LEXIMI INTERTEKSTUAL I KADARESË

Simbolet mitike të Kadaresë janë vetëdije kolektive qe fillojnë me vetvetëdijen. Njeriu nuk është i plotë derisa qenia dhe vetëdija janë në disproporcion

Afrim REXHEPI

Definicioni klasik për mitin: miti është rrëfim i thjeshtë / shprehje për krijimin e botës, njerëzve, perëndive, për realet natyrore dhe sociale. Shkaku: esenca e gjenezës së botës dhe fillet e saj, rrëfim për krijimin. Njeriu antik parashtroi skemën mitike: shenjëzim i kaosit – transformim në kozmos, përmes pyetjeve pse dhe si. Modusi ekzistencial – autori, me tendencë të përgjigjet në pyetjet e parashtruara, për bazë ka mitin antik, ka formën fabulative – parafiguracionin që e transformon në konfiguracion. Në esencë, miti është shkrim që reflekton në letërsinë e sotme, modulacion i refleksionit – kuptimit. Për Shelingun, mitologjia është parafiguracioni bazë i konfiguracionit. “Është materie e përhershme, nga e cila rikrijohen çuditërisht, forma të ndryshme’. (Sheling; 81) Interaksioni mit – letërsi, shënohet miti parafiguracion i temave ekspresive letrare, receptorë modelativ – konfiguracion i figurave mitike. Kategoria kaos, do të thotë ikje nga koha aktuale, ikje e autorit nga faktika në fiksion. Implikacion: formëzim i mitit të formëzuar. Parafiguracion: figurat mitike Prometheu / Kali i Trojës – konfiguracion: figurat letrare Prometheu / Përbindëshi.

Teksti artistik gjuhësor është shenjë, është tërësi kuptimore. Rolan Barti përcakton interaksionin e mitit sot: sistem semiotik i shkallës së dytë, metagjuhë e gjuhës. “Shenja në gjuhë, shënjuesi në mit, kthimi i mitit nga kuptimi në formë”. (Barthes; 15) Përcaktimanalogjik: shënjuesi është projeksion metonimik në raport me tërësinë,mikrokozmos në makrokozmos. Teksti shenjë krijon raporte:

-të ngjashme, në analogji me referentët që i shënjon dhe

-të kontaktit pjesë – tërësi.

Raportet janë konstituencë e asociacioneve të ngjashme midis botës së tekstit dhe referentit. Raporti shenjë – referent është raport logjik pjesë – tërësi. Bota e tekstit (skema narrative hetero – homodiegeza, koordinatat kohore – hapësinore), nuk është projeksion sinekdotik – pjesë e tërësisë, është projeksion metonimik – tërësi e tërësisë, përkatësi e tërësisë, strukturë jokoherente e botës, strukturë imanente e ekzistencës, projeksion tekstual që konkretizohet në interpretim. “Fakti që letërsia kupton vullnet për komunikim të vazhduar, detyron ta projektojmë atë si mesazh deri në ndonjë “qëllim të pacaktuar”. (Durand; 27) Në metagjuhën e kritikës, metonimia shndërrohet në metaforë. Kuptueshmëria e metaforës diskurzive varet nga kontinuiteti metonimik. Tekst – metafora është tendencë estetike, përmes fizikës (fjalës) prek metafiziken (idenë, emocionin) / është operacion që zhvillohet në mendim e jo në fjalë. Tekstet Përbindëshi / Prometheu, i përcaktojmë tekst – metaforë përmes principit ngjashmëri – analogji. Rinjohim dialektikën e krizës, ekzistencën kaotike të njeriut të kohës sonë, një rinjohje nga një anë tjetër e kontaktit. Fenomeni rrëfim, është fenomen i transformimit të rrëfimit me implikacione semantike. Transformimet semantike realizohen përmes: analogjisë (metafora, personifikimi), kontakti / kontiguiteti (metonimia, paranomaza), pjesa e tërësisë (sinekdoka), e kundërta (ironia, satira, antiteza), kundërthënia (oksimoroni, paradoksi, groteskut) etj.

