Të gjithë e dimë tashmë se indiferenca totale e shtetit, nënvleftësimi i hapur krijuesve dhe trajtimi i tyre si apendiks me vite dhe dekada, i sollën një dëm të konsiderueshëm letërsisë sonë kontemporane
Agim BAJRAMI
Pak ditë më parë lexova lajmin se një grup lexuesish të rinj i kishin bërë ftesë një shkrimtari të njohur, për të diskutuar bashkërisht për disa nga veprat e tij më të njohura. Do të ishte një takim,jo nga ata që jemi mësuar të shikojmë gjer më tani, të llojit ex katedra ku lexuesi bën pyetje dhe shkrimtari përgjigjet, por një bashkëbisedim profesional,ku shkrimtari dhe lexuesit do të tentojnë të plotësojnë njeri tjetrin, në çdo detaj. Edhe pse kjo veprimtari ishte iniciuar nga një politikan vendor dashamirës dhe bashkëqytetar i autorit,në kushtet në të cilën ndodhet libri dhe leximi i tij në vendin tonë, kjo gjë më duket një ogur i mirë.
Them kështu, pasi e shoh si diçka pozitive, që më në fund politika dhe shoqëria, edhe pse shumë ngadalë, po i kthejnë sytë më me respekt nga letërsia dhe kultura kombëtare, duke u bindur se shkrimtari nuk mund të trajtohet si gjer më tash, si apendiks për politikat dhe strategjitë e tyre kulturore jo efikase. Në një gjykim më të thellë duket se qëndrimet e tyre të ngurta dhe ideja aspak dashamirëse: se me librin duhet të merren vetëm botuesit dhe autorët e librave gjatë ditëve të panairit ose gjatë muajit të letërsisë, kanë filluar të pësojnë një krisje.
Të gjithë e dimë tashmë se indiferenca totale e shtetit, nënvleftësimi i hapur krijuesve dhe trajtimi i tyre si apendiks me vite dhe dekada, i sollën një dëm të konsiderueshëm letërsisë sonë kontemporane. Qëndrime të tilla shkaktuan edhe një largim masiv të lexuesit nga shkrimtarët dhe letërsia e tyre e preferuar kombëtare. Kjo bëri që boshllëkun e tyre ta zinin përkthimet masive dhe të nxituara nga lloj-lloj diletantësh dhe tregtarësh të babëzitur librash, të ashtuquajtura bestseller, si nga letërsia e huaj, ashtu dhe ajo e kalemxhinjve shqiptarë që, përveç shijes së tyre limonadë, nuk reflektonin asnjë vlerë të mirëfilltë artistike dhe estetike tek lexuesi i angazhuar,duke e çorientuar aq keq konceptin për librin dhe për shkrimtarin,sa erdhi një periudhe që po të thoje jam shkrimtar, të shikonin me keqardhje.
Një klimë e tillë fatkeqësisht vazhdon të jetë prezent edhe sot e kësaj dite, megjithë ca lëvizje të vogla e të druajtura, që duhet thënë se nuk janë ende të mjaftueshme. Është fakt i pakundërshtueshëm, që një shoqëri që nuk e do librin dhe s’di të vlerësojë shkrimtarët e saj të vërtetë, është një shoqëri e rrezikuar nga terri dhe obskurantizmi i injorancës. Ndonëse jemi në kushtet ku vendosja e urave të komunikimit mes lexuesve dhe autorëve me vlerë është bërë një mision jo fort i lehtë, unë mendoj se asgjë nuk është e pamundur në këtë fushë. Shtimi i nismave dhe kërkimi i alternativave, për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë e rëndë ku ndodhet libri dhe lexuesi i saj, duhet patjetër të shoqërohet nga një rishikim emergjent i strategjive dhe politikave kulturore të ndjekura gjer më tani, me mendje të hapur dhe vizionare.
Në situatën e sotme ku si heronj të ditës lansohen vetëm politikanë perversë dhe bosë droge, këngëtarë tallavaje dhe repera rrugaçë, në kushtet ekstreme, ku një brez i tërë helmohet çdo çast nga kronikat e zeza të krimit, prostitucionit dhe big-brotherit, lajmi për takim të lexuesve të rinj me shkrimtarin e tyre të preferuar larg formateve dhe skemave të deritanishme, duhet konsiderohet një hap i mirë dhe i shumëpritur, për daljen e librit nga pozicioni i mbyllur ku rrinte gjer më tash,duke zënë vendin që i takon në sytë dhe duart e lexuesit. Një lajm i tillë që meriton të bëhet menjëherë krye-lajm, meriton edhe të duartrokitet. Dhëntë zoti që kjo gjë të mos mbetet vetëm një rast i veçuar, por të shërbejë edhe si një moment i mirë për reflektim…