Ai nuk e ngatërron asnjëherë atdheun me shtetin e diktaturës që e kishte burgosur. Ai e quan veten pjesëz të atdheut dhe në burg është bashkë me të
Dr. Yzedin HIMA
Në këtë libër, krahas teksteve epike, gjenden edhe disa tekste poetike lirike. Ndërsa tregon për dhunën, të dhunuarit, dhunuesit, mjetet dhe mjedisin e dhunës, uni poetik shpesh ndalet dhe me lirizmin e tij të butë na tregon një tjetër botë, atë të shpirtit të tij të ndjeshëm, në një kontrast të thellë me urrejtjen klasore, dhunën, mjerimin, zvetënimin, që vlon në burgje e kampe përqendrimi. Një puhizë që fryn nga deti, një dallëndyshe që ndërton çerdhen e saj në një dritare aty pranë, një femër që kalon në skaj të burgut, sjellin në tekstet e “Librit të Burgut” aromën e shpresës edhe për fatzinjtë që kanë rënë në gropat e ferrit të diktaturës. Në poezinë me titull “Llampa” subjekti poetik i largohet burgut duke tretur vështrimin e tij te dritarja e hapur në ndërtesën pranë, ku lëviz silueta e një femre dhe nga derdhet një fashë drite. Uni poetik i lutet asaj femre që të mos e mbyll dritaren, të mos e shuajë llambën. I duket se ato lëvizje femre dhe ajo dritare janë shenja të shpresës për të dalë nga brezi ku kishte rënë: Deh, mos e mbyll dritoren, / o femën e panjoftun, / t’andrroj lëvizjet e tua / e zanin plot prendverë! / Deh, mos e shuaj ti llampën! / Nevojë për të kam sonte / për uzdajën e ngrysun / si vel ku s’dridhet erë. /
Në një tekst tjetër të titulluar “Balkoni” sërish uni poetik, ndonëse pas telave të burgut, falë pasurisë shpirtërore dhe mendore, arrin t’i kapërcejë këto tela dhe të përjetojë tej fatit dhe problemit të tij të madh, bukurinë e natyrës në stinën e pranverës, bukurinë e balkonit, ku qëndron një vajzë. Burgu nuk e ka pushtuar ende shpirtin e tij djaloshar, mendjen e tij të hapur, e edukuar në universitetin perëndimor. Prangat kanë mbetur te duart, nuk kanë mbërritur deri te mendja dhe shpirti: Përmallshëm sonte mbrëmja e majit ulet / mbi zemrën e molisun mbrenda gjinit, / n’sa fryn puhija e larg erandshëm lulet / shkunden të blinit. /…O Zot! Sa e ambël jeta ktu mbas prakut / mbyllun me tela… kur përtej shikon / një hije t’epët vajze ndaj parmakut / mbi një balkon. /
Nëse do të analizojmë fjalorin dhe shprehjet e përdorura te këto vargje do të shohim se prania e burgut është tejet e pakët: përmallshëm, mbrëmja e majit, zemrën e molisun, mbrenda gjinit, fryn puhija, erandshëm lulet, blinit, Zot, e ambël, jeta, mbas prakut, mbyllun me tela, hije t’epët vajze, ndaj parmakut, balkon. Nga i gjithë fjalori i përdorur jo vetëm në këto vargje , por në të gjithë poezinë kemi vetëm këto fjalë që tregojnë burgun: ktu mbas prakut mbyllun me tela. Edhe kur tregohet mjedisi ku uni poetik gjendet, ky mjedis, pra burgu bëhet i ëmbël kur në balkon shfaqet nji hije t’epët vajze.
Dashuria dhe femra janë mjetet me të cilat uni poetik e mposht urrejtjen, shëmtinë, egërsinë e mjedisit të egër të burgut. Në një tekst poetik të titulluar “Shpresë” dashuria, vajza vizatohet me mjaft dritë e delikatesë. Ajo shihet si një burim shprese dhe jete, madje si një mundësi për të cilën ia vlen të jetosh. Hyjnore e quan subjekti poetik dashurinë e fshehtë, ose si e quan ai dashnija e mërtisun. Te ky tekst dashuria shihet si plotnija shpirtërore, siç shkruan poeti, ku e bukura dhe e mira janë një: Ikën vjetët dhe ti ma s’je fëmija / me sytë e butë qiellorë / qi dritë kanë ba mbi jetën time prore. /…kur vetë ke me m’u qasë / me sytë pa prask, me zemrën pa lëvore, / e butë, e hirshme, e thjeshtë, / si mrenda shpirtit tim banon e flen, / si qe dikur, si rishtaz ke me qenë. / Kjo lirikë u shkrua, siç shkruan autori, në vitin 1945.
Poezia “Kanga Symbolike” është një lirikë filozofike, ku uni poetik niset në kërkim të së vërtetës. Kërkimi i së vërtetës kthehet në mision për të dhe shpejt ai e kupton se e vërteta është e hidhur dhe të vraposh pas saj është tejet e mundimshme. Sidoqoftë jeta merr dhe ka kuptim duke vuajtur për të zbuluar të vërtetën se sa të flesh duke ëndërruar. Për këtë subjekti poetik është i vetdijshëm që në krye të herës: Shortin e dhimbës vetë me dashje e zgjodha / kur lashë andërrimet për me njoftun jetën, / e aty ku vlojnë u – hodha / epshet njerëzore me kërkue të vërtetën. / Por shije t’idhun e vërteta kishte. / Sa e ambël puthja qe qi m’fali Muza / kur qeshë ende ferishte! / Ma rrallë at ditë e mbrapa m’qeshi buza. /
Për të njohur të vërtetat lipset jo vetëm mendja, por edhe shpirti. Ja si thuhet në këtë tekst: Për tokë e qiell hovshëm kudo / kah e panjohura hjedhë ura shpirti. Njif e guxo. / Kjo qoftë për ty tashembrapa feja. / Motoja njif dhe guxo është moto e të gjithë të rinjve në botën e lirë, ndërsa për unin poetik të burgosur nga diktatura, pikërisht në vitin kur u shkrua ky tekst, njif e guxo u kthye në qëndresë ndaj dhunës së diktaturës. Teksti mbyllet me kredon e unit poetik se e vërteta është e rëndësishme sa edhe jeta: Ma se nji herë tue shfry tërbimi i huej / ta rrezikon, ndërsye nga smira, jetën. / Ti fol e mos u- druej: / Ma fort se veten dueje të vërtetën. / Në tekstin e poezisë “Kand Spitali” dallohet një kontrast i fortë midis natyrës që shpërthen plot lule e aroma dhe mjedisit të spitalit të burgut: Me pa si shpërthejnë kumbullat dhe bajamet / e blerojnë rrotull kodrinat, / me ndie erën e luleve / me flladin e mëngjesit, / e fyej barinjshm prej fushash poshtë / e blegërimën e kingjave…/ Ndërsa spitali i burgut vizatohet i trishtë, si një antonimi e natyrës jashtë telave: E mandej me pa veten / mbyllun prej katër muresh, / krismën e nallave me ndigjue / mbi çimenton e oborrit, / e me nuhatë qelbësinën e nevojtoreve të hapta…/ Antonimia këto krijohet nga çiftet e shprehjeve: Me pa si shpërthejnë kumbullat dhe bajamet – E mandej me pa veten / mbyllun prej katër muresh; me ndie erën e luleve / me flladin e mëngjesit, / e fyej barinjësh prej fushash poshtë / e blegërima kingjash – krismën e nallave me ndigjue / mbi çimenton e oborrit, / e me nuhatë qelbësinën e nevojtoreve të hapta… /Dukuri në të gjithë tekstet poetikë të Arshi Pipës është se uni poetik del nga qerthulli i burgut, qerthulli i fatit të tij dhe shikon tej tyre, siç ndodh në rastin në fjalë. Sërish në fund të këtij teksti shfaqet femra, si një objekt që e estetizon ferrin, i jep atij një dimension human. Këtë dukuri do ta ndeshim edhe në tekstet e poetëve të tjerë që krijuan në burgje si Visar Zhiti, Zef Zorba, Zyhdi Morava, Pano Taçi, Maks Velo etj. Prania e femrës në një mjedis burgu si një infermiere, si një vizatim në një pllakë guri, si një mësuese që kalon në skaj të burgut e trondit mjedisin e egër të tij, ku dhuna zotëron gjithçka: …Por nji infermjere qi kalon, / nji belzhdërvjelltë gjatoshe si tue vallzue, / ka ma guxim e ndalet. / E ngelin sytë te sytë e saj, te goja, / te ktolla e bardhë qi duket / edhe ma e bardhë nga flokët / e zez hjedhun mbi tamtha. / Në tekstin e poezisë “Elegjia Vllazërore” subjekti poetik
Ai kishte qenë një atdhetar i spikatur dhe për këtë arsye qe internuar nga fashistët italianë në ishullin e Ventottenës në Itali dhe nga nazistët gjermanë në kampin e Prishtinës. U shpëtoi gjallë kampeve të fashizmit dhe nazizmit, por nuk mundi t’i shpëtonte diktaturës. Bëhet fjalë për vëllain e poetit, Myzafer Pipën, avokat, i cili mbrojti në fillim të instalimit të diktaturës mjaft intelektualë patriotë në gjyqet e diktaturës. Për këtë shkak dhe u vra nga diktatura pa gjyq: Ti vuejtje, ti rreziqe / durove simbas stinës, / nga ishulli i Ventottenes / ndër telat e Prishtinës. / E pse përbuze vdiqe / terrorin bolshevik, / gjithmonë anmik i shtypjes / e bir i atdheut, besnik. /
Në një tjetër tekst lirik kushtuar motrës me titull “Tingëllim i këputun” gjejmë një varg me ngarkesë të veçantë emocionale: O motër, vorri yt asht mbrenda meje! Lirikat e shkruara në spitalin e burgut të Durrësit si “Epsh”, “Lamtumirë” dhe poema lirike “Andrra e Evës” janë tekste të një ndjeshmërie dhe qartësie të hollë estetike dhe kuptimore. Poeti Arshi Pipa e shikon poezinë si shpresë e shpëtim. Në tekstin “Ode Poezis” ai shkruan: Kisha frigë se po birresha, / kaq shumë ngjate larg meje / ku dergjem e s’lëshoj. / O ti vetëm e ngeluna / prej çdo tjetër hareje, / sublime ndër vargoj! / * Për poetin Arshi Pipa poezia është dashuri, zbulim, takim me të bukurën, krijim i saj, kërkim i së vërtetës artistike e kuptimore, edukim i shpirtit, fisnikëri, atdhetari, formë ekzistence. Të gjitha këto duken qartë te teksti i lartpërmendur: Me ty ndër gjinj do t’mundesha, / sikundër ban rabdomanti, / ndër kroje t’i shpërthej / ujnat nën dhe të fjetuna; / e ku gjindet diamanti / ta gjej, ta qes andej. / Nga ky tekst del se poeti nuk e ndan artin nga e vërteta. Për të një art sublime ka të endur te vetja të vërtetën. Ai nuk e përcakton të vërtetën artistike apo të vërtetën jetësore, por sidoqoftë nuk e ndan artin nga e vërteta, që mund të jetë edhe e vërteta artistike edhe e vërteta jetësore e pasqyruar në botën e trillimit artistik: E pasjonin e shpirtënave / qi u shkrinë për të vërtetën / e për artin sublime / ta ngjalli përmes tingujve / qi bota për gjithë jetën / t’u falet me nderim. / Edhe në këtë tekst poeti do t’i veshë poezisë një mision, atë atdhetar, por në këtë rast jo rrafshin kuptimor, por në atë estetik. Nëse poetët e rilindjes, me të cilët Arshi Pipa ka të përbashkët si konstante të teksteve të tij motivin atdhetar, në këtë rast ai i blaton atdheut jo propogandën atdhetare, por artin, poezinë. Përderisa kjo do të nyjëtohet në gjuhën shqipe, nga poeti shihet si një dhuratë për kombin, sepse gjuha është pjesë e tipologjisë së kombit: Eja më shpesh, o e bukura / motër hyjnore, eja / për të amblin fryëzim! / qi kët dhuratë të zotave / të lashtëme fjalë të reja / t’ja kthej unë kombit tim. ? Poezia, sic thotë poeti në shënimet e tij, u nis në spitalin e burgut dhe u përfundua në burg në vitin 1950. Poeti duket mjaft i qartë në tekstet e tij në lidhje me relacionin atdhe – diktaturë – poet. Ai nuk e ngatërron asnjëherë atdheun me shtetin e diktaturës që e kishte burgosur. Siç kemi nënvizuar edhe më lart ai e quan veten pjesëz të atdheut dhe në burg është bashkë me të. Diktatura dhunon edhe poetin edhe atdheun. Ai kërkon frymëzimin poetik që e shikon si frymë hyjnore për të pasuruar gjuhën shqipe, pra edhe atdheun moral me tekste poetike.
P.S.
Poshtëshënimet për shkaqe teknike janë menjanuar