A ka letërsia shqiptare lexues të ndërgjegjshëm? Sa jemi të ndërgjegjshëm në raport me konsumimin e asaj që shkruhet nga shkrimtarët tanë të ndërgjegjshëm? Pra, a mjafton vetëm thjesht të konsumojmë tekstin e shkruar bukur e mirë, apo thelbësorja është që gjatë këtij konsumimi të jemi të ndërgjegjshëm. Po kush është ky lexues i ndërgjegjshëm dhe çfarë e dallon atë nga lexuesi i zakonshëm?
A mund t’i themi lexues i ndërgjegjshëm atij që lexon “sa për të humbur kohën e lirë” apo për ta pasuruar fondin e librave të lexuar? Një lexues i ndërgjegjshëm është vetëm ai lexues që është i vetëdijshëm për ndikimin që ka letërsia mbi formësimin e mendimeve dhe sjelljeve shoqërore. Lexuesi i ndërgjegjshëm gjithnjë do të jetë në kërkim të kuptimit të vërtetë, të analizës kritike dhe të sfidimit të ideve të paraqitura në tekst. Në këtë kontekst, lexuesi i ndërgjegjshëm kurrë nuk do të pranojë që të jetë vetëm konsumator pasiv, por ai, përmes leximit shpreh angazhimin konstant që të jetë i gatshëm gjithnjë për dialogun kulturor dhe intelektual. I keni parë disa gazetarë e redaktorë të mediave tona që i rreken shkrimeve apo drejtimit të emisioneve kulturore?! Për faqe të zezë: nuk dinë të trajtojnë probleme, bashkëbisedojnë me persona që nuk kanë kurrfarë përgatitje kulturore, problemit i qasen nga “kodra pas bregut”, ndërsa pyetjet janë të tipit “sa libra i keni shkruar”, “a gjurmoni në terren edhe natën apo vetëm ditën”, “pse vallet duhet të kërcehen veshur në tirq e jo edhe në pizhame” etj. etj. Ky diletantizëm vjen si pasojë e mosleximit si dhe për shkak se kulturës i qasen personat që leximin e ndjejnë si “proces xhindosjeje”!
Një lexues i ndërgjegjshëm gjithsesi që do të ngrejë sidomos aftësitë për të dalluar mes fakteve dhe opinioneve, mes informacionit të vërtetë dhe lajmeve të rreme. Në një kohë kur keqinformimi dhe manipulimi janë bërë sfida të mëdha për shoqërinë, lexuesi i ndërgjegjshëm ka një përgjegjësi të veçantë për të zhvilluar një qëndrim kritik ndaj materialeve që konsumon. Gjithsesi, lexuesi i ndërgjegjshëm zgjedh me kujdes materien (librat) që do të konsumojë, duke marrë parasysh jo vetëm cilësinë e përmbajtjes, por edhe mesazhet që ato përçojnë. Ai është i vetëdijshëm për fuqinë e leximit për të ndikuar mendimin dhe veprimet, dhe për këtë arsye kërkon literaturë që e sfidon, që e bën të mendojë dhe që i hap horizonte të reja.
Prandaj, me të drejtë konstatohet se një lexuesi i ndërgjegjshëm është shumë më tepër sesa një individ që lexon; ai është një qytetar aktiv, një mendimtar kritik dhe një mbështetës i përkushtuar i ndryshimit pozitiv. Pra, nuk duhet të kuptohet leximi vetëm si një akt privat, por, mbi të gjitha, leximin duhet ta kuptojmë si një mjet të fuqishëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Fare në fund, varësisht se çfarë shkruajmë, kush shkruan, çfarë lexojmë dhe sa jemi të sinqertë në qasjen tonë ndaj asaj që lexojmë, në po atë nivel do ta kemi edhe shoqërinë tonë. Për momentin kemi krizë në shkrim artistik, krizë në lexim, krizë në mendimin kritik, krizë në shije dhe, si rezultat i tërë kësaj, shtrohet pyetja, çfarë shoqërie duhet të kemi? Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të më shumë informacioneve mbi vrasje se sa mbi promovime të vlerave të mirëfillta kulturore. /HEJZA/