LUFTA MES ARSYES SË FTOHTË DHE JOSHJES SË NDJENJËS

(Rreth romanit “Ajra e Ajtoit”, të shkrimtarit sarandiot, Pajtim Çaushi)

Nga Agim BAJRAMI

Kur letërsia arrin të bëhet përçuese e ngjarjeve të kohës dhe evidentuese karakteresh tipike,kemi të drejtë të gjykojmë për një shkallë të lavdërueshme pjekurie të saj. Natyrisht, duke u ndodhur në një shoqëri me problematika të shumta si kjo e jona, ku tranzicioni dhe njerëzit e pështire bëjnë ligjin, detyra e një narratori të pjekur është jo vetëm grumbullimi i materialit jetësor, por edhe seleksionimi dhe mënyra e paraqitjes së tij. Përballë një luksi të tillë shumë krijues e humbasin keqas fillin e orientimit. Por ,për një krijues të spikatur në prozën e gjatë si Pajtim Çaushi, kjo gjë duket se është tejkaluar pa vështirësi. Besnik i faktit jetësor, por edhe i fiksionit, letërsia që ky autor merr përsipër të sjellë për lexuesin e tij, është më tepër se emocionuese.

Subjekti i këtij romani i ngjan një rrjete të sofistikuar merimange ku mund të bjerë jo vetëm viktima, por edhe ai që ka ngritur rrjetën. Personazhe të vërtetë dhe të gdhendur më së miri që lëvizin para syve të lexuesit si në një sekuencë filmike, ngjarje që të tronditin dhe të bëjnë edhe ty si pjesë të tyren,dhe kapituj tronditës që zëvendësojnë njëri tjetrin. Një vajzë e re dhe e bukur me emër legjende, që në ëndrrën e saj për të prekur hapësirat e jetës,dashurohet gabimisht me një monstër, vihet shpejt në dilemat e vështira të ekzistencës. Janë dilema, zgjidhjen e së cilave lexuesi do ta përjetojë hap mbas hapi me ankth,emocion dhe mbajtje fryme. Viktimë e një lidhje të gabuar gjer në kufijtë e paradoksit,ku abuzuesin dhe viktimën nuk mund t’i lidh gjë tjetër përveç një interesi të pështirë abuziv, Ajra do ta shpërfaqë veten para nesh me tiparet e një heroine të vërtetë. E zhgënjyer,e mashtruar dhe e keqtrajtuar,por jo e dorëzuar në krahët e fatalitetit,ajo do bëjë gjithçka që mundet përballë linçuesve të lirisë dhe ëndrrës së saj. Edhe pse në pamje të parë të duket se flitet për fate individuale,drama që bart në vetvete ky personazh është shumë më e gjerë se kaq,për të mos thënë se është një dramë me përmasa kombëtare. Duke përfituar nga mungesa e ligjit dhe korrupsionit shtetëror, grupe të tëra të organizuara mafioze,u aktivizuan egërsisht në tregtinë e mishit të bardhë. Është një tregti me përfundime fatale dhe të pariparueshme,për mijëra viktima femra të këtij vendi. Janë ende rrëqethëse edhe sot e kësaj dite kronikat e zeza dhe viktimat e kësaj tregtie të ndyrë. Egërsia dhe antihumanizmi që karakterizon anëtarët e këtyre bandave, ose individëve të veçantë janë të njohura tashmë për të gjithë ne,po aq sa dhe paaftësia e ligjit për t’i ndëshkuar ato.

Në këtë kontekst edhe Ajra u piketua me gjakftohtësi prej tyre për të qenë një pre e tillë. Vendosur në fokusin e një narratori dhe vëzhguesi të thellë, portreti i saj të imponohet dhe të mbetet në mendje për një kohë të gjatë. Është fakt se nëpërmjet saj dhe të dashurit “Don Zhuan”, autori vizaton me dorë të sigurt dy skaje karakteresh njerëzore, me shije dhe botëkuptime diametralisht të kundërta dhe nëpërmjet tyre dy botë me koncepte dhe qëndrime ekstreme. Bukuria përballë shëmtisë dhe ëndrra përballë zhgjëndrrës në këtë roman, krijojnë kontraste të theksuara. Ajra e Ajtoit, bijë e një familje intelektuale dhe një nxënëse e shkëlqyer gjimnazi, nën euforinë e moshës dhe bukurisë së saj, e konsideron veten si një vajzë të përkëdhelur nga jeta dhe se ka lindur për t’i shijuar gjer në fund privilegjet e saj,por në një segment të rrugës, ajo sheh se si ëndrrat e saj përmbysen keqas në një hon të thellë zhgënjimesh. Pikërisht këtu del në pah edhe aftësia e shkrimtarit për të pasqyruar artistikisht luftën e fortë mes arsyes së ftohtë dhe joshjes së ndjenjës. Ndofta ky është edhe një nga momentet më të ndjerë që krijon në këtë roman përthyerje dhe tronditje të thella psikologjike. Është pikërisht ky momenti post-zhgënjyes që do t’u japi ngjarjeve një rrjedhë të ndryshme dhe shumë interesante në vijimësinë e tyre. Vëmë re që autorit i pëlqejnë ballafaqimet e hapura dhe konfrontimet mes personazheve,duke i krijuar kështu mundësi atij për të bërë edhe nënvizimet e rastit. Proza e Pajtimit është një prozë provokative, që nuk ka për qëllim pasqyrimin e të sotmes,por të ravijëzojë edhe diçka nga vizioni i së nesërmes së munguar. Në këtë këndvështrim asaj nuk i mungojnë projektorët. Autori dhe personazhet e tij nuk e pëlqejnë të ashtuquajturin ”hepi endin” skematik të letërsisë limonade. “Nga ky lloj hepi endi” kanë vuajtur dhe vuajnë shumica e romaneve tanë.

