Në rrethana normale, identiteti kulturor duhet të qëndrojë mbi biznesin, sepse ta afirmosh dhe ta vësh në plan të parë atë që nuk është e jotja, është çështje që kërkon një arsyetim vërtet të qëndrueshëm
Neviana SHEHI/ Itali
Një gjë tashmë është e vërtetë. Libraritë tona, fatkeqësisht, ofrojnë më shumë letërsi të huaj sesa letërsi shqipe. Kjo, natyrisht se ndodh për shkak të popullaritetit të autorëve ndërkombëtarë, të cilët pas vete kanë një makineri të vërtetë propaganduese, e cila makineri, siç do të thoshte një fjalë e urtë, “edhe mizën e bëjnë buall”.
Secili ka vërejtur se në libraritë tona janë dy – tri stenda, në të cilat disi turpshëm ekspozohen veprat e autorëve shqiptarë, ndërkaq në dhjetëra e stenda tjera dominojnë librat e autorëve të huaj, kurse përmbajtja e këtyre veprave është e larmishme: nga proza e poezia deri te librat që bëjnë fjalë për interpretimin e ëndrrave, për biznesin, për arritjen e sukseseve të ndryshme në jetë e kështu me radhë.
Në rrethana normale, identiteti kulturor duhet të qëndrojë mbi biznesin, sepse ta afirmosh dhe ta vësh në plan të parë atë që nuk është e jotja, është çështje që kërkon një arsyetim vërtet të qëndrueshëm. Ose – ose është e rëndësishme të gjejmë një balancë dhe të inkurajojmë leximin e letërsisë shqiptare, sepse jo vetëm që ka vlera të mëdha, por edhe shumë autorë të talentuar që e meritojnë vëmendjen tonë.
Fokusimi në letërsinë e huaj, duke e lënë anash atë shqiptare, është një çështje që duhet të shqyrtohet seriozisht nga të gjithë faktorët relevant, përfshi edhe institucionet shtetërore. Sepse nëse vazhdohet me këtë avaz, atëherë nuk duhet të habitemi nëse pas disa viteve në libraritë tona do të ketë vetëm vepra të përkthyera në shqip të autorëve të huaj. Prandaj, kjo çështje kërkon një shqyrtim dhe debat serioz, sepse nëse nuk i lëvizim disa leva, atëherë letërsia shqiptare në truallin e saj do të bëhet letërsi e dorës së dytë.
Janë të shumtë ata që kanë vizituar librari në shtetet tjera. Mesiguri kanë vërejtur se në ato librari (edhe në Itali) dominojnë veprat e autorëve vendas. Mos të keqkuptohemi, nuk themi se jemi kundër letërsisë botërore, përkundrazi, por duhet të kemi të qartë se gjithçka nuk është biznes.
Natyrisht, për të rritur prezencën e letërsisë shqiptare në libraritë tona, duhet të ndërmerren disa hapa. Bie fjala, mund të organizohen ngjarje të ndryshme, si lexime, diskutime dhe takime me autorë. Pastaj aktivitete letrare për të rinjtë, mbështetje për përkthimin e veprave të autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera, mbështetje kjo që realisht mund të rrisë njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqiptare. Libraritë mund të krijojnë seksione të veçanta për letërsinë shqiptare dhe të ofrojnë rekomandime për lexuesit. Integrimi në masë të madhe i letërsisë shqiptare në programet shkollore po kështu mund të ndihmojë në zhvillimin e një brezi të ri lexuesish.
Libraritë janë vendet ku ekspozohen (për shitje) tituj të ndryshëm dhe janë një hallkë e rëndësishme për iluminizmin e një populli. Libraritë tona duhet të udhëhiqen nga pesha dhe rëndësia që ka identiteti kombëtar ndaj dhe insistimi që në stendat e këtyre librarive të ketë sa më shumë autorë shqiptarë, do të duhet të jetë një kërkesë permanente dhe jo librat e autorëve shqiptarë të injorohet me një lehtësi të madhe. Libraritë, përkatësisht drejtuesit e tyre, nuk duhet të mendojnë vetëm për biznesin, por edhe për vetveten…