LETËRSIA SHQIPE TË LEXOHET SHQIP

Letërsia duhet lexuar si e vetëmjaftueshme për veten, sepse mjaftojnë njohuritë që ka brenda, vetënjohja e njeriut për të qenë estetikisht e nevojshme për njeriun, pa shtesa ideologjike

Afrim REXHEPI

Një kërkesë antologjike në shkencat albanologjike, konkretisht në idetë teorike – letrare dhe estetike shqiptare, na vjen nga prof. Eqrem Çabej. Kërkesa e tij, shënon faktin që letërsia i takon vlerave estetike dhe jo vlerave politike e ideologjike. Deri kur thotë albanologu i madh, ne shqiptarët, do të krijojmë letërsi të vlerave estetike. Një kërkesë të tillë, prej albanologu, e shqyrtoi përmes ontologjisë së veprës letrare, e ndihmuar edhe nga një ligjërate e famshme e Roland Barthes – it dr. Ibrahim Rugova, në librin e tij antologjik Refuzimi estetik. Qenësia estetike, është ajo që definon veprën letrare dhe jo ndikimet politike e ideologjike (të kohës).Në gjykimin tim metateorik, ndoshta përgjigja më e plotë teorike – letrare e estetike për kërkesën e prof. Çabej, i takon teorisë letrare të prof. Sabri Hamitit, teori kjo më e plotë dhe më sistematike në shkencën e letërsisë shqipe. Është e jashtëzakonshme teoria sistematike e tij, për një poetikë historikë të letërsisë shqipe, që kalon përmes tre elementeve përbërës: Bioletra, Tematologjia dhe Albanizma.

BIOLETRA:Sipas modelit teorik për një histori të poetikës shqipe të Sabri Hamitit, shkrimi dhe leximi empirik letrar si procese njerëzore komplekse dhe tejet të ndërlidhura e kanë burimin tek individi dhe bota e tij, jo në rrethanat shoqërore dhe ideologjike të kolektivit. Kjo është kërkesa që letërsia t’i kthehet natyrës së saj të vërtetë, krijimit të vlerave shpirtërore dhe kënaqësia e njohjes së këtyre vlerave. Bioletra ose jetëshkrimi (nga gjuha latine: bio – jetë dhe littera – shkrim = bioletër / jetëshkrim) është një ftesë për t’u kthyer në fillim, në pafajësi, në zbulimin e vetes dhe të botës, pa pranuar konvenca ideologjike e politike. Në këtë hapje të përgjithshme, krijuesi takohet me lexuesin e kohës së tij apo të kohëve të tjera, për të relativizuar kohën me përjetësinë e artit. Kështu, vepra, përmes bioletrës, i afrohet estetikës, funksionit të saj origjinal, unik e parësor, asaj që e bën letërsinë letërsi edhe kur poeti i drejtohet, për shembull traditës e natyrës shqiptare etj. Duhet pasur parasysh faktin se format janë të përjetshme: romani, tregimi, poezia, por mbetet procesi empirik, pra bioletra, e krijuar përmes dialogjizmit krijim – lexim, të cilat janë të veçanta dhe origjinale, e që përsërisin temat nga tradita, gjatë gjithë jetës dhe kohës (historisë), autori përmes krijimit dhe lexuesi përmes leximit empirik dhe të përsëritur.

TEMATOLOGJIA:Tema është thelbi ideologjik i veprës, përcaktohet nga autori ose identifikohet nga kritiku. Në kontekst, tema në veprën letrare, shtjellohet në esencë letrare, si ide makrostrukturore e veprës. Terna, si tërësi idesh dhe imazhesh, identifikohet brenda traditës letrare shqipe, merret nga tradita dhe përthehet në një formë (të re) specifike, kalohet nga një tematikë, në një poetikë. Nga këndvështrimi sinkronik, tema zgjidhet ose klasifikohet, ndërsa nga këndvështrimi diakronik, përmes invarianteve semantike përthehet në forma të caktuara, pra evoluon. Sipas Sabri Hamitit, “Tema është objekt i një qëllimi ideal, është një shpirt në kërkim të trupit të vet. Ndërsa vepra e mbaruar është një sintezë e materialit paraekzistues dhe projekti i autorit paraqitet në materialin e ri”.

