzit do të harronin të thelloheshin në arsyetimet e tyre. Do të ishin më të mjerë

Artur SPANJOLLI

Përse e quaj letërsinë një mallkim? E quaj kështu, sepse ajo e ndjek shkrimtarin në çdo hap, si një obsesion, si një fantom, si një fëmijë herë i bindur, herë i pabindur. Herë herë, krejt si një dashnore kapriçoze, që më shumë të merr se sa të jep. Ajo të grabit gjumin, lirinë, independencën tënde. Duhet ta jetosh atë çdo çast si një jetë paralele, me jetën e përditshme. Ajo është aq e pushtetshme sa gati të alienon, të largon deri edhe nga familjarët, nga lidhjet më të dashura. Të pushton krejt, si një drogë, si një helm i ëmbël. Të dhunon pafajësinë. Të gllabëron ndjesinë e çastit. Nuk e ke më mendjen tek e përditshmja, tek rutina e jetës. Përkundrazi, bëhesh si i huaj, me mendjen veç tek krijimi. Tek fantazmat e saj. Përbindësha, të cilët kur të ngjiten, nuk të shkiten më. Të përndjekin anekënd. Ajo, edhe pse duket e thjeshtë: – ç duhet? mjafton një letër dhe një laps për të shkruar -, ajo është si një zonjë e madhe që ka nevojë për salltanet. Për kushte. Jo rastësisht, letërsia, ka qenë përherë privilegj i fisnikëve dhe aristokratëve. Letërsia është kapriçoze dhe ta rrëmben shpirtin. Shkrimësia, mbi të gjitha, ka nevojë edhe për orë e orë pa fund dedikimi. Orë, leximesh, reflektimesh korrigjimesh. Sidomos puna me tekstin që po merr formë, është një punë plot lodhje, djersë dhe mund. Por kjo lodhje pa fund, ky mallkim i tmerrshëm, edhe i fal krijuesit, disa kënaqësi të tjera, të çmuara, të papërshkrueshme, të papërsëritshme.

Tre janë format e kënaqësisë me të cilat letërsia i shpërblen shkrimtarët.

E para është kënaqësia e mirëfilltë krijuese.

Ajo është e thellë, e pashpërblyeshme, e mrekullueshme, e pashkëmbyeshme. Ajo dhuron një gëzim të brendshëm pa skaj. Ekzaltimi shpirtëror, mbushja për brenda, lumturia pa kushte, pa çmim dhe pa të ngjashëm e shkrimtarit kur ndjen se ka shkruar diçka të bukur, është një lumturi, një ngazëllim të cilin nuk ta fal as shpërblimi më i madh ekonomik a material.

E dyta është fitimi i ndonjë honorari nga shitjet e librave. Një kënaqësi kjo, të cilën shkrimtarët si të mirët dhe ato mesatarët, gati kurrë kanë fatin ta shijojnë. Ndoshta shkrimtarët mediokër kanë më shumë fat në këtë drejtim. Por, ka raste kur edhe krijuesit e mirë, shkrimtarët me vlerë pra, tek tuk, lindur nën ndriçimin e një yllësie me fat, mundet edhe ta shijojnë atë. Kjo është një nga arsyet pse shkrimtarët zakonisht janë të trishtë, me humor të prishur, nevrikë dhe shpesh të dëshpëruar. Ndaj, si rrjedhojë, pijanecë, vetmitarë, kontradiktorë, të ndarë, me familje të gjymtuara, krejt të çrregullt për të mos thënë të shkatërruar nga vuajtjet. Ata, edhe pse janë të ndërgjegjshëm për lodhjen pa fund, mundohen të gjejnë një ekuilibër të pranueshëm. Për atë që i fal njerëzimit, shkrimtari i mirë nuk paguhet as edhe një të njëqindën si shpërblim. Veç se duhet bërë dallimi mes shkrimtarit amator, diletant dhe shkrimtarit, intelektualit, profesionistit.

E treta është admirimi i publikut. Ajo që lexuesi të fal. Suksesi i librit është një nga kënaqësitë estetike më të egra të shkrimit. Ne dëshirojmë të lexohemi. Kjo është një dëshirë krejt natyrale e shkrimtarit. Dëshirë e cila rrallë herë realizohet si ai, shkrimtari pra, dëshiron vërtetë. Po nuk u lexua, libri vdes, qoftë edhe kryevepër. Leximi, për të, është përtëritje, fitim energjie, limfë jete.

Edhe pse libri nuk është më popullor si filmi, gazeta, TV apo interneti, prapë ai nuk duhet braktisur, a injoruar. Injorimi i librit, është ekuivalenti i një varfërimi shpirtëror të tejskajshëm. Njerëzit do të harronin të thelloheshin në arsyetimet e tyre. Do të ishin më të mjerë.

Ky fat plot mallkim, i cili e ndjek shkrimtarin për 10 vjeçar të tërë, është edhe udha më sublime e intelektit të tij. Të jesh, a të bëhesh shkrimtar, nuk varet nga shkrimtari. Ai lind i tillë. Ekzigjenca për të komunikuar, për të thënë gjëra të brendshme, është një shtysë natyrale e vetë artistit. Ta thuash mirë, thjeshtë dhe me sinqeritet, ndershmëri intelektuale diçka. Kjo është e rëndësishme. Ky është edhe misioni i tij. Vjen apo nuk vjen bashkë me të fati ekonomik a ai i publikut, kjo nuk varet, nuk është në dorë të shkrimtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.