Teksti – shenjë është polisemik. P. sh. Prometheu / Përbindëshi, përveç që janë tekst – metaforë, janë edhe tekst – alegori. Distinkcion: në planin makrostruktural të tekstit, alegoria nuk mund të identifikohet me metaforën, të trajtohet metaforë e zgjatur. Dykuptimësia e alegorisë, përveç në principin analogji – ngjashmëri, bartet edhe në principin aluzion. Teksti letrar është shenjë paradigmatike: tekst – metaforë,  tekst – alegori. Vlera eksplicite semantike e alegorisë është dhënë në tekst, vlera implicite semantike e alegorisë jepet nga potenciali semantik i tekstit. Në strukturën e tekstit, alegoria sjell kohën si konstituencë bazë, zbulon kohën përmes riaktualizimit si akt konstitutiv i të kuptuarit. Mbi kokë të Prometheut fluturojnë aeroplanët (Ismail Kadare, Total kali është aluzion i Kalit të Trojës. “Kalin që bëra unë, ishte me këmbë në mit me kokë në bashkëkohësi”. (Kadare; 1993) Rrëfimi intertekstual i romanit Përbindëshi është parabolë e kohës mitike dhe kohës aktuale: grabitja e Lenës nga Genti / grabitja e Helenës (bukurisë) nga Paridi; kali i drurit / furgoni i mbeturinave etj., janë alegori e sistemit totalitar.

Teksti – alegori, është projeksion edhe i procesit të simbolizimit. Distinkcion: simboli për nga struktura është sinekdokë, nuk është të folur i dykuptimshëm. Simboli është sintezë subjekt – objekt, është transferim i atributeve të subjektit në objekt. Alegoria është shenjë gjuhësore që e vë në konstruksion funksional realitetin fizik. Simboli është konjuksion imazh – lëndë, alegoria është disjunksion imazh – lëndë. Teksti – shenjë posedon alegorinë dhe simbolin, dy entitete ekspresive të ndara. “Miti i Kadaresë…është tip i mitit letrar që ka lënë faktin për ta transformuar në simbol’. (Çapriqi; 55) Bërthama e mitit është arketipi apo gjuha e simbolit: implikon tendencën, figurat simbol – Prometheu / Kali i Trojës, janë arketipa / nënvetëdije kolektive – tradhti e qëndresë. Simbolet mitike të Kadaresë janë vetëdije kolektive qe fillojnë me vetvetëdijen. Njeriu nuk është i plotë derisa qenia dhe vetëdija janë në disproporcion. Figura mitike e transformuar në model të rikrijimit – palimpsest, ndryshon qenien e lexuesit intertekstual, është iniciacion – kalim nga një gjendje në një gjendje tjetër të vetëdijes.

Miti për Kadarenë nuk është materie statike, por dinamike, është materie intertekstuale, është materie lëvizëse, ndryshon në kohë nga lexuesi intertekstual – interpreti përmes procedimit demitizim, është kod i dekoduar për realitetin fizik. Kadare përdor procedimin demitizim, sepse e ka të qartë që qenia dhe historia janë objekte njohëse, ndryshojnë. Historia komparative e religjionit dhe filozofisë, definojnë mitin strukturë verbale që konservon qenien, kuptimin (Shlegeli dhe Niçe, Elijade dhe Krape); shprehja apo të shfaqurit e qenies në një rrëfim, mit, definohet përkthim i interpretit të qenies. Definicioni klasik për hermeneutikën, shënon interpretimin dhe sqaron kuptimin e qenies. Për Hajdegerin, fenomenologjia e ekzistencës (Da – sein) është hermeneutikë denotative e fjalës, përmes së cilës realizohet interpretimi. Parashtrohet pyetja që njëkohësisht është mitike (supstanciale) dhe hermeneutike: pyetja e krijimit, dekodimi i kodit esencial të qenies, botës. Demitizimi si akt intertekstual i leximit, i mundëson Kadaresë të interpretojë dhe të shpjegojë të vërtetën e fshehtësisë së kohës historike, duke kapur intensitetin e përjetimit të parë, analogji e intensitetit mitik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.