ALBANIZMA:Sipas Sabri Hamitit, kur tema shqiptare përthehet në letërsi, quhet Albanizma. Ne fakt ç’është Albanizma? Albanizma ka të bëjë me një nocion që përfshin identitete kulturore dhe letrare shqipe, domethënë, karakteristika të përsëritshme dhe të përsëritura të kësaj kulture dhe të kësaj letërsie të cilat duken në shoqëri dhe reflektohen në letërsi. Për shembull duke iu referuar Polifonisë, Albanizma është tema e isopolifonisë, e përthyer në letërsi nga parateksti i këngës popullore me iso. E gjen të përthyer te romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, te Autobiografia e popujve në vargje, te romani me iso Dimri i vetmisë së madhe të Kadaresë, e shembuj të tjerë nga tradita. Pra, Albanizma si dukuri identitare, si proces i semiozës në letërsinë shqipe, e përsëritur dhe e përsëritshme në historinë e formave letrare, është e dallueshme dhe në funksion. Albanizma si koncentrate shqiptare, të përsëritshme e të përsëritura ndër breza, veçanti që e bëjnë letërsinë shqipe, të dallueshme nga letërsitë te tjera, edhe të rajonit, edhe te botës. Nga kritika letrare, Albanizma është cilësuar, si një vepër që shpreh vullnetin dhe dëshirën që më në fund shqiptarët të flasin për vetveten.

Letërsia duhet lexuar si e vetëmjaftueshme për veten, sepse mjaftojnë njohuritë që ka brenda, vetënjohja e njeriut për të qenë estetikisht e nevojshme për njeriun, pa shtesa ideologjike. Në tekst, teoria nxjerr në pah tendencën që në çdo tekst letrar, në çdo formë letrare, duhet parë veçantia dhe mënyra, si pozicionohet ajo veçanti brenda sistemit të vlerave të letërsisë. Dhe kur ajo vendos tema përmes një procesi të caktuar të semiozës, të përsëritura e të përsëritura, përmes formave letrare – poezi, tregim, roman etj., dhe kur ato janë karakteristika të sublimuara të letërsisë, si ndërtim dhe si kuptim, d.m.th. si poetikë, atëherë do të mund të flasim për një variant të caktuar të poetikës historike, pra historinë e letërsisë, si shkencë e analizë kritike objektive, e transformimeve dhe përjetësive, e efektit të fortë të veprave nga tradita dhe modeleve të tyre, në vend të proceseve kohore ideologjike dhe politike. Pra, veprat letrare si bie fjala poezitë bukolike të Naim Frashërit apo poezitë e Lasgush Poradecit, (të manifestuara në forma e nënforma letrare, me temat nga tradita), si dukuri letrare, janë të lidhura gjenetikisht me strukturën organike të identitetit kulturor, sepse gjuha shqipe kujton, sepse gjuha shqipe është kujtesë. Sabri Hamiti, duke shfrytëzuar paradigmat teorike të historive letrare në vijim, ndërtoi një model të veçantë për një poetikë historike të letërsisë shqipe e që teoretikisht, pretendohet të modelohet në histori të letërsisë shqipe. Modelin teorik në fjalë, akademik Kujtim Shala e kërkon në shkrirjen e modelit teorik të Zhenetit dhe të Cvetan Todorovit, kurse në aspektin estetik dhe filozofik, do të thoja një ndikim i Arkeologjisë së dijes të Mishel Fukosë dhe një ndikim i estetikës empirike/fiziologjike të Zhyl Delezit. Në takimet e tij me studiues të huaj, Sabri Hamiti sugjeron tre monumente identitare të kulturës shqiptare: Këngët e Kreshnikëve, Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Historia e Skënderbeut. Unë do tu sugjeroja studiuesve shqiptar Poetikën shqipe (Bioletra, Tematologjia, Albanizma) të Sabri Hamitit, për një arsye thelbësore, që ata, duke e praktikuar sistemin e tij teorik, nga pozicioni i lexuesit empirik, letërsinë shqipe do të mund ta lexojnë shqip.

Leave a Reply

Your email address will not be published.