“LETRA BORGESIT”

Grigor JOVANI

Kur kishte mbushur 83 vjet, në tetor të vitit 1982, Horhe Luis Borges, i cili ishte i verbër qysh 30 vite përpara, mblodhi 60 miq në Nju Jork për një party ditëlindjeje.

Shkrimtarja dhe mikja e tij e afërt, Suzan Santog, ishte e pranishme.

E intervistuar pak më vonë për këtë festë miqsh të Borgesit, ajo tha: “Nuk ekziston shkrimtar që rron sot, i cili të jetë kaq i rëndësishëm për shkrimtarët e tjerë, se sa Borgesi. Shumë njerëz do të pohonin që është shkrimtari më i madh në të gjallë. Shumë pak shkrimtarë sot nuk kanë mësuar prej tij ose nuk e kanë imituar…”

Horhe Luis Borges u nda nga jeta katër vjet më vonë.

Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, Santog iu kthye veprës gjeniale të shkrimtarit dhe trashëgimisë kulturore dhe artistike që ai la pas, me një ese të mrekullueshme, të titulluar “Letra Borgesit”. Kjo ese, e cila bëri bujë në botën letrare të kohës, u shkruajt më 13 qershor 1966 dhe u përfshi më 2001 në librin e shkëlqyer me ese të shkrimtares, “Where the Stress Falls” (Atje ku bie stresi).

Disa pasazhe, nga eseja-letër, dërguar (pas vdekjes) Borgesit:

1. “Ishim produkt i epokës suaj, i kulturës suaj, por ju e dinit si të tejkalonit kohën tuaj, kulturën tuaj, me një mënyrë që ngjan krejt magjike. Kjo kishte të bënte me çiltërsinë dhe bujarinë e vëmendjes suaj. I dashur Horhe, ishe shkrimtari më pak egocentrik, më i tejdukshmi, si edhe më i talentuari. Kishte gjithashtu të bënte edhe pastërtia e natyrshme e shpirtit tënd.”

2. “Kishe një ndjeshmëri të kohës, që nuk e kishin njerëz të tjerë. Idetë e zakonshme të së shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes dukeshin shumë banale para vështrimit tënd. Të pëlqente të thoje se çdo çast i kohës përmban të shkuarën dhe të ardhmen, duke cituar (me sa mbaj mend) poetin Browning, i cili shkruajti se “e sotmja është çasti kur e ardhmja përmbyset tek e shkuara…” Kjo, natyrisht, ishte pjesë e modestisë tënde: shija jote për gjetjen e ideve të tua tek idetë e shkrimtarëve të tjerë.”

3. “Një shkrimtar – dhe besoj gjithë të tjerët – duhet të besojë se çdo gjë që i ngjet është një burim. Të gjitha gjërat na janë dhënë për një qëllim dhe një shkrimtar duhet ta ndjejë këtë më ndjeshëm. Gjithçka na ndodh, duke përfshirë këtu edhe poshtërimet që na bëhen, edhe dështimet tona, të gjitha na jepen si lëndë e parë, si brumë, me të cilin do të mbruajmë artin tonë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.