Autori është egzigjent ndaj së vërtetës, po aq sa dhe i faktit jetësor. Vepra dëshmon prirje për të dhënë pamje realiste në dimensione sa më të gjera. Kjo e shtyn të priret atë sa më shumë nga ngjarjet e prekshme dhe me vlera përgjithësuese. Liria e abuzuar është një simbolikë që hyn e del vazhdimisht nga një kapitull i këtij romani në tjetrin. Autori e njeh mirë këtë lloj simbolike dhe e trajton atë në këndvështrime nga më të ndryshmet. Personazhit qendror i këtij romani Ajrës, i duhet të ndeshet gjatë dhe ashpërsisht për të shpëtuar nga kthetrat e bandës së organizuar të Polos,njëherësh edhe pronar i disko mjellmës,banda e tij është një nga qindra bandat e tregtisë së mishit të bardhë që nisen të vepronin intensivisht në atë periudhë në vendin tonë, duke i dhënë një famë të keqe vendit tone. Ishin banda të cilat përbëheshin nga njerëz kriminelë dhe zemër zinj, të cilët lirinë e tyre nisën ta ndërtonin mbi lirinë dhe fatkeqësitë e të tjerëve të ngjashëm. Kaq shumë me përbindëshat. Gjithçka e tyre mban erë perversitet. “Ajra e Ajtoit” është një lloj romani analitik,ku secili personazh zbulon para nesh pjesë thelbësore të jetës së tij në marrëdhënie të ngushtë me arealin përkatës. Megjithatë, personazhet e këtij romani nuk janë aq kokulur ndaj fateve të tyre,edhe pse në pamje të parë të krijohet përshtypja,se brenda tyre asgjë nuk lëviz. Ajra është e pajisur me një forcë të madhe reaguese. Fill mbas hutimit të parë, mekanizmi i saj mbrojtës nis të bëhet gjithnjë e më evident. Arratisja në aeroport, njohja rastësore me njeriun e mirë italian Gaetano, qëndrimi në një manastir murgeshash,vrasja e mbrojtësit të saj,kthimi në atdhe dhe martesa e pafat me një bashkëshort jo të denjë dhe më pas marrëdhëniet me Pegasin, e lartësojnë atë gradualisht para syve tanë. Me këtë roman dhe ndonjë tjetër para tij, autori merret me pasojat që lë në psikologjinë e njerëzve një kohë depresionesh të mëdha shpirtërore dhe sociale. Romani është shumë-planësh dhe tenton të sjellë njëkohësisht para lexuesit karaktere, kultura dhe histori të larmishme,shqiptare dhe njerëzish të huaj,secili me karakteristikat dhe personalitetin e tij.Bashkëjetesa e tyre në këtë roman motivohet më së miri nga autori si pjesë e një zinxhiri të pafund interesash. Ajra e Ajtoit ka pak ngjashmëri me të atin e saj,i cili përfaqëson brezin e korruptuar të zyrtarëve të tranzicionit shqiptar. Njëri që e josh në të njëjtën masë paraja dhe seksi,duke e tradhtuar me kohë familjen e tij të vogël. Ky është një lloj argumenti edhe për lindjen e dramës në familjen e tij. Reagimet e tij të mëvonshme për t’i dalë zot familjes së tij tingëllojnë të turbullta dhe aspak funksionale. Forca e argumentit dhe motivimit të veprimit të personazheve këtu është e lartë. Librin e përshkon nga kreu deri në fund filozofia e qëndresës dhe e rilindjes shpirtërore edhe në situatat dhe kushtet më të vështira të jetës.

