LIRIA NË KOHË KAOSI

Nga Ali PODRIMJA

1.

Qenushin e punësova, shpresoj se në ndonjë kancelari do gjejë vend edhe macja ime. Vë në dispozicion tërë kopenë. Kurrë nuk ka pasur kohë kaq me bollëk e kaq të zhugaftë. Para kollës së thellë të një tekeleku shpalohej horizonti. Të bëhej se do pushtojë dhe qiellin. Kishte qitur hapin kah e panjohura…

2.

Zotëria ishte ulur në kanape, ku u zgataraq pak. Pasi e çoi me fund gotën në formën e një amfore ilire, u ra shuplakave me një takt të çuditshëm. Në sallonin e ndritshëm hyri një gjel, i cili u ndal para tij. Si u morën vesh, nuk e di. Pas dy-tre minutash ia solli pijen e porositur. E mbante në mes dy krahëve të hapur, që deri në gjysmë ia mbulonte kaçiruba e kërleshur. Karafili, ashtu e quanin, e mori me një gaz të thartë të shkaktuar nga dridhmat që nuk mund e lexoja si ironi. Atë gjest e bëri thuajse desh të thotë ja çfarë rregulli ka në perandorinë time. Unë përcillja lëvizjet e tij. Pas fytit të parë, i zhveshi dhëmbët. Nga rrënja ia kishte mbuluar një shtresë e verdhmë. Sapo veneroi se hoqa shikimin rrëmbimthi nga të zgërdhirurit e tij, iu kujtua se me ta nuk bën të krenohej askund. Nisi historinë e oxhaqeve aty ku e kishte lënë. Një fjalë nuk e tha qysh kishte arritur deri aty dhe si në torishtë kishte vënë rend e që nuk ishte pa vizitorë.

3.

Në lule të ballit e shikova. Kishte një pikë të zezë të marrë në një farë përplasje. Kur pushoi, i thashë: E di, zotëri, më pëlqen puna jote e ky luks, por në këtë kaos mjeshtëri është të mos humbasësh një qime floku. Rreth lirisë sime, kam krijuar membranën time tepër të sigurt. E shikoni makinën time atje poshtë nën ballkonin tënd? Edhe pse rri e hapur ditë e natë, nuk e prek askush. As nuk më ka shkuar ndërmend ta mbyll. Unë besoj në polemin. Rrenë është ajo që flitet se populli na është hajdut. Shikoni çdo gjë imja rri hapur. Për mua nuk është i përdorshëm asnjë dry. E urrej gjithëpushtetshmërinë e çelësave. Ju paskët specializuar tërë torishtën e nuk mund të lini hapur asgjë! Megjithatë, ndodh avari në perandorinë tënde. Unë e ndjej veten të lumtur edhe me atë Koralin 45, edhe me një grusht lekësh, edhe me makiaton time të mëngjesit që e pi diku në Alenë e Shpëtimtarëve të Kombit. Lirinë time nuk e vë në pyetje, zotëri.

4.

Pëshpëriti më tepër për vete: E pamundur ! Ndërsa qeni i tij lehte para derës dhe përzihej në bisedën tonë. Si ndodh kjo? Pyeti si në gjumë. Në qafë nuk i bie askujt, as nuk ha më shumë se një bark, zotëri. Të bindeni, ja zbres shkallëve aty te Korali 45. Asnjë çelës nuk do e vë në veprim, as kur e mbyll as kur e ndez. Unë nuk frikësohem nga liria ime.

Në shkallën e fundit isha kur zotëria doli në ballkonin e madh. Kërkonte makinën time. Unë ia bëra me dorë. Pa çelës hapa derën dhe ndeza motorin pa çelës po ashtu. Sa desha të nisem, më thirri atje lart. Fika motorin dhe u nisa duke fishkëlluar. Sapo i afrohesha derës së tij atje në fund të korridorit, ndjeja zhurmën e rëndë të çelësave. Praninë time kur e ndjeu e hapi derën e hekurt. Te këmbët e tij qeni lëvizte bishtin dhe thellë diku nën një kanape macja lozte me një mi, që kishte filluar të përgjaket.

