LOREDAN BUBANI, SHKRIMTARI I AVENTURAVE PËRRALLORE

Kopertina Poku 30 05 2014

Në opusin letrar të Loredanit “lëviz-in”  “Aventura-t”… Ato shfaqen në subjektin e krijimit, në karakteret dhe në hapësirat e personazheve, në indet e aksesorët të strukturave të krijimeve përrallore, gjini që autori e ka për zemër dhe e lëvron dinjitetshëm e plot sukses

Xhahid BUSHATI

Loredan Bubani është një profil krijuesi, ku krahas letrares (artistikes), prioritet ka botën e madhe të Gjuhës Shqipe, morfologjinë dhe sintaksën e saj. Ky lloj profili në fushën e letrave shqipe për fëmijë gjendet jo shpesh. Ky “përjashtim” me veçantitë e tij ka sensin e së mirës dhe është i shumëdëshiruar (mundësisht të shumëfishohet) për librin artistik, që është shumë i nevojshëm për përkujdesjen gjuhësore e drejtshkrimore, frazeologjike, ndaj kësaj moshe, ku dhe ka skicuar e thelluar  portretin e tij letrar e artistik krijuesi Loredan Bubani.

Në opusin letrar të Loredanit “lëviz-in”  “Aventura-t”… Ato shfaqen në subjektin e krijimit, në karakteret dhe në hapësirat e personazheve, në indet e aksesorët të strukturave të krijimeve përrallore, gjini që autori e ka për zemër dhe e lëvron dinjitetshëm e plot sukses. “Po pse Aventura-t?”… – mund të pyes dikush. Sepse ky është çelësi i librave të Loredanit, ku marrin jetë përrallat dhe bëhen interesante në rrjedhën dhe vijën lineare të subjektit (ngjarje pas ngjarjeve). Këtu do ta kërkojmë dialogun aventurë – lexues, këtu do ta kërkojmë rezultanten artistike të çdo krijimi ofruar kësaj moshe parashkollore. Kjo moshë e “përpin” magjinë e këtij krijimi, sepse autori nuk ngutet por është një rrëfimtar i besueshëm, pasionant, njohës i kërkesave, natyrës dhe botës së kësaj moshe. Realisht kjo letërsi për parashkollarët mbetet e pastudiuar nga kritika jonë letrare, dhe sigurisht ka mjaft probleme, qoftë bindëse për moshën që mbart, qoftë në rrëfim e artikulim të frazës, të përdorimit të figuracionit e kuptueshmërisë së saj, të fjalorit, të perceptimit e të vizionit. Loredani me krijimet e tij bën të jetojë kjo letërsi. Nuk është dhe aq e pasur letërsia e kësaj moshe. (Flasim për letërsi të vërtetë.) Nuk është e lehtë, sigurisht. E bëjnë të pasionuarit e të shumë talentuarit. Po përmend kontributet e tre shkrimtarëve seriozë në këtë lamije, të Adelina R. Mamaqit, Tasim Gjokutajt e Xhevat Beqaraj. Shkrimtarja Adelina R. Mamaqi vazhdon të kontribuojë, përgjithësisht me poezinë e saj, “pa rënë në sy” të kritikës letrare. Libri “Eni me syçkat si liqeni” sikur i vë ‘vulën’ maksimalisht arritjes së saj në gjininë e poezisë, dhe në veçanti për parashkollarët. Ndërsa poeti Tasim Gjokutaj, i cili nuk jeton më, por krijimtaria e tij u ngjan gurëve të çmuar. Shpesh e lexoj dhe e rilexoj, dhe ndiej këtë rrezatim e çmueshmëri, duke menduar që ishim me fat që e kishim një poet të tillë, por ishim të pafat se u largua nga kjo jetë kur nuk duhej të largohej… Kurse Xhevat Beqaraj i fal kësaj moshe freskinë e ndjeshmërinë e lirikës. Në këtë hulli,  gjithashtu dua të përmend edhe një pjesë të krijimtarisë së poetit nga Kosova, Rifat Kukaj. Thashë pjesë, sepse flasim për atë “parcelë” poetike që i takon parashkollarëve. Poezitë që shkroi për këtë moshë ishin: magjepsëse, me të papritura, befasime të këndshme, humor me plot rima, të zhdërvjellta dhe të asimilueshme.

Loredan Bubani, për fëmijët ka botuar: “Poku çamarroku” (poemë-përrallë), Naim Frashëri, Tiranë 1969; “Bubllapushi” (përrallë), OMSCA-1, Tiranë 2002; “Ketrushi Kim-Pim” (përrallë), SHBLSH e Re, Tiranë 2005. Duke folur për serialin “Poku Çamarroku” (1, 2, 3, 4, Sh. B. “Ideart”) të autorit Loredan Bubani, studiuesi Kristaq Nanushi ka gjetur “maja-në” e krijimtarisë por edhe të kësaj sage, duke e emërtuar me të drejtë: “NJË LIGJËRIM I BUKUR PËR FËMIJË”. Dhe vërtetë, Loredani ligjëron bukur… Ky është tipari kryesor i portretit të tij artistik.

Skeda e krijimtarisë së Loredanit: Zbërthimi i ngjarjeve nga libri në libër krijon kureshtje në ngritje. *Përfytyrimet e lexuesit të vogël shkallë-shkallë “ndizen” deri në pikën kulmore të subjektit. *Narracioni bëhet tërheqës jo vetëm me veprimet e zgjuara, as edhe me befasitë që hasen rrugës, por edhe me ngjyrat e humorit që autori i përdor me sukses. Ligjërimi nuk mund të bëhej i bukur pa qenë edhe i saktë gramatikisht. L. Bubani, i mirënjohur si autor i teksteve shkollore të gjuhës shqipe për shumë breza nxënësish, është një shembull udhëheqës për gjithë shkrimtarët shqiptarë se si duhet përdorur shqipja jonë e dashur më pasuritë dhe bukuritë e saj. Duke iu kthyer edhe njëherë krijimtarisë poetike të Loredan Bubanit, të ruajtjes dhe të dialogimit po thuajse me të njëjtën moshë, atë të parashkollarit, Aventura mbetet bërthama e krijimit të tij, ku autori shpalos vlerat dhe arritjet.

Loredani kohë më parë ndërroi jetë. Në një intervistë të fundit, ai thotë: “Letërsia gjithmonë ka fjetur brenda meje. Letërsia për mua është dashuri. Por puna ime si redaktor nuk më ka lënë shumë hapësira për të shkruar. Megjithatë, jam i lumtur që kam realizuar një personazh si “Poku çamarroku”, i cili mendoj se do të mbetet në letërsinë shqipe për fëmijë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.