Lufta e unëve të fuqishëm përballë atyre më të dobët, i mjaftojnë autorit për të dhënë një mori peizazhesh psikologjik, por edhe një larmi reagimesh njerëzore. Proza e këtij autori e kërkon dramën me insistim dhe nuk bie aspak në natyralizëm dhe thjeshtëzim,çka mund ta dëmtonte seriozisht një vepër letrare. Është pozitiv fakti që ndonëse në roman vepron një galeri e tërë personazhesh, secili prej tyre ka një linjë dhe profil të vetin. Polo Duma, Laerti, Samdokai, Dino Roshi etj., janë përfaqësues të një shtrese të re krijuar nga një sistempolitik tranzicioni të stërzgjatur, i paaftë të qeverisë vendin apo të krijojë siguri për jetën. Të korruptuar dhe të njollosur kokë e këmbë, ata mbartin mbi vete gjithë mëkatet e mundshme të kohës. Për Polon, fjala vjen, fjala moral e ka humbur kuptimin, që nga kohëra që s’mbahen mend. Në kërkim të pasurisë dhe fitimit, ai është gati për të bërë gjithçka. Përdorimi i së motrës si mjet biznesi me deputetin. Dino Roshi është një detaj shumë i gjetur për ta zbërthyer atë si karakter. Po kështu veprimi i Laertit me shitjen e së dashurës Ajrës tek Bosi i Luksemburgut është një gjë e pështirë dhe e neveritshme. I gjithë ky grupim personazhesh karakterizohet nga egërsia e tejskajshme dhe vandalizmiekstrem. Duket se ata hyjnë në këtë roman direkt nga kronikat e zeza të krimit shqiptar. Gjithçka e tyre të kujton vdekjen dhe ferrin. Polo Ajtoi është edhe i neveritshëm në skenat e kërkimit me dhunë të seksit prej Ajra Ajtoit. Në këndvështrimet e autorit, ata janë njerëz që energjinë e tyre negative dinë ta emetojnë edhe në atmosferë dhe që sjellin edhe më pranë nesh realitete të helmuara.Kjo e ngarkon me më shumë atmosferë veprën. Në tiparet e tyre autori ka mundur të gdhendë tiparet më esenciale të së ligës,që ka triumfuar në këtë vend prej kohësh. Natyrisht, krahas tipareve të tyre karakteristike ata kanë të përbashkët edhe gjurmët e thella të tranzicionit shqiptar,ndaj kush më shumë e kush më pak, secili prej tyre është i prekur patjetër nga virusi i tij i pështirë.

E vetmja që gëzon simpatinë e autorit është Ajra e Ajtoit. Në tiparet e saj autori krahas simpatisë njerëzore ka derdhur edhe shumë dhimbje dhe me të drejtë. Të dashurosh jetën dhe të mbetesh viktimë e një komploti të pabesë nga njeriu që ti dashuron nuk është pak. Në roman shumica e personazheve janë të pandehur, edhe pse përkohësisht nuk e vuajnë ligjërisht fajin e tyre dhe për mendimin tim kjo është vlerë nëntekstuale e tij. Monologët e brendshëm dhe pjesët e ditarit i japin një tjetër konfigurim dhe ridimensionim tekstit bazë të këtij romani interesant. Autori i kushton interes zërave të brendshëm të personazheve dhe ngjyrimeve të tyre shpirtërore. Për t’ia arritur kësaj, ai zotëron një shumësi receptorësh ndjesor,që jo kushdo i zotëron. Natyrisht, për këtë e ndihmojnë edhe aftësitë e tij hulumtuese dhe investigative si publicist dhe analist i problematikave sociale. Ndonëse linja e Ajra Ajtoit është e ndërthurur edhe me linja personazhesh të tjerë, siç është ajo e Polos apo e Pegasit, fokusi qendror i autorit nuk shkëputet asnjëherë prej saj. Duket se edhe kur merret me të tjerë, autori njërin e ka përqendruar vetëm mbi të. Kjo e ndihmon jo vetëm tipizimin e kësaj figure, por nuk e le as vëmendjen e lexuesit të hallakatet. Ajra Ajtoi është një personazh sa i prekshëm dhe konkret,por dhe tragjik njëherësh. Në mënyrë simbolike nëpërmjet saj autori ka gdhendur edhe portretin e një kohe mbushur ëndrra dhe pasione, por edhe zhgënjyese njëkohësisht. Fati dhe prototipi i Ajrës i ka dhënë mundësi autorit të hedhë në qarkullim edhe disa nga konceptet dhe këndvështrimet e tij më esenciale për jetën dhe lirinë në të ashtuquajturën demokraci shqiptare,që vetëm e tillë nuk mund të jetë. Nga ana tjetër, vepra është një kritikë e fuqishme për një vend ku opinioni publik dhe ai shoqëror janë në nivelet e tyre më të ulëta të mundshme. Për të gjitha këto tipare të prozës së tij Pajtim Çaushi është një autor i vlerësuar tashmë në tregun e librit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.