LIRIA ME GERMË TË MADHE


Krijimtaria letrare, faktikisht është luftë e përhershme se si të gjurmohet dhe krijohet ajo Liria me Germë të Madhe, ndërkaq krijuesit më të mëdhenj, gjithë jetës s’bëjnë asgjë tjetër pos që kanë luftuar ta krijojnë atë, Zonjën Liri



Nehas SOPAJ

Pak mund të flas për atë që lidhet me çështjen e ndonjë botimi të ri timin. Ka një kohë të gjatë që jam marrë me ligjëratat (leksionet) studentore, të cilat i kam mbarështruar në një tekst universitar që pritet të botohet sivjet. Në aspektin e krijimtarisë sime letrare, them se pyetja Juaj po më gjen ”gafil” si i thonë një farë fjale. Jo sepse duhen shumë shpjegime për një temë kaq konkrete dhe të qartë, por sepse s’di si të them: nëse them se s’po bëj asgjë, atëherë s’po e them të vërtetën, po nëse them se në këtë të vërtetë ka shumë pertubacione dhe turbulenca të miat personale, atëherë kjo është e vërteta e saktë. Po rikrijoj, jo po krijoj. Po bëj diçka të re nga ajo që e kam shkruar dikur; ja, kjo është ajo që po bëj unë sot. Me gjuhën e një fjalori të ri, postmodern, po shkruaj palimpseste (jo në kuptimin bukval të fjalës). Rrallë dhe fare pak, mund të quhen krijime të reja ato që po i shkruaj sot, një farë krijimi i serishëm i temave që i kam punuar, mbaruar dikur. Diçka si trilogjia ”Vallja e vdekjes së verdhë”, që në fakt është një rishkrim i disa tregimeve dhe novelave të mia të ngritura në tre romane. Kjo është përgjigja ime e drejtpërdrejtë pyetjes Suaj. Për kuriozitetin Tuaj dhe të lexuesve, po them atë që tashmë e kam bërë: poezitë e vëllimet poetik ”Algjet”, të botuara më 1973, të ribotuara në disa përzgjedhje të miat, po i rimarr, po i rishkruaj, tani të rimuara, po i ”gdhend”. Ose, prej një krijuesi atipik, hermetik, po i kthehem një ”prishjeje” të qëllimshme krijimeve të mia të mëparshme. Ose, po i prishi krejt, diçka po bëj! Këtu nuk e kam fjalën për kontekstin kohor rreth krijimtarisë sime letrare, aspak nuk dëshiroj të flas për të kaluarën e largët, sado që kjo mund të shihet vetëm nëse këto shkrime të reja botohen nesër. Jo, këtu nuk e kam fjalën për shkrime që nuk kanë qenë të botuara për shkak të mungesës së lirisë, që të thuhet saktë e vërteta si te ”Vallja…”, por si mund të thuhet ndryshe e vërteta artistike në kontekstin më të ri kohor, të sotëm; këto janë frymëzimet e reja nga poezitë e mia ”të vjetra”, të cilat po i ripunoj. Poezitë e mia të para kanë qenë ”hermetike” (nuk po vetëpezhoroj, kështu kanë thënë të tjerët), tash po i bëj ndryshe. Po ”i kthjelli” ose po i prishi. Çështja e lirisë krijuese gjithmonë është terren për spekulime, gjë që me shpirt e urrej, prandaj lufta ime më e madhe është ta luftoj alteregon time të spekuluar, mos të dal çka në fakt nuk jam. Nëse shkrimet e mia mund të jenë të suksesshme (ose të pasuksesshme), janë të këtilla sepse janë përjetime të vërteta, jo të spekuluara. Mjerisht, e gjithë letërsia e realizmit socialist ka qenë e këtillë, spekulative, mu siç është ajo ”liri spekulative”, si dje si sot, por edhe përgjithmonë e këtillë ishte: e pështirë, false, e rrejshme. Për veten time them se nëse dikur, si i ri, kisha dëshirë që shkrimet e mia të botoheshin të këtilla siç ishin, tash nuk e kam ngenë nëse vonojnë të botohen, madje edhe nëse nuk botohen fare; për asgjë nuk bezdisem, sepse e di se Liria e vërtetë mungon. Liria e vërtetë mungon, gjersa një komb i ndarë dhe i përçarë siç është ky i yni, kaq sa të turpërohesh si është, i këtillë. Më mundon fakti nëse nuk arrij ta krijoj, jo ta imagjinoj Lirinë time. Arsyet janë nga më të ndryshmet pse nuk më ngutet, tema e lirisë krijuese është temë që duhet të kuptohet mirë si duhet të koncipohet në fundamentin saj. Jo, liri absolute s’ka, sepse ajo nuk ekziston, por liri me kuptimin e plotë fjalës, ne shqiptarët nuk e kemi pasur asnjëherë, por nuk e kemi akoma edhe sot, mjerisht! Gjenerata ime, jo e jo. Krijimtaria letrare, faktikisht është luftë e përhershme se si të gjurmohet dhe krijohet ajo Liria me Germë të Madhe, ndërkaq krijuesit më të mëdhenj, gjithë jetës s’bëjnë asgjë tjetër pos që kanë luftuar ta krijojnë atë, Zonjën Liri. Kujtojeni BeqirMusliun, një ndër emrat më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ai duke e gjurmuar lirinë e vet krijuese, faktikisht gjithë jetën e tij ka gjurmuar, ka punuar të duket Ajo, ka eksperimentuar në gjuhën letrare, dhe prandaj themi se ai e ka gjetur eliksirin: gjuha e tij, pos se është e lirë, kumbon dhe lirshëm komunikon me lexuesin, ajo thotë shumë më shumë të vërteta se sa liria në kuptimin klasik të fjalës, ajo vetvetiu është artistike, sepse komunikon me nënshtresat e nëndijes njerëzore, hapur dhe qartë tregon se është e lirë, sepse mund të lexohet dhe kuptohet në të gjitha gjuhët e botës. Po ju citoj: ”Ç’liri po ju kërkon aktualisht frymëzimi e, ç’liri jeni në gjendje t’i siguroni ju në këtë kohë ku çdo gjë po bëhet pengesë krijuese, madje edhe vetë koha!” Nuk besoj të jetë pengesë kaq e pakapërcyeshme nëse nuk jemi vigjilentë për veten tonë dhe kohën ku jemi, nëse nuk shohim se gjithmonë ka një sferë tejkalimi të çdo barrikadimi, para së gjithash gjuhësor, pastaj edhe të besimit se, Një Ditë do të Bëhet Mirë. Nëse nuk besojmë në këto fjalë, atëherë s’ka shpresë, s’ka ëndrra, s’ka letërsi të mirë, ka zhgënjime dhe djerrakohësi. Jemi në epokë të re dhe gjithçka po performohet. Nuk besoj në vdekje të magjisë së librit, sado që interneti po na i prish të gjitha imazhet e konceptit kohë/hapësirë. Nëse po ndryshon teknika e gjuhës me ”teknizimin” e saj, ne vazhdojmë të jemi prej mishi e gjaku të njëjtë, ne gjithmonë ëndërrojmë që do të thotë se përherë ka një shtegdaljeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.