5.

Përballë tij zura vendin, ku isha pak më parë. Më bëhej se zotëria ishte pakëz nevrik ose kishte ndonjë problem me perandorinë e vet. Mezi i kapja fjalët, që m’i tha në sinkopa: Edhe pa targa, e njeri i botës! Në anën e kundërt të lëvizjes së tij e lëviza kokën. Prapë u ra shuplakave me atë taktin karakteristik të kateve të larta. Nuk di a e ka dëgjuar ndonjëherë gjelin çfarë kënge ia thotë ? Krahëhapur qëndronte me një gotë uiski para tij. Pasi e zbrazi edhe një, i çatalloi sytë tek dëgjoi atë përrallën që ia kallëzoja e që ma kishte treguar një njeri i urtë nga Drinia.

6.

Në vendin tonë paska marrë njëherë dimër i madh. Babë e djalë shkojnë për dru. Kishin mbledhur dhe krënden e fundit. I kishin paluar nën çati. Ditë për ditë ato pakësoheshin e dimri nuk zbutej. Kishin mbetur edhe ca. Nga forma nuk dihej ç’ishin. Plaku i kishte shikuar një nga një dhe i kishte thënë djalit njërën ta kthejë në pyll. Ai kishte qeshur: Edhe këtë do e bëjmë gacë. Krënden e kishin futur afër vatrës. Dikur ajo kishte ndërruar formë, nga pak kishte filluar të lëvizë. Babë e bir derisa ngrënin darkë, një gjarpër kishte kërcyer rreth tyre dhe kishte kafshuar djalin. Mbi trupin e tij ishte dëgjuar britma e plakut: Ç’zezë na ra në shtëpinë tonë…

7.

Pyllin e nëmur e kisha lënë pas dhe nuk di në cilin kilometër. gjendesha kur përmes radios dëgjova lajmin fatkob për zotërinë, që kishte punësuar mace e kuce dhe ishte përpjekur të imitojë lirinë time. Kisha fikur dritat e makinës dhe orientohesha përmes vijës së bardhë, që likpërmjet ndante udhën e asfaltuar deri në pafund. Kolla e tekelekut nuk dëgjohej më. Nga honi i errët forcat blu e kishin nxjerrë dhe ndanë udhe e kishin mbuluar të rënin me një çarçaf, pastaj dhe një trup tjetër pa jetë.

I gjori Karafil ishte nga huduti, ku fillonte okupimi i rasëve. Kishte bërë pasuri e punësuar mace e kuce. Nuk ia shihte fundin perandorisë së vet. Tek përralloseshin një natë me të dashurën për të kaluarën, se cili prej tyre kishte qenë hafije; iu kishte kujtuar asaj se nuk e kishin punësuar ende një cullë gjashtëmuajsh. Të gjatë e me plot ankime ia kishte nisur një letër të parit të fisit Hyxhymsandalisë. Ishin të brengosur për këtë harresë të hyqymetit. Kërkonin cullën ta vendosin diku, drejtor apo … Nuk kafshohet më qielli, as nuk bën dera e tyre të fyhet…Pasha musafin shkrepi, kishte këlthitur ai. Dy ditë pas e kishte ndezur makinën e tipit më të ri. I kishte premtuar gruas sapo të punësohet culla do shkelin qiellin dhe do çrrethojnë torishtën. E përfytyronin kopenë si derdhej në pyllin e nëmur. Tek e prekte rrumbullaken aty ku fillonin livadhet e buta, në shpejtësinë e pakontrolluar, kishte rrëshqitur makina në hon. Në procesin e forcave blu qëndronte: Rasti hulumtohet…

8.

Keqpërdorimi i lirisë mbyllet me fatkeqësi.

/nëntor, 2007/

Leave a Reply

Your email address will not be published.