LOJA E GJUETARËVE TË POETËVE FILLESTARË

Letërsia e shkruar dhe kritika duhet të ecin paralel njëra me tjetrën, pa pritur të bien mrekullitë nga qielli. Shkrimtari dhe poeti shkruan, ndërsa kritiku i vërtetë evidenton dhe orienton

Agim BAJRAMI

Zhbërja e institucioneve të kulturës dhe librit tek ne, fatkeqësisht u pasua edhe me zhbërjen edhe të institucionit të rëndësishëm të kritikës letrare Në fakt, jo se edhe më parë e kemi pasur një institucion të specializuar në këtë fushë, por është fakt që nga shteti i atëhershëm, kishte një lloj interesimi sado të pakët edhe për këtë fushë. Me sa di unë atë kohë në intervale të caktuara ekzistonte një kurs i kritikëve letrarë, pa harruar këtu praninë e emrave të tillë, si Dalan Shapllo, Adriatik Kallulli, Shaban Sinani, Bashkim Kuçuku, Jorgo Bulo, Aurel Plasari (pjesa më e madhe e tyre përgatitur në perëndim dhe lindje etj.), të cilët pak a shumë kanë dhënë kontributet dhe përvojat tyre të vyera në këtë fushë. Ikja ose largimi i tyre e ka bërë të padukshme dhe pothuajse inegzistente praninë dhe rolin e saj në letërsinë që shkruhet sot. Për fat të keq, kritika që pretendohet se bëhet sot, e ka humbur prej vitesh karakterin e saj gnosologjik (nëse nisemi nga një përcaktim i thelluar i prof M. Krajës në një studim për kritikën dhe gjendjen e saj në Shqipëri dhe Kosovë). Duke ju shmangur analizës së thellë dhe karakterit shkencor, ajo vijon të vegjetojë në hullitë e saj formaliste dhe të cekëta, pa arritur të depërtojë në brendinë e tekstit dhe pa arritur të analizojë gjakun dhe adrenalinën e letërsisë sonë kontemporane. Shumica e autorëve të sotëm, nuk mund ta vënë veten mes veprës dhe autorit, të shpjegojnë marrëdhëniet mes personazhit dhe kohës së tij, raportet mes reales dhe ireales, ideve që gjeneron një vepër etj etj. Shumica harrojnë se kritik nuk të bëjnë vetëm shkolla dhe studimet (universitare apo pasuniversitare), nëse nuk ke nuhatje të mprehtë dhe aftësi vizionare. Në këtë kontekst janë të rralla në shtyp kritika dhe vështrime të thelluara profesionale, për vepra të veçanta dhe autorë që premtojnë. Edhe këto duket se shkruhen me porosi nga autorë lobimesh letrarë, e për më tepër nga pedagogë të Fakultetit të Gjuhë Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tiranës, që nuk e kanë stofin e veçantë të kritikut.

Një rol negativ këtu ka indiferenca e institucioneve përkatëse, që janë pajtuar në heshtje me këtë ngërç dhe këtë situatë paradoksale. Kam lexuar diku, se janë prurjet e pasura letrare ato që nxisin zhvillimin e këtij zhanri, risitë dhe arritjet. Në fakt. unë do të thoja të kundërtën e kësaj. Letërsia e shkruar dhe kritika duhet të ecin paralel njëra me tjetrën, pa pritur të bien mrekullitë nga qielli. Shkrimtari dhe poeti shkruan, ndërsa kritiku i vërtetë evidenton dhe orienton. Dihet që në kohëra vakumi dhe krizash të tilla, ngrenë kokat dhe bëhen aktivë të ashtuquajturit kritikë kafenesh, ose gjuetarët e poetëve fillestarë. Dhe pse pa lidhje të sinqerta me kritikën, ata janë të aftë të luajnë me naivitetin e tyre, duke ditur të fshehin me kujdes profaninë e tyre letrare, duke marrë shpesh herë të drejtën e fjalës hapëse dhe mbyllëse në shtyp, në ekrane dhe tryeza promovimesh hipokrite, me një gotë verë dhe patatina, Janë gjithollogë që për 100 euro, janë gati të ngrenë në piedestal lloj-lloj grafomani që e konsideron veten shkrimtar, por që shkruajnë nga gjashtë libra në vit me bejte dhe histori pa vlerë, injorantëve të gjuhës shqipe, që fjalën dhallë e shkruajnë llallë dhe pyetjen ç’kemi e shkruajnë q’kemi. Para ca ditësh njërin prej tyre e ndoqa duke folur në një ekran televiziv për librin e katërt të një fëmije, që s’i kishte kaluar akoma dhjetë vjet. por që, sipas tij, po sillte një frymë të re në poezinë tonë. Lind pyetja: si mund të shkruajë katër libra një dhjetëvjeçare në një periudhë kaq të shkurtër kohore dhe ç’risi mund të sjellë në poezinë tonë një fëmijë pa kulturë letrare dhe përvojë. Natyrisht unë nuk i vë faj fëmijës, por pseudokritikut dhe redaktorit, që ia ka mbushur mendjen vogëlushes, për talentin e saj të jashtëzakonshëm.

Sigurisht qe të tillë mashtruesve panegjerikë dhe zëdhënës të pështirë të korit të gjinkallave dhe buburrecëve letrarë i duhet mbyllur goja. Por si?

Unë mendoj se ka ardhur koha që të kemi më në fund një ekip të zgjedhur kritikësh të zotë, egzigjentë dhe gjakftohtë në punën e tyre studimore, pasi prania e një kritike të shëndetshme letrare është si oksigjeni për gjakun.

Leave a Reply

Your email address will not be published.