LUFTA DHE POEZIA

(Rreth librit “Sot është një luftë tjetër” nga Lyudmyla Khersonska)

Nicole YURCABA

Në nivel global, poetët ukrainas po krijojnë poezinë ukrainase si një mekanizëm dekolonizimi brenda një kanuni të letërsisë globale të dominuar tradicionalisht nga letërsia ruse. Nga ana tjetër, këta poetë e vendosin poezinë si mjet ruajtjeje për dokumentimin e sfidave të përditshme dhe brutalitetit të jetës gjatë kohës së luftës. Në librin “Sot është një luftë tjetër” të Lyudmyla Khersonska, lexuesit ndeshen me një poete të përshtatur dhe të dashuruar me botën e gjallë dhe të aftë të dokumentojë shkatërrimin e luftës për shkak të lidhjes së tyre me rrethinat e tyre.

“Lufta. Dita 1” kap tronditjen dhe frikën e zgjimit ndaj një ekzistence të shkatërruar rrënjësisht nga një “mysafir – i paftuar dhe i frikshëm”. Në të, një derë tingëllon,

“Mos e hap, mos e ushqeni atë dhe mos vishni fustanin tuaj të bukur.

Nëse futet me forcë, goditeni me sëpatë.”

Këto rreshta të thjeshtë i bëjnë jehonë titujve të tmerrshëm dhe artikujve të lajmeve që informojnë publikun për qëllimet e ushtarëve rusë në Ukrainë: të përdhunojnë, të gjymtojnë, të grabisin dhe të vrasin civilë. Poezia është gjithashtu një testament i qëndresës ukrainase në një kohë të historisë kur edhe analistët më të mirë ushtarakë parashikuan një fitore të shpejtë ruse. Ndërsa “raketat këndonin jashtë dritares”, poetja përshkruan një grua që “u rrëzua nga shtrati me pizhame vishnje”. Gruaja thith dhunën që shpaloset – “bilbilin demonik”, “njollën e kuqe, që fluturon jashtë dritares”. Kaosi shpaloset, si dhe realiteti: “Pra, lufta është këtu. Askush nuk e kërkoi një vizitë.” Deklaratat janë pranim dhe njohje delikate e situatës, por nën pranimin, ekziston diçka tjetër – një vendosmëri në rritje për të mbijetuar.

“Ajo pyet, se ku janë iriset e mia” përshkruan elementet e tmerrshme që kanë prishur jetën e përditshme. Fillimisht, lexohet si një poezi e thjeshtë – një grua pyet se ku kanë shkuar iriset e saj të dashur. Ajo merr një përgjigje:

“Ne i denazifikuam iriset tuaja,

ato po përgatitnin një sulm,

duke planifikuar për t’u bashkuar me BE dhe NATO,

grumbullimi i bletëve biologjike.”

Këto rreshta janë në qendër të poezisë. Kjo vendosje është e domosdoshme jo vetëm në kontekstin e poezisë, por edhe brenda justifikimeve që Vladimir Putin ka përdorur për pushtimin e Ukrainës. Ai dhe mbështetësit e tij kanë theksuar se pushtimi i Ukrainës është për të “denazifikuar” kombin. Rusia ka përhapur – mjaft efektivisht – teoritë e konspiracionit rreth biolab-eve të operuar nga SHBA në Ukrainë përgjatë kufijve rusë. Megjithatë, poetja kundërshton akuzat dhe poezia e Khersonskës shndërrohet në një moment kundërshtimi dhe pranimi ukrainas se atë që Rusia kërkon të rimarrë, në fund e shkatërron.

“Muaji i katërt i granatimeve të vazhdueshme” trajton një çështje që historiania ukrainase Olesya Khromeychuk e përshkruan si “lodhje e Ukrainës”. Në këtë poezi, poetja shprehet: “Është në rregull të vrasësh dhe të shkatërrosh, thjesht jo në supermarket, stacionin tim të trenit”. Fenomeni “lodhja e Ukrainës” ka lulëzuar dhe ka kontribuar në një rritje të ndjenjës anti-ukrainase. Megjithatë, poezia trajton me guxim izolacionizmin, i cili, në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara, kontribuon në një rritje të ndjenjave djathtiste, anti-ukrainase. Poetja pohon:

“Anuloni çdo ligj dhe kushtetutë,

fshijini të gjitha ato fjalë boshe,

në dreq me të drejta inekzistente

nëse nuk kemi të drejtë të jetojmë.”

Këto rreshta vënë në pikëpyetje detyrimin moral të vendeve si SHBA dhe Britania e Madhe, dy nga tre nënshkruesit e Memorandumit të Budapestit, i cili garantonte sigurinë për Ukrainën nëse Ukraina dorëzonte arsenalin e saj bërthamor.

“Ju jeni me vendin tuaj, kudo që të jeni” dëshmon për ndikimin e luftës mbi ukrainasit vendas dhe ata të diasporës. “Kudo që të jeni” thotë poetja, “ju dëgjoni bilbilat dhe goditjet (të çarat).” Ukrainasit vendas dhe diaspora iu përgjigjën luftës me një derdhje pikëllimi, avokimi, edukimi kulturor dhe me ndihma humanitare dhe ushtarake. Komunitetet globale ukrainase ndihmuan në kapërcimin e boshllëqeve kulturore për refugjatët. Diaspora krijoi platforma vokale (të zhurmshme), protestoi kundër luftës dhe u kërkoi qeverive të tyre të mbështesin Ukrainën. Megjithatë, fuqia e kësaj poezie nuk grumbullohet thjesht për shkak të peshës së saj emocionale të formuar nga shqyrtimi i përvojave të diasporës dhe refugjatëve. Poetja vëren se «fëmijët e vendit tim janë të qetë dhe shohin prindërit e tyre» dhe «fëmijët e vendit tim i paketojnë me nervozizëm gjërat e tyre». Poetja përshkruan atë që durojnë fëmijët ukrainas:

“ata përzgjedhin atë që kanë gjetur: copëza, plumba, një copë teli të ndryshkur,

gjithçka që “bota ruse” – që ata thonë se pjesë e të cilit është vendi im

të gjitha këto i dërgon në vendin tim nën mbulesën e ndihmës humanitare.”

Poetja i kthehet elementit të “denazifikimit” të prezantuar për herë të parë në “Ajo pyet, ku janë iriset e mia” dhe trajton një realitet fatkeq për fëmijët ukrainas që tanimë janë të njohur me armët e luftës më shumë sesa duhet.

“Sot është një luftë tjetër” është libër tronditës dhe këto poezi janë klithma beteje dhe dokumentarë, vëzhgime dhe deklarata bashkëkohore. Koleksioni i këtyre poezive u kujton lexuesve dhe botës botuese pse dekolonizimi i letërsisë dhe ngritja e zërave të shtypur është imperativ në këtë pikë të historisë. (worldliteraturetoday.org)

Përktheu: Fitim Nuhiu

LYUDMYLA KHERSONSKA

Lyudmyla Khersonska ka lindur në Tiraspol, Moldavi, në vitin 1964. Ajo është autore e dy librave me poezi, Vse svoi, i cilësuar si një nga dhjetë librat më të mirë me poezi të vitit 2011 dhe Tyl’naia-litsevaia (2015). Vepra e saj ka marrë disa çmime letrare dhe është shpallur laureate dhe fituese e konkursit Voloshin. Poezitë e saj shfaqen në shumë revista, duke përfshirë Novyi mir, Znamia, Kreshchatik, Interpoeziia dhe Storony sveta, dhe janë përkthyer në gjuhën ukrainase, lituanisht dhe gjermanisht. Ajo ka bërë lexime poezish në Moskë, Kiev, Lviv, Munih dhe Nju Jork. Khersonska gjithashtu përkthen poetë në gjuhën angleze dhe në atë ruse, duke përfshirë Vladimir Nabokov dhe Seamus Heaney. Ajo ka folur për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka lexuar disa herë poezinë e saj për luftën në Radio Liberty. Libri i saj i fundit, Tyl’naia-litsevaia, përfshin reflektime poetike mbi agresionin rus në Ukrainë. Khersonska jeton në Odesa.

Leave a Reply

Your email address will not be published.