LETËRSIA SI OPTIKË IDENTIFIKUESE E NJË QYTETI

(Abstraktime mbi romanin “Kronikë pa qytet”, nga Ilir Paja)

Rei HODO

Është pagabueshmërish sfidë përballja e realiteteve në një kohë kur sot, të përballesh, do të thotë të mos jesh në pozita të barabarta, si në aspektin cilësor ashtu dhe në atë cilësor. Ndër të tjera refleksione të tijat, Monteskje shprehet se “republika e letrave është bërë si ajo athinase, ku të varfrit ishin më të vlerësuar se të kamurit”, e sot mediokriteti ka marrë revan. Lulëzimi i letrave është ngushtësisht i lidhur me ato të perandorive sa ndoshta mund të qenësohet edhe si shenjë apo shkak i tyre. E në këtë trajektore, letërsia e zgjedhur krijon mundësinë jo vetëm të një leximi të mirë, por lejon edhe ngjizjen e debateve me natyrë krahasuese apo ndoshta shteruese, deri në një pikë të caktuar, të pyetjeve që mund të jenë ngritur përpara.

Nuk është fare e panjohur lidhja që ekziston ndërmjet letërsisë dhe qytetit, parë ky i fundit jo vetëm si koncept sociologjik por edhe gjeografik. Tek ne, dhe këtu kam parasysh letërsinë shqipe, shembuj të tillë janë prezent dhe ia dalin mjaft mirë të realizojnë bashkërendimin e veprimeve që përfshin kuadri teorik “letërsi-qytet”.

Richard Lehan në veprën e tij “Qyteti në letërsi: një qasje intelektuale dhe kulturore” mundohet të shpërfaqë lidhjet që mund të krijohen falë bashkërendimit të letërsisë dhe urbanes. Sipas tij, transformimet e qyteteve (të cilat kanë ardhur dhe vijnë për arsye të ndryshme) arrijnë të ndikojnë në jo vetëm në konceptimin e një romani por edhe në formë apo në stil të tij. Ai gjithashtu, fazat e evoluimit të urbanizmit i lidh edhe me fazat e evoluimit të letërsisë.

Një shembull i ri i gjithë kësaj që paraqitet shkurtimisht më sipër është romani “Kronikë pa qytet” i shkrimtarit e poetit Ilir Paja, ardhur për lexuesin nga “Botimet Jozef”. Sipas vetë autorit, pas një mungese të gjatë dhe një hulumtimi të gjerë në lëmin e poezisë, pjekuria letrare dhe nevoja për t’i ofruar lexuesit, brenda mundësive, atë çka është në mungesë, e këtu rikthejmë vëmendjen tek paragrafët e parë, bëri që botimi i radhës të fokusohej në gjininë e prozës, duke sjellë për lexuesin një roman të ri.

Në mendimin e tij, radhitur në ballinën e pasme të librit, shkrimtari dhe dramaturgu B. Hoxha kujdeset ta cilësojë romanin si një ambient ideal ku “historia lëviz me ritmin e një poezie, për të nënvizuar disa të vërteta të mëdha të jetës dhe shoqërisë.” Letërsia nuk mund të bëhet pa të vërtetën, do të ishte e mangët ose do të ishte një letërsi e dorës së dytë, sepse mbizotërimi i të vërtetës është pasqyrimi i realitetit. Libri në fjalë, edhe pse i shkruar gjatë dy viteve të fundit është një përmbledhje e të gjithë ngjarjeve që kanë shoqëruar jetën e qytetit dhe qytetarëve të tij, pjesë e të cilëve jemi edhe vetë ne. Pra, si të thuash, Durrësi është pjesë integrale e jona dhe padyshim edhe ne kontribuojmë në jetën e tij.

Studiuesi V. Graçi shprehet se libri “është një roman për kujtesën dhe nga kujtesa; edhe nëse një shumicë shoqërore, edhe nëse një periudhë historike punon kundër qytetit si entitet i së mirës, humanes, si entitet i së bukurës, kujtesa e shkrimtarit nëpërmjet rrëfimit romanor, e mban në jetë qytetin me historitë e tij të trishta, me dramat dhe gjakimet njerëzore, me bukurinë e ëndrrave dhe melankolinë e hijshme të zhgënjimeve pas humbjeve të përkohshme.” Ky paragraf na jep mundësinë të kthehemi sërish tek lidhja mes letërsisë dhe qytetit, parashtruar më lart në mendimet e R. Lehan. Sipas këtij të fundit, “Realizmi komik dhe romantik na japin njohuri për qytetin tregtar; natyralizmi dhe modernizmi në qytetin industrial; dhe post-modernizmi në qytetin post-industrial. Qyteti dhe teksti letrar kanë pasur histori të pandashme.” Në roman, Durrësi analizohet qartësisht nga pikëpamja zhvillimore e veprimeve duke u bashkëshoqëruar këto të fundit sigurisht me nivelin artistik të rrëfimit dhe stilit të autorit.

Ajo çka do të doja të shihej me kujdes lidhet me faktin e të pasurit herë-herë momente të ngjeshjeve të veprimeve apo situatave në momente të caktuara, njëkohësisht. Kjo ndoshta do lejonte dyzimin apo krijimin e vështirësive për lexuesin e thjeshtë edhe pse duhet pranuar se letërsia e tillë kërkon një lexues të përgatitur.

Autori kujdeset po ashtu të sjellë imazhin e qytetit nëpërmjet personazheve të tij, duke i shndërruar ata na turmë jo si lumpenproletariat, por si metonimi e qytetit. Duke rritur shumëllojshmërinë e personazheve, autori krijon kështu sfidën e tij për një komunitet, i cili apriori duhet të jetë i pajisur me normat elementare por pse jo edhe të larta të shoqërisë. Nëse kjo është arritur, i mbetet lexuesit ta mbërrijë si fakt apo si të vërtetë. Personazhi kryesor apo edhe ata dytësorët, pa të cilët s’mund të ketë një kurbë interesante veprimi arrijnë që, nëpërmjet mendimit të autorit, të jenë në bashkërendim të plotë me subjektin e romanit, të cilin duhet dhe mund ta gjeni duke e shfletuar me kujdes atë.

Ajo që mund të thuhet me siguri është fakti se rrëfimi romanor është gjithnjë ftesë për lexim, për t’u thelluar brenda vetvetes. Duke iu rikthyer sërish fjalëve të shkrimtarit B. Hoxha, romani “është kronika e rrahjeve të zemrës së personazheve që mbajnë ëndrra të mëdha në një botë konfuze dhe të trishtuar, të harruar nga pjesa tjetër